Kryediplomati i Kinës tha se një “dritare për paqe” po hapet në mes të një diplomacie amerikane me ritëm të shpejtë lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë dhe hapave të ndërmarrë nga Uashingtoni për të normalizuar raportet me Moskën.
“Kina mbështet të gjitha përpjekjet për paqe, përfshirë edhe konsensusin e fundit të arritur nga SHBA-ja dhe Rusia” dhe është e gatshme të luajë një “rol konstruktiv” në bisedimet për paqe, tha ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, gjatë samitit të G20-ës në Afrikën e Jugut më 21 shkurt, sipas një njoftimi për media.
Ky njoftim vjen pas bisedimeve të nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Rusisë që u mbajtën në Riad, e të cilat nxitën frikë në Kiev dhe në kryeqendrat evropiane se po lihen anash dhe se do të arrihet një marrëveshjeje paqeje që e favorizon Rusinë.
Por, pavarësisht komenteve publike të ministrit Wang, ekspertët dhe ish-zyrtarët besojnë se mundësia e një riafrimi mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Donald Trump, po ashtu po shkakton zemërim në Kinë.
“Kinezët e kanë parashikuar këtë që kur Trumpi u zgjodh dhe dha sinjale se donte ta përfundonte shpejt luftën në Ukrainë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dennis Wilder, i cili ishte këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Kinën gjatë presidencës të George W.Bush.
“Ndërsa një afrim i plotë mund të mos ndodhë, ata janë të shqetësuar sepse nëse Trumpi heq sanksionet ndaj Rusisë, atëherë varësia e Moskës nga Kina do të ulet”.
Një nga tiparet e politikës së jashtme të udhëheqësit kinez, Xi Jinping, ka qenë partneriteti strategjik në rritje me Putinin, i cili është forcuar që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Pekini ka mbështetur ekonominë ruse përmes rritjes së tregtisë dhe blerjes së energjisë, duke ndihmuar luftën e Kremlinit me furnizimin me mallra kyç, ndërsa si Xi ashtu edhe Putin kanë gjetur një terren të përbashkët sa i përket dëshirës së tyre për të sfiduar Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara.
Dhe frika se të gjitha këto mund të shkatërrohen nga një lloj i ri i raporteve SHBA-Rusi, që do të lindte nga negocimi për përfundimin e luftës në Ukrainë – siç u ngrit ditë më parë gjatë bisedimeve në Arabinë Saudite – është reale për Pekinin.
Wilder tha se ka pasur biseda me “zyrtarë shumë të lartë kinezë” që nga zgjedhja e Trumpit në nëntor, të cilët kanë shprehur shqetësimin lidhur me një rivendosje të mundshme të raporteve SHBA-Rusi.
Ai tha se ata përdorën frazën “vetëm Trumpi shkon në Moskë”, përdorimi i një reference historike për vizitën e ish-presidentit amerikan, Richard Nixon, në Pekin më 1972, kur ai sfidoi precedentin dhe kërkoi të afronte Kinën për ta shfrytëzuar ndarjen e saj nga Bashkimi Sovjetik në kulmin e Luftës së Ftohtë. Përpjekjet për të krijuar ndasi mes Pekinit dhe Moskës dhe për t’u afruar me Rusinë nga disa analistë janë cilësuar si një “taktikë sikurse e Nixonit”.
“Në të njëjtën mënyrë si Nixoni me politikën ndaj Kinës, ata e shohin Trumpin si dikë që është në një pozitë unike për të shkuar kundër natyrës aktuale të politikës së SHBA-së ndaj Rusisë dhe madje mund të udhëtojë për në Moskë”, tha Wilder. “Kjo nuk do të thotë se kinezët mendojnë që rusët do të shkëpusin marrëdhëniet, por afërsia e tyre e fortë që kanë sot mund të dobësohet”.
Cila është strategjia e Uashingtonit?
Mbetet të shihet çfarë rezultatesh do të sjellë angazhimi i administratës Trump, por pas një bisede telefonike gjatë këtij muaji me Putinin, bisedimeve të fundit SHBA-Rusi në Riad dhe ndasitë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me bisedimet për paqe, Shtëpia e Bardhë po harton një kurs të ri për raportet me Moskën dhe luftën në Ukrainë.
“Duket se jemi dëshmitarë jo të një rivendosje, por të një riorganizimi të raporteve SHBA-Rusi”, tha për Radion Evropa e Lirë, Lucian Kim, analist i lartë për Ukrainën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Në këtë kuptim, lufta në Ukrainë nuk është thirrje për t’i rezistuar agresionit rus, por një pengesë për një bashkëpunim më të ngushtë mes Uashingtonit dhe Moskës”.
Për Pekinin, ky zhvillim vjen me shumë hipoteza shqetësuese, përfshirë lejimin që Uashingtoni të shtojë praninë ushtarake në Paqësor dhe të lërë Kinën më të ekspozuar gjeopolitkisht në rast të një krize me Tajvanin, ishullin vetëqeverisës që Pekini pretendon se i përket.
“Mendoj se Kina do të preferonte të shihte një Rusi të dobët dhe madje vazhdimi i luftës në Ukrainë do të ishte në të mirë të Pekinit, pasi do të zhvendoste fokusin e SHBA-së nga Indo-Paqësori”, tha për Radion Evropa e Lirë, Sari Arho Havren, bashkëpunëtore e Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara të Londrës.
Administrata Trump e ka bërë të qartë se ajo e sheh menaxhimin e rivalitetit të kamotshëm me Kinën si objektivin kryesor të politikës së saj të jashtme dhe mund të synojë që të deprioritizojë rajonet sikurse Evropa dhe Lindja e Mesme në mënyrë që të rrisë presionin ndaj Pekinit në Azi.
Zyrtarë të lartë amerikanë po ashtu kanë sugjeruar me deklaratat e fundit se prishja e partneritetit Kinë-Rusi mund të jetë pjesë e motivimit për normalizimin e raporteve me Moskën.
Pas bisedimeve në Riad, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se mundësia për “bashkëpunim gjeopolitik dhe ekonomik” në të ardhmen mes Uashingtonit dhe Moskës ishte një nga pikat kryesore për të cilat është diskutuar.
Disa ditë më herët, në Konferencën për Siguri në Munih, Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, tha se SHBA-ja synon “të detyrojë” Putinin që të ndërmarrë veprime që “nuk është rehat” t’i ndërmarrë, përfshirë edhe prishjen e raporteve të Moskës me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.
Në një intervistë dhënë më 14 shkurt për The Wall Street Journal, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se Uashingtoni po përgatitet të rivendosë raportet me Pekinin, pas një marrëveshje lidhur me Ukrainën, si lëvizje për t’i dhënë fund izolimit të Rusisë dhe varësisë së saj ndaj Kinës që kur ka nisur lufta.
“Nuk është në interesin e Putinit që të jetë vëllai i vogël në një koalicion me Kinën”, tha Vance.
Përpjekjet për të prishur partneritetin mes dy shteteve që një kohë kanë qenë gjithashtu në radarin e zyrtarëve të administratës Trump.
Robert O’Brien, i cili shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare i Trumpit në periudhën 2019-2021, gjatë një interviste dhënë vitin e kaluar tha se Shtëpia e Bardhë kishte diskutuar strategjinë gjatë mandatit të tij dhe se arritja e një marrëveshjeje për luftën në Ukrainë është një hap kyç në nisjen e këtij procesi.
“Derisa ne të zgjidhim situatën ukrainase, ne nuk do të kemi opsion tjetër për t’iu qasur Rusisë”, tha ai për Wire China në qershorin e vitit të kaluar.
A mund t’i ndajë Trumpi Kinën dhe Rusinë?
Arho Havren tha se mundësia që SHBA-ja të shkaktojë një ndarje formale mes Pekinit dhe Moskës është e vogël, veçanërisht për aq kohë sa Putini është në detyrë, duke pasur parasysh raportet që ai ka ndërtuar me Xinë.
Por, edhe çarje të reja mes dy fuqive mund të çojnë në dobësimin e lidhjes mes Moskës dhe Pekinit dhe mund të kenë një efekt parandalues ndaj Kinës, veçmas nëse ajo vendos të përdorë forcë ushtarake për të marrë Tajvanin, diçka që politikanët gjithnjë e më shumë e paralajmërojnë se është e mundshme.
“Edhe nëse lidhjet e tyre mbeten të forta, historikisht ka pasur mosbesim mes tyre dhe ky mosbesim nuk do të zhduket”, tha ajo.
Por, përderisa diplomacia e administratës Trump po lëviz me një ritëm marramendës, ajo është ende në fazat e saj të hershme dhe mund të ndodhin shumë zhvillime të tjera.
Steve Tsang, drejtor i Institutit të Kinës në Universitetin SOAS të Londrës, tha se përpjekjet e Uashingtonit për të rivendosur raportet me Rusinë nuk përbëjnë lajm të keq për Pekinin.
“Xi nuk do që Putini të dështojë në luftë, prandaj nëse Trumpi arrin një marrëveshje që kryesisht plotëson kushtet ruse është një gjë pozitive”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Kush e di se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së dhe nëse do të ketë një ndryshim të pozicionit të SHBA-së pasi Trumpi të ketë mbaruar mandatin”.
Në një zhvillim tjetër që mund të ndërlikojë më shumë situatën, Trump tha më 19 shkurt se ai pret që lideri kinez, Xi, të vizitojë Uashingtonin dhe se është i hapur për të arritur një marrëveshje tregtare me Kinën, potencialisht si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me Pekinin.
“Gjithçka po lëviz shumë shpejt”, tha Arho Havren. “Kina nuk është e lumtur me atë që po sheh tani, por ka hapësirë që kjo të ndryshojë”./REL