Ish-presidenti Ilir Meta, me një letër nga qelia e burgut, ka shprehur kritikën e tij për modelin aktual të ekonomisë shqiptare, duke e konsideruar atë si një dështim të theksuar.
Ai thekson se raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) konfirmon analizën e PL-së mbi dështimin e modelit ekonomik të qeverisë aktuale dhe tregon se prioritetet e Partisë së Lirisë janë rruga më e drejtë për një ndryshim real dhe afrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas raportit të FMN, ekonomia shqiptare ka arritur rritje të mbështetur nga kërkesa e brendshme, përfshirë shërbimet dhe turizmin, por rritja afatmesme në periudhën 2014-2024 ka mbetur nën nivelet e para-krizës financiare globale të vitit 2008.
Ilir Meta thekson se sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, si industria, bujqësia dhe energjia, vazhdojnë të regjistrojnë rritje negative, duke reflektuar përkeqësimin e sektorëve të prodhimit të të mirave materiale.
Në postimin e tij, Meta thekson gjithashtu rënien e punësimit dhe uljen e eksporteve, duke theksuar se prodhimi i brendshëm bruto (PBB) për frymë është më i ulët se mesatarja e BE-së, dhe rritja ekonomike është shumë e ngadalshme për të arritur nivelin e kërkuar për një konvergjencë me standardet e Bashkimit Europian.
Meta kërkoi një ndryshim urgjent të modelit ekonomik të vendit, duke theksuar se Partia e Lirisë është e angazhuar për një model të ri ekonomik, i cili do të liberalizojë ekonominë, do të heqë monopolizimin e disa sektorëve dhe do të fokusohet në uljen e taksave dhe rritjen e konkurrencës së ndershme.
Letra e plotë:
̈ ̈ ̈ ̈ .
Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka konfirmuar analizën e Partisë së Lirisë mbi modelin aktual të dështuar të ekonomisë së vendit dhe po kështu provon qartë se 5 Prioritetet e Partisë së Lirisë janë rruga më e drejtë për një model të ri ekonomik që na afron me standardet e Bashkimit Europian.
Siç nënvizohet në raportin e FMN, ekonomia vijon të rritet e mbështetur nga kërkesa e brendshme, me një rritje të shërbimeve dhe veçanërisht turizmit, si dhe aktivitetit ndërtimor.
Pavarësisht propagandës së “Rilindjes”, nga një këndvështrim strukturor, rritja afatmesme në periudhën 2014-2024 ka mbetur nën nivelin e para-krizës globale financiare në periudhën e vitit 2008, pra në nivele mediokre.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, Prodhimi i Brendshëm Bruto në 3-mujorin e dytë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 4,09% në terma realë, kundrejt 3-mujorit të tretë të vitit 2023.
Alarmante mbetet fakti që sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë të prodhimit të të mirave materiale vazhdojnë të kenë një kontribut negativ përkeqësues në rritjen ekonomike.
Rritja ekonomike në sektorët e industrisë, të industrisë nxjerrëse, të industrisë përpunuese, të prodhimit të energjisë dhe të bujqësisë mbetet negative edhe në 3-mujorin e tretë të vitit 2024.
Rritja ekonomike në bujqësi në 3-mujorin e tretë të vitit 2024 ishte minus 2,54%, në industri (përfshi energjinë) në minus 4,04% dhe industria përpunuese në rritje negative në minus 6,5%. Ndërsa rritje të konsiderueshme kanë sektori i ndërtimit në 5,3% dhe tregtia në 6,2%.
Modeli ekonomik i vendit qëllimisht vazhdon të jetë i orientuar drejt industrisë së ndërtimit, importeve dhe shërbimeve.
Qeveria nuk ka asnjë strategji të rritjes së prodhimit të industrisë përpunuese, industrisë nxjerrëse minerare, hidrokarbure, të bujqësisë, etj.
Efektet e rënies ekonomike në sektorët realë të ekonomisë si bujqësia, industria përpunuese dhe energjia janë reflektuar në uljen e punësimit, si dhe uljen e ndjeshme dhe të vazhdueshme të eksporteve.
Rënia e volumit të prodhimit dhe të shitjeve në sektorin e të mirave materiale ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e nivelit të punësimit në 3-mujorin e tretë të vitit 2024 krahasuar me vitin 2023.
Në sektorin e industrisë ka një ulje të punësimit në minus 5%, në industrinë përpunuese në një ulje në minus 5,5%.
Rënia e prodhimit në sektorët e bujqësisë, industrisë dhe energjisë është reflektuar gjithashtu në rënien e pandalshme të eksporteve.
Pavarësisht kësaj rritjeje, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë qëndron vetëm në një të katërtën e nivelit të mesatares së BE në vitin 2023, si dhe më i ulët se vendet e rajonit.
Modeli ekonomik duhet të ndryshojë urgjentisht.
Reforma të thella për të përshpejtuar konvergjencën e të ardhurave në BE janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga këneta e narkoekonomisë dhe pastrimit të parave ku e ka zhytyr vendin Qeveria 12-vjeçare e “Rilindjes”.
Sepse me një ritëm të rritjes ekonomike të vendit me 3.5% çdo vit konvergjenca me mesataren e BE-së do të zgjaste më shumë se gjysmë shekulli (mbi 50 vite).
Shpopullimi i vendit imponon se nxitja e rritjes afatmesme të bëhet gjithnjë e më e varur nga përfitimet e produktivitetit dhe modeli i zhvillimit ekonomik.
Por produktiviteti i punës së Shqipërisë në vitin 2023 ishte më pak se gjysma e mesatares së Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.
Për Partinë e Lirisë sfida është që me një model të ri ekonomik të arrijmë ngushtimin e përshpejtuar të diferencës së të ardhurave me vendet e rajonit dhe mesataren e vendeve europiane.
Modeli ekonomik i Partisë së Lirisë do të jetë liberalizimi i ekonomisë për të mos ta lënë zhvillimin e saj të monopolizuar në një numër të vogël kompanish kliente të Qeverisë në sektorët e ndërtimit, turizimit, energjiseë, shfrytëzimit të burimeve natyrore, etj.
Kërkon mobilizimin e financimit për të përmirësuar shërbimet publike të kapitalit njerëzor si arsimi, inovacioni, shëndetësia, etj, uljen e taksave, heqjen e lehtësimeve të diferencuara për kompani të privilegjuara që shtrembërojnë tregjet dhe eleminojnë konkurrencën dhe uljen e barrierave për konkurrencën e ndershme ndërmjet biznesit, si dhe hapjen ndaj tregtisë ndërkombëtare.
Vetëm me rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto mbi 8% në vit ne do të përshpetojmë ngushtimin e diferencës dhe rritjes së mirëqenies për qytetarët e këtij vendi.