Është arrestuar me urdhët të SPAK, Safet Bajri, një prej krerëve të grupit kriminal “Bajri” me qendër në Dobraç të Shkodrës.
Burime bëjnë me dije se urdhër-arresti ndaj tij është firmosur në lidhje me vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje kjo e ndodhur më 10 gusht të 2018-ës. Mësohet se Safet Bajri akuzohet dhe për grup të strukturuar kriminal.
Fatbardh Lici ka qenë pjesëtar i familjes Lici, vëllai i Sokol Licit dhe Mustafa Lici. Po ashtu ai ka qenë xhaxhai i Ibrahim Licit dhe kunati i Lulzim Kullës, i njohur si i ”forti i Shkodrës, i cili po ashtu është vrarë.

53-vjeçari u ekzekutua teksa po pinte një kafe në një lokal në lagjen Kiras Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
Ish-polici Boran Bërçana u ekzekutua bashkë me bashkëshorten e tij, Silvi Ndoci, më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin marrë me qira. Ata ndodheshin në makinë, teksa bashkë me ta ndodhej dhe fëmija i tyre 3 vjeç, i cili u shpëtoi plumbave.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lulzim Kullës në 2018-ën dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lulzim Kullën, duke qenë se ishte dhëndri i tyre.
Gjatë vitit 2018, në Shkodër kanë ndodhur edhe vrasjet e Lulzim Kullës, Arjan Ferracakut dhe Kujtim Ferracakut, të cilat u pasuan në vitet e tjera dhe nga atentate të tjera në Shkodër, të cilat dyshohet se kanë ardhur si pasojë e përplasjes së përgjakshme të fisit Lici me fisin bajri dhe Bilali.
Burime bëjnë me dije se veç Safet Bajrit, GJKKO me urdhër të SPAK ka firmosur një urdhër-arresti të ri dhe për Asmer Bilalin, i konsideruar si krahu i djathtë i Safet Bajrit, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Reçit, i arrestuar më herët nga SPAK për vepra të tjera penale.
Gjithashtu, urdhër-arresti është firmosur edhe për Behar Bajrin, i cili po ashtu ndodhet në burg, i arrestuar nga SPAK për një sërë ngjarjesh kriminale, të cilat u zbuluan pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e ekriptuar “Sky Ecc”.
Masat e reja “Arrest me burg”, Asmer Bilalit dhe Behar Bajrit pritet t’u komunikohet në qelitë e paraburgimeve ku ndodhen, teksa po ashtu, edhe ata akuzohen për vrasjen e Fatbrdh Licit dhe grup i strukturuar kriminal.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme ka bashkuar në një dosje të vetme, disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në Shkodër vitet e fundit.
Arrestimi i Safet Bajrit
Në momentin e mbërritjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Safet Bajri u shfaq i buzëqeshur, teksa shoqërohej me pranga në duar nga dhjetra efektivë të forcave speciale RENEA.
Mësohet se Safet Bajrit është kapur në banesën e tij në Dobraç. Fillimisht ai është shoqëruar nga Policia e Shkodrës, pa bërë rezistencë, teksa i është komunikuar se do të merret në pyetje në Tiranë, ku është transferuar nën masa të rrepta sigurie nga Forcat RENEA, pa ia komunikuar akuzën.
Në banesën e Safet Bajrit forcat RENEA ushtruan kontroll edhe në orët e para të mëngjesit të 18 Shkurtit, ku kishte një vendim GJKKO-je që ai të shoqërohej në Polici, ku do t’i merrej ADN-ja, pasi autoritetet kërkojnë që ta krahasojnë me një profil ADN-je që është zbuluar në një nga ngjarjet e rënda në Shkodër.
Por, Safet Bajri nuk u gjet në banesë, teksa një ditë më pas, mbrëmjen e 19 Shkurtit, ai ndërhyri në emisionin “Top Story”, ku përmes një lidhje live, foli mbi përplasjen në Rranxë dhe masakrën e Dobraçit ku humbën jetën Arlind Bushati, Hamza Lici dhe çifti Flutura dhe Bashkim Basha.
Për ngjarjen e regjistruar më 23 gusht të vitit 2024 në fshatin Rranxë të Vaut të Dejës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes Izmir Sakicës, Samuel Troshanit, Franko Lekajt dhe personave të tjerë të paidentifikuar me Aleksandër Prendi, GJKKO lëshoi urdhër-arrest për 4 personat në fjalë. Masat u janë komunikuar vetëm Izmir Sakicës dhe Samuel Troshanit, të cilët ndodhen në burgun e Reçit, ndërsa Franko Leka dhe Aleksandër Prendi janë shpallur në kërkim.
Safet Bajri deklaroi se Izmir Sakica dhe Samuel Troshani janë shokët, duke konfirmuar se ata janë anëtarë të grupit të tij, teksa pranoi dhe se automjetet e blinduara që u gjet të braktisura në atë ngjarje janë të tijat, por tha se ai vetë nuk ishte prezent.