Kursi mesatar i këmbimit euro-lek pësoi rënie për të katërtin vit radhazi dhe preku një minimum të ri historik për vitin 2024.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 100.71 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi mesatar i këmbimit të euros me lekun ka rënë me 7.4% krahasuar me vitin 2023.
Kursi mesatar i këmbimit të euros ka ardhur vazhdimisht në rënie pas vitit 2013, duke përjashtuar vitin e pandemisë, 2020, vit në të cilin shumica e treguesve ekonomikë pësuan shmangie të konsiderueshme, për shkak të ndikimit të masave kufizuese.
Megjithëse norma e rënies së kursit është ngadalësuar krahasuar me vitin 2023, sërish rënia e kursit mesatar euro-lek në vitin 2024 ishte rënia e dytë më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Kursi i këmbimit euro-lek e mbylli vitin 2024 në nivelin 98.15 lekë. Ky është kursi më i ulët historik i regjistruar në fund të vitit kalendarik dhe shumë afër nivelit minimal historik të të gjitha kohërave, të regjistruar në nëntor 2024.
Krahasuar me fundin e vitit 2024, kursi i këmbimit të euros me lekun ka rënë me 5.5%.
Vazhdimi i rënies së kursit të këmbimit të euros edhe gjatë vitit 2024, ndoshta në një shkallë më të madhe se parashikimet, duke se i detyrohet vijimësisë së flukseve të larta hyrëse valutore jashtë.
Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë arritur në përfundimin se rritja e flukseve hyrëse i detyrohet kryesisht rritjes së eksportit të shërbimeve dhe sidomos të turizmit, rritjes së investimeve të huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme, ndërsa në deklarimet e tij Guvernatori Sejko nuk ka përjashtuar as rolin e prurjeve valutore informale.
Të dhënat e bilancit të pagesave treguan se flukset valutore hyrëse edhe për 2024 kanë qenë të larta, por në tërësi deficiti i llogarisë korrente është rritur krahasuar me vitin 2023.
Për 9-mujorin 2024 pozicioni i jashtëm i ekonomisë rezultoi në deficit, për një vlerë totale prej 230 milionë eurosh. Ky pozicion është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, me një rritje prej 9.5 herë të deficitit të jashtëm, por sidoqoftë ky deficit ishte në vlerën e dytë më të ulët historike, pas vitit 2023.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte vazhdojnë të mbulojnë vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Për 9-mujorin 2024, vlera progresive e investimeve të huaja direkte arriti në 1.16 miliardë euro, shifër kjo 6.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në veçanti, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin 2024 arritën vlerën e 269 milionë eurove, 21% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbënin më shumë se 23% të investimeve të huaja për periudhën.
Nga ana tjetër, edhe politika fiskale ka luajtur një rol shtesë në forcimin e lekut në kursin e këmbimit. Suficiti buxhetor rekord në pjesë më të madhe të vitit ka ulur ofertën e monedhës vendase dhe ka shtyrë më tej në rënie kursin euro-lek.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për 11-mujorin 2024, suficiti buxhetor kishte blerën rekord të 71.7 miliardë lekëve, në rritje me 90% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, as përqendrimi i lartë i shpenzimeve publike në muajin dhjetor nuk ka ndikuar në rritjen e kursit të këmbimit Euro-Lek, që e mbylli vitin pranë nivelit më të ulët historik./ Monitor