Jo keq familja kryeministrore. Pasuri të paluajtshme, apartamente, truall, llogari bankare, konsulenca, dhe arti mbi të gjitha, kanë rritur pasurinë e familjes Rama në miliona euro???? Por nuk mbeten pas as ministrat e kabinetit të tij qeveritar.
Plug ka zbuluar se disa prej ministrave të kabinetit, si Ogerta Manastirliu, Ulsi Manja, Arbjan Mazniku, Blendi Gonxhja apo Delina Ibrahimaj, jo vetëm janë pasuruar gjatë punës si ministra, por njëkohësisht bashkëshortët e tyre janë bërë biznesmenë të suksesshëm me lidhje ekonomike direkte dhe indirekte taksat e qytetarëve shqiptarë.
BELINDA BALLUKU NË 2013 DEKLARONTE 847 MIJË EURO PAURI
NË 2023 QARKULLIMI PASURISË ARRINË NË 1.6 MILIONË EURO (DYFISH MË SHUMË)
2013-2023 QARKULLIMI MESATAR VJETOR 170 MIJE EURO
Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës njëkohësisht Zëvendëskryeministre në qeverinë Rama, mban gjithashtu edhe numrin dy të pasurimit fal pushtetit.
Në vitin 2013, kur mori detyrën e Drejtoreshës së Albcontrol, Belinda Balluku deklaronte një pasuri në prona të paluajtshme dhe para cash, që kapnin vlerën 847 mijë euro. Konkretisht, pronat e Belinda Ballukut në vitin 2013 ishin: 1 apartament 1+1, një vilë 2 katëshe me truall 406 m2, një apartament 89 m2, një shtëpi në Britaninë e Madhe, tre automjete si dhe disa llogari bankare me vlerë disa qindra mijë euro.
Këto janë pronat dhe llogaritë bankare të deklaruara vetëm në emrin e saj në vitin 2013, pa llogaritur këtu edhe ato të ish-bashkëshortit Sokol Balla. Belinda Balluku, sipas jetëshkrimit të saj të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, ka punuar nga viti 2000 deri në vitin 2004 në sektorin privat, kryesisht në kompanitë telefonike të kohës. Pas vitit 2004 ajo iu bashkua zyrës së shtypit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe deri në vitin 2011 ka qenë pjesë e administratës së kësaj bashkie si shefe e kabinetit. Pas marrjes së pushtetit nga Rilindja e Edi Ramës, edhe pasuria e deklaruar e Znj.Balluku nis të shtohet edhe më shumë.
Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, Edi Rama shpërbleu njeriun e tij të besuar, Belinda Ballukun me postin e drejtorit të përgjithshëm të Albcontrol. Në këtë detyrë, Balluku deklaron se ka përfituar nga viti 2013 deri në vitin 2019, një pagë mesatare vjetore, rreth 70 milion lekë, apo rreth 6 milion lekë pagë mujore. Kjo shumë, nëse I referohemi sistemit të pagave në Shqipëri është nga më të lartat që një zyrtar publik mund të ketë përfituar midis viteve 2013-2019. Gjatë drejtimit të Albcontrol, Belinda Balluku ka qenë shpesh në qendër të akuzave publike për skandale me tenderat për shpenzime luksi apo dhe festat luksoze për stafin.
Në vitin 2019, Belinda Balluku heq dorë nga paga 70 mijë euro në Albcontrol për t`iu bashkuar kabinetit qeveritar si ministër i infrastrukturës me një pagë mesatare vjetore prej rreth 22 milionë lekësh, apo rreth 3 herë më e ulët se ajo në Albcontrol. Nga viti 2013 deri në vitin 2023, në mungesë të deklaratës së vitit 2021, rezulton se Belinda Balluku ka dyfishuar pasurinë e saj. Nga 847 mijë euro, prona, llogari bankare, dhe të ardhura të deklaruara në vitin 2013, për periudhën 2014 deri në vitin 2023, kjo shumë kap vlerën e 1.6 milionë eurove.
Ndërsa i shfaqet qytetarëve me fjalimet e saj modeste, e si ministre me çizme, mediat kanë denoncuar vazhdimisht jetën e luksit të numrit 2 të qeverisë, me pushime në resorte luksoze apo për blerje në dyqanet më të shtrenjta të Evropës.
Edhe Balluku, nuk bën përjashtim nga mosdeklarimi i shpenzimeve të luksit apo udhëtimeve të pafundme, të cilat sipas ligjit janë të detyrueshme për tu deklaruar. Sipas denoncimeve në media, në vitin 2020, kohë kur Shqipëria ishte në karantinë dhe me një urdhër Kryeministri vendosi që kabineti të mos bënte pushime në Verë, Ministrja Belinda Balluku theu rregullin. Ajo, jo vetëm bëri pushime në kohë pandemie, por zgjodhi të pushonte në një prej resorteve më të shtrenjta të Ksamilit.
OGERTA MANASTIRLIU
NË 2013 DEKLARONTE 155 MIJË EURO PASURI
NË NGA 2013 DERI NË VITIN 2023 QARKULLOI 475 MIJË EURO
2013-2023 QARKULLIMI MESATAR VJETOR 52 MIJË EURO
Ogerta Manastirliu, aktualisht ministre e arsimit, është gjithashtu një nga njohjet e Edi Ramës, që në kohën kur ishte në bashkinë e Tiranës. Ajo ka punuar në bashkinë e drejtuar nga Rama deri sa ai u largua prej saj. Në vitin 2013, sapo socialistët erdhën në pushtet, Ogerta Manastirliu emërohet si Drejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Deri në marrjen e detyrës si drejtoreshë në QSUT, Manastirliu, deklaronte dy apartamente, një në sipërfaqe 71.4 m2 me vlerë 38700 euro dhe një me sipërfaqe 99 m2 në vlerë 94 milionë lekë. Gjithashtu ajo deklaronte në pronësi një automjet tip Land Rover me vlerë 3.4 mln lekë, dy llogari bankare me vlerë totale rreth 15.5 milion lekë, kursime në vlerën e 2 milion lekëve etj.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj Ermal Gjinaj, deklaronte pagën si drejtor në Ministri 8.8 mln lekë, honorare në vlerën e 2.8 mln lekëve të ardhura nga konsulenca në vlerën e rreth 33 milionë lekëve si dhe një kredi të përbashkët në vlerën e 47 milion lekëve. Me katapultimin e Manastriliut në kabinetin qeveritar, edhe pasuria e tyre nis të katërfishohet.
Në vitin 2018, edhe pse punonte në institucionet shtetërore, bashkëshorti i Ogerta Manastirliut, Ermal Gjinaj, themelon kompaninë “Instant.al”. Ai ishte ortak i kësaj kompanie me 25% të aksioneve, ndërsa ortak të tjerë ishin dhe Granit Gjana, ish-nënkryetar i Bashkisë së Kukësit dhe më pas Prefekt i qarkut, Alen Gjikondi dhe Flogert Muça.
Kompania u themelua në datën 1 mars 2018. Ermal Gjinaj qëndroi ortak i kësaj kompanie deri në datën 24 gusht 2018, ku ai dhe dy ortak të tjerë vendosën të shesin aksionet e shoqërisë në vlerë 5 mijë lekë secili tek ortaku tjetër, Granit Gjana. Një vit më vonë, në datën 27 gusht 2019, Granit Gjana heq dorë nga kompania INSTANT.AL, duke ia shitur aksionet e kompanisë motrës së tij Emerlinda Gjana për vlerën 20 mijë lekëve.
Kompania INSTANT.AL, rezulton se pas vitit 2019 ka marrë të paktën 35 tendera, 23 prej të cilëve nga bashki të drejtuar nga socialistët. Deri më tani, nga buxheti i shtetit janë transferuar mbi 430 mijë euro pagesa për llogari të INSTANT. AL, që sipas shpjegimit u ka ofruar konsulencë institucioneve shtetërore.
Aktiviteti i kësaj kompanie nge pikëpyetje të mëdha, dhe dyshime për ndërtimin e një skeme të ngjashme me 5D të Erion Veliajt apo drejtorëve të Belinda Ballukut. Kompania INSTANT. AL, e themeluar nga Ermal Gjinaj, bashkëshorti i Ogerta Manastriliut, gjatë vitit 2023, ka marrë tre tendera nga institucione në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, që drejtohej po nga Ogerta Manastruiliu, dhe të tre tenderat raportohen me probleme. E thënë thjesht, kompania e themelua nga burri, fiton tendera nga institucionet në varësi të gruas.
Plug verifikoi deklaratat e pasurisë të Ogerta Manstirliut, ku rezultoi se bashkëshorti i saj, në vitin 2018, kur ka themeluar kompaninë INSTANT. AL ka qenë i punësuar edhe në OSHEE. Ndërkohë në adresën e saj zyrtare në internet, kompania e themeluar nga bashkëshorti i Manastirliut deklaron se i ofron konsulencë SPAK dhe BKH. Nuk dihet se çfarë konsulence i jep SPAK-ut kjo kompani, pronarët e së cilës janë gjithashtu subjekte të SPAK.
Gjithashtu, Ermal Gjinaj, në vitin 2018, pasi shiti aksionet e kompanisë që themeloi me ish-nënkryetarin e bashkisë së Kukësit, Granit Gjana, regjistron në Qendrën Kombëtare të Biznesit një nipt si person fizik. Deri në vitin 2020, pasi deklarata e vitit 2021 nuk është publike, Ermal Gjinaj nuk e pasqyron as aktivitetin e tij si person fizik, ku pretendon se ofron shërbime mediatike online.
Nga të dhënat e QKB, rezulton se emri tregtar i aktivitetit të bashkëshortit të Ogerta Manastirliu, është Bota.al. Nga verifikimet rezulton se ky portal është bërë publik online në vitin 2020, duke shërbyer si një portal informative me lajme nga vendi dhe bota. As në deklaratën e vitit 2020, Gjinaj nuk e raporton aktivitetin e biznesit të tij në deklaratën e bashkëshortes, Ogerta Manastirliu në atë kohë Ministre e shëndetësisë. Në vitin 2022 dhe 2023, Ermal Gjinaj deklaron për herë të parë të ardhura nga biznesi, konkretisht, për vitin 2022 ai deklaron një fitim neto prej 41 mijë eurosh ndërsa për vitin 2023 deklaron një fitim prej gati 54 mijë eurosh nga portali i tij. Për shkak se aktiviteti është i regjistruar si person fizik, Ermal Gjinaj nuk deklaron bilance në QKB. Në këtë mënyrë është e pamundur për të verifikuar edhe se nga kanë ardhur të ardhurat e biznesit të Ermal Gjinajt.
ARBIAN MAZNIKU
NË 2013 170 MIJË EURO PASURI
NË 2023 510 MIJË EURO PASURI
2013-2023 QARKULLIMI MESATAR VJETOR 56 MIJË EURO
Arbjan Mazniku është një tjetër ministër që ka katërfishuar pasurinë nga pushteti i rilindjes, ku në vitin 2013 deklaronte vetëm 2 shtëpi me vlerë totale 197 mijë euro, e sot vetëm pasuria e deklaruar në ILDKP, shkon në 510 mijë euro.
Arbian Mazniku, u bashkua rishtaz në kabinetin qeveritar, teksa në vitin 2023 mori postin e Ministrit për Pushtetin Lokal. Mazniku erdhi në kabinetin Rama duke lënë pas karrierën si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, ku gjithashtu ka pasur poste të rëndësishme në disa prej shoqërive të kësaj bashkie, të cilat sot janë të përfshira në afera korruptive. Në vitin 2013, Mazniku do t`i bashkohej qeverisë duke u bërë Zëvendës Ministër i Arsimit dhe Sportit krah Lindita Nikollës. Ai erdhi nga puna në shoqërinë civile, në disa prej OJF-ve të mbështetura nga fondacioni Soros. Në vitin 2013, Pasuria e Arbian Maznikut në pasuri të paluajtshme dhe para cash, llogaritej në total në vlerën e 197 mijë eurove. Zotëronte një apartament me sipërfaqe totale rreth 195 m2 në Tiranë, një apartament vilë me sipërfaqe 160 m2 në bregdet në Kavajë si dhe llogari bankare me të ardhura minimale.
Për këto prona, Mazniku deklaronte tre kredi bankare në vlerën totale të 105 mijë eurove. Arbian Mazniku hyn tek ministrat, të cilët janë me flamuj të kuq te deklaratat e pasurive, pasi për disa vite, mungojnë të dhënat, ndërsa në deklaratat e pasurive që janë publike, ka parregullsi. Në vitin 2013, Arbian Mazniku nuk ka deklaruar një sipërfaqe prej 11700 m2 ullishtë në vlerën 3.9 milionë lekë. Për herë të parë këtë sipërfaqe Mazniku e deklaron në vitin 2023, kur mori postin e Ministrit të Pushtetit Lokal.
Teksa mungojnë të dhënat për disa vite të pasurisë së Arbian Maznikut, në vitin 2023 pasuria e tij arrin në vlerën totale, pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare në 513 mijë euro, apo rreth tre herë më shumë se pasuria e vitit 2013, kur kapte shifrat e rreth 170 mije eurove. Teksa pasuria e tij është rritur në mënyrë të pashpjegueshme, edhe Arbian Mazniku, njëjtë si disa ministra të tjerë të kabinetit, kanë përfituar indirekt para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive private. bashkëshortja e Maznikut, e cila gjithshtu punon në qeveri, në vitin 2020, së bashku me bashkëshorten e Endri Fugës, bëhen bashkëpronare të restorantit “The Home” në qendër të Tiranës.
Sapo bëhen pronare, Marinela Lika dhe Besa Fuga, fillojnë edhe të ofrojnë dreka e darka për institucionet ku bashkëshortët e tyre mbanin poste të larta. Megjithatë, pritjet dhe përcjelljet nuk janë e vetmja lidhje e restorantit me bashkinë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se një tjetër kompani e lidhur me restorantin “The Home” ka fituar tendera me vlerë rreth 800 mijë euro me kompaninë publike Tirana DC dhe Bashkinë e Tiranës gjatë viteve 2021-2022, sipas një investigimi të Birn publikuar disa kohë më parë. Madje, nga deklaratat e pasurisë, bashkëshortja e Arbian Maznikut deklaron edhe tërheqje dividenti, fitimi, nga restoranti “The Home”, ku darkonin zakonisht vartësit e bashkëshortit të saj në Bashkinë e Tiranës.
Ish themeluesi dhe aktualisht Administratori i restorantit “The Home”, Ledion Çollaku është i lidhur edhe me një tjetër kompani. “3i-Solutions” është një kompani e teknologjisë së informacionit e themeluar në vitin 2015 nga administratori i restorantit “The Home”, Ledion Çollaku, i cili zotëronte 50% të aksioneve. Në nëntor 2018, Çollaku ia shiti aksionet kunatit të tij, Ervis Smakaj, një inxhinier IT në profesion.
Kjo kompani, ka përfituar 800 mijë euro tendera nga bashkia e Tiranës deri në vitin 2022, kur Arbian Mazniku ishte nënkryetar i saj. Në vitin 2020, kur Tirana DC sapo ishte themeluar dhe Arbian Mazniku ishte anëtarë bordi i saj, shoqëria “3i-Solutions”, përfiton tenderin me objekti: Informatizimi i proceseve operacionale te shoqërisë Tirana DC sha, implementimi i infrastrukturës mbështetëse si dhe mirëmbajtja e tyre”, vlera e të cilit ishte 700 mijë euro.
Ky tender është kategorizuar nga open data me flamur të kuq, për shkak se nga gara u skualifikuan operatorët e tjerë ekonomik duke ngritur hije dyshimi për tender korruptiv. Në vitin 2022 kompania e kunatit të administratorit të restorantit të gruas së Arbian Maznikut, fiton një tjetër tender nga bashkia e Tiranës ku Mazniku ishte nënkryetar. Bëhet fjalë për tenderin me vlerë 126 mijë euro, ku kompania “3i-Solutions”, do duhet të ndërtonte një platformë online që do ti shërbente këtij institucioni për rekrutimin e stafit.
Ky tender duket me shifra të fryra për shkak se të tilla platforma online, sot nuk kushtojnë 15 herë më lirë se çmimi i kontraktuar nga bashkia e Tiranës. ndaj i mbetet SPAK të verifikojë nëse ky tender ka qenë abuziv dhe korruptiv. Një tender me flamur të kuq, kompania në fjalë e mori edhe nga ujësjellësi i Tiranës në vitin 2022. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt: “Shërbim dhe mirëmbajtje vjetore sistemi call center” me vlerë rreth 25 mijë euro.
Ky tender është klasifikuar me flamur të kuq pasi janë skualifikuar nga gara kompanitë e tjera. Ndaj mbetet në dorën e organeve përkatëse, të verifikojnë nëse ish-nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku, aktualisht ministër i qeverisë së Edi Ramës, ka pasur apo jo interesa financiare, me kompaninë e vëllait të administratorit të restorantit të gruas së tij dhe të Endri Fugës.
BLENDI GONXHE LA BIZNESIN PËR PAGA SHTETI, POR BIZNESET MARRIN PARA NGA SHTETI
NË 2015 KISHTE 564 MIJË EURO PASURI
DERI NË 2023 QARKULLOI RRETH 2.5 MLN EURO
2015-2023 QARKULLIMI MESATAR VJETOR 249 MIJË EURO
Blendi Gonxhe, një nga njohjet e hershme të Edi Ramës, prej kohës kur ishte kryetar bashkie në Tiranë, sot është ministër i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit. Ai u rikthye në administratën publike në vitin 2015, kur Erion Veliaj e emëroi në krye të një ndërmarrje dhe më pas në krye të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Në deklaratën fillestare të pasurisë të vitit 2015, Gonxhe kishte pasuri neto, prona të paluajtshme, likuiditete bankare dhe gjendje cash, familjarisht, rreth 564 mijë eurosh. Ai zotëronte gjithashtu kompaninë Albarent, ndërsa djali i tij kompaninë Rentalcars Albania. Në vitin 2018, Blendi Gonxhe shkon si drejtor i Transportit Rrugor, ndërsa deklaron përsëri pasurinë fillestare për atë periudhë.
Në vetëm dy vjet, pasuria e familjes së Blendi Gonxhes, dyfishohet duke arritur në vlerën e 1.2 milionë eurove. Ndërsa midis viteve 2019, 2020 dhe 2023, pasuria e Blendi Gonxhes arrin në shifrën e 1.3 milionë eurove. Në total, prej vitit 2015 deri në vitin 2023, familja e Blendi Gonxhes llogaritet të kenë rreth 2.5 milionë euro. Pra, nga 564 mijë euro që ishte në vitin 2015, brenda 8 viteve familja e Blendi Gonxhes qarkullon asete, pasuri të paluajtshme dhe para cash në shumën e 2.5 milionë eurove, apo pesë herë më shumë se deklarimi fillestar.
Të ardhurat kryesore të familjes së Blendi Gonxhes, janë siguruar nga aktiviteti i dy kompanive të familjes, “Albarent” dhe “Rentalcar Albania”. Kompania e parë ka qenë e regjistruar në emër të Blendi Gonxhes, edhe gjatë kohë që ai ishte drejtor në ndërmarrjet publike, në bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Belinda Ballukut. Blendi Gonxhe qëndron pronar i kompanisë deri në datën 29 janar të vitit 2014, ose edhe 3 javë pasi ishte emëruar zyrtarisht si Ministër i Kulturës dhe Ekonomisë.
Në 29 janar të vitit 2024, Blendi Gonxhe ia dhuron kompaninë bashkëshortes, në një kohë që kompania kishte akumuluar një fitim të pa shpërndarë prej rreth 2 milionë eurosh. Një pjesë të dividendit e shpërndanë bashkëshortja e Gonxhes, pasi u bë pronare e kompanisë. Ajo që bie në sy, është fakti se kompania “Albarent” e Blendi Gonxhes, ka marrë para nga buxheti i shtetit, pasi është kontraktuar nga disa institucione në varësi të Kryeministrit Rama, për marrjen e automjeteve me qira. Mbetet ekspertëve për të shpjeguar nëse kjo përfshihet te konflikti i interesit apo jo.
ULSI MANJA SI OLTA XHACKA
NË 2013 DEKLARON RRETH 100 MIJË EURO PASURI ASETE DHE LLOGARI
NË 2023, PASURIA LLOGARITET NË RRET 470 MIJË EURO
2013-2023 QARKULLIMI MESATAR VJETOR 52 MIJË EURO
Ulsi Manja është një nga ministrat kryesor të kabinetit qeveritar. Ai iu bashkua ekipit të Edi Ramës, në vitin 2013, kur u zgjodh për herë parë deputet në siglën e Partisë Socialiste. Deri në vitin 2021, ai ka qenë deputet dhe drejtues politik i PS, në qarkun e Dibrës dhe në atë të Lezhës. Ulsi Manja do të shquhej në publik, jo për aktivitetin e tij politik, por për shkak të përgjimeve të dosjes “184”, ku dhe shumë zyrtarë të tjerë, përfshi Kryeministrin Rama, flisnin për blerjen dhe manipulimin e votave në qarkun e Dibrës midis vitit 2015 dhe 2017.
Shpërblimi politik për angazhimin zgjedhor, Ulsi Manja do ta merrte nga Edi Rama në vitin 2021, kur e emëroi Ministër Drejtësie, post të cilin e mban edhe sot. Në vitin 2013, kur u zgjodh deputet, Ulsi Manja deklaron pasuri: 1 apartament 100 2 në Tiranë, të blerë për vlerën e 54 mln lekëve, një shtëpi në Golem 60 m2 të blerë për 30 mijë euro dhe një automjet tip Ford 4500 euro. Për blerjen e apartamenteve, Manja deklaronte se kishte marrë borxhe nga vëllai dhe motra, ndërsa të ardhurat nga paga si pedagog, avokat etj. Deri në vitin 2018, pasuria e Ulsi Manjës nuk ka asnjë ndryshim. Në 2018, familja Manja blen një automjet në vlerë 20 mijë euro, për të cilin deklaron se ka marrë kredi së bashku me bashkëshorten.
Në vitin 2020 çifti manja shton dhe një automjet tjetër në familje, një mjet tip Mercedes në vlerën e 1950 eurove. Për vitin 2021 mungon deklarata e pasurisë, pikërisht në vitin kur familja Manja vendos të bëhet investitor në pasuri të paluajtshme, për të cilat do të flasim më vonë. Në vitin 2022 Ulsi Manja bën një hop financiar, në shitblerjen e pronave të paluajtshme. Ministri i Drejtësisë, vendos të shesë apartamentin e blerë në vitin2004, me sipërfaqe rreth 100 m2, për vlerën e 145 mijë eurove, apo gati tre herë më shtrenjtë se çmimi që e bleu.
Jo vetëm kaq, por Ulsi Manja shet dhe apartamentin në Golem, në sipërfaqe 60 m2 për vlerën e 50 mijë eurove, apo rreth 20 mijë euro më shtrenjtë nga sa e kishte blerë. Në total, Ulsi Manja arkëton nga shitja e këtyre dy pasurive një shumë prej 200 mijë eurosh, të cilat i arkëton në bankë. Po në vitin 2022, teksa shet dy apartamente, Ulsi Manja blen një apartament të ri, me sipërfaqe 156 m2 për vlerën e 115 mijë eurove. Një lëvizje brilante e ministrit Manja, i cili shet një apartament të vjetër dhe me sipërfaqe të vogël shumë më shtrenjtë e apartamenti i ri që blen me sipërfaqe më të madhe e çmim më të lirë. Në vitin 2023, familja Manja shet automjetin tip Ml për 19 mijë euro dhe blen një tjetër automjet, për vlerën e 30 mijë eurove, të cilin e regjistron në emrin e vajzës.
Në vitin 2021, Ulsi Manja blen 1 mijë m2 truall buzë liqenit të farkës. Sipas kontratave noteriale, Manja e ka blerë tokën për vlerën e 30 mijë eurove, ose rreth tre herë më lirë nga çmimet me të cilën shiten pronat në këtë zonë. Personi me të cilin bën biznes Ulsi Manja, është ish administrator i Zall – Herrit, Arben Maloku, i përfshirë në dhjetëra skandale tenderash në bashkinë e Tiranës.
Tre vjet pasi bleu tokën, Ulsi Manja vendos të bëhet dhe investitor. Sipas një artikulli investigativ të publikuar nga gazetarja Ola Xama, Ulsi Manja dhe bashkëshortja e tij, kanë aplikuar në bashkinë e Tiranës për leje ndërtimi për ndërtimin e një kompleksi vilash në Farkë. Në nëntor të vitit të kaluar, Manja dhe bashkëshortja e tij aplikuan së bashku me fqinjët e tyre kufitarë, kompaninë “Brunes” dhe pronarët e saj Geront dhe Bledar Çela, për një leje zhvillimi në Bashkinë e Tiranës me qëllim ndërtimin e një kompleksi banimi dhe shërbimi me godina 1,2 dhe 3 kate, me pishina dhe mur rrethues në këtë zonë. Detajet e marrëveshjes mes pronarëve të tokës dhe kompanisë “Brunes” janë të panjohura dhe nuk rezultojnë të jenë deklaruar nga ministri Manja në ILDKPKI në vitin 2023.
DELINA IBRHIMAJ – BURRI BËHET BIZNESMEN KUR GRUAJA U BË MINISTRE
NË 2015 DEKLARONTE 58 MLN LEK PA LLOGARI NJË KREDI 170 MIJË EURO
MIDIS VITIT 2016-2023 PASURIA KA SHKUAR NË 1.2 MILION EURO
2013-2023 QARKULLIMI MESATAR VJETOR 171 MIJË EURO
Delina Ibrahimaj emërohet në krye të Ministrisë së Financave në shtator të vitit 2021, duke hyrë për herë të parë në kabinetin e Kryeministrit Edi Rama, duke u emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Në fillim të detyrës shtetërore, Delina Ibrahimaj deklaronte investime si ortake në kompaninë Urban Distribution shpk me kapital 1 mln lekë, 10 mln lekë cash, paga në bankën e Shqipërisë prej 8 mln lekësh, paga si pedagoge prej 5 mln lekësh. Ndërkohë, bashkëshorti i saj Andri Ibrahimaj zotëronte një sipërfaqe toke prej 7300 m2 me vlerë 29 ln lekë, pagën te kompania e bashkëshortes prej 5 mln lekësh dhe një kredi prej 172 mijë eurosh.
Deri në vitin 2018 familja Ibrahimaj nuk ka ndryshime pasurie, teksa në këtë vit deklaron shitjen e tokës dhe shtëpisë prej druri në Lezhë me vlerë 20 mijë euro, apo rreth 8 mijë euro më pak nga sa e kishte blerë. Edhe në vitin 2019 familja Ibrahimaj deklaron të ardhura modeste, ndërsa bumi ekonomik i tyre do të vinte pas vitit 2020. Në këtë vit, Andri Ibrahimaj deklaron 106 mijë euro të ardhura nga kthimi i kontributit në shoqërinë Urban Distribution, ku deklaron se këto para janë përdorur për shlyerjen e kredive. Ai depoziton një llogari bankare me vlerën e 120 milionë lekëve, ndërsa blen një motrr Yamaha në vlerën e 2500 eurove.
Investimi në pasuritë e paluajtshme nuk mbaron me kaq. Ai blen një truall me sipërfaqe 138 m2 dhe shtëpi banimi 81 m2 në Gjirokastër, për vetëm 18 mln lekë. ai blen gjithashtu një garazh me vlerë 12 mijë euro në Tiranë, ndërsa deklaron paga nga shoqata “Tirana Ekspres” në vlerën e 3 mln lekëve, Chicken Hause në vlerën e 25 mln lekëve dhe Urban Distributiion në vlerën e 21 mln lekëve. Si dhe kthimin e kontributit nga Urban Distribution në vlerë totale prej rreth 200 mijë eurosh. Ndërsa bashkëshortja e tij Delina Ibrahimaj, në atë kohë Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve, nuk deklaronte ndryshime të pasurisë. Për vitin 2021 mungojnë deklaratat ndërsa për vitin 2022 dhe 2023, familja Ibrahimaj njeh një tjetër bum ekonomik.
Delina Ibrahimaj, në vitin 2022, ishte në vitin e dytë të mandatit si ministre e financave, teksa të ardhurat e saj neto, pa bashkëshortin llogariteshin në rreth 37 mijë euro. Ndërsa bashkëshorti, për vitin 2022 deklaron blerjen e një toke arë me vlerë 15 mln lekë të vjetra në sipërfaqe rreth 3542 m2, pa treguar vendodhjen. Ai deklaron blerjen e një makine 2500 euro, si dhe të ardhura Cash nga pagat, bonot e thesarit dhe të ardhura të tjera në vlerën e rreth 100 milionë lekëve. Po ashtu, për vitin 2022, Andri Ibrahimaj deklaron se i ka marrë hua një individ në shumën e 117 mijë eurosh. Viti 2023, e gjen sërish Delina Ibrahimajn ministre të Financave, ndërsa bashkëshortin e saj biznesmen dhe administrator i disa kompanive, të cilat çuditërisht njohin sukses të menjëhershëm.
Në vitin 2023, Delina Ibrahimaj deklaron vetëm pagat si ministre, ndërsa bashkëshorti deklaron blerjen e një pasurie truall plus ndërtesë prej 183 m2 për vlerën e 16 mijë eurove, truall plus ndërtesë 104 m2 për vlerën e 15 mijë eurove, por pa deklaruar vendodhdjen e tyre. Gjithashtu ai deklaron se ka shitur pasurinë tokë arë prej 570 m2 për 1.7 mln lekë të vjeta. Ndërkohë, ai regjistron disa biznese: aksione te Restorant “Te Bacja” në Tiranë, në vlerë 1.2 mln lekë, aksione te restorant “Red Field Farm” 1,2 mln lekë, llogari bankare 23 mijë euro, llogari bankare 48 mijë euro, paga te “Artizanes shpk”, 2.4 mln lekë, paga te shoqata “Tirana Ekspres” 4.5 mln lekë dhe paga te biznesi tjetër i tij Atlantid Hospitality në vlerën e 55 milion lekëve.
Në total, vetëm midis vitit 2020 dhe 2023, kur Delina Ibrahimaj u katapultua në qeveri, pasuria e saj dhe e bashkëshortit qarkulloi në vlerën totale prej rreth 1 milionë euro, duke pësuar një pesëfishim në krahasim me atë të vitit 2015 kur Delina Ibrahimaj erdhi nga sektori privat për të punuar në qeveri. Madje, disa nga punët ku punon bashkëshorti i saj, si shoqata “Tirana Ekspres”, rezulton se kanë marrë fonde publike gjatë kohës që Delina Ibrahimaj ka qenë anëtare e kabinetit qeveritar. Ndërkohë bashkëshorti i saj, është bërë sipërmarrës në plazhin e Himarës, por dyshimet kryesore lidhen me faktin, se pronat e blera prej tij, në sipërfaqe të konsiderueshme, janë deklaruar me çmime të dyshimta poshtë atyre të tregut./ PLUG, Syri TV