Komisioni konstatoi pamundësi financiare të prokurores së Tiranës, Eranda Laze për krijimin e pasurive në vlerën e 10 milionë lekëve, ndërsa u ngritën dyshime edhe për udhëtime me persona të përfshirë në krim të organizuar, gjetje të cilat u kundërshtuan nga subjekti i rivlerësimit.
Prokurorja e Tiranës, Eranda (Felaj) Laze (motra e deputetes socialiste Ermonela Felaj) u përball të mërkurën më 6 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës dhe gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Ajo e kundërshtoi bilancin negativ në vlerë të madhe, si dhe konstatimet për udhëtime me persona të dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkruar konfirmimin në detyrë.
Procesi i vetingut për prokuroren Laze po kryhet nga trupa e KPK, e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Alma Faskaj. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Barrë prove për pasurinë
Ndryshe nga ILDKPKI që nuk kishte gjetur asnjë problem në pasurinë e familjes së prokurores Erinda Laze, KPK konstatoi bilanc negativ në vlerë të konsiderueshme.
Komisioni konstaton mospërputhje midis çmimit të përcaktuar në një kontratë premtim-shitje të vitit 2009 për dy apartamente në Linzë të Tiranës, me sipërfaqe 181 m2 në shumën 81 mijë e 284 euro, me vlerën e përcaktuar në kontratën e shitjes së vitit 2009 të këtyre pasurive, prej 9.6 milionë lekësh. Pine sqaroi se subjekti ka deklaruar se mospërputhja ka ardhur si pasojë e shënimit në kontratën e shitjes së vlerës për sipërfaqen e shfrytëzueshme. Laze ka sqaruar se është paguar shuma e përcaktuar në kontratën e premtim-shitjes, ku është përfshirë dhe vlera për sipërfaqen e përbashkët. Edhe gjatë seancës dëgjimore, Laze deklaroi se mospërputhja kishte ardhur për këtë arsye.
Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni dhe aktiviteti i tij privat në shumën prej 40 mijë euro – të ardhura të krijuara para martesës; 30 mijë euro kredi dhe pjesa tjetër me kursimet familjare.
Pine vërejti se prokurorja Laze ka deklaruar kursime në shumën 500 mijë lekë në vitin 2008, ndërsa bashkëshorti ka deklaruar 30 mijë euro të kursyera, një apartament në Vlorë dhe një shtëpi në Durrës, në bashkëpronësi me familjarët e tij.
Në analizën financiare të dy apartamenteve, Komisioni ka konsideruar si çmim vlerën e përcaktuar në kontratën e premtim-shitjes në masën 81 mijë e 284 euro.
Nga të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga emigracioni për periudhën 1996-2004, Komisioni ka konstatuar mundësi kursimi në masën 47 mijë euro. Por, nisur nga fakti se ai ka blerë më parë një apartament në Vlorë për çmimin 52 mijë euro, Pine tha se të ardhurat nga emigracioni nuk janë vlerësuar të kenë shërbyer për banesat në Tiranë.
KPK ka analizuar të ardhurat e deklaruara nga punësimi si menaxher në një shoqëri të zotëruar nga një i afërm i tij, në total në shumën 2.5 milionë lekë. Për arsye se kontrata e punës nuk është formalizuar, të ardhurat e deklaruara si të përfituara prej bashkëshortit të subjektit nga ky punësim, nuk janë përfshirë në analizë.
Ndërkohë, Komisioni ka përfshirë të ardhurat nga punësimi në një institucion publik. Megjithatë, për pagesën e këstit të parë në shumën 40 mijë euro në vitin 2009, ka rezultuar balancë negative në shumën 6.4 milionë lekë.
Pamundësi ka rezultuar dhe në vitin 2014 për pagesën e këstit të fundit në shumën 11 mijë e 284 euro në momentin e lidhjes së kontratës përfundimtare të shitjes. Sipas KPK-së, balanca negative ka rezultuar në shumën rreth 1.5 milionë lekë.
Sipas relatores, subjekti ka qenë në pamundësi financiare edhe për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2010.
Komisioni i ka kërkuar Lazes të japë shpjegime mbi mënyrën e përfitimit nga bashkëshorti të një ngastre toke me sipërfaqe 500 m2 në Tragjas të Vlorës. Sipas shpjegimeve të dhëna prej subjektit gjatë hetimit administrativ, toka i është dhuruar bashkëshortit nga disa persona të cilët ai i ka asistuar me me konsulta ligjore për të bërë të mundur përfitimin dhe regjistrimin e tokave të tyre. Edhe në seancë, Laze deklaroi se toka i është dhuruar për shkak të ndihmës që ai u ka dhënë pronarëve.
Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se babai i bashkëshortit të subjektit ka aplikuar për legalizimin e një objekti të ndërtuar pa leje në Dhërmi. Po ashtu, kanë rezultuar dhe llogari bankare në emër të subjektit dhe të bashkëshortit, ku janë kredituar rreth 23 mijë euro. Për këto konstatime, KPK ka kërkuar shpjegime.
Pine konstatoi se subjekti nuk ka deklaruar gjendje cash në deklaratën veting, çka sjell sipas saj mospërputhje me vlerat e deklaruara në vite. Nga analiza financiare paraprake e kryer në KPK, ka rezultuar bilanc i përgjithshëm negativ në vlerën 10 milionë lekë.
Prokurorja Eranda Laze deklaroi në seancë se analiza financiare e Komisionit ka pasaktësi, pasi nuk janë reflektuar përgjigjet e dhëna prej saj në plotësim të formularit nr.4. Por relatorja Pine saktësoi në fund të seancës se vetë subjekti kishte pranuar se kishte pasur defekt të email-it të saj zyrtar dhe për rrjedhojë nuk kishin mbërritur përgjigjet.
Në vijim, Laze nënvizoi se pasuritë e bashkëshortit në Vlorë dhe shuma 40 mijë euro e kursyer prej tij nga emigracioni dhe puna në një shoqëri, janë pasuri vetjake të tij, pasi janë krijuar para martesës. Ajo kërkoi që për gjithë pasuritë e krijuara prej bashkëshortit para lidhjes së martesës së tyre në shtator të vitit 2008, ai të mos konsiderohet si person i lidhur apo person tjetër i lidhur.
“Ato janë të ardhura dhe pasuri të krijuara para martesës dhe nuk duhet të ndikojnë në vlerësim”, tha Laze. Sipas subjektit, moskonsiderimi i shpjegimeve ka çuar në pamundësinë e bashkëshortit për pasuritë e kursimet para martesës, çka ndikon edhe analizën financiare të viteve pasardhëse. Ajo solli në vëmendje se bashkëshorti ka jetuar në Itali me prindërit dhe vëllanë. Sipas saj, moskonsiderimi të ardhurave të tyre në analizën financiare, ka çuar në pamundësinë e bashkëshortit. Po ashtu, ajo pretendoi se shpenzimet e jetesës së bashkëshortit në kohën kur ka qenë në emigacion në Itali, janë mbuluar prej prindërve të tij.
Në vijim ajo u ndal në të gjitha gjetjet dhe barrat e provës së Komisionit për pasuritë. Sipas subjektit, bashkëshorti i saj kishte pasur mundësi të kursente të ardhurat e tij. Laze solli në vëmendje se bashkëshorti kishte udhëtime të shumta me administratorin e shoqërisë ku ishte punësuar dhe se një fakt i tillë ishte provuar prej tyre. Për mospagimin e deyrimeve mujore të punësimit, ajo tha se ka qenë përgjegjësi e punëdhënësit.
Po ashtu, ajo kërkoi të konsiderohen edhe të ardhurat e bashkëshortit si avokat. Subjekti solli si argument një përgjigje të Bashkisë Vlorë, ku konsiderohej se kishte kryer qarkullim në masën 2.1 milionë lekë. Laze kërkoi që të konsiderohej dhe një dëmshpërblim i bashkëshortit për largim të padrejtë nga puna, duke pretenduar se shuma monetare ishte marrë cash.
Bazuar në këto pretendime, Laze këmbënguli se rezultonin me bilanc pozitiv në vitin 2009 kur ishte paguar kësti i parë prej 40 mijë eurosh.
Në vijim ajo e cilësoi të gabuar analizën financiare të Komisionit për pagesën e këstit të tretë për apartamentet në Tiranë në vitin 2014. Sipas subjektit, ashtu si dhe ishte dakordësuar me shoqërinë ndërtuese, vlera do të shlyhej në momentin që apartamentet do të merreshin në dorëzim. Ajo tha se ky veprim ishte kryer në vtin 2010, kur dhe ishte bërë pagesa, duke pretenduar se kishin pasur mundësi financiare.
Laze pretendoi se kishin pasur burime për blerjen e automjetit. Ajo dha shpjegime dhe për gjetjet e Komisionit lidhur me kreditimet dhe tërheqjet e kryera nga llogaria bankare në emër të saj dhe të bashkëshortit. Subjekti deklaroi se në ditët kur janë kryer ato veprime, ajo dhe bashkëshorti kanë qenë jashtë shtetit. Po ashtu, u shpreh se dukej qartë se nënshkrimi në dokumentet bankare për këto veprime nuk ishte i bashkëshortit të saj. Laze tha se veprimet duket se janë kryer nga dy punonjës të bankës, të cilët duhet ta kenë bërë për këmbimet valutore.
Lidhur me tokën në Tragjas dhuruar bashkëshortit, subjekti pohoi se i shoqi kishte pasur njohje më parë me ata persona dhe i kishte ndihmuar të fitonin tokën e tyre. Në këmbim të ndihmës, ata kishin vendosur t’i dhuronin 500 m2 tokë, për të cilën saktësoi se përbënte 1/16-ën e gjithë sipërfaqes së përfituar nga dhuruesit.
Lidhur me investimin e kryer nga vjehrri në Dhërmi, subjekti tha se kjo ka ndodhur para lidhjes së martesës.
Laze ritheksoi se pamundësia e konstatuar nga Komisioni për gjithë periudhën e rivlerësimit rrjedh nga bilanci negativ i konstatuar për periudhën para lidhjes së martesës. Ajo kërkoi të merren në konsideratë provat dhe shpjegimet e saj për pasurinë, si dhe të aplikohet parimi i proporcionalitetit dhe objektivitetit. Sipas Lazes, gjetjet nuk mund të sjellin penalizimin e saj. “Pasuria e krijuar gjatë detyrës, është disa herë më e vogël se të ardhurat,” deklaroi Laze.
Figura dhe profesionalizmi
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuarl, AKSIK që verifikon pastërtinë e figurës së magjistratëve në funksion të procesit të vetigut, e ka vlerësuar prokuroren Eranda Laze të përshtatshme për të vijuar detyrën.
Megjithatë, relatorja Pine konstatoi se prej hetimit të KPK-së ka rezultuar se subjekti ka udhëtuar me shtetasin A.M. dhe bashkëshorten e tij, sikurse edhe bashkëshorti i saj. Sipas Komisionit, A.M. ka qenë i proceduar në vitin 2018 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, por në vijim i është përcjellë për kompetencë në prokurorinë e Vlorës. Dosja më vonë është pushuar.
Sipas Pines, pavarësisht se çështja penale ndaj A.M. është pushuar, duket se ky person ka qenë i përfshirë në krimin e organizuar.
Laze vërejti se raporti i dorëzua rnga AKSIK është pozitiv dhe se çdo konstatim tjetër do të ishte i pabazuar. Ajo pretendoi se KPK nuk e ka shqyrtuar dosjen në fjalë. Sipas Lazes, në arsyetimin e vendimit të pushimit, përcaktohet se A.M. nuk ka qenë asnjëherë i hetuar, i pandehur apo i dënuar.
“Ky shtetas nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm dhe të afektojë figurën time”, tha Laze.
Edhe në aspektin profesional u konstatuan gjetje për kontakte të subjektit me persona të hetuar për trafik narkotikësh. Laze tha se procedimi në fjalë për trafik droge është regjistruar në SPAK në vitin 2021, por se nuk janë regjistruar emrat e vëllezërve Xh., për të cilët KPK thotë se subjekti dhe bashkëshorti kanë udhëtuar jashtë vendit. Sipas subjektit, procedimi në fjalë është regjistruar dy vjet pas kryerjes së udhëtimit. Ajo theksoi se vëllezërit Xh. nuk kanë qenë asnjëherë të arrestuar dhe se emrat e tyre nuk janë regjistruar ndonjëherë si persona nën hetim.
Ndërsa anëtarët e trupës nuk kishin pyetje për subjektin, vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova i kërkoi shpjegime për rrethana lidhur me pasurinë dhe udhëtimet.
Ermenkova e pyeti subjektin se përse gjithë kursimet e anëtarëve të familjes i ishin kaluar bashkëshortit të saj. Laze shpjegoi sërish se është provuar se kursimet nga emigracioni kanë qenë rreth 80 mijë euro, pasi shpenzimet janë mbuluar nga prindërit e bashkëshortit.
Në vijim, vëzhguesja ndërkombëtare evidentoi kërkimet e subjektit për uljen e një shpenzimi udhëtimi, duke pretenduar se ato kanë qenë falas dhe janë mbuluar nga një shoqëri. Laze tha se pronarët e shoqërisë kanë shpjeguar pse udhëtimi ka qenë falas. Sipas saj, ka qenë konsulenca ligjore e dhënë nga bashkëshorti. Prokurorja Laze theksoi se nuk ka pasur ndonjë kontakt të papërshtatshëm në këtë rast dhe se kjo situatë nuk e cënon etikën dhe figurën e saj.
Në përfundim, prokurorja Eranda Laze kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 8 nëntor, në orën 10:00.
/BIRN