Pjesë e dosjes së Erion Veliaj janë edhe 5 biznesmenë, të cilët njihen si përfitues të tenderave nga Bashkia e Tiranës, si dhe lejeve të ndërtimit.
Më koonkretisht bëhet fjalë për Gentian Sulën, Shkëlqim Fushën, Fatmir Bektashin, Meriman Palushin dhe Sokol Kryeziun, ndaj të cilëve GJKKO ka miratuar masat e sigurisë të lëshuara nga SPAK “detyrim paraqitje”. Biznesmeni Fatmir Bektashi ka të njëjtën masë sigurie edhe për dosjen “Partizani”.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se lejet e ndërtimit dhe fondet e Bashkisë së Tiranës biznesmenët e përmendur mësipër i kanë përfituar në këmbim të favoreve ndaj çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa, nëpërmjet shumave të derdhura në llogaritë e OJF-ve, pasuri të paluajtshme, apo edhe duke bërë blerje fiktive apo duke lëshuar fatura fiktive.
Më konkretisht, SPAK përmend dhënien e një godine banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, ku një prej biznesmenëve të mësipër ia ka dhënë çiftit Veliaj-Xoxa në këmbim të përfitimit të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit në kryeqytet.
“Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë subjektet tregtare që shtetasit nën hetim Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi.” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Rastet e mësipërme, janë raste të pastra korrupsioni se si biznesmenët e përmendur në dosjen e SPAK përfitojnë tenderat nga institucionet publike, si dhe lejet e ndërtimit për të ngritur komplekse dhe kulla.
Kujtojmë se Shkëlqim Fusha është biznesmeni që u përfshi në aferën e Teatrit Kombëtar, ku ky i fundit do të ngrejë një kullë mbrapa teatrit. Ndërkohë, Gentian Sula, njihet si biznesmeni i “Kodrës së Diellit”, për shkak të kompleksit të vilave që ka ndërtuar në këtë zonë, ku jetojnë dhe shumë politikanë, mes të cilëve dhe Erion Veliaj.
Gentian Sula madje është marrë në pyetje dhe nga SPAK në lidhje me hetimet për dosjen e Erion Veliaj, ku është caktuar masë dhe ndaj tij, si dhe i është sekuestruar telefoni.
Emri i Gentian Sulës del edhe dosja e Ilir Metës, ku ai rezulton se i ka dhënë para cash Fatime Kryemadhit, nënës së Monika Kryemadhit, për të paguar kredinë, por në atë dosje ai u “kursye” nga SPAK, duke mos i caktuar masë sigurie.
Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu janë rasti tipik i biznesmenit që pasurohen me fonde publike, duke korruptuar politikanët.
Njoftimi më i detajuar i SPAK
“Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga shtetasit nën hetim, specifikisht Erion Veliaj (me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë) si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ajola Xoxa, është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, nisur nga provat e administruara në fashikull, në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi Erion Veliaj, përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim Erion Veliaj) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit Erion Veliaj.
Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.
Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “R.” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim Erion Veliaj, kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.
Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal (“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”).
Qëllimi kriminal i shtetasve nën hetim për integrimin në sistemin bankar të shumave monetare të cilat janë rezultat i përfitimeve të parregullta, do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF, të identifikuar deri tani në regjistrin e njoftimit të veprave penale. OJF-të “H.”, “E.”, “M.” dhe “B.-A”, të kontrolluara plotësisht nga shtetësja nën hetim Ajola Xoxa, deri në këtë fazë të hetimit paraprak dyshohet të kenë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrat tregëtarë të këtyre OJF – ve.
Po kështu, ky qëllim kriminal për pastrimin e produkteve të veprës penale, që i referohet rastit të kalimit të të hollave nga shoqëritë e administruara nga shtetasi nën hetim …. dhe familjarë të tij, do të ishte i pamundur të realizohej pa bashkëpunimin e këtij të fundit në kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat kanë kulmuar në pagesat e bëra për shoqëritë tregtare si edhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga shtetësja Ajola Xoxa.
Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Po kështu, kjo shtetase në asnjë rast nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të shumta, por edhe njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse (shpk). Fshehja e këtyre fakteve nga shtetësja nën hetim Ajola Xoxa, ka pamundësuar organet ligjzbatuese për të patur një panoramë të plotë dhe të qartë sa i takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat nga ana e tyre zotërojnë shpk, por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar “konstatimin” dhe “gjurmimin” e një sasie të konsiderueshme të hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga shtetësja nën hetim. Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shpk-ve.
Në lidhje me shtetasit nën hetim, përfaqësues të subjekteve tregtare cituar më lart, organi procedues ka grumbulluar prova të cilat të çojnë në konkluzionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata, me veprime aktive të kundërligjshme kanë konsumuar elementë të veprës penale“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë subjektet tregtare që shtetasit nën hetim Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi.” – thuhet në njoftimin e SPAK.