Ditën e sotme është mbajtur seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit ndaj kopshtarit të kompleksit “Golden” të Altin Hajrit në Shijak, Festim Bexhdili, i cili akuzohet për rrëmbimin e Jan Prengës më 17 Janar të vitit 2020 në Kamëz.
Kopshtari Festim Bexhdili ishte i vetmi nga të pandehurit në dosjen e parë, i cili u dënua nga shkalla e parë dhe Apeli me burgim të përjetshëm për rrëmbimin e Jan Prengës, por Gjykata e Lartë e riktheu sërish çështjen në Apel.
Gjatë seeancës së sotme, prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini depozitoi prova të reja për çështjen, më konkretisht bisedat në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” mes Dritan (Gramoz) Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentjan Funiqit.
“Kemi një kërkesë tjetër duke qenë se në kuadër të procedimit penal 62/3, 2022 janë kthyer përgjigje dhe janë dërguar letër-porosi. Konkretisht komunikimet SKY mes të pandehurve, proces që po ndiqet edhe në GJKKO. Janë në interes të këtij procesi, referuar edhe vendimit të Gjykatës së Lartë për rikthimin e çështjes këtu. Është kryer procesverbali i identifikimit të PIN të Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Altin Hajrit. Komunikimet lidhen me ngjarjen për të cilën akuzohet dhe Festim Bexhili. Ne vlerësojmë se këto komunikime janë në interes të këtij procesi. Jane marrë akte, 75/2022 është marrë praktika përkatesë për ndihmë juridike autoriteteve franceze”, tha prokurorja e SPAK.
Më tej ajo ka shpjeguar se janë kryer edhe veprime për të pandehurit e tjerë të çështjes.
“Për Dritan Rexhepin është marrë dhe letër-porosia, edhe për të pandehurin Altin Hajri, i bashkëpandehur në një gjykim në GJKKO. Dhe njëkohesisht është marrë edhe praktika që është derguar nga autoritetet franceze, që tregon mënyrën se si janë marrë komunikimet sky dhe janë bërë pjesë e procesit. Pra mënyra e nderhyrjes për marrjen e komunikimeve. Janë komunikime që janë marrë konform rregullave. Aktet i kemi të listuara, informacion shtesë mbi hetimet e kryeta për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës në 17 janar 2020, Kamëz. Komunikime Sky Ecc mes Dritan Rexhepit dhe të tjerëve për rrëmbimin e këtij shtetasi. Komunikimet e Altin Hajrit, Gentjan Funiqi dhe shkresa që janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë për marrjen e akteve”, vijoi prokurorja.
Por, avokati Ilir Murati tha se provat nuk duheshin pranuar.
“Kërkohet riçelje tjetër me sa kuptuam për të paraqitur prova të reja. Në bindjen time, nuk duhet të pranohen provat. Nëse ka mundësi Prokuroria të na thotë do ketë prova të tjera seancën e radhës apo jo”, u shpreh ai.
Prokurori Behar Dibra u përgjigj se “kjo është kërkesë vazhduese”.
Gjykata pranoi kërkrsën e avokatëve për t’u njohur me provat e reja të depozituara nga SPAK dhe seanca e radhës u la për në 13 maj, ora 09:00.
Festim Bexhdili u dënua fillimisht me burgim të perjetshëm nga GJKKO dhe Apeli, por më pas vendimi u prish nga Gjykata e Lartë duke e kthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO-së (që më parë e kishte konfirmuar). SPAK dyshon se Bexhdili ka dijeni ku është fshehur apo asgjësuar trupi i Jan Prengës, por ai e ka mohuar një gjë të tillë.
Jan Prenga u rrëmbye më 17 Janar të vitit 2020 në Kamëz. Pas rrëmbimit ai u dërgua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.
Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, Jan Prenga dyshohet se u dhunua për vdekje dhe asgjësimi i trupit ka dyshime se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit, teksa kufoma ende nuk është gjetur.
Rrëmbimi erdhi pasi vëllai i Jan Prengës vodhi një kontejner me drogë në Britaninë e Madhe. Sipas SPAK, urdhri për rrëmbimin e Jan Prengës ishte dhënë nga Dritan (Gramoz) Rexhepi dhe i bashkëpandehuri i tij Gentian Funiqi (Doda), organizimi është bërë nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ndërsa ekzekutimi i rrëmbimit është bërë nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Porosia për rrëmbimin e Jan Prengës u dha teksa Rexhepi ishte i burgosur në Ekuador, në Amerikën Latine dhe kishte si qëllim shtrëngimin e vëllait të Prengës, që kishte vjedhur një sasi kokaine të trafikuar nga Ekuadori në Angli. Familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jan Prenga kishte humbur jetën.
Gjatë seeancave në GJKKO, Dritan (Gramoz) Rexhepi) e ka mohuar implikimin në rrëmbimin e Jan Prengës, teksa organizatori tjetër, Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” ku ndodhi krimi, rezulton ende në arrati.