Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur mëngjesin e kësaj të premte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Burime për mediat bëjnë me dije se ai do të merret në pyetje në do të merret në pyetje nga oficerët e BKH-së në lidhje me hetimet për dosjen e “21 Janarit”, si një prej organizatorëve të asaj demonstrate, ku mbetën 4 persona të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Si organizator i demonstratës së 21 Janarit dëshmoi ditën e djeshme edhe deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia.
Kujtojmë se paraqitja e fundit e Saimir Tahirit në SPAK, ishte më 24 Qershor nga prokurori Elvin Gjoka, ku dëshmoi për rreth 2 orë e gjysmë, në lidhje me një hetim pasuror të nisur ndaj.
Tahiri është tërhequr nga politika aktive, pas dënimit të dhënë më 4 shkurt të vitit 2022 nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj burgim.
Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i shpëtuar akuzave për veprat penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Ai qëndroi vetëm një vit e katër muaj në qeli, deri në qershor 2023 kur dhe u mor vendimi që vuajtja e dënimit të mbetur të kryhej në banesë.
Sa i përket “21 Janarit”, SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në demonstratën e vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Ky procedim penal është regjistruar nga SPAK në zbatim të vendimit të Kolegjit të Gjykatës së Lartë më 12 Mars, e cila vendosi që çështja të hetohet nga Prokuroria e Posaçme pas kallëzimit të Rajmona Nikës, e veja e Aleks Nikës. Gjykata e Lartë detyroi SPAK-un të regjistrojë procedimin penal për “21 Janarin” dhe të hetojë kallëzimin penal të bërë nga Rajmonda Nika, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ndrea Prendit dhe Agim Llupos.
Më herët, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte shpallur disa herë moskompetencë për hetimin e dosjes së “21 Janarit”, jo vetëm për padinë e familjarëve të viktimave, por edhe atë të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste.
Kujtojmë se në demonstratën e 21 Janarit të vitit 2011 u vranë Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
Vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me rradhë në kërkim të provave.