Mungesa e skemave mbështetëse dhe moszbatimi i detyrimeve ligjore nga institucionet rrezikojnë që t`i çojnë fermerët drejt falimentit. Të dhënat e grumbulluara nga INA Media tregojnë se më shumë se 1.300 fermerë të juglindjes, që humbën prodhimet bujqësore si pasojë e shiut dhe e breshrit, nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim, por janë shënuar vetëm si statistika nga bashkia, që iu njeh dëmet.
Dy vite më parë Fuat Orhani, fermer në Rrëmbec të Maliqit, humbi 15 ha grurë si pasojë e një stuhie breshri, që zgjati vetëm pak minuta. Ai shpenzoi 50 mijë lekë/ ha, por të mbjellat ishin të mbara dhe shpresonte dyfishin.
“Pak para korrjes zuri një stuhi e tmerrshme breshri, që shkatërroi gjithçka. Jo vetëm unë, por edhe të tjerë humbëm gjithçka”, – kujton Fuati, një ndër fermerët më të mëdhenj të grurit në Maliq.
Atë vit Ministria e Bujqësisë shpalli prioritet skemën e grurit dhe Fuati, njësoj si mijëra fermerë në mbarë vendin, investoi në këtë kulturë, por nuk mori asgjë. Pas dëmeve që la pas breshri, ky fermer nuk arriti që të mbulonte as shpenzimet.
“Shpresoja që të merrja 1.500.000 lekë, por në fund mora vetëm 600.000 lekë. Jo vetëm që nuk nxora fitim, por dola minus 150.000 lekë nga investimi vetjak”, – rrëfen Orhani.
Sipas të dhënave të vëna në dispozicion, në vitin 2022 Bashkia e Maliqit përllogariti se fermerët e saj pësuan 72 milionë lekë dëme nga fenomenet natyrore, ndërsa një vit më pas ky dëm ishte në vlerën e 18 milionë lekëve.
Në një dalje publike me fermerët ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, pranoi se ata kishin humbur rreth 2 milionë dollarë prodhime nga breshri, por nuk ofroi asnjë zgjidhje, pasi, sipas saj, “Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë instrument si t`i mbrojë”.
Mes debateve me fermerët ajo referoi si të vetmin mekanizëm në këtë drejtim mbështetjen për rrjetat e breshrit, por edhe kjo skemë është gjysmake, pasi sektori i pemëtarisë është i përjashtuar, për të përfituar nga ky program.
Të dhënat e vendosura në dispozicion nga bashkitë tregojnë se së paku 1.300 fermerë në Korçë, në Devoll, në Maliq dhe në Pogradec kanë humbur miliona lekë prodhime bujqësore, por nuk u kompensuan, pasi pushteti vendor pretendon se nuk kanë fonde për t`i dëmshpërblyer; për pasojë i kanë deleguar kërkesat tek Emergjencat Civile, por kjo e fundit e mohon një gjë të tillë.
Bujqësia është një ndër sektorët me kontributin më të madh në ekonominë e vendit. Referuar INSTAT-it, në vitin 2022 ky sektor punësoi 33.9% ose rreth 500 mijë shqiptarë dhe kontribuoi me 19% të GDP-së, por fermerët shqiptarë janë të ekspozuar dhe të pambrojtur ndaj dëmeve, që mund të pësojnë nga fatkeqësitë natyrore, pasi Shqipëria nuk ka ende një kuadër të qartë, ligjor.
Ndryshe nga Shqipëria, që numëron mbi 97 mijë fermerë me NIPT, por nuk ka shpërndarë asnjë lek për kompensimin e dëmeve, Kosova ka krijuar një fond të veçantë dhe i dëmshpërblen çdo vit fermerët e dëmtuar me miliona euro.
Ligji nr. 139/2015 i Vetëqeverisjes Vendore dhe Ligji nr. 49/2019 i Mbrojtjes Civile përcaktojnë qartë se kush dhe si duhen kompensuar fermerët, që dëmtohen nga fatkeqësitë natyrore, por institucionet lokale dhe ato qendrore refuzojnë që t`i zbatojnë.
Nga të dhënat e siguruara nga INA Media rezultoi se bashkitë mbajnë vetëm procesverbale dhe statistika për dëmet, por në asnjë rast nuk i kanë dëmshpërblyer fermerët.
Bashkitë bëjnë vetëm statistika
E drejta e kompensimit, e parashikuar në nenin 41, të Ligjit Nr. 45/2019, “Për mbrojtjen civile”, është e ndarë mes bashkive dhe Emergjencave Civile, por të dyja institucionet ia delegojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.
Bashkitë pretendojnë se nuk kanë pará për t`i kompensuar fermerët, ndaj ia kanë deleguar kërkesat dhe faturat financiare Emergjencave Civile, por Emergjencat e mohojnë, që të kenë mbërritur kërkesa të tilla.
“Kompensimi financiar për fermerët, që kanë pësuar dëme në kulturat bujqësore dhe blegtorale, ndodh vetëm në rastin kur është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore”, – thonë Emergjencat Civile në një përgjigje me shkrim për INA Median.
Si pasojë e kësaj amullie ligjore me mijëra fermerë në të katër bashkitë e juglindjes: Korçë, Devoll, Maliq dhe Pogradec, po përballen me humbje të prodhimit dhe me humbje financiare, që rrezikon që t`i çojë në faliment.
Sipas dokumenteve të vëna në dispozicion nga këto bashki, rreth 80% e sipërfaqeve të mbjella me drufrutorë në fshatrat Mançurisht, Progër, Cangonj, Vranisht, u dëmtuan nga breshri, por fermerët nuk kanë marrë asnjë kompensim.
“Bëmë vjet një takim në Zëmblak me zëvendësministrin e Bujqësisë. Ia kemi ngritur këtë problem dhe na tha se do të shikonte për një rrugëzgjidhje, por deri më tani nuk ka asgjë”, – shprehet Sulejman Meço, fermer, njëkohësisht edhe kryeplak i fshatit Mançurisht të Devollit.
“Bashkia dhe agronomët vjet dhe parvjet kanë dalë dhe kanë bërë statistika, por nuk është bërë asnjë kompensim te fermerët”, – thotë më tej ai.
Referuar Ligjit nr. 139/2015 për Vetëqeverisjen Vendore, 4% e buxhetit të bashkive duhet të përdoret për emergjencat civile, në raste fatkeqësish natyrore, përmbytjesh, zjarresh apo tërmetesh; por të paktën tri bashkitë më të prekura të juglindjes në asnjë rast nuk e kanë përdorur këtë fond. Sipas tyre, vlera e dëmeve i tejkalon mundësitë financiare, që ato kanë në dispozicion.
Medat Rusi shpenzoi 7 milionë lekë për kultivimin e drufrutorëve, por breshri i shkatërroi 80% të prodhimit. Pavarësisht se ndoqi të gjithë procedurën, asnjë institucion nuk e merr përsipër kompensimin e dëmeve.
“Në 4 vitet e fundit prej breshrit kemi pasur dëme të mëdha. Të paktën të na kompensonin kostot e shpenzimeve, mirëpo pyesin vetëm për bregdetin, sepse kanë resortet e tyre”, – thotë ai.
Katër bashki, të pyetura nga Investigative Network Albania, thanë se i kanë verifikuar dëmet në terren dhe bilancet e humbjeve i kanë dërguar pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe janë në pritje që ajo të bëjë kompensimin e tyre.
“Nuk është bërë asnjë dëmshpërblim. Për dëmet kemi njoftuar për çdo rast Agjencinë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, Korçë dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, pasi shuma e kalonte dëmin, që ne mund të mbulonim me fondin e emergjencave civile”, – i thanë këto katër bashki INA Medias.
Vetëm Bashkia e Pogradecit ka dëmshpërblyer dy familje me një vlerë prej 173 mijë lekësh.
Fuat Orhani rrëfen se pas stuhisë Bashkia e Maliqit dërgoi një komision për verifikimin e dëmeve, por, ndonëse e njohën dëmin, i thanë se nuk kishin fonde për dëmshpërblim, ndaj do e përcillnin kërkesën për dëmshpërblim pranë Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile.
“Erdhën deputetë, erdhi kryetari i bashkisë, u ngritën grupet e punës, por asnjë mbështetje.Përkundrazi, nësehumbëm prodhimin nga fatkeqësia natyrore, humbëm edhe 4-5 ditë punë kot, se u vumë në dispozicion të grupeve të vlerësimit”, – thotë Fuati.
Pa mbështetje dhe në mëshirë të kapriçove të motit, Fuati është gati të dorëzohet.
“Ky mbase është viti i fundit që merrem me këtë punë. Kemi shpresuar se gjërat mund të rregullohen në bujqësinë shqiptare, por këtu ndodh e kundërta”, – shprehet Orhani.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Bujqësisë, Korçë, 7 janë skemat, sipas të cilave fermerët në juglindje mund të përfitojnë mbështetje financiare. Shumica e fermerëve përfitojnë skemën e naftës, për të cilën për vitin 2023 dhe për vitin 2024 ka pasur 10.700 aplikime.
Skema shqiptare, më anemikja në rajon
E përfshirë nga një spirale krize, buxheti i vitit 2024 për bujqësinë nuk është aspak optimist, as krahasuar me një vit më parë dhe as krahasuar me rajonin. Për këtë vit ky sektor ka në dispozicion një fond prej 141 milionë eurosh, ndërsa një vit më parë kishte 155.3 milionë euro, pra rreth 14 milionë euro më pak.
Ulja e buxhetit është bërë në zërin e zhvillimit rural, ku bëjnë pjesë edhe skemat mbështetëse.
Ky zë ka aktualisht në dispozicion 72 milionë euro, ndërsa parashikimi fillestar ishte 99.4 milionë euro, ndërsa këtë vit sektorit do t`i mungojnë edhe fondet e IPARD-it.
Ministria e Bujqësisë pranon se nuk ka të parashikuar asgjë për dëmshpërblimin e fermerëve, që preken nga fatkeqësitë natyrore.
“Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural (MBZHR) nuk ka bazë ligjore, mbështetëse dhe si rrjedhojë, as mjete financiare për mbulimin e dëmeve në raste fatkeqësish natyrore”, – i konfirmoi INA Medias kjo ministri.
MBZHR sqaron se, në Strategjinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Peshkimit, 2021-2027, për të përballuar sfidën e efekteve të ndryshimit të klimës me pasoja mbi prodhimin bujqësor, ka parashikuar të ndërmarrë reforma institucionale dhe strukturore, “por nuk është parashikuar një fond i veçantë kompensimesh për fenomenet ekstreme, që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike”.
Në faqen e Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë ka vetëm një publikim për dëmshpërblimin në raste fatkeqësish. Bëhet fjalë për fermerët e Kafarajt në vitin 2022. Ish-ministrja, Krifca, drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë, Armando Subashi, iu bënë thirrje fermerëve, që të aplikojnë për një kompensim në masën e 200 mijë lekëve të reja për çdo hektar të mbjellë me luleshtrydhe.
Krejt ndryshe paraqitet situata në Kosovë. Edhe pse me një buxhet sa gjysma e Shqipërisë dhe me një bujqësi që kontribuon 2.5 herë më pak në PBB se sa vendi ynë (bujqësia në Kosovë kontribuon me 7.4% të PBB, në Shqipëri, me 19%), Kosova aplikon skema të mirëfillta mbështetjeje për fermerët, të cilëve iu dëmtohen kulturat në raste fatkeqësish natyrore.
Në vitin 2020 në Kosovë u krijua Fondi i Kompensimit me një buxhet prej 3.8 milionë eurosh. Nga ky fond qeveria ndau afro 2 milionë euro për 2.354 fermerë, që ka të regjistruar.
Në dhjetor të vitit 2022, Ministria e Bujqësisë në Kosovë akordoi 2.8 milionë euro për fermerët e 22 komunave të prekur nga fatkeqësitë, duke kompensuar 80% të dëmeve; ndërsa në periudhën 2020-2021 fermerët kanë përfituar 3 milionë euro si pasojë e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.
Kjo mbështetje e fermerëve në Kosovë ka ndodhur edhe në nivel komunash. Në vitin 2020 Komuna e Prishtinës kompensoi me 400 mijë euro 152 fermerë të dëmtuar nga breshri.
Skemë mbështetëse aplikohet edhe në Maqedoninë e Veriut, ku qeveria miratoi në vitin 2022 një vendim për pagesën e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, që kanë pësuar fermerët në vitet 2016, 2017 dhe 2018. Shuma e kompensimit u përcaktua me 10% të vlerës totale, të parashikuar, ku u paguan gjithsej rreth 4.5 milionë euro.
Sipas një raporti të Bankës Botërore, të publikuar në vitin 2022, Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të mbështetjes për bujqësinë në rajon, por, edhe ato pará, që jepen, më së shumti përdoren për shpenzime operative. Nëse në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe në Bosnje-Hercegovinë 70% e buxhetit të bujqësisë shkon si mbështetje direkte te fermeri, në Shqipëri 70% e buxhetit bujqësor shkon për shpenzime operative dhe vetëm një pjesë e vogël përfundon si mbështetje direkte te fermeri.
Ligji për kompensimet nuk zbatohet
Kuadri ligjor për mënyrën se si duhet të kompensohen fermerët në rastet e fatkeqësive natyrore është i përcaktuar në Ligjin 139, të vitit 2015 për Vetëqeverisjen Vendore, në Ligjin nr. 45 të vitit 2019 të Mbrojtjes Civile, si dhe në një seri ligjesh dhe aktesh, që kanë përcaktuar qartë se si duhen kompensuar fermerët.
Sipas ligjit, janë bashkitë ato që duhet t`i kompensojnë dëmtimet te fermerët, si dhe i detyron ato që deri në masën 4% të buxhetit e kanë të detyrueshme që ta kenë si rezervë buxhetore për këto raste. Vetëm në rastet kur vlera e dëmit kalon 8% të vlerës së buxhetit të emergjencave, që bashkitë kanë, atëherë duhet të kompensohen nga Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile.
“Bashkitë duhet që ta ndryshojnë qasjen se si duhet të sillen me rastet e fatkeqësive natyrore dhe mbi të gjitha se si duhet ta bëjnë kompensimin”, – thotë Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Në një takim të mbajtur në Korçë gjatë majit 2023, Haki Çako, kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, tha se kanë propozuar ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen Civile, i cili duhet të përcaktojë qartësisht edhe kategoritë, të cilat duhet të kompensohen, por iu kërkoi fermerëve, që të paguajnë më së pari detyrimet.
“Nëse merr riskun për të investuar, për të paguar apo edhe për të mbjellë një kulturë dhe nuk merr në konsideratë rrezikun, që buron nga një fatkeqësi natyrore, natyrisht që përmasat e mëdha të fatkeqësive i merr përsipër shteti, në momentin që kapaciteti i dëmeve e tejkalon përqindjen e buxhetit të një bashkie, që është 8%; atëherë i adresohen Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila më pas bën kompensimin rast pas rasti”, – tha asokohe Çako.
Por, deri më tani Emergjencat Civile nuk kanë dëmshpërblyer asnjë fermer, ndonëse dy bashkitë më të dëmtuara në juglindje, Devolli dhe Maliqi, kanë bërë kërkesa dhe kanë depozituar dokumentacionin pranë kësaj Agjencie. Madje, në një përgjigje për INA Median Emergjencat Civile mohuan që pranë tyre të jenë depozituar kërkesa të tilla.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nuk disponon asnjë dokumentacion të përcjellë nga bashkitë Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll, me qëllim dëmshpërblimin e fermerëve si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore”, – thonë Emergjencat Civile.
Pas vitesh të tërë përpjekjesh një pjesë e madhe e fermerëve i kanë humbur shpresat.
“E groposën bujqësinë shqiptare, fshatrat janë bosh, nuk gjen më as punëtorë dhe as njerëz, të gjitha shtëpitë janë me çelës”, – thotë Fuat Orhani.
Bujqësia, e papreferuar për kompanitë e sigurimit
Mes politikave të cunguara dhe fenomeneve të papritura natyrore, fermerët janë përjashtuar edhe nga skema e sigurimeve, pasi kompanitë e sigurimit e shohin me risk sigurimin e prodhimeve bujqësore. Edhe në rastet kur ata e pranojë një sigurim të tillë, vënë si kusht çmimin e primit të sigurimit, që për fermerët është “vrasës”.
Këtë vit për herë të parë kanë nisur sigurimin e fermerit, por vetëm për breshrin, ndërsa refuzojnë të marrin përsipër edhe dëmet, që vijnë nga temperaturat, siç janë ngricat në pranverë.
Medat Rusi e siguroi tokën e tij para disa vitesh nga fatkeqësitë natyrore, por as ai nuk përfitoi kompensim, pasi kompania nuk ia njohu dëmtimet.
“Pësuam dëme të mëdha nga bryma, por nuk na kompensuan, pasi më thanë se, për brymën nuk japim gjë. Nuk kemi besim as te sigurimet”, – thotë ai.
Artur Balli, i cili drejton një kompani sigurimi në rajonin e Korçës, pranon se sigurimet në bujqësi aktualisht janë të papërfillshme. Risku i lartë, sipërfaqet e copëzuara dhe primet janë vetëm disa nga faktorët e këtij ngërçi.
“Në vendin tonë kemi të bëjmë me parcela të vogla, individë dhe tufa të vogla dhe për pasojë çmimi i sigurimit del më i lartë”, – thotë ai.
Aktualisht, çmimi i primit të sigurimit për fermerin shkon nga 0.5% deri në 6% të prodhimit, që vijon të rritet për shkak të rritjes së çmimeve.
Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor, thotë se primi i sigurimit nuk është në proporcion me fitimet që ka fermeri. Sipas tij, është e nevojshme, që të ndërhyjë qeveria me politika lehtësuese.
“Mund të ndajë një pjesë të financimit me një grup të caktuar të fermerëve ose me fermerët në nevojë. Mundet të ketë një kuadër ligjor, që qeveria të jetë mbështetëse me burime financiare të primeve të sigurimit dhe e rëndësishme është që të bindim kompanitë, që nuk është thjesht një marrëdhënie private dhe këtë e bën qeveria si rregullator”, – sugjeron Agron Haxhimali.
“Sigurimi i produkteve bujqësore nga kompanitë e sigurimit në këtë rast duhet të lobohet nga shteti”, – thotë Ferdinand Ali, që përfaqëson edhe shoqatën bujqësore.
Artur Balli thotë se, nëse qeveria do të ndërhynte, kompanitë e sigurimit do të kishin një garanci për ta parë me prioritet edhe këtë sektor.
“Nga kompanitë e sigurimit është kërkuar që ky kompensim, që bën shteti te fermeri, të mos jetë në lekë, produkte nafte etj., por të jetë në primin e sigurimit”, – thotë Balli.
Tetë vite më parë Ylver Bylykbashi përfitoi një projekt mbështetës nga programet e AZHBR-së për sistemin mbrojtës, antibreshër. Ylveri është mbështetur për të pajisur me sisteme antibreshër 4 ha, ndërsa 2 ha, që i kushtuan rreth 50 mijë euro, i ka mbuluar me shpenzimet e tij. Sipas tij, kostoja e këtyre sistemeve është shumë e lartë dhe e papërballueshme për pjesën më të madhe të fermerëve; por këto programe për sistemet mbrojtëse tashmë nuk aplikohen më nga Ministria e Bujqësisë.
“Ka gjithë këto vite, që në rajonin tonë bie breshër dhe dëmet, sidomos te drufrutorët, janë shumë të mëdha. Kam mbuluar vetëm 30% të sipërfaqes, pasi kostoja e ndërtimit të sistemit antibreshër është shumë e lartë, nga 20 deri në 25 mijë euro për hektar”, – thotë ai.
/INA MEDIA