Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencë për masakrën me 4 të vrarë të regjistruar pasditen e të enjtes së 30 Tetorit në afërsi të Dobraçit në Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup i organizuar kriminal, vepër që e ka në kompetencë për ta hetuar Prokuroria e Posaçme dhe për këtë arsye kjo dosje do të merret nën hetim nga SPAK-u.
Dyshohet se shënjestër e atij atentati mafioz ishin 23-vjeçari Hamza Lici dhe 32-vjeçari Arlind Bushati, të cilët ranë pre e breshërisë së kallashnikovit në momentin kur po udhëtonin me një automjet tip “Benz” me targa kroate. Lici ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Bushati pas disa orësh në spital.
Ndërkohë, mbetën dhe dy viktima aksidentale, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po udhëtonin me motor në momentin kur u përplasën nga automjeti me të cilin po udhëtonin dy viktimat e tjera. Flutura Basha ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, teksa bashkëshorti i saj Bashkim Basha mbeti i plagosur rëndë, por dhe ai nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pas 4 ditësh në spital. Çifti Bashkim dhe Flutura Basha lanë pas tre fëmijë, teksa në momentin e atentatit ata po ktheheshin pas pune për në banesën e tyre.
Kujtojmë se viktima Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër më 15 maj të vitit 2021.
Licët kanë përplasje të ashpër me Bajrat në Shkodër, një përplasje e cila ka sjellë dhjetra viktima në vitetet e fundit. Nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” rezultonte se Behar Bajri kërkonte ta vriste me çdo kusht Ibrahim Licin, i njohur me nofkën “Fantazma”, por që nuk ia ka dalë dot.
Ndërkohë, viktima tjetër Arlind Bushati është djali i Xhaml Bushatit, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak në Shkodër dhe kandidat për kryebashkiak dhe deputet. Ai i kishte shpëtuar një atentati dhe rreth 3 javë më parë në pedonalen e Shkodrës, por autorëve të cilët po udhëtonin me motor, iu ishte bllokuar pistoleta.
Në lidhje me atentatin e të enjtes, grupi hetimor dyshon se autorët janë vrasës me pagesë, në moshë të re, që kanë ardhur nga Mali i Zi. Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 35 gëzhoja në vendin e ngjarjes.
Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 4 persona. Më konkretisht në automjetin tip “Range Rover” kanë qenë dy persona në rolin e vrasësve dhe një tjetër në rolin e shoferit. Më pas dyshohet se ka qenë dhe një person i katërt, i cili i ka larguar nga vendi i ngjarjes, pasi dogjën makinën tek zona e ish-repartit ushtarak në fshatin Golem të njësisë Rrethina. Nga numri i shasisë ka rezultuar se automjeti “Range Rover” i autorëve është vjedhur pak kohë më parë në qytetin e Durrësit.
Burime bëjnë me dije se autorët i kanë dalë paralel makinës ku po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati, duke i qëlluar me breshëri kallashnikovi për rreth 150 metra. Dyshohet se e gjithë kjo skenë e krimit nga momenti i parë kur autorët kanë nisur të qëllojnë drejt shënjestrave deri te plumbat e fundit ka zgjatur për rreth 70 sekonda. Mësohet se dy personat që kanë qenë në rolin e qitësit kanë qenë të maskuar. Pas breshërisë së plumbave, mjeti ku udhëtonin viktimat ka përplasur motorin ku ndodheshin çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha.
Nga hetimet e para të kryera nga Prokuroria e Shkodrës dhe nga kqyrja e kamerave të sigurisë ka rezultuar se automjeti “Range Rover” i autorëve ka dalë para atentatit nga rruga ku ka shtëpinë dhe Astmer Bilali, një tjetër armik i Ibrahim Licit.
Pas ngjarjes u shoqëruan rreth 10 persona në Polici, mes të cilëve dhe Safet Bajri, një prej krerëve të grupit kriminal Bajri, por më pas u lanë sërish të lirë.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim për t’u marrë në pyetje dhe dy shtetasit Izmir Sakica dhe Samuel Troshani. Dy të rinjtë janë anëtarë të grupit Bajri dhe dyshohen gjithashtu për një tjetër përplasje të armatosur të ndodhur më 23 gusht në Bushat të Shkodrës, ku pati shkëmbim zjarri me vëllezërit Andrea dhe Aleksandër Prendi.
Nga hetimet paraprake dyshohet se në automjetin me targa kroate të viktimave kanë qenë tre persona. Kjo nisur nga fakti se në automjet janë gjetur tre armë zjarri pistoletë, po ashtu dhe gjurmë gjaku në sediljen e pasme, si dhe trupat e viktimave ishin nxjerrë nga makina.
Jo vetëm kaq, por nga disa filmime amatore me telefon pas ngjarjes, shfaqet një person i gjakosur pranë trupit të viktimave, i cili ende nuk është identifikuar. Ai dyshohet se pas atentatit është arratisur në drejtim të paditur.
Personi i tretë, ende i paidentifikuar dhe i pa konfirmuar zyrtarisht, mund të ketë qenë Ibrahim Lici, i njohur ndryshe me nofkën “Fantazma” dhe që është vëllai i Hamza Licit. Ibrahim Lici, ose siç e thërrasin shkurt “Braçja”, dyshohet se ka mbetur i plagosur me dy plumba, teksa Policia ka ushtruar kontrolle në disa klinika private në Shkodër, Lezhë, Fier dhe Vlorë, por ende nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tij.
Ibrahim Lici u arrestua në Turqi më 13 shkurt të këtij viti, i shpallur në kërkim si autor i vrasjes së Endri Mustafës më 15 maj të vitit 2021. Por, ekstradimi i tij nuk u krye për faktin se Lici pretendonte se në vendin tonë kishte shumë armiq që kërkonin ta vrisnin dhe më pas ai u lirua në masën “Arrest shtëpie”.
Dyshohet se ai ka hyrë në vendin tonë ilgalisht kohë më parë, teksa autoritet turke nuk iu kanë kthyer përgjigje atyre shqiptare se çfarë është bërë me të dhe a është mbajtur nën kontroll në Turqi.
Hetuesit po presin rezultatet e analizës shkencore të armës së tretë që u gjet në automjetin e viktimave, përmes së cilës do të përcaktohet nëse shenjat e gjurmëve të gishtërinjve ose gjakut i përkasin Ibrahim Licit.