Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Pas një hetimi 1 vjeçar të SPAK, mbi Erion Veliajn janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë, GJKKO ka ndryshuar masën e “Arrestit në shtëpi” për Ajola Xoxën, duke ia zëvendësuar me masën “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Sipas vendimit të gjyqtarit Erjon Bani, Ajola Xoxa duhet të paraqitet në SPAK të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 11:00
Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Ndërkohë, ka mbetur në qeli edhe biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule, duke iu konfirmuar masa e sigurisë “Arrest me burg“.
Biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, ka mbetur në fuqi masat e sigurisë “detyrim paraqitje” për 5 biznesmenët Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Sipas vendimit të GJKKO-së,
- Biznesmeni Gentjan Sula duhet të paraqitet në SPAK të Premten e parë dhe të katërt të çdo muaj, në orën 14:00.
- Biznesmeni Meriman Palushi duhet të paraqitet në SPAK të Premten e parë dhe të katërt të çdo muaj, në orën 14:30.
- Biznesmeni Fatmir Bektashi duhet të paraqitet në SPAK të Premten e parë dhe të tretë të çdo muaj, në orën 11:15.
- Biznesmeni Shkëlqim Fusha duhet të paraqitet në SPAK të Enjten e parë dhe të katërt të çdo muaj, në orën 14:30.
Mësohet se Erion Veliaj nuk do të qëndrojë në paraburgimin e burgut “313” në kryeqytet, por do të dërgohet në paraburgimin e Durrësit, aty ku ndodhet edhe ish-ministri Ilir Beqaj.
Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme zgjati për mbi 6 orë, ku u shoqërua me përplasje të forta mes Erion Veliajt dhe dy prokurorëve të çështjes Ols Dado dhe Altin Dumani.
Avokatët e Erion Veliajt dhe biznesmenit kërkuar lirimin e klientëve të tyre nga qelia, duke ofruar garanci pasurore, por siç duket kërkesa e tyre nuk është pranuar nga gjyqtari Erjon Bani.
E vetmja kërkesë që është pranuar është ajo e Ajola Xoxës, e cila kërkoi “detyrim paraqitje”, me arsyetimin se ka një fëmijë të mitur për të rritur, argumente të cilat duket se janë marrë parasysh nga GJKKO.
Ndërkohë, biznesmeni Fatmir Bektashi ka kërkuar që t’i caktohet e njëjta datë në të cilën paraqitet edhe për dosjen “Partizani”, ku dhe për atë dosje është i akuzuar dhe i është caktuar po ashtu masa “detyrim paraqitje”.
Po ashtu, edhe biznesmeni Gentian Sula ka kërkuar që të paraqitet vetëm një herë në muaj në SPAK për shkaqe shëndetësore, por kërkesa e tij nuk është pranuar.
Dy prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan konfirmin e masave të sigurisë për 8 të akuzuarit, por GJKKO ka ndryshuar atë të Ajola Xoxës.
Jashtë godinës së SPAK, punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe militantë të Partisë Socialiste kanë protestuar pothuajse gjatë gjithë ditës në mbështjetje të Veliajt duke u rikthyer aty 3 herë. Pas dhënies së vendimit, ata bllokuan edhe derën e GJKKO-së, duke kërkuar që të përshëndesnin Veliajn në momentin kur të dilnin prej aty.
Gjatë seansë së sotme gjyqësore ka patur një përplasje të fortë mes Erion Veliajt dhe prokurorit të çështjes Ols Dado, pasi sipas kryebashkiakut, prokurori ka marrë leje ndërtimi prej tij dhe ka mbetur i pakënaqur, madje Veliaj pretendon se e ka kërcënuar se “do t’ia mbante mend këtë”.
Veliaj i është drejtuar prokurorit Ols Dado: “Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dhe ke perfituar leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”.
Gjatë momentit që Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari i Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës.
Në seancë, Veliaj ka pretenduar se nuk e di ende se pse është arrestuar, edhe pse duhet theksuar se në dosjen e SPAK thuhet se ai ka kërcënuar oficerët e BKH-së, duke iu kërkuar që të mos e thërrasin për të dëshmuar bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Më tej Veliaj ka mallkuar të gjithë ata që punojnë në Shqipëri, pasi sipas tij, kush punon bëhet objekt i sulmit si ai. Kryebashkiaku i Tiranës e ka shfaqur veten si punëtor, duke thënë se ka punuar edhe të shtunë edhe të dielë.
Ndërkohë, Veliaj ka mohuar se vila në Qerret është e tij, pavarësisht se sipas tij, aty janë gjetur lodra të fëmijlës.
Veliaj: Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës sim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes. Bashkëshortja ime është kryezonjë dhe është përndjekur në mënyrë perverse.
eksa po bënte këto deklarata, ka ndërhyrë prokurori duke i ka kërkuar të ruajë etikën në komunikim.
Veliajt ka replikuar: Pse të dogji? Nuk përmenda emra dhe me këtë fjali kam parasysh median e politikën
Prokurori: Sepse i ke shkruar ne Facebook, këtu nuk je në Facebook ndaj përmbahu provave dhe fakteve.
Ndërkohë prokurori sërish: Të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale, buzëkuq dhe bizhuteri.
Ndërkohë, Ajola Xoxa ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, duke deklaruar: “Kujdesem për fëmijën, nuk kam askënd kush të na ndihmojë dhe më jepni një masë më të butë.”
Por ka replikuar prokurori Altin Dumani duke thënë: “Ne kemi kërkuar arrest shtëpie pikërisht për shkak të fëmijës dhe kemi pasur parasysh parimin e humanizmit.”
Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.
Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.
Erion Veliaj pritet ta ankimojë masën e “Arrestit në burg” në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Kujtojmë se Edi Rama, ndryshe nga socialistët e tjerë, ka dalë publikisht në mbrojtje të Erion Veliajt, duke i bërë presion drejtësisë, pasi prej dy ditësh ka lëshuar sulme dhe kërcënime drejt prokurorëve dhe gjyqtarëve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, duke i quajtur edhe kamikazë të PD-së.