“U detyrova që fëmijën tim ta çoja në shkollë private”, kështu e nis rrëfimin e saj për “Sinjalizo”, Sara, një nënë e një djali 12 vjeçar. Për 35- vjeçaren, arsyet ishin të shumta, por më kryesorja ishte ajo e sigurisë së fëmijës së saj. “Në shkollën shtetërore që ishte fillimisht, ishin 45 nxënës në të njëjtën klasë, sa kohë ka një mësues që përveç mësimit të shikojë edhe aspekte të tjera te fëmija”, thotë ajo.
Prej 4 vitesh tashmë, ajo paguan një shumë prej 150 mijë lekë të vjetra në muaj, ku përveç orëve të mësimit të kurrikulës bazë, shkolla ofton edhe programe arti, duke nisur nga piano e deri te aktrimi apo kërcimi për fëmijët.
“Shkollën djali e mbaron në dy, tre herë në javë e çoj edhe në futboll, po mendoj ta fus edhe në kurs IT dy ditë në javë, duke mos lënë kohë të lirë edhe për të qëndruar shumë nëpër lagje”, shprehet 35 vjeçarja, e cila shqetësimin për përfshirjen me një shoqëri “të keqe” e marrjen e veseve të të bir-it nuk e fsheh aspak.
Por ajo nuk është e vetmja që e ka këtë shqetësim, i cili është një problem që e ndan bashkë me prindërit e 320 mijë nxënësve në republikën e Shqipërisë. Prindër të cilët përpiqen të gjejnë një balancës mes punës për t’u siguruar të mirat materiale dhe edukimit e sigurisë së tyre.
Aktualisht në shkollat e gjithë vendit, rreth 240 oficerë sigurie (pra jo në të gjitha shkollat e vendit) dhe 840 psikologë janë bërë pjesë e stafit, si një element plus për rritjen e sigurisë së fëmijëve dhe zgjidhjes së konflikteve, por ngjarjet në shkolla jo rrallë herë kanë dëshmuar se siguria dhe mekanizmi i zgjidhjes së konflikteve ka dështuar.
Si funksionon “Oficeri i Sigurisë”?
Në vitin 2018, qeveria shqiptare, prezantoi nisëm për oficerin e sigurisë në Shkolla. 6 vite më vonë, duket se kësaj nisme nuk I është kushtuar vëmendja e nevojshme. Aktualisht numri prej 240 oficerësh në shkolla nuk arrin të mbulojë të gjithë territorin. Nga ana tjetër, edhe mungesa e trajnimit të vijueshëm për këta punonjës tregon se nisma e nisur 6 vite më parë, nuk ka marrë seriozitetin e nevojshëm.
Një oficer i lartë i Policisë së Shtetit, në një komunikim, i tha “Sinjalizo” në kushtet e anonimatit se: “Rastet e referuara të konflikteve në shkolla nga oficerët e sigurisë në Polici, janë shumë të pakta”.
I njëjti burim, tregoi se si funksionon edhe mekanizmi i oficerit të sigurisë, të cilët kanë një protokoll në rast të një konflikti mes nxënësve. “Hap dhe shikon beckgroundin tënd, nëse ke raste të tjera. Nëse jo, tolerohesh”, thotë ai duke shtuar se ka patur raste që oficerët kanë njoftuar inspektorin e policisë dhe ky I fundit ka shkuar. “I takon ata, prindërit, stafin dhe i kemi pajtuar. Nuk mund të çohet çdo 12 vjeçar në prokurori, është traum për ta”, përfundon ai.
Nga ana tjetër, burime pranë ministrisë së arsimit bëjnë me dije se konfliktet janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit në moshat para adoleshente dhe adoleshente.
Ekspertët: Duhet hequr dorë nga kultura e dhunës!
“Shqipëria ka nevojë urgjente duke filluar nga kopshti, ka nevojë të ketë atë që quhet sistemi i alarmit të hershëm“, shprehet Altin Hazizaj, kreu i CRCA-së, duke shtuar se kjo do të thotë se mësuesit, edukatorët, psikologët e kushdo që ka lidhje me fëmijët duhet të jenë të trajnuar. Për zotin hazizaj, Një sjellje e gabuar e një fëmije nuk duhet të kalojë pa u marrë në shqyrtim, pasi ajo: “mund të jetë një indicje që ky fëmijë është duke kaluar situtatë nga më të rëndat të cilat nesër, pasnesër nëse lejohet që të kalojë, mudn të sjellin situata të rënda“.
Për psikologen Desdemona Çelo, në çerdhe dhe në shkolla ku fëmijët kalojnë një pjesë të madhe të ditës, rastet e shpeshta të dhunës reflektojnënjë problem të madh shoqëror. “ Kjo lidhet me modelet e sjelljes të të rriturve që shpesh janë të bazuara në autoritet të ashpër dhe jo bashkëpunim dhe komunikim“, thotë ajo duke theksuar se kështu u dërgohet një mesazh fëmijëve që dominimi dhe frika janë mënyrat kryesore për të zgjidhur konfliktet. Por zonjusha Çelo e vendos theksin edhe te aspekti i mungesës së edukimit emiocional përfëmijët. “Kjo bën e bën të vështirë që fëmijët të mësojnë mënyra të shëndetshme për të shprehur ndjenjat dhe për të adresuar konlfliktet“, shton ajo.
“Prindi i thotë djalit të vet adoleshent po të gjuajti, gjuaje dhe jo ti thotë që ore, po të goditi njeri e para raporto dhe e dyta më thuaj mua sip rind se është detyra ime të të mbroj jo jotja“, shrehet Altin Hazizaj, duke sjellë në vëmendje edhe një pjesë të kulturës së dhunës të përçuar nga prindërit te fëmija.
“Bjeri po të ra”- thotë psikologia Çelo për një shprehje të përdorur jo rrallë herë nga prindërit shqipëtar- “kjo normalizon dhunën si mjet zgjidhjeje për mosmarrëveshje që ndodhin që në fëmijëri”, shprehet ajo duke shtuar se kur një fëmijë dëgjon dhe përjeton ose modelon nga vet kujdestarët e tij/saj, një qasje të tillë, fëmija mëson se përdorimi i forcës fizike është një mënyrë e pranueshme për të mbrojtur veten dhe nuk shikon opsione të tjera optimale. “Kjo krijon një cikël dhune ku dhuna jo vetëm tolerohet, por edhe përforcohet si sjellje”, përfundon psikologia.
Një sistem ku çdo hallkë ka probleme
“Bashkitë sot nuk investojnë asnjë lekë për fëmijët”- shprehet kreu i CRCA-së, i cili shton se këto institucione: “ hapin një qendër ditore dhe u zgjidh cështja e fëmijëve dhe ndërkohë fëmijët që kanë probleme nuk kanë ku marrin shërbime sociale, psikologu është me pagesë, të duash të ndihmosh një fëmijë që ka probleme psiko-sociale, duhen fonde”, thekson ai, duke shtuar se gjithashtu shkolla duhet ridimesionuar totalisht e tëra, për qasjen në internet, ku fëmijët mos të qëndrojnë 24/7 dhe kjo kërkon zgjidhje urgjente në Shqipëri.
Për psikologen Desdemona Çelo, në shumë institucione edukative në Shqipëri mungesa e burimeve njërzore dhe infrastrukturore është një problem serioz. Ajo shprehet se tashmë trajnimi mbi përdorimin e rrjeteve sociale nuk është më një zgjdhje por një domosdoshmëri: “Për edukatorët, fëmijët, mësuesit,dhe prindërit. Edukatorët duhen trajnuar për të kuptuar ndikimin e rrjeteve sociale dhe për të ndihmuar fëmijët të zhvillojnë një qasje kritike ndaj tyre”, shprehet ajo, duke theksuar se prindërit kanë rol ky për monitorimin e tyre por po ashtu edhe për informimin e fëmijëve për benefitet dhe disavantazhet e rrjeteve sociale. “Përsa I përket trajnimeve për fëmijët, duhet të jenë pjesë e kurrikulës shkollore, të përshtatura sipas moshës së fëmijës”, përfundon psikologia.
Në një kohë kur rritja e një fëmijë është diçka që sot kushton, e ku shpesh herë prindërve u duhet të bëjnë punë me orë të gjata, për zotin Hazizaj, ka lindur një tjetër domosdoshmëri.
“Prind bëhesh në mënyrë natyrale, nuk lexohet libër të bëhesh prind”, thotë zoti Hazizaj, duke shtuar se ajo që prindërit kanë nevojë sot është të bëhen disa programe televizive, guida për prindërim pozitiv. “Le të ndahen modele, le të ndahen probleme, ku prindrit thonë fëmija im ka këto probleme, si të punojnë me fëmijën për ti zgjidhur këto probleme?”, thotë ai duke thkesuar se kemi nevojë si shoqëri të ndryshojmë qajen tonë ndaj dhunës. “Nuk duhet toleruar më asnjë shfaqje dhune te fëmijët që në moshën e hershme, 2,4,5- vjeç, aty fillon”, përfundon ai.
Në një kohë kur bota ndryshon me ritme të larta, nevoja për ndryshim të qasjes ndaj edukimit të fëmijës bëhet edhe më emergjente, ku institucione shtetoërore por edhe familja, duhet të jetë gjithmonë vigjilente për ndryshime të cila mund të çojnë jo vetëm në adoleshent të dhunshëm, por edhe në shndërrimin e tyre në kontigjent kriminal.
/ Denis Tahiri/ ACQJ – Qëndra për Gazetari Cilësore