Një përplasje po ndodh prej dy ditësh mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese në lidhje me përfundimin e mandatit të kryetares së Kushtetueses, Holta Zaçajt, si anëtare e institucionit që ajo drejton.
Përmes një reagimi për mediat, Holta Zaçaj bëri me dije ditën e djeshme se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të vitit 2025, teksa i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias për një opinion në lidhje me përfundimin e mandatit të saj.
Kryetarja e Kushtetueses pretendon se nuk i përfundon mandati më 10 Mars të vitit 2024, siç e përcakton vendimi i Gjykatës së Lartë, si anëtare pasuese e Vitore Tushës.
Por, pavarësisht pretendimeve të Holta Zaçajt, Gjykata e Lartë ka nisur procedurat e aplikimit për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, duke njohur kështu vakancën pas mbarimit të mandatit të Zaçajt.
Sipas Gjykatës së Lartë, në vendim është e përcaktuar qartë se mandati i Holta Zaçajt përfundon më 10 Mars të vitit 2024, duke qenë se e kishte një mandat të pjesshëm.
“Për Gjykatën e Lartë si organ emërtese që zgjedh gjyqtarin kushtetues, për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi që zhvillon procedurën përkatëse, ashtu si edhe për vetë kandidatët që aplikuan për plotësimin e këtij vendi vakant, në të cilin u zgjodh znj. Holta Zaçaj, ka qenë qartësisht e përcaktuar kohëzgjatja e këtij mandati të pjesshëm dhe koha e përfundimit të tij, që lidhet me muajin mars 2025 dhe konkretisht më datën 10 mars. Vetë znj. Holta Zaçaj, në dy kërkesat për shqyrtim aplikimi, që i ka drejtuar Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datat 25.02.2022 dhe 30.11.2022, ka shprehur vullnetin e saj për zgjedhjen në “mandatin e mbetur të mandatit 9 (nëntë) vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025 të znj. Vitore Tusha”.” – thuhet në vendimin e firmosur nga Sokol Sadushi për shpalljen e vendit vakant.
“Mosvënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj për të shpallur, jo më vonë se data 10.12.2024, mbarimin e mandatit të znj. Holta Zaçaj, nuk mund të pengojë dhe as të shmangë ushtrimin nga Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të kompetencës kushtetuese për zgjedhjes e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese” – thuhet ndër të tjera në vendim.
Siç duket ka një përplasje të mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, e duket se lufta është brenda klaneve të Partisë Socialiste për kapjen e kreut të Kushtetueses. Por, gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë, dhe nëse a do ta lëshojë karrigen Holta Zaçaj pa marrë ende një opinion nga Komisioni i Venecias mbi mandatin e saj.
Holta Zaçaj ka kërkuar interpretim të qartë nga Komisioni i Venecias për këtë çështje, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e situatave të ngjashme në të ardhmen. Ajo shton më tej se do të respektojë çdo vendim të Komisionit të Venecias, i cili do të bëhet publik dhe do të udhëzojë mënyrën e mbarimit të mandatit të saj.
Kujtojmë se gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017.
Holta Zaçaj nuk largohet nga Kushtetuesja: Jam deri në fund të vitit 2025, do i drejtohem “Venecias”