Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim edhe dosjen e dytë ndaj ish-kreut të Bashkisë së Himarësd, Jorgo Goror, i cili akuzohet se i ka dhuruar në vitin 2016 Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke
Për këtë çështje, Jorgo Goro është marrë i pandehur për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, të pandehur janë marrë dhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë dhe Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer ne bashkëpunim.
“Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e ish-Kryetarit të Bashkisë Himarë ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr.9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar si dhe pikat 1,2,3 të VKM-së me Nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë.
Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionin e administruar, pyetjet e dëshmitarëve arrihet në konkluzionin se; shtetasi Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me shtetasit Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin Nr.171/2014 “Për Përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.337, datë 22/04/2015 “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish ndermarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve“, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitura.” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Kallëzimi
Jorgo Goro akuzohet se i ka dhuruar Arqile Bollanos dy sipërfaqe toke të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato”, të cilat rezultojnë me një vlerë financiare prej 1 milion euro. Hetimi për këtë çështje është nisur fillimisht nga prokurori i Vlorës Arjan Xhaferaj dhe më pas është transferuar në SPAK.
Sipas dosjes hetimore rezulton se kallëzimi është bërë fillimisht në komisariatin e Himarës, nga një banor i zonës, Irakli Likoka, i cili posedonte tokën e rregullt dhe e kishte fituar atë në bazë të ligjit 7501.
Irakli Likoka ka shpjeguar se ai ka trashëguar nga babai i tij, i ndjeri Niko Likoka një sipërfaqe kullotë me sipërfaqe 2.2 ha në qytetin e Himarës. Për këtë pasuri, Gjykata Vlorë, në 11 korrik 2023, ka vendosur vërtetimin e fakti juridik të pronësisë.
Bazuar mbi këtë vendim si dhe dokumentet arkivore që disponon, kallëzuesi ka kërkuar kthimin e pronës nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Kallëzuesi ka rënë në dijeni se në këtë sipërfaqe toke, është trajtuar me tokë në pronësi Arqile Bollano, i cili është pajisur me AMTP në pronësi nga Bashkia Himarë, në vitin 2016 dhe më pas ka kryer regjistrimin e pronës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë në vitin 2022.
Sipas Iraklit, AMTP në favor të shtetasit Arqile Bollano është dhënë në kundërshtim me ligjin për arsye se: ”…ajo është dhënë në pronën e tij për të cilën disponon dokumente pronësie dhe po kështu është në proces gjyqësor për kthimin fizik të saj. Kjo sipërfaqe toke është kullotë dhe nuk është tokë bujqësore si e tillë nuk mund të jepet me AMTP…”.
Lidhur me faktet e denoncuara nga Irakli Likoka, nga ana e Prokurorisë është kërkuar informacion pranë Bashkisë Himarë, e cila në datën 12 janar 2023, ka çuar informacion se mbi bazën e kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur nga Arqile Bollano, ai është trajtuar me vendimin nr.52, datë 4 Maj 2016 të Këshillit Bashkiak Himarë, si përdorues faktik i tokës bujqësore, për parcelat “Moskato” me sipërfaqe 517 m/2 dhe “Vllatorja”, me sipërfaqe 4263 m/2.
Për parcelën “Vllatorja”, familjes së Arqilea Bollano, i është lëshuar nga Bashkia Himarë, Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi nr.11, në datën 25 Gusht 2016.
Sipas këtij informacioni drejtuar Bashkisë Himarë, informacion i përpiluar dhe nënshkruar nga shtetasi Arqilea Bollano dhe Oleg Goro, është bërë takimi me përdoruesit faktikë të tokës bujqësore dhe në bazë të listës së përpiluar dhe dokumentacionit përkatës që është dorëzuar nga çdo qytetar dhe verifikimi i tyre, grupi i punës është dakord që të vazhdohet procedura për tu pajisur me AMTP. Mbi bazën e këtij dokumentacioni, Arqile Bollano, ka aplikuar pranë ASHK Vlorë, ku më pas nga ana e këtij institucioni është kryer regjistrimi i pasurisë së mësipërme në emër të Bollanos.
Pasi ka rënë në dijeni të këtij regjistrimi, Irakli Likoka ka paraqitur kërkesë në 3 tetor 2022 drejtuar ASHK Vlorë, për vendosjen e kufizimit të përkohshëm ndër të tjera edhe për këtë pasuri. Mbi bazën e kërkesës së Irakli Likoka, regjistruesi i DVASHK Vlorë ka vendosur kufizimit të veprimeve mbi pasuritë.
Rezulton se Arqilea Bollano, ka qenë i trajtuar më parë me tokë bujqësore në pronësi sipas AMTP nr.19441/1996 dhe për këtë arsye ai nuk plotësonte kriteret ligjore për tu trajtuar me tokë bujqësore.
Për tjetërsimin e dy pasurive në mënyrë të padrejtë, prokuroria ka marrë në pyetje Arqile Bollanon, kryetarin aktual të bashkisë Himarë, i cili teksa ka dhënë shpjegime ka pohuar se tokën e ka marrë si përdorues faktik, duke ja dhënë Këshilli Bashkiak Himarë.
“…këtë pronë e kam përfituar si përdorues faktik. Unë e kam pasur në përdorim që pas viteve 1990 dhe nuk ka pasur pretendime nga asnjë. Para shumë vitesh unë kam mbjellë edhe disa ullinj në këtë tokë por duke qenë e parrethuar, i ka dëmtuar bagëtia dhe nuk jam marrë më. Kam rënë në dijeni se në vitin 2013 ka dalë një VKM që këto toka që kishim në përdorim të na jepeshin në pronësi.
Kam paraqitur kërkesë në Bashkinë Himarë, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme dhe pasi është trajtuar kërkesa dhe është kryer procedura, me vendim të Këshillit Bashkiak Himarë është miratuar lista e përfituesve ku është edhe emri im. Pas kësaj nga Bashkia Himarë më është dhënë AMTP me nr. akti 11, datë 25 gusht 2016 për parcelën me sipërfaqe 4263 m/2 në vendin e quajtur “Vllatorja”, Himarë. Për këtë pasuri sipas ligjit kam aplikuar dhe e kam regjistruar në hipotekën e Vlorës…”.