Më 26 nëntor 2019, në orët e para të mëngjesit, Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 ballë, një nga më të fuqishmit në historinë e saj. Ky tërmet goditi kryesisht Durrësin dhe Tiranën duke shkaktuar 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra ndërtesa të dëmtuara. Në Tiranë, zona e Kombinatit ishte ndër më të prekurat.
Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, deri në janar 2020 u regjistruan mbi 11,000 ndërtesa të dëmtuara dhe mbi 200,000 persona të prekur. Vetëm në Kombinat, mbi 500 ndërtesa pësuan dëmtime serioze, disa prej të cilave u shpallën të pabanueshme.
Një studim i Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore vlerësoi dëmet financiare të tërmetit në mbi 1 miliardë dollarë, duke nënvizuar nevojën për investime të konsiderueshme për rindërtimin.
Kombinati ishte një nga zonat që u konsiderua në nevojë për t’u rindërtuar për shkak të shkallës së dëmeve prej tërmetit, të ardhura kryesisht prej vjetërsisë së ndërtesave dhe zhvillimit informal. Përsëritja e shpeshtë e dy faktorëve të fundit ngjalli dyshime te banorët. Disa prej tyre nisën të mendonin se projekti i rindërtimit po nxitej nga interesat e sektorit të ndërtimit.
Projekti i rindërtimit për Kombinatin u quajt “KombinArt”. Ai u prezantua nga arkitekti italian Marco Casamonti dhe synonte transformimin e zonës në një kompleks modern. Megjithatë, ky projekt u kritikua për mungesë të konsultimit me banorët dhe dështoi të adresonte nevojat bazë të tyre.
Koncepti dukej tërheqës për një qytet që dëshiron të përmirësojë infrastrukturën dhe pamjen e tij për të ardhmen, por larg realitetit. Disa banorë, që ishin dëmtuar nga tërmeti, u ankuan për mospërfshirje, duke krijuar hendek mes asaj që u premtua dhe asaj që u arrit në terren.
Sot, pas pesë vitesh, Kombinati mbart ende gjurmët e tërmetit shkatërrimtar. Rrënojat shihen ende rrugëve teksa banorët vazhdojnë të ndjejnë hijen e pasigurisë. Disa prej tyre mbeten në procese të gjata dhe të mundimshme ligjore në luftë për të mbrojtur shtëpitë jo më nga tërmeti, por nga vetë projekti i rindërtimit.
Zëri i banorëve dhe betejat ligjore
Edmond Çata është një prej banorëve të angazhuar të Kombinatit, i cili prej pesë vitesh mundohet të advokojë në favor të tyre. Ai thotë se qeveria dhe Bashkia Tiranë e aplikuan planin e rindërtimit duke shmangur përfshirjen e qytetarëve.
“Në vend që të dëgjonin banorët në konsultime publike, ata mbushën sallat me mbështetës politikë,” tregoi Çata, sipas të cilit autoritetet çuan përpara interesat e ndërtuesve, të cilët përfitonin sheshe ndërtimi nga shembjet e pallateve.
Banorët pretenduan abuzime me vlerësimet e dëmeve ku shpesh kategorizoheshin në shkallë të katërt, që sipas përcaktimeve kërkonin vlerësime shoqëruese. Për këto raste, nëse rezultonte se riparimi tejkalonte me 70% vlerën e rindërtimit, rekomandohej shembja.
Nën këtë dinamikë u vendos për shembjen e rreth 70 pallateve, 35 prej të cilave u shembën. Çata dhe një grup banorësh të tjerë u organizuan në një grupim, – Grupimi për Mbrojtjen e Kombinatit, – që synoi denoncimin e rasteve abuzive në ekspertizat e cila arsyetuan disa prej vendimeve.
Grupimi e orientoi betejën drejt gjykatave, duke paraqitur padi për të mbrojtur të drejtat e banorëve. Përfaqësimi ligjor i ofruar nga qendra “Res Publica” rezultoi kyç në këtë proces. Deri në dhjetor 2024, prej 22 padive të depozituara në Gjykatën Administrative, 19 u zgjidhën në favor të banorëve duke rrëzuar vendimet për shembje të pallateve.
Çata shprehet i kënaqur deri më tani me qasjen që kanë pasur gjykatat, sipas tij “pa mbajtur anën e pushtetit”. Por, gjendja aktuale e banorëve është e ndarë: Disa kanë arritur t’i mbrojnë pronat, ndërsa të tjerë vazhdojnë të presin zgjidhje për sistemimin në banesa të reja.
“Për shumë prej banorëve, pasiguria dhe konfuzioni për fatin e pronave të tyre mbetet sfidues,” thotë Çata teksa shton me ironi se “gjatë këtyre viteve pati banorë që ikën nga kjo botë pa e jetuar KombinArtin, të cilin ua premtuan se do të ndërtohej renda vitit.”
Nga projekti në fjalë aktualisht janë ngritur pesë nga shtatë pallate të parashikuara pas ish-Kombinatit të Tekstileve. Por ato nuk janë akoma të banueshme teksa kompleksi nuk është lidhur ende me infrastrukturë rrugore.
Në një periudhë kur Shqipëria përballet me sfida të mëdha për sa i përket konsolidimit të shtetit të së drejtës, historia e Kombinatit është thirrje për angazhim qytetar, shembull se të drejtat duhet të kërkohen.
“E drejta nuk jepet afrofe, nuk bie nga qielli, por kërkohet dhe fitohet! E drejta mund të zhytet, por nuk mbytet, ndaj kush lufton, dhe nuk pret që fatin e vetë t’ia bëjnë të tjerët, mbetet në këmbë!” thekson Çata.
/ Jura Çitozi / Citizens.al