Prokurori i Vlorës, Xhemal Saliaj u përball të premten më 4 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dhe shpjegime për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin. Ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për prokurorin Saliaj po kryhet nga trupa e KPk e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Xhemal Saliaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si prokuror në Prokurorinë e Beratit, ku ka ushtruar dhe funksionin e drejtuesit. Prej vitit 2013, ai e ushtron detyrën në Prokurorinë e Rrethit Vlorë.
Barrat e provës për pasurinë
Subjekti ka deklaruar blerjen e një apartamenti në Vlorë vitin 1995 së bashku me të vëllanë, për çmimin 1 milion e 350 mijë lekë. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat nga emigracioni në Greqi gjatë periudhës 1991-1994.
Në vitin 2012, prokurori Saliaj dhe bashkëshortja e tij i kanë shitur ½-ën e apartamentit vëllait të subjektit, kundrejt çmimit 14 mijë e 500 euro.
Relatorja Qirko tha se subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues për të provuar ligjshmërinë e burimeve të krijimit të kësaj pasurie. Për rrjedhojë, Saliajt i është kaluar barrë prove për pamundësinë financiare të vlerës 675 mijë lekë, që përfaqëson pjesën e tij të investimit në vitin 1995.
Prokurori Xhemal Saliaj e cilësoi shterues hetimin administrativ të kryer nga KPK. Lidhur me pamundësinë e konstatuar për blerjen e apartamentit në vitin 1995, ai vërejti se në atë kohë nuk ishte as prokuror dhe as nuk kryente ndonjë punë në institucione publike.
Ai u shpreh se apartamentin e kishte blerë së bashku me vëllanë me të ardhurat nga emigracioni dhe se e kishin regjistruar sipas rregullave e ligjeve të kohës. Subjekti shtoi se kishte sqaruar se nuk mund të siguronte dokumentacion për punën e kryer në Greqi, pasi nuk ishte pajisur dot me leje qëndrimi. Ai e konsideroi të arsyeshme pamundësinë për të siguruar pas 30 vitesh dokumentacion provues për të ardhurat e siguruara nga puna si emigrant në Greqi. Saliaj kërkoi që të mos ngarkohet me masë ndëshkimore prej konstatimeve të kësaj pasurie.
Në vitin 2004, Saliaj dhe bashkëshortja e tij kanë blerë një apartament 71.71 m2, për çmimin 3.5 milionë lekë. Si burim krijimi kanë deklaruar një kredi në masën 35 mijë euro. Kjo banesë është rivlerësuar në vitin 2011 për shumën 4.3 milionë lekë dhe është shitur në 2018-ën për 45 mijë e 500 euro.
Nga hetimi i KPK ka rezultuar se kredia është disbursuar rreth dy javë pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, ku është shënuar se është shlyer i gjithë çmimi i pasurisë.
Ndërkohë, pas disbursimit të kredisë, është kaluar shuma 4.3 milionë lekë në llogarinë e palës shitëse, që rezulton rreth 885 mijë lekë më e madhe se çmimi i blerjes së apartamentit.
Komisioni ka verifikuar dhe dokumentet e dosjes së kredisë, para aprovimit, prej nga ka rezultuar se ndër të tjera është shënuar se klienti ka paguar një shumë prej 15 mijë euro, ose 1.9 milionë lekë për blerjen e shtëpisë dhe se pjesa e mbetur e detyrimit për tu paguar është në shumën prej 4,4 milionë lekësh.
Bazuar në këto rrethana, KPK konstaton se Saliaj ka kryer deklarim të pasaktë në lidhje me çmimin e blerjes së apartamentit, pasi nga dokumentacioni ka rezultuar se ka paguar për këtë pasuri më shumë nga sa është përcaktuar në kontratë. Qirko tha se duket se çmimi është fiktiv dhe se është vendosur me marrëveshje mes palëve. Tjetër fakt për të cilin i janë kërkuar shpjegime subjektit, është dhe disbursimi i kredisë pas nënshkrimit të kontratës, ku shënohej se ishte shlyer çmimi.
KPK e ka kryer analizën financiare duke konsideruar si shpenzime për këtë pasuri vlerën 35 mijë euro nga kredia bankare dhe 15 mijë euro parapagim, prej nga ka rezultuar bilanc negtativ në vlerën 6 milionë lekë.
Prokurori Saliaj tha se në aktet që kishte dorëzuar gjendet një shkresë, një letër që i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm, ku theksonte se e mbështeste Reformën në Drejtësi. Sipas tij, nëse do kishte bërë deklarim të rremë apo të kishte marrë kredi për diçka tjetër, për çfarë do ti shkruante Prokuorit të Përgjithshëm lidhur me mbështetjen e Reformës në Drejtësi.
Lidhur me disbursimin e kredisë pas nënshkrimit të kontratës, ai tha se ishte kërkesë e bankës që apartamenti të regjistrohej në hipotekë, për ta pasur si garanci. Sipas subjektit, pjesa tjetër e kredisë, që e tejkalonte vlerën 3.5 milionë lekë të përcaktuar në kontratën e shitjes, ishte paguar për mobilimin.
Saliaj solli si argumente dhe faktin se apartamenti ishte rivlerësuar në vitin 2011 në vlerën 4.3 milionë lekë dhe ishte shitur në 2018-ën për 45 mijë euro. “Si mund të ndodhte që ta kisha blerë për 6 milionë lekë?’, u shpreh subjekti.
Për raportin e bankës, ai tha se nuk kishte qenë në dijeni. Sipas tij, edhe aktualisht banka thotë se përmban të dhëna për përdorim të brendshëm.
Subjekti këmbënguli se apartamenti është blerë me burime të ligjshme.
Lidhur me këtë pasuri, Jacobs vërejti se kontrata është vetëm për apartamentin dhe jo për mobiljet. Ai i kërkoi të shpjegonte se si i kishte bërë kërkesë bankës për një kredi më të madhe se çmimi i blerjes. Saliaj ritheksoi se kredia ishte 35 mijë euro, më e madhe nga çmimi apartamentit, pasi aty përfshihej edhe mobilimi.
Prokurori Saliaj ka shlyer para kohe kredinë e marrë për apartamentin, duk deklaruar se ka përdorur një hua pa interes në shumën 17 mijë euro, të marrë nga e motra në vitin 2009.
Nga aktet e dorëzuara pej subjektit për të vërtetuar mundësinë e motrës për dhënien hua të shumës 17 mijë euro, ka rezultuar pamundësi e saj. Nga verifikimi akteve ka rezultuar se për periudhën 2002-2008, motra ka siguruar nga puna në Greqi, të ardhura bruto në masën 32 mijë e 665 euro, që bazuar në përllogaritjen e shpenzimeve, kanë rezultuar të pamjaftueshme për kursimin e vlerës 17 mijë euro. Për rrjedhojë kjo hua nuk është konsideruar si burim për shlyerjen e kredisë, prej nga konstatohet bilanc negativ në masën rreth 2.7 milion lekë për likuidimin e parakohshëm të këtij detyrimi.
Subjekti deklaroi se motra ishte kthyer në Shqipëri në korrik të vitit 2008 dhe i kishte shërbyer nënës për tetë vjet, derisa kishte ndërruar jetë. Sipas tij, kur ishin takuar kishin biseduar dhe për këstin e kredisë që duhej të shlyenin çdo muaj dhe motra u kishte thënë se kishte 17 mijë euro të kursyera, që nuk i nevojiteshin për t’i përdorur dhe i’ua kishte dhënë hua.
Sipas Saliajt, nëse do të kishte dashur të bënte diçka fiktive, do e kishte bërë në fillim, nuk kishte pse të merrte kredinë. Ai shtoi se dhe bashkëshorti motrës kishte siguruar të ardhura, që po të shtohen në analizë, mbulojnë shpenzimet dhe kursimin e vlerës së dhënë hua.
Ndërkohë, Komisioni nuk evidenton probleme domethënëse për një apartament të blerë në vitin 2016, për çmimin 11 milionë lekë. Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e pjesës së apartamentit vëllait të tij, kursime në masën 1.4 milionë lekë dhe një kredi 7 milionë lekë. Po ashtu, Saliaj ka deklaruar se pjesa e mbetur e detyrimit është 1.2 milionë lekë, që do likuidohet pas marrjes së hipotekës.
Sipas relatores, Qriko, që të konsiderohet shuma e paguar nga vëllai i subjektit për pjesën takuese të apartamentit që kishin blerë së bashku në 95-ën, duhet që subjekti të shpjgojë bindshëm dhe provojë burimin e ligjshëm të pasurisë.
Subjekti deklaroi se i kishte kërkuar të dhëna vëllait për të ardhurat e tij, por ai nuk kishte pranuar duke i konsideruar si të dhëna tepër personale. Saliaj i kërkoi Komisionit që të verifikojë mundësinë e vëllait, ndërkohë që shpjegoi se ai jeton prej vitesh në Belgjike, ku ka fituar dhe nënshtetësinë.
Subjekti ka deklaruar përdorimin e një automjeti të llojit Benz, në pronësi të nënës së tij, që e ka blerë në vitin 2010. E ëma e Saliajt e ka përfituar këtë automjet në cilësinë e invalides së grupit të parë, si paraplegjike, nga për rrjedhojë është përjashtuar nga disa taksa ligjore.
Akti i përdorimit të mjetit në favor të prokurorit Saliaj, është lëshuar nga kujdestari ligjor i nënës, vëllai i subjektit. Vëllai ka deklaruar se subjektit i lejohet përdorimi i automjetit, duke patur çdo të drejtë ligjore që ka të bëjë me drejtimin e mjetit dhe duke marrë përsipër çdo përgjegjësi ligjore që ka të bëjë me përdorimin dhe mbajtjen. Ndërkohë, subjekti ka deklaruar se në çdo kohë dhe në çdo vend, është i gatshëm t’i shërbejnë nënës.
Qirko tha se nga verifikimet e kryera, rezulton se fshati ku jeton nëna e subjektit dhe qyteti i Vlorës, kanë një distancë rreth 137 kilometra, që nevojiten dy orë për t’i përshkruar.
Bazuar në këto rrethana, Komisioni vlerëson se subjekti ka pasur detyrimin ligjor që të shpjegonte bindshëm dhe të dorëzonte dokumente justifikuese mbi burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e automjetit.
Qirko tha se duket se prokurori Saliaj ka përfituar nga statusi i nenës së tij si indvalide, për të krijuar lehtësira fiskale për blerjen dhe gëzimin e makinë, duke sjellë cënim të etikës dhe integritetit të tij si magjistrat. Po ashtu, bazuar në faktet se automjeti është përdorur nga subjekti që në momentin e blerjes dhe se distanca e largët e bënë të vështirë shërbimin në çdo kohë, KPK ngre dyshime për fshehje të kësaj pasurie.
Prokurori Saliaj u mbrojt duke u shprehur se dhe mund të mos e kishte deklaruar përdorimin e mjetit. “Çfarë do fshihja, unë isha i vetmi që mund t’i shërbeja nënës”, pohoi ai dhe shtoi se nëse do kishte bërë veprim fiktiv, atëherë do kishte blerë një makinë më të re dhe jo prodhim të vitit 1997.
Lidhur me automjetin, subjekti u pyet nga relatorja Qriko dhe vëzhguesi ndërkombëtar. A deklaroi se vëllai kishte pak kohë që ishte pajisur me leje drejtimi. Sipas Saliajt, për këtë arsye kishin siguri vetëm tek ai për kryerjen e udhëtimeve të gjata.
Automjeti është blerë posaçërisht për nënën dhe unë jam autorizuar për përdorim. Sipas subjektit, ka dhe foto të nënës me mjetin e dhuruar. Kur Qirko e pyeti se kush e dhuroi, subjekti tha se nuk ishte dhuruar, por ishte blerë me lekët e nënës. Qirko i solli në vëmendje se ai vetë përmendi dhurim, por subjekti shtoi se as nuk kishte qenë kur ishte nënshkruar kontrata e blerjes së asaj makine.
Nga analiza financiare paraprake e përgjithshme për periudhën 1992-2016 prokurori Saliaj ka rezultuar me bilanc negativ në blerën totale prej 3.5 milionë lekëve.
Subjekti këmbënguli se me shpjegimet dhe provat e tij kishte përmbysur gjithë barrat e provës për pasurinë. Ai pohoi se megjithëse në dhjetor të çdo viti i ‘zeronte’ llogaritë, diçka mbetej.
Profesionalizmi
Subjektit i janë kërkuar shpjegime lidhur me administrimin e një akti për verifikimin e përdorimit të alkoolit nga një drejtues automjet, në kuadër të kryerjes së veprimeve hetimore për zbardhjen e fakteve penale. Saliaj tha se ndëshkohej kur konstatohej vlera mbi 0.3, ndërsa kur nuk kishte diçka të tillë, nuk mund ti thuhej drejtuesit të mjetit se dyshohet.
Për një procedim tjetër, Saliaj është pyetur në lidhje me mosmarrrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore. Ai tha se nuk dilte asnjë e dhënë lidhur me pretendimet e shtetasit në fjalë të përfshirë në këtë procedim.
Një gjetje tjetër e KPK e relatuar në seancë kishte të bëne me justifikimin e ndalimit të një studenti në kushtet e flagrancës dhe mohimin e të drejtës së tij për t’u mbrojtur. Subjekti tha se arrestimi ka qenë i ligjshëm, gjë që është konfirmuar dhe nga gjykata.
Në seancë u relatuan ndër të tjera edhe gjetjet e një kontrolli të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme në atë të Beratit, në kohën kur subjekti ishte drejtues i atij institucioni. Nga auditimi i kryer nga Prokuroria e Përgjithshme për vitet 2011-2012 janë konstatuar disa shkelje me dëm financiar të shkaktuar nga subjekti gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues prokurorie.
Sipas Qirkos, Saliajt i janë kërkuar shpjegime për shkak të përdorimit të automjeteve të punës, si dhe që të dokumentojë procedurat për lëshimin e autorizimeve për përdorimin e këtyre mjeteve gjatë ushtrimit të funksionit të drejtuesit në Prokurorinë e Beratit.
Komisioni i ka kërkuar subjektit qëndrimin e tij sa i përket gjetjeve te ngritura nga audituesit e Prokurorisë së Përgjithshme për shkeljet e kryera për shkak të përdorimit të automjeteve të punës, si dhe të dokumentojë ndjekjen e procedurave për lëshimin e autorizimeve për përdorimin e automjeteve gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues Prokurorie.
Subjekti deklaroi se atë auditim e kishte kundërshtuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë që e kishte rrëzuar si të pabazuar, vendimarrje që sipas tij ishte lënë në fuqi dhe nga Gjykata e lartë.
Në seancë u relatuan edhe gjetjet për dy prej tre denoncimeve të kryera ndaj prokurorit Saliaj. Në një prej denoncimeve ngriheshin pretendime lidhur veprimet e kryera për respektimin e afateve hetimore dhe konfliktin e interesit në dukje. Lidhur me denoncimin tjetër, subjektit i janë kërkuar shpjegime për veprimet e ndjekura në ekzekutimin e një vendimi.
Lidhur me denoncimin e parë, subjekti tha se drejtuesi nuk e kishte pranuar kërkesën e tij për ta zëvendësuar. Ai shtoi se nuk kishte qenë në kushtet e konfliktit të interesit. Për çështjen që kishte të bënte me ekzekutimin e një vendimi, Saliaj pohoi se e kishte kryer detyrën e tij në mënyrë shteruese, ndërkohë që procedura në vijim do të duhej të ndiqej nga personi i interesuar.
Subjekti kërkoi në përfundim konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do shpallet të hënën më datë 7 tetor, në orën 09:45./Reporter.al