Arrestimi i Metës, pjesë e një panorame më të gjerë të goditjes së krerëve të opozitës nga drejtësia e “re”.
Ilir Meta ishte duke u kthyer nga Kosova këtë të hënë dhe teksa kalonte tek kthesa e Kamzës, makina e tij është ndalur nga forcat speciale, që e kanë rrethuar menjëherë. Një grup policësh të maskuar i kanë kërkuar të dalë, për ta arrestuar, por siç duket nga pamjet e filmuara nga një ndërtesë aty pranë, Ilir Meta ka kundërshtuar.
Pamjet tregojnë se si dy efektivë e tërheqin ish-presidentin për ta nxjerrë nga makina, më pas e nxjerrin dhe e qëllojnë duke e shtyrë drejt makinës së policisë.
.
Kreu i Partisë së Lirisë është shoqëruar fillimisht në Drejtorinë e Policisë ku ka takuar avokatin e tij dhe më pas është dërguar në paraburgim tek Mine Peza.
“Ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk në rrugë, sjellje tejet jo ligjore. Ndodh me një person që ka dhënë disa herë shpjegime në SPAK. Kjo çështje ka 5 vite kur po e godasin sot, është moment politik” ka thënë avokati i tij Genc Gjokutaj pas takimit që pati me Metën.
Bashkë me Metën, për të njëjtën çështje, Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë edhe për 2 personat e tjerë të dosjes Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP, që ka masën “arrest shtëpiak” dhe për Ema Çokun, “detyrim paraqitjeje”.
Pirro Xhixho është njëkohësisht edhe babai i nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Arrestimi i Ilir Metës është një akt i paralajmëruar dhe ai ka folur për këtë skenar gjatë kohës kur ishte president dhe pas dorëzimit të postit.
“I them Dum Dumanit, ke përmendur tre herë emrin tim, i kë çuar edhe njerëz të më mbushin mendjen të iki nga Shqipëria. Pse legen si puna jote jam unë?” shprehej ai nga selia e Partisë së Lirisë disa muaj para arrestimit.
Paralajmërimi nga Edi Rama
Dy vite më parë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama i kërkoi SPAK-ut publikisht arrestimin e Ilir Metës. Rama kërkoi marrjen si të pandehur të atyre që i quante “peshkaqenët” në atë kohë duke iu referuar Sali Berishës dhe Ilir Metës.
I pari që shefi i qeverisë i ka vënë në listën e detyrave të SPAK është kreu i shtetiti mandati i të cilit mbaron në 24 korrik. “Jo unë por gjithë Shqipëria, mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metën” tha ai duke e akuzuar Prokurorinë e Posaçme se përdor dy standarde me mazhorancën dhe me kundërshtarët e saj: “Durimi ynë po soset, i imi po njëherë, i juaji ka kohë që është sosur, po e di e ma vini fajin mua. Kjo do të thotë që SPAK e të gjithe ata të interesuar duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi në vend”.
Paralajmërimi nga ambasadorja Yuri Kim
Gjatë kohës kur ishte president, Ilir Meta pati përplasje të forta me mazhorancën për shkak të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në një prej intervistave para zgjedhjeve të vitit 2021, gjatë një interviste për Syri tv, Meta zbuloi një kërcënim të drejtpërdrejtë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.
“Ajo zonja më ka marrë në telefon dhe më kërkoi kthimin e Dvoranit në KED. I thashë moj zonjë do respektojmë Komisionin e Venecias. “Po ne dimë diçka për ty” më tha, kërcënim i hapur, ambasadorja më kërcënoi. Çfarë di ti për mua i thashë moj, ja këtë letër do ta publikoj tani i thashë, edhe pse kisha ndërmned ta publikoja pas mbledhjes së tyre që të mos merrnin vendim të gabuar. Tani po i them të gjithë këto. Le të nxjerrë SHBA-ja çfarë di për mua, nuk e tradhëtoj Kushtetutën” u shpreh Meta.
Përplasjet me ambasadoren amerikane vazhduan edhe pas zgjedhjeve. Në gusht të vitit 2022, prokurori i SPAK, Arben Kraja njoftoi nisjen e procedimit penal për Ilir Metën. Nga selia e PL, Krajën e quajtën “hetues të komunizmit”, por Yuri Kim nuk e la me aq.
“Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin” u shpreh ambasadorja.
Paralajmërimi i Llallës për bisedën me ambasadorin Donald Lu
Në vitin 2017, ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla i dërgoi një letër Kongresit Amerikan ku tregonte një bisedë me ambasadorin e atëhershëm amerikan Donald Lu.
Në letrën për Nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Europën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
Në letrën e Llallës, dërguar Kongresit, shkruhet: “…Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm arrestimin e Ilir Metës, kryetar i Parlamentit dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vlerësimin e z. Lu, Kryeparlamentari Meta ishte i korruptuar dhe po bllokonte Reformën në Drejtësi”.
Arrestimi i tij (sipas Lu) mund të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar në Bashkimin Europian, thotë Llalla, i cili vijon më tej, duke shpjeguar qëndrimin e tij: “Kjo kërkesë, tërësisht e papërgjegjshme, detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpriste takimin, duke u shprehur se arrestimi i çdo njeriu, përfshirë edhe zyrtarët, mund të bëhet vetëm në bazë të provave”.
Opozitarët e goditur nga prokuroria
Arrestimi i Ilir Metës është pjesë e një panorame më të gjerë të goditjes së krerëve të opozitës nga drejtësia e “re” e Edi Ramës. I pari që provoi prangat ishte Fredi Beleri, kandidat fitues në zgjedhjet e 14 Majit në Himarë. Gjatë fushatës, Beleri kishte qenë në qendër të sulmeve të kryeministrit Edi Rama, që premtoi se do të merrej personalisht me të dhe mbështetësit e tij.
Beleri u arrestua nga operacionalja përballë lokalit të tij në Himarë 48 orë para ditës së zgjegjedhjeve, falë një procesi hetimor të montuar keq, në bazë të të cilit ishte një dëshmitar i paguar nga policia. Dy ditë më pas, doli fitues i bashkisë së Himarës, por nuk e drejtoi asnjë ditë bashkinë. Bëri gati dy vite burg dhe nuk iu dha asnjëherë leje për t’u betuar si kryebashkiak.
Pas Belerit erdhi arrestimi i Sali Berishës. Ish-Presidenti dhe ish-Kryeiministri akuzohet për vendimet që ka marrë gjatë kohës kur drejtoi qeverinë dhe që sipas SPAK mori vendime që favorizonin privatizimin e truallit të ish-kompleksit Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi u arrestua në tetor ndërsa priste bashkëshorten e tij në aeroportin e Rinasit dhe qëndroi disa muaj në qeli. Ndërsa Sali Berisha refuzoi masën “detyrim paraqitje” dhe për këtë u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar. Që prej asaj kohe, ai qëndron i izoluar në masën “arrest shtëpie” dhe nuk lejohet të dalë nga banesa.
Së fundmi, prangat e drejtësisë së re i provoi deputeti Ervin Salianji për denoncimin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Salianji u dënua dhe u burgos për kallëzim të rremë, në bazë të dëshmisë së një personi që është provuar tashmë se paguhej nga policia, ndërsa vëllai i ministrit udhëtoi drejt Italisë ku ishte dënuar me burg.
/Lapsi.al