Policia e Shkodrës ka arrestuar një 18-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij, pasi dyshohet se mbanin me forcë një fëmijë të mitur 16-vjeçar, nga Afganistani (i dyshuar i trafikuar), për ta shfrytëzuar për punë
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Minoreni” është vënë në pranga shtetasi Alehandro Pashuku, 18 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Mesme, Shkodër, i akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në kërkim është shpallur vëllai i tij, shtetasi Kristjan Pashuku, 33 vjeç banues në fshatin Bërdicë, i akuzuar për veprën penale “Trafikim i të miturve”.
Gjithashtu, blutë e Shkodrës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit L. P., 31 vjeç dhe A. P., 57 vjeç (vëllai tjetër dhe babai i 18-vjeçarit të arrestuar), të dy banues në fshatin Berdicë, të akuzuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Operacioni u krye pas informacionit të marra nga Interpol Tirana, teksa minoreni nga Afganistani mbahej me forcë, në një servis në fshatin Berdicë e Mesme. 16-vjeçari u gjet në gjendje të mirë shëndetësore.
Burimet zyrtare raportojnë se gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të vëllezërve Pashuku, Policia ka gjetur dhe një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.
Bëhet me dije se në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, si dhe për kapjen e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.