Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani i cili ka marrë dhe kompetencat e Komisionerëve Publikë, parashtroi të martën më 21 janar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA se u qëndronte gjithë shkaqeve të ankimit ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin e prokurorit të Tiranës, Valentin Preçi dhe kërkoi shkarkimin e këtij të fundit. Preçi i cilësoi shkaqet të pabazuara dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit.
Preçi u konfirmua në detyrë më 10 janar të vitit 2024 me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që kreu procesin e rivlerësimit të tij. Bazuar në një rekomandim të ONM-së, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Dumani vërejti se Preçi ndodhet në mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Këto kostatime lidhen me një apartament e një garazh në Tiranë, si dhe me shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, të bashkëshortes apo edhe mbi pretendimet për mbulimin e disa shpenzimeve nga babai i kësaj të fundit.
Sipas Dumanit, të ardhurat e bashkëshortes së subjektit nga puna si kryeredaktore në një revistë mbeten të paprovuara. Po ashtu, vërejti se nuk janë deklaruar financime nga persona të tjerë.
Në vijim u konstatuan mospërputhje në deklarimet për udhëtimet në SHBA. Dumani konstatoi se subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit se ka qëndruar tek të afërmit, por më parë në ILDKPKI ka deklaruar se shpenzimet janë mbuluar me të ardhurat e tij e të bashkëshortes. Dumani tha se subjekti ka ndryshuar qëndrim gjatë hetimit administrativ.
Lidhur me mungesën e burimeve, u sollën në vëmendje të Kolegjit dhe çështjet që kanë të bëjnë me analizën financiare.
Komisioni ka konsideruar në analizë 4000 Euro nga 7451 Euro të deklaruara nga subjekti se janë përfituar në loto sportive në vitin 2010, duke i konsideruar ato të provuara. Dumani vërejti se në dosje është një shkresa nga kompania e bastit Xhoi Loto që konfirmon se disa bileta kanë rezultuar fituese për shumën e deklaruar, por se nuk ka dokumentacion ligjor që të vërtetojë përfitimin e asaj vlere.
Ndryshe nga KPK që ka konsoidruar bindëse shpjegimet dhe provat e subjektit, Dumani tha se Preçi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe me bilanc negativ.
Prokurori Preçi u paraqit në seancën publike me avokaten Romina Zano. Ajo i kundërshtoi shkaqet e Komisinerit Publik lidhur me pasurinë. Zano i cilësoi të ligjshme dhe të dokumentuara të ardhurat e bashkëshortes së subjektit nga puna si kryeredaktore në një revistë, duke argumentuar se deri në vitin 2015 legjislacioni nuk përcaktonte se për punësimin duhej lidhur domosdoshmërisht një kontratë e shkruar, por mund të realizohej dakordësimi edhe në mënyrë verbale.
Në vijim, Zano evidentoi se këto të ardhura janë deklaruar jo vetëm gjatë martësës së subjektit me bashkëshorten, por dhe më parë nga babai i saj, i cili ka pasur detyrimin për të deklaruar dhe ka shënuar ndër të tjera dhe të ardhurat e të bijës nga punësimi si gazetare. Zano nënvizoi faktin se emri i bashkëshortes së subjektit kishte qenë i shënuar në kopertinën e revistës, në cilësinë e kryeredaktores. Po ashtu, avokatja konstatoi se punëdhënësi i bashkëshortes së subjektit ka lëshuar vërtetime për punësimin e saj në vitin 2008, që janë përdorur për marrjen e një kredie, në cilësinë e dorëzanëses. Sipas Zanos, nëse nuk do të kishte ekzistuar punësimi, atëherë nuk do të ishte vendosur nga banka si dorëzanëse.
Një tjetër argument që përdori Zano ishte dhe praktika e KPA-së, që sipas saj ka konkluduar se të ardhura konsiderohen kur ato provohen bindshëm, si dhe nga dhe nga sjellja e subjektit lidhur me shlyerjen e detyrimeve tatimore. Avokatja tha se sapo subjekti ka mësuar për mospagesën e detyrimeve tatimore, kanë hapur process gjyqsor për këtë çështje.
Për financimet nga të tretët, Zano tha se subjekti ka shpjeguar se vjehrri i ka paguar disa herë kredinë. Sipas saj, Preçi nuk ka pasur detyrim ligjor për t’i deklaruar këto të ardhura.
Lidhur me shpenzimet e udhëtimeve, Zano tha se subjekti i ka shpjeguar ato dhe ka kërkuar që të konsiderohen sipas dokumenteve shkresore, që vërtetojnë se janë mbuluar nga persona të tretë.
Për shpenzimet e lindjes së fëmijëve në SHBA, Zano vërejti se subjekti nuk ka pasur shpenzime të tilla pasi janë mbuluar nga një institucion, si dhe as është pyetur. Në vijim, subjekti nënvizoi se nuk qëndron konstatimi për deklarime për vlera të ndryshme të të ardhurave të bashkëshortes në SHBA. Si kërkoi që aot të njihen sipas dokumentacionit provues.
Ai i cilësoi konkluzionet e Komisionerit Publik të ngritura apriori, pasi sipas tij janë bazuar në rezultatet e hetimit paraprak të Komisionit dhe jo në përfundimet e arritura bazuar dhe në shpjegimet dhe provat që ka paraqitur.
Ai tha se rezulton një bilanc negativ i vogël në vitin 2010, ndërsa në gjithë vitet e tjerë rezulton pozitiv.
Për figurën, u konstatuan udhëtimet e prokurorit Preçit me vëllezërit Mark dhe Arben Frroku në vitin 2012. Udhëtimi i parë është kryer në qershor të 2012-ës me Arben Frrokun drejt Malit të Zi. Subjekti ka pretenduar se këto udhëtime kanë qenë rastësore dhe Komisioni nuk ka gjetur probleme duke i gjetur bindëse shpjegimet e tij.
Por, Dumani u shpreh se subjekti duhej ta kishte plotësuar deklarimin për figurën në mënyrë të detajuar, duke e konsideruar si deklarim të pamjaftueshëm. Ai solli në vëmendje të Kolegjit faktin se subjekti ka udhëtuar dy herë me vëllezërit Frroku, një herë në Mal të Zi dhe një herë në Kosovë. Ndërkohë, rezulton se Mark Frroku ka qenë aksioner në kompaninë Xhoi Loto, prej nga prokurori Preçi thotë se fituar në vitin 2010 shumën 7451 euro.
Dumani tha se KPK duhej ta kishte kryer vlerësimin në drejtim të etikës së subjektit.
Preçi deklaroi se deklarimi i këtyre udhëtimeve është kryer me vullnet në lirë në kuadër të një pyetësori të KPK-së. Ai vërejti se Komisioni nuk i ka kaluar barrë prove, ç’ka sipas tij hitmet kanë provuar se nuk janë gjetur probleme.
Ai tha se këot udhëtime janë rastësore dhe nuk mund të konsiderohen si kontakte të papërshtatshme, pasi nuk plotësojnë asnjë kusht. Preçi tha se takimi i papërshtatshëm kryhet me një person të përfshirë në krimin e organizuar, që procedimi ndaj tij të jetë i regjistruar dhe kur takimi është i qëllimshëm.
Sipas Preçit, në vitin 2012 kur jan kryer udhëtimet nuk ka pasur asnjë informacion publik se dy vëllezërit Frroku kanë pasur probleme me drejtësinë. Ai solli në vëmendje dhe faktin se Mark Frroku u zgjodh në vitin 2013 deputet në Kuvendin e Shqipërisë, çka tregonte se nuk kishte probleme.
Preçi tha se faktet janë bërë publike pas udhëtimeve që ka pasur.
Prokurori Dumani e pyeti subjektin se sa shpesh lunate loto, nëse kishte humbur ndonjëherë, si dhe nëse i kishte deklaruar humbjet si shpenzime. Po ashtu, e pyeti për marrëdhënien me personin që kishte nënshkruar vërtetimin e kompanisë Xhoi Loto.
Preçi tha se personi në fjalë është kushëri i parë i bashkëshortes. Ai shpjegoi se hera e vetme që ka luajtur loto ka qenë kur ka fituar. Sipas subjektit, edhe atëherë ka qenë i vëllai që ka ndikuar që të blinte biletat, pasi ai është i apasionuar. Preçi deklaroi ndër të tjera se i kishte dhënë paratë vëllait dhe se kishte qenë ky i fundit që kishte blerë biletat që kishin dalë fituese. Sipas subjektit, në këto kushte i duhej të deklaronte fitimin dhe i kishte kërkuar kushëririt të bashkëshortes i cili punonte në atë kompani si menaxher, që ti jepte faturën.
Preçi ju përgjigj dhe një seri pyetjesh të drejtuara nga vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler lidhur me qëndrimin e anëtarëve të familjes në SHBA, për përfshirjen në lotari sportive, si dhe për udhëtimet me vëllezërit Frroku.
Preçi theksoi se pasi mësoi nga informacionet publike se vëllezërit Frroku kishin histori kriminale, aid he të afërmit e tij nuk kanë pasur më asnjë kontakt.
Në vijim, prokurori Dumani solli në vëmendje një rast që në ankim konsiderohet si gjendje konflikti interesi, pasi subjekti ka pranuar donacion për djalin e sëmurë në shumën 30 mijë lekë nga ortaku i një shoqërie që ka qenë palë e dëmtuar në një çështje të heytuar nga subjekti, për të cilën ka marrë vendim pezullimi. Vepra penale për të cilën është rejgistruar dhe pezulluar çështja për mungesë të autorit, është parashkruar në vitin 2020.
Sipas Dumanit, subjekti duhej të kishte trekuar kujdes për të mos cënuar paanësinë e magjistratit.
Avokatja Romina Zano vërejti se subjkti nuk ka kryer më asnjë veprim hetimor lidhur me këtë çështje pas pezullimit, e për rrjedhojë nuk ka element për konflikt interesi.
Në seancë u parashtruan dhe shkaqet për disa denoncime. Në një rast pretendohet se prokurori Preçi ka vendosur mosfillim të një hetimi duke pretenduar se konflikti ishte civil. Vendimi i prokurorit është gjetur i pabazuar nga gjykata që ka urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore. Dumani tha se kjo gjetje duhej të ishte konsideruar në vlerësimin tërësor.
Po ashtu, ai kërkoi që të konsiderohet në vlerësimin tërësor dhe një tjetër denoncim në të cilin pretendohej se subjekti nuk kishte njoftuar vendimarrjen e tij.
Prokurori Preçi tha se kishte konkluduar se çështja kishte pasur natyrë civile. Sipas tij, gjykata e ka prishur vendimin e mosfillimit me arugmentin se duhej të ishte pyetur dhe i kallëzuari. Ai e konsideroi të pabazuar këtë shkak ankimi. Po ashtu, u shpreh se është i pabazuar pretendimi i Komisionerit Publik se ka shkelje në mosnjoftimin e vendimarrjes një prej palëve.
Lidhur me vlerësimin tërësor, subjekti solli në vëmendje se pasuria e tij familjare është vetëm një apartament dhe një makinë.
Pas pesë orësh seancë, Kolegji vendosi të administrojë disa prova të depozituara nga subjekti dhe bëri me dije se ndaj tij është depozituar një denoncim i ri. Seanca u shty për më datë 5 shkurt, në orën 09:00, kur palët do të japin qëndrim lidhur me pretendimet e ngritura në denoncimin e ri./ BIRN