Një tjetër atentat është regjistruar në Tiranë, ku një person është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Zall Mner.
Viktima është shtetasi Lulzim Visha, 48 vjeç, banues në Kamëz, teksa sipas autoriteteve policore ai është konstatuar pa shenja jete brenda një automjeti rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”. Ai ka qenë duke shkuar për në punë në momentin kur është ekzekutuar, teksa makina që po drejtonte i përket kompanisë “Postman”, që dërgon pako në gjithë Shqipërinë.
Në vendin e ngjarjes u gjetën 12 gëzhoja, teksa dyshohet se autorët kanë përdorur një armë zjarri me silenciator, pasi banorët e zonës kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna.
Nga kqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, është konstatuar një automjet tip “Porsche” ngjyrë gri, i cili dyshohet se është përdorur nga autoriët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes. Disa orë pas atentati, Policia ka gjetur një automjet të djegur në Zall Herr, e cila dyshohet se është përdorur nga atentatorët.
Lulzim Visha ishte baba i dy fëmijëve, teksa njihej si një person problematik dhe me precedent penal.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore është ajo e hasmërisë, pasi i vëllai i viktimës ka vrarë një person disa vite më parë.
Lulzim Visha është vëllai i Besnik Vishës, ku ky i fundit ka vrarë më armë zjarri për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje e kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë më datë 10 Prill të vitit 1997.
Gjykatës e Tiranës e ka dënuar Besnik Vishën më 29 Qershor të vitit 2001 me 12 vjet burgim, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”. Ai ka qenë për disa vite në kërkim, teksa është arrestuar në Tetor të vitit 2009. Ai tashmë e ka përfunduar dënimin dhe është i lirë.
Përveç hasmërisë, Policia po heton edhe një konflikt që ka pasur së fundmi viktima bashkë me të vëllain, me disa banorë të zonës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.