Nga Fatos Lubonja
Deri ditën e arrestimit të Veliajt dhe të reagimit të parë të Ramës ndaj këtij arrestimi, fronti i mbështetësive të SPAK-ut ka qenë mjaft i gjerë dhe i bashkuar në deklarimin e pavarësisë së tij. Aty kanë bërë pjesë: ata që e mburrnin SPAK-un në funksion të interesave të projektit makiavelik të Ramës për ta përdorur drejtësinë kundër opozitës dhe propaganduar si një hap përpara i Shqipërisë drejt shtetit të së drejtës; ata që kanë besim apo shpresë se SPAK-u mbështetet nga amerikanë që synojnë ta pastrojnë Shqipërinë nga e keqja, (ndoshta duhet të përdorja edhe për këta kohën e shkuar e “të kesh besim”), udhëheqësit e partive të reja që u leverdis mbështetja e SPAK-ut pasi u duket se ky po u hap rrugën karrierës së tyre dhe sigurisht shumë shqiptarë, që mbajnë gjallë besimin e ngulitur thellë tek njeriu se shpëtimi vjen një ditë dhe që shpëtimtarin e radhës e projektojnë tek SPAK-u. Sipas disa sondazheve, ky front përbëhej deri në arrestimin e Valiajt nga mbi 60% e shqiptarëve. Pas fjalimit të Ramës ku sulmoi prokurorin dhe gjykatësin e çështjes, foli për “republikë prokurorësh” dhe lëshoi tezën se drejtësia ka nevojë të reformohet për të arritur standardet demokratike, ky front u nda (nuk di ta them se me sa për qind). Ata qe e mbështesnin SPAK-un për hesap të Ramës u lëshuan kundër “republikës së prokurorëve”, kurse pjesa tjetër i doli në mbrojtje duke iu kundërvënë Ramës. Ngjarja hapi edhe një herë debatin mbi pavarësinë ose jo të SPAK-ut. Me këtë rast jo pak më kanë drejtuar pyetjen nëse vazhdoj të mendoj, edhe pas arrestimit të Veliajt, se SPAK-u po ecën në përputhje me projektin makiavelik të Ramës apo jo. Po përpiqem t’i formuloj të shkruara përgjigjet që kam shprehur këto ditë me gojë në opinione dhe debate në “News 24”.
Argumenti më i përdorur nga shumica e mbrojtësve të SPAK-ut është ky: nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri të hetohen e arrestohen figura kaq të larta si Berisha dhe Meta në njërën anë dhe Ahmetaj e Veliaj në anën tjetër. Kur u përmend dështime, pafuqi apo bashkëpunime të SPAK-ut me rilindësit, si për shembull: moshetimin e rilindësve që punon me parimin “vidh për pushtet dhe rrëmbe pushtet për të vjedhur” që e ka shndërruar në një organizate kriminale, moshetimin e krimit elektoral, përkundrazi bashkëpunimin në të, siç e tregoi rasti Beleri apo prokurori i Elbasanit që punon sot në SPAK; mosveprimin për të ndaluar pastrimin e parave të pista me grataçiela në mes të Tiranës; moshetimin e kryeministrit për firmat që ka hedhur për të realizuar vjedhjen skandaloze nëpërmjet inçeneratorëve etj., etj., ata më racionalët e mbështetësve të SPAK-ut (kundërshtarë të Ramës) të thonë se SPAK-u nuk është perfekt apo se ndërtesa e SPAK-ut nuk ka mbaruar së ndërtuari, por me kohën do t’u vijë radha edhe këtyre gjërave. Këtë argument e përforcojnë edhe me mbështetjen që ka pasur SPAK-u nga amerikanët dhe ka ende nga BE. Pra, sipas tyre SPAK-u është në rrugën e forcimit të pavarësisë, çka e vulosi së fundmi edhe arrestimi i Veliajt dhe sulmet që i bëri Rama SPAK-ut.
Mirëpo, po të analizosh me kujdes këto argumente nuk mund të mos vesh re se edhe këta optimistë e pranojnë se për momentin kemi një pavarësi relative që nënkupton, si anë tjetër të medaljes, një kontroll relativ të SPAK-ut nga Rama. Kur flas për kontroll dhe pavarësi kam parasysh se në raportin me prokurorët e SPAKut apo edhe me amerikanët prapa tyre nuk është se Rama ka nënshkruar një marrëveshje se ata do të jenë në shërbim të vjedhjes për pushtet dhe pushtetit për vjedhje. Forma e kontrollit është indirekte. Ai që do t’i shërbejë këtij projekti e manifeston këtë me servilizmin e tij, duke shkelur ligjet ose duke e aplikuar atë në mënyrë selektive dhe kështu afrohet nga lideri e ngjitet lart. Ai që do të ruajë një lloj profesionalizmi, dinjiteti dhe respekti për veten mbetet në vend ose zbret poshtë apo dhe largohet. Për fat të keq në këtë Shqipërinë tonë këta të dytët janë pakica. Por gjithsesi duhet pranuar se pavarësi absolute nuk mund të ketë asnjëherë, (ashtu si dhe kontroll absolut siç thonë edhe ata të Ramës kur sulmojnë prokurorin dhe gjykatësin e çështjes Veliaj). Në këto kushte më duket më e drejtë që në debatin që rindezi arrestimi i Veliajt, pyetja mbi pavarësinë të shtrohet kështu: a është ky arrestim shenjë se drejtësia jonë, me SPAK-un në krye, po ecën drejt rritjes së pavarësisë së saj çka duhet të na bëjë optimistë e me besim në të ardhmen, apo kjo ngjarje po na tregon se kontrolli mbi SPAK-un jo vetëm ekziston, por rrezikon të rritet, prandaj nuk ka vend për optimizëm, por për alarm dhe reagim?
Personalisht jam për këtë qasjen e dytë dhe po jap disa argumente se pse.
Së pari, kujtoj se ngjarja nuk ka pasur vetëm episodin e parë, arrestimin e Veliajt, por edhe një të dytë, fjalimin e Ramës shoqëruar me rrethimin nga protestuesit rilindas të Gjykatës së Posaçme, por edhe mosdërgimin e policisë nga shefat lart për të mbikëqyrur këtë protestë, por edhe reagimet e mosreagimet e institucioneve të ndryshme duke përfshirë edhe reagimet e partive opozitare, por edhe fjalimet e mëtejshme të ditëpërditshme të Ramës. Çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga analizimi i kësaj ngjarjeje në kompleksitetin e saj?
Sipas meje ka pak vend për optimizëm. Le të marrim episodin e fjalimit të Ramës në grupin parlamentar. Aty pamë deputetët socialistë ta dëgjojnë atë teksa denigronte, kërcënonte e intimidonte prokurorin e gjykatësit e çështjes, teksa iu përmendte rrogat, teksa përqeshte Inspektorin e Lartë të Drejtësisë duke e urdhëruar/poshtëruar të zgjohej nga gjumi e të vepronte kundër elementëve armiq në SPAK, pra duke i hequr maskën retorikës së përsëritur si papagallër nga ata vetë se socialistët nuk ndërhyjnë tek drejtësia siç bëjnë Berisha&Co, dhe nuk pamë kërkënd të guxojë të ngrejë vërejtjen më të vogël. Rrinin gojëkyçur sikur të ishin në ndonjë mbledhje ku Enver Hoxha godiste ndonjë grup armiqësor.
Po si reaguan të sulmuarit vetë ndaj këtij fjalimi? Artur Metani, i zgjedhur nga Parlamenti si kryetar i institucionit të pavarur që duhet të kontrollojë mirëvajtjen e drejtësisë, nuk nxori fjalë nga goja për t’i thënë kryeministrit se po ndërhynte me çizme në një pushtet tjetër. Po institucionet e drejtësisë si reaguan ndaj gjithë sa thashë, ku po shtoj edhe paralajmërimin: “mos ejani të kërkoni telefonin tim!”? Pati një reagim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) që mbështeti SPAK-un duke u bërë thirrje të gjithë “aktorëve” të respektojnë pavarësinë e prokurorëve. Reagoi po ashtu Gjykata e Posaçme e shkallës së Parë lidhur me mosreagimin e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me Gardën për sigurimin e jetës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, që iu dërgua Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe për dijeni Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Delegacionit Evropian, ku e cilëson mosveprimin e policisë cenim të pavarësisë së gjyqësorit. Por në asnjë nga reagimet nuk u përmend emri i “aktorit” Edi Rama, ndërkohë që të gjithë e dinë se është ai nxitësi i këtij mosveprimi, që me fjalën e tij ishte në limitet e krimit të pengimit të drejtësisë. Vlen të përmendet si reagim inkurajues edhe fakti që gjyqtari Bino konfirmoi vendimin e tij për arrestin me burg të Veliajt, por nuk mund të mos vihet re krahas kësaj se përgjigja “nuk patëm kërkesë” që erdhi nga ministri i Brendshëm ishte më shumë se një gënjeshtër. Tek e fundit perceptimi i përgjithshëm ishte më shumë dekurajues sesa inkurajues, sepse asistuam në mbizotërimin e mujsharëve të politikës mbi pushtetin e drejtësisë. E përforcoi këtë edhe qëndrimi ambig i kryetarit të partisë më të madhe opozitare Sali Berisha, që në një nga daljet e tij e cilësoi SPAK-un si “të dalë jashtë çdo kontrolli” (pra jo nën kontrollin e Ramës siç thotë herë të tjera) çka tingëlloi si një shkelje syri Ramës, siç bëri edhe ky në fjalimin e tij kur i doli në mbrojtje Belind Këlliçit, duke denoncuar politikat ekuilibriste të SPAK-ut. Por këtë mujshari po e vërteton mbi të gjitha vërshimi gjatë gjithë javës i përroit psiqik të Ramës që kulmoi me mitingun e organizuar me punonjësit e Bashkisë në Sheshin “Skënderbej”. Aty, në shkelje të Kushtetutës që garanton autonominë e pushteti lokal, lëshoi sharje, fyerje, kërcënime, gënjeshtra, mburrje, vetëmburrje, sipas parimit sulmi është mbrojtja më e mirë, duke konfirmuar dy gjëra tejet shqetësuese lidhur me temën e pavarësisë së SPAK-ut. Së pari, konfirmoi se ligji dhe parimi i ndarjes së pushteteve nuk bëjnë pjesë fare në vizionin dhe sjelljen e tij morale politike. Së dytë, se anormalitetin e sjelljes së tij me institucionet e pavarura, me ligjin, me parimet e komunikimit politik e moral, me të vërtetën dhe njerëzit në përgjithësi ua ka imponuar si gjë normale jo vetëm njerëzve të partisë së tij, që s’japin më asnjë shpresë se mund të reflektojnë për përgjegjësitë që kanë për çka po nxjerrin dosjet e SPAK-ut, por edhe të gjithë shoqërisë.
Duke iu referuar tablosë së mësipërme, gjykoj se është më e arsyeshme të flitet për rrezikun e humbjes edhe më të asaj pavarësie relative të SPAK-u që deri tani, për aq sa ç’e ka pasur, e ka pasur falë kombinimit të një sërë faktorëve pozitivë dhe negativë ku do të rreshtoja: fuqinë që u jep pasja në dorë e përgjimeve të sjella nga Belgjika dhe Franca të mbushura me prova inkriminuese të rilindësve, nevojën e njerëzve për ta parë SPAK-un si shpresë kundër krimit në pushtet, profesionalizmin apo përgjegjshmërinë më të madhe të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve, nevojën e Ramës për t’i përdorur disa arrestime të SPAK-ut si fasadë propagandistike, mbështetjen nga ndonjë klan tjetër brenda PS-së, mbështetjen e liderëve të partive të reja, amerikanët (që tani nuk janë më) të cilëve u është dashur të justifikojnë sadokudo paratë që kanë marrë nga taksapaguesit amerikanë. Mirëpo këto janë shumë pak dhe aq më tepër gjysma e tyre janë faktorë që nuk synojnë pavarësinë e strukturuar të SPAK-ut, por përdorimin e tij për interesa të radhës.
E pra, problemi është se që të rritet pavarësia e SPAK-ut do të duhej që të kishin ardhur duke u forcuar faktorët strukturorë të sistemit demokratik. Pra, do të duhej të kishim krijuar pluralizëm politik gjithnjë e më të shëndoshë, ndarje pushtetesh gjithnjë e më të konsoliduar, shoqëri civile gjithnjë e më autonome, ekonomi të një tregu gjithnjë e më të lirë, president gjithnjë e më përfaqësues të interesave të të gjithëve, polici dhe SHIK të depolitizuar, media gjithnjë e më të pavarura, qytetarë gjithnjë e më të edukuar e mirinformuar. Kurse unë të gjitha këto, që metaforikisht i kam quajtur anije të një flote i shoh në shkatërrim të përditshëm për shkak të politikave “krimi sjell krimin” të narkoautokratit. Do të duhej gjithashtu që edhe mbështetja ndërkombëtare e procesit të ndërtimit të shtetit të së drejtës të kishte ardhur duke u rritur, ndërkohë ndërkombëtarët i kemi parë gjithnjë e më shumë të bëhen palë me narkoautokratin për interesa të tjera nga ato të mbështetjes së demokracisë.
Nisur nga të gjitha këto mendoj se është iluzion të shpresosh se një grup i vogël “heronjsh të fëmijëve tanë” në majë të një barke do të mund ta frenonin rrëshqitjen e flotës së institucioneve tona në ujërat e theqafjes. Në fakt vetëm forcimi i flotës do të mund ta shpëtonte barkën nga theqafja.
Ky është arsyetimi im deri ditën që po hedh këto rreshta. Duket katastrofist, por është një katastrofizëm që bën thirrje për zgjim nga iluzioni se avancimin drejt theqafjes do ta evitojë shpëtimtari SPAK. Atyre që megjithatë nuk dëgjojnë të lëvizin, por presin që të paevitueshmen ta evitojë e paparashikueshmja, sipas asaj thënies së Kejnesit “kur duket se e paevitueshmja po triumfon fryn era e të paparashikueshmes që përmbys gjithçka” u them: kujdes, kjo e paparashikueshme mund të jetë edhe më fatale sesa e paevitueshjma që po na shohin sytë./Gazeta Panorama