Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes sorollatjet dhe veprimet burokratike të punonjësve të Bashkisë së Durrësit, të cilët harruan për plot 5 vite në sirtar një dosje të një qytetari, të cilit i ishte prishur shtëpia nga tërmeti i vitit 2019.
Luman Rexhollari, banues në lagjen nr. 18 në Durrës, u ankua në redaksinë e emisionit investigativ se nusja e djalit të tij, Matilda Novaku, ka aplikuar për fondet e rindërtimit, pasi banesa e Lumanit doli me dëmtime DS3. Lumani, i cili jeton vetëm pasi bashkëshortja i ka ndërruar jetë, është interesuar dhjetëra herë në Bashkinë e Durrësit, por ka marrë vetëm përgjigjen se “s’ka fonde”.
“Mua mu prish shtëpia dhe këta e nxorën me dëmtime DS3. Unë jetoj në katin e dytë të kësaj banese, e kam bërë me kunatin (vëllanë e gruas). Ai jeton në kat të tretë, unë në të dytin. Katin e parë e kemi të përbashkët. Ai ka marrë 5 milionë lekë të vjetra dhe unë s’kam marrë asgjë. Kam shkuar shumë herë, s’ka fonde, do t’i marrësh… dhe kur vjen puna, as që kujtohen. Ndaj u drejtova te Fiksi, mos më gjejnë ndonjë zgjidhje” – thotë Lumani.
Ai pohon se ka marrë kredi për të kryer punimet personalisht, ka nxjerrë një leje ndërtimi dhe ka paguar firmën. Sipas tij, firma ka marrë mbi 10 milionë lekë dhe ka përforcuar kolonat dhe ka bërë disa mure. “I bëra vetë lekët dhe prit sot e nesër se mos i marr, asnjë gjë” – shton ai.
Bashkë me Lumanin, Fiksi interesohet te zyra e rindërtimit në Bashkinë e Durrësit. Specialisti i rindërtimit thotë se aplikimi i familjes është bërë në dhjetor të vitit 2020. Ai shikon emrin dhe thotë se ka aplikim, por nuk është në listë.
Specialisti pohon se emri i kësaj familjeje nuk ka shkuar për miratim në Këshillin Bashkiak. Fiksi e pyet disa herë se kush e ka bërë gabimin, pasi si ka mundësi që në një godinë ai i katit të tretë i merr lekët dhe ai i katit të dytë jo. Specialisti thotë se, si rregull, emrat duhet të dërgohen nga bashkia në këshillin bashkiak, por ai nuk ka dijeni pse nuk janë dërguar.
“E di drejtori, shefat e mi. Unë e shoh që është emri” – pohon ai. Fiksi e pyet nëse duhet që Lumani të bëjë riaplikim, ndërsa specialisti i thotë se jo, pasi emri dhe dokumentet janë. E pyesin nëse ka apo jo familje që nuk kanë marrë lekët për dëmtime DS1, DS2 apo DS3. “Po, ka shumë. Ka edhe nga ata që e kanë emrin në këshill dhe s’kanë marrë lekët” – thotë ai.
Ndërkohë, Lumani tregon me lot në sy se deri më tani e kanë sorollatur dhe gënjyer. “As emrin s’ma kishin çuar. Mua më thanë ndryshe dhe tani ndryshe. Gjithë këto kohë dhe asnjë shpjegim. Kam shpresë vetëm te Fiksi” – thotë ai.
Fiks Fare i drejtoi disa pyetje Bashkisë së Durrësit, e cila thotë se kërkesa e qytetarit Luman Rexhollari ka kaluar fazën e vlerësimit dhe shqyrtimit paraprak të dokumentacionit dhe është në pritje të një vlerësimi përfundimtar. Në përgjigje, bashkia thotë se me shumë mundësi Këshilli Bashkiak do të marrë një vendim për këtë familje pas plot 5 vitesh.
Bashkia është vonuar po në kaq kohë për të vlerësuar kërkesën e Luman Rexhollarit, pasi aplikimi i tij është bërë me prokurë. Për më shumë se 5 vite me radhë, punonjësit dhe vetë bashkia e Durrësit nuk kanë mundur të lidhin aplikuesin me dokumentin e pronës dhe certifikatën familjare.
Pas plot 5 vitesh dhe pas interesimit të Fiks Fare, tashmë punonjësit burokratë të Bashkisë së Durrësit kanë bërë lidhjen mes aplikuesit dhe qytetarit. Por, duke qenë se jemi në fushatë, vendimi do të merret pas datës 11 maj!
Ballafaqimi mes specialistit të Zyrës së Rindërtimit të Bashkisë së Durrësit, qytetarit dhe në prani të Fiks Fare:
Gazetari – Ti je te tërmetet?
Specialisti – Po specialisti. Ky është kështu në listë. Matilda Novaku kush është?
Qytetari – Nusja e djalit.
Specialisti – Po duhet të dalë vendimi i Këshillit Bashkiak, nuk ka dalë akoma përfitues prandaj po them!
Gazetari – S’ka dalë?!
Qytetari – Si s’ka dalë?!Mua më the lekët do t’i marrësh, të vijë granti, të vijë granti! Si s’ka dalë emri?! Pse për shkurten (kunatën sipër banesës) doli granti, lekët dhe për mua nuk doli, për Matildën nuk paska?!
Gazetari – Ajo është banesë 3 – katëshe, Lumani bashkë me djalin dhe nusen e djalit janë në katin e dytë, kuanti është në katin e tretë. Katin e parë e kanë të përbashkët. Si kanë kaluar fare në Këshillin Bashkiak tani?
Specialisti – Nuk ka dalë në … po në vendim Këshilli!
Gazetari – Po si ka mundësi?
Specialisti – Po sepse …
Gazetari – Ka aplikuar me vonesë?
Qytetari – Kam aplikuar më 5 dhjetor (2020).
Gazetari – Se më the në 2020-ën!
Specialisti – Janë hapur 3 herë aplikimet në 2020-ën.
Gazetari – Po.
Specialisti – Në shkurt, korrik dhe në dhjetor.
Gazetari – Po.
Specialisti – Dhe Matilda Novaku ka aplikuar në dhjetor.
Qytetari – Po mirë në dhjetor.
Specialisti – Ndërkohë që ka aplikuar me dokumentet e zotërisë.
Gazetari – Është përjashtuar?
Specialisti – Jo ne e kemi marrë në shqyrtim, e kemi marrë në konsideratë po duhen hapur prapë grantet që t’i bëhet, që të bëjmë …
Gazetari – Ai ka ardhur disa herë dhe i keni thënë që s’ka para? Se kjo po më çudit tani, se Lumani thotë se ka ardhur disa herë dhe i kanë thënë se s’ka para! Ndërkohë ti po më thua që s’qenka emri fare në Këshillin Bashkiak! S’është miratuar si familje që të përfitojë nga rindërtimi?
Specialisti – Me vendim të Këshillit jo!
Gazetari – Dhe tani i bie që duhet ti bëni ju shkresa sërish Këshillit Bashkiak që të miratojë listën e personave?
Specialisti – Ne e kemi një listë si familje.
Gazetari – Si familje, po.
Specialisti – Thjeshtë duhet të presim kur të na thonë që të hapen listat e Këshillit Bashkiak për të përfituar.
Gazetari – Po ju e keni çuar? Ndoshta nuk është çuar për Këshill Bashkiak!
Specialisti – Jo sepse nuk na i kanë thënë me i çu.
Gazetari – Ai (qytetari) ka ardhur 10 herë, si s’ka thënë!
Specialisti – Jo, jo ta nxjerrim si listë përfituese.
Gazetari – Po kush duhet t’ju thojë ju, Bashkia?
Specialisti – Bashkia!
Gazetari – Përderisa s’ka dalë duhet t’i kishit çuar emrat si rregull.
Specialisti – Si rregull!
Gazetari – Është sqaruar po nuk është vepruar.
Specialisti – Nuk është vepruar, po nuk veprojmë ne. Presim Bashkinë kur të japin urdhrin …
Gazetari – Në këtë rast nuk është dërguar si do t’a miratojnë ata (Këshilli)?
Specialisti – Po pra po, po t’a dërgojmë ne!
Gazetari – Po pse s’e keni dërguar?
Specialisti – Deri tani s’na kanë thënë me e dërgu.
Gazetari – Kush s’ju kanë thënë, shefat?
Specialisti – Shefat!
Gazetari – Po nga dhjetori i 2020-ën kur ka aplikuar Matilda deri sot çfarë veprimesh janë bërë?
Specialisti – Lista përfituesish që nga 2022-shi nuk kemi nxjerrë.
Gazetari – Po pra po, po ju s’e keni çuar fare në Këshill kjo është e keqja. Ky është gabimi juaj.
Specialisti – Po pra. si do veprohet?
Gazetari – Si do veprohet?! Ja po të pyes ty, ti po më pyet mua apo unë po të pyes ty?
Specialisti – Edhe unë nuk e di!
Gazetari – As ti nuk e di?
Specialisti – Po.
Gazetari – Po si ke vepruar në raste të tjera?
Specialisti – Se ne nga 2022-shi s’kemi nxjerrë lista 1-3 (DS1, DS2, DS3). Që të çohen në Këshill Bashkiak merret një vendim.
Gazetari – Duhet t’a miratojnë shefat?
Specialisti – Po.
Gazetari – Shefat sss …
Specialisti – S’e di!
Gazetari – Ti bën dot ndonjë veprim për Lumanin?
Specialisti – S’bëj dot asnjë gjë.
Gazetari – Ti prapë s’bën dot asnjë gjë?!
Specialisti – S’kam as shef as …
Qytetari – Po ti pse s’më thoshe mua ore nuk ka dalë emri, nuk e fiton. Dhe veja unë në bashki.
Gazetari – Juve i keni thënë se s’ka fonde.
Qytetari – Nuk ka grant.
Gazetari – Po ndërkohë që s’ka vajtur as emri!
Specialisti – Po me logjikën që në qoftë se se s’ka fonde me nxjerr fitues …
Qytetari – Hëhë .. Si vij vërdallë!
/Top Channel