Zhvlerësimi i Euros ka dy anë të medaljes në realitetin ekonomik. Një sondazh i “Monitor”, ku morën pjesë 514 individë dhe biznese, nxjerr në pah se të paktën 73% e të anketuarve janë ndikuar negativisht. Bizneset që kanë kontrata në Euro raportojnë kosto të rritura dhe më pak të ardhura, diçka që ka rritur presionin e tyre të mbijetesës në treg. Shumica kanë zgjedhur të sakrifikojnë nga marzhi i fitimit për të mbetur konkurrues. Individët, të paktën 51% e atyre që marrin pagat në Euro, konfirmojnë se kanë më pak të ardhura në dispozicion për të përballuar jetesën, teksa edhe familjet që varen nga dërgesat e emigrantëve shohin efekte negative. Në anën tjetër, individët me një kredi në Euro shohin se kanë pasur ndikim pozitiv me një këst mujor me vlerë më të ulët, teksa edhe pushimet tani kushtojnë më lirë. Në një situatë komplekse si kjo mbetet e paqartë nëse nga një Euro më e dobët ka më shumë të fituar apo të humbur?
Monedha e përbashkët europiane prej kohësh ka nisur një tatëpjetë zhvlerësimi përballë Lekut që nga viti në vit është thelluar, duke prekur këtë verë një minimum të ri historik. Më 12 shtator, 1 euro u këmbye me 99.58 lekë.
Ky është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë për këtë monedhë në kursin e këmbimit, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Në krahasim me shtatorin e një viti më parë, euro këmbehet 7 lekë, ose 6.5% më pak. Ndërsa në raport me 2018-2022, kur euro ishte stabilizuar në nivelet e 120-125 lekëve, sot për 1 euro merr 20-25 lekë më pak.
Në këtë kontekst, në ekonominë shqiptare janë dy tablo që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Ata që një Euro më e dobët i favorizon dhe u bën mirë, si për financat familjare edhe ato të biznesit, dhe ata që një situatë si kjo u shton dhembjen e kokës.
“Monitor” zhvilloi gjatë muajit gusht dhe fillimit të shtatorit në faqen e internetit të aplikacionit ECR (Engaged Citizens Reporting) një sondazh që kishte si qëllim të merrte përgjigje nga individët dhe bizneset sesi ka ndikuar zhvlerësimi i Euros në financat e tyre.
Në total, ky sondazh u plotësua nga 514 persona, ku 69% e tyre ishin individë dhe 31% biznese, të cilët u përgjigjën mbi efektet që ka pasur një Euro më e dobët për secilin.
Të paktën 78% e të anketuarve janë meshkuj. Sipas të dhënave, 70% i përkasin grupmoshës 30-49 vjeç dhe vetëm 10.5% janë deri në 29 vjeç.
Duhet theksuar se kjo nuk është një matje shkencore por bazohet në plotësimet e pyetësorit të publikuar në faqen e web-it të revistës.
Dobësimi i Euros, 73% e të anketuarve vlerësojnë se janë ndikuar negativisht
Nga 514 të anketuar, biznese apo individë, shumica mendojnë se ndikimi i zhvlerësimit të Euros përballë Lekut ka qenë negativ.
Të paktën 73% e tyre mendojnë kështu. Ndërkohë një pjesë tjetër prej 17% vlerësojnë se ndikimi ka qenë pozitiv, kurse 10% se nuk ka pasur asnjë ndikim në ekonomitë e tyre personale.
Të analizuara si dy grupe të veçanta duket se 89.2% e bizneseve që u janë përgjigjur anketës vlerësojnë se ndikimi ka qenë negativ, përballë 66.6% të individëve që gjykojnë se ekonomia e tyre personale është ndikuar negativisht.
Bëhet fjalë kryesisht për biznese eksportuese apo që kanë marrëdhënie biznesi me kompani të huaja, të cilat pagesat i bëjnë në Euro.
“Bizneset e shërbimeve që të ardhurat dhe çmimet i kanë në valutë (Euro) dhe shpenzimet në Lek, janë drejt falimentimit, dhe nuk po flas për fasoneri, por për sektorë të tjerë të shërbimit. Kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri ofrojnë pagesat në valutë”, – shprehet përfaqësuesi i një biznesi në Durrës, që operon në industrinë nxjerrëse me mbi 50 të punësuar.
Një tjetër biznes vlerëson se kompanitë që janë eksportuese preken automatikisht tek të ardhurat që gjenerojnë.
“Duke qenë kompani që eksportojmë shërbimet, të gjitha të ardhurat i kemi në Euro dhe kostot në Lek.
Për pasojë, i gjithë marzhi 20% vetëm nga zhvlerësimi i Euros, na ka kaluar me humbje neto dhe sigurisht nuk mund të rrisim çmimet e kontratave me partnerët se do bëheshim më të shtrenjtë se te konkurrenca në vendet e Europës Lindore”, – shprehet një tjetër biznes në Tiranë, në fushën e teknologjisë dhe informacionit me mbi 50 të punësuar.
Efekti është i njëjtë edhe për biznese që punojnë në sektorin e turizmit, që kontratat i kanë në Euro. Një agjenci udhëtimi raporton se zhvlerësimi me mbi 25% në katër vitet e fundit i Euros ka ndikuar ndjeshëm uljen e të ardhurave, teksa shpenzimet kanë qenë në rritje.
Në lidhje me individët duket se më të shqetësuar nga zhvlerësimi i Euros kanë qenë ata që pagën e marrin sot në Euro.
“Duke qenë se rroga ime është në Euro dhe çmimet janë rritur ndjeshëm dy vitet e fundit, sigurisht që të ardhurat e mia, dhe rrjedhimisht fuqia blerëse, janë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme”, – shprehet një prej të anketuarve.
“Unë kam një vit që paguhem në Euro, por për një vit euro ka pasur rënie drastike në raport me Lekun. Kjo më ka ndikuar në ekonominë time familjare, si një minus në të ardhurat e mia”, – shprehet një tjetër.
Numri i bizneseve dhe individëve që raportojnë për një efekt pozitiv nga zhvlerësimi i Euros është më i pakët në përgjigjet e anketës.
Në këtë aspekt duket se individët kanë parë më shumë përfitime. Konkretisht 21.9% e individëve gjykojnë se ndikimi ka qenë pozitiv kundrejt 5.1% të bizneseve që mendojnë kështu.
“E kisha kredinë në Euro dhe pagën në Lek. Pjesa që paguaja për kreditë u ul. Tani i ktheva dhe kreditë në Lek dhe nuk kam rrezik nga kursi. Po ashtu udhëtimet jashtë janë më të lira”, – shkruan një prej të anketuarve.
Një tjetër vlerëson se normalizimi në këtë vlerë i kursit të Euros e bën më të thjeshtë konvertimin e monedhës dhe rrit fuqinë blerëse në raport me vendet e rajonit.
“Ndikimi negativ në eksport mund të zbutet nga rritja e konkurrueshmërisë së produkteve të eksporteve dhe përmirësimi i cilësisë dhe vlerës së produkteve.
Eksporti thjesht duke përdorur krahun e lirë të punës si avantazh kryesor nuk do ishte mirë të vazhdonte në afatgjatë”, – vlerëson ai.
Bizneset që raportojnë se nga ky zhvlerësim ka pasur ndikim pozitiv nuk janë ndalur në detaje, teksa ata që nuk shohin asnjë lloj ndryshimi në financat e tyre ishin 5.7% kundrejt 11.5% e individëve që gjykojnë se nuk kanë pasur asnjë ndryshim në ekonominë personale nga zhvillimet në kursin e këmbimit.
Rënia e Euros, shumica mendon se kjo ndikon keq ose shumë keq në ekonomi
Parë në një këndvështrim më të gjerë, përtej buxhetit personal apo atij të biznesit, shumica e të anketuarve mendojnë se zhvlerësimi i Euros përballë Lekut ndikon keq ose shumë keq në ekonomi.
Konkretisht 25% e të anketuarve vlerësojnë se kjo situatë ndikon shumë keq, teksa 45% të tjerë vlerësojnë se ndikon keq. Një pjesë e mirë e të anketuarve gjykojnë se zhvlerësimi i kursit ka ardhur si efekt i parasë informale në ekonomi.
“Zhvlerësimi i Euros nuk pasqyron aspak një fuqizim të monedhës vendase, përkundrazi është rezultat i mbushjes së tregut me financa të zeza të pakontrolluara që po shkatërrojnë çdo balancë ekonomike dhe bizneset prodhuese, të cilët janë eksportues të të mirave dhe shërbimeve, pasi tregu vendas është inekzistent”, – shprehet një prej të anketuarve.
Një tjetër gjykon se rënia e Euros dhe mosreagimi i qeverisë ka të bëjë me faktin që kjo e fundit tashmë po shlyen një borxh publik më të lirë, teksa kujton se nisma e amnistisë, e cila nuk mori përkrahjen e institucioneve të huaja synonte hyrjen e parave informale në ekonomi.
Ka nga ata që nënvizojnë se duke qenë se kursi i këmbimit është i lirë, qeveria nuk ka pse të ndërhyjë në mënyrë direkte, por mund të marrë masa të tjera që mund të ndihmojnë biznesin.
“Qeveria nuk ka tagër që të ndërhyjë në treg valutor, por qeveria duhet të përmirësojë reformat ligjore për mirëfunksionimin e tregut, reduktimin e barrierave për hyrjen e bizneseve të reja në drejtim të rritjes së produktivitetit, konkurrencës.
Qeveria mund të ndërmarrë dhe masa në uljen e taksave në drejtim të përmirësimit të sektorëve që shihen me prioritet, sektori ushqimor / bujqësor, në përmirësimin e kanaleve të shpërndarjes nga ferma te konsumatori fundor”, – nënvizon ai.
Një pjesë e madhe e të anketuarve gjykojnë se rënia e Euros përballë Lekut nuk është reflektuar te bizneset importuese, të cilat nuk kanë ulur çmimet, përkundrazi këto të fundit janë njëlloj ose me rritje.
“Paradoksi tek ne është se edhe kur Euro ulet në raport me Lekun, çmimet e mallrave të importuara, në rastin më të mirë, nuk ndryshojnë ose rriten pak.
Sasia e madhe e parave të pakontrolluara dhe paaftësia e shtetit për ta kontrolluar po prishin balancat ekonomike, duke shkatërruar të ardhmen e Shqipërisë”, – vlerëson një prej të anketuarve.
“Bizneset importuese blejnë më lirë produktet jashtë, por nuk ulim çmimet duke iu bazuar kursit dhe nuk rrisin pagat e punonjësve pasi duan fitim më të madh.
Qeveria duhet të ndalojë me ligj përdorimin e Euros si valutë thuajse kombëtare”, – shprehet një tjetër.
Referuar sondazhit janë të paktën 16% e të anketuarve që vlerësojnë se një Euro më e dobët përballë Lekut ndikon për mirë ndërsa 5% mendojnë se ndikon shumë mirë dhe po kaq që nuk ka ndikim.
Kosto të rritura dhe më pak të ardhura, dara e Euros po shtrëngon bizneset
Sondazhit të “Monitor” iu përgjigjën të paktën 158 biznese, të cilat u përkasin sektorëve të ndryshëm.
Kryesisht dominon sektori i shërbimeve profesionale, ku janë 51.7% e totalit dhe më pas vjen sektori i shërbimeve të informacionet, e lidhur kjo kryesisht me IT me 31% të të anketuarve, dhe në vend të tretë dhe të katërt, shërbime të tjera me 27.6% dhe akomodimi, me 25.9%.
Sa i takon profilit të tyre, nëse janë biznese eksportuese apo importuese, të dhënat e sondazhit tregojnë se 43% e tyre nuk bëjnë tregti ndërkombëtare, 33% janë eksportuese, 13% kanë edhe import edhe eksport, dhe 11% janë kryesisht importues.
Të paktën 89% e bizneseve janë përgjigjur se janë ndikuar negativisht nga rënia e Euros, duke e parë këtë efekt në një apo më shumë drejtime në bilancet e tyre.
Të paktën 49% raportuan se kishin njëkohësisht rritje të kostove, por edhe më pak të ardhura, kundrejt 38% që kishin vetëm të ardhura më të pakta dhe 13% kosto më të larta.
“Ulja e Euros ka qenë shkatërrimtare për biznesin e teknologjisë së informacionit. E gjithë shitja është e përqendruar në Euro. E gjithë shitja kryhet në tregje konkurruese, me gjithë vendet e botës, dhe çmimi sa vjen e ulet.
Është e pamundur të ndryshohet çmimi i shitjes, pasi është një pjesë e madhe e botës që është më e lirë. Ndërkohë të gjitha kostot janë në Lek dhe janë rritur. Rritja e kostove është e pakuptimtë, nuk shoqërohet me rritjen e vlerës.
Nuk ke asnjë mundësi planifikimi apo zbutjeje të riskut. Je thjesht në mëshirë të fatit”, – shprehet përfaqësuesi i një biznesi në Shërbimet e Informacionit me 10-49 të punësuar, me aktivitet në Tiranë.
Maksim. H, me aktivitet në sektorin e turizmit në Gjirokastër, vlerëson se një Euro më e dobët ka ulur të ardhurat që arkëton nga një dhomë në raport me kohë më parë.
“Të gjitha shpenzimet i paguajmë me Lekë, ndërkohë që arkëtojmë vetëm Euro pasi punojmë me turistë të huaj kryesisht.
Nëse një dhomë e shes 50 euro, dikur bënin 6000 lekë, sot prapë e shes dhomën 50 euro, por bëjnë 4980 lekë. Mbi atë çmim bazë kisha llogaritur shpenzimet, ndërkohë që me këtë kurs është e vështirë”, – shprehet ai duke nënvizuar se biznesi i përket kategorisë me 10-49 të punësuar.
“Ne punojmë me pacientë të huaj dhe na ka dëmtuar shumë”, – shprehet një tjetër biznes në Tiranë, në sektorin e shëndetësisë dhe aktivitetet e punës sociale.
Bizneset “sakrifikojnë” fitimin për të mbijetuar nga goditja e Euros
Të gjendur përballë një kursi që i vë në disvafor, bizneset kanë reaguar në forma të ndryshme për t’u përshtatur me pasojat që ka pasur zhvlerësimi i Euros. Shumica duket se kanë sakrifikuar nga fitimi i tyre, duke ulur marzhet.
Të paktën 92 biznese nga 158 që iu përgjigjën sondazhit raportuan këtë si zgjedhje. Një tjetër grup ka parë si formë rritjen e çmimeve. Të paktën 55 biznese janë përgjigjur se kjo ishte zgjedhja e tyre.
Një tjetër grup ka kaluar në përdorimin e çmimeve në Lekë nga Euro që ishte më herët kurse ka edhe nga ata që nuk kanë marrë asnjë veprim të planifikuar. Më pak në përgjigjet e bizneseve ishin ata që kishin aplikuar ulje të çmimeve dhe përdorimi i kontratave fikse të këmbimit valutor.
Bizneset kanë komentuar gjithashtu se në shumë raste, situata me Euron i ka vendosur në pozitë të vështirë, duke menduar që të mbyllin biznesin.
“Nëse vazhdon në këtë formë dhe dy vite të tjera, atëherë do të mbyll aktivitetin”, – shprehet një prej tyre.
Shumë prej kompanive që punojnë me kontrata për të huaj e shohin të vështirë t’i ndryshojnë çmimet, kjo pasi në shumë raste i bën ata jo konkurrues dhe në të tjera ka klauzola specifike që i pengojnë këto.
“Çmimet nuk i rrisim, pasi ka kontrata dhe ndryshimet do të sillnin kosto shtesë për biznesin”, – shprehet një prej tyre. Një tjetër nënvizon se tentativat për t’i negociuar ato kanë qenë të pasuksesshme.
Një tjetër zgjidhje që biznese të veçanta kanë parë është fokusimi në tregun e brendshëm ku operojnë në Lek dhe kanë të ardhura që nuk ndikohen nga kursi, teksa më herët aktiviteti i tyre fokusohej tek eksporte në tregje të huaja.
Bizneset kërkojnë ndërhyrje për kursin, shumica lehtësi fiskale dhe subvencione
Biznesi gjykon se Banka e Shqipërisë dhe qeveria duhet të ndërhyjnë për të stabilizuar kursin e këmbimit. Pavarësisht disa masave që janë marrë më herët, kryesisht nga qeveria që synonin mbështetjen e eksportuesve, tatëpjeta e Euros duket se nuk ka arritur të amortizohet duke bërë që biznesi të këmbëngulë për masa shtesë.
Të pyetur në sondazhin e “Monitor” se çfarë mbështetjeje do të donin për të përballuar efektet e zhvlerësimit të Euros, shumica janë përgjigjur se lehtësitë fiskale janë të parat.
Kjo nënkupton një kalim në kahun lehtësues të taksave nga qeveria. Në rend të dytë, si një masë e preferuar, është ajo e subvencioneve që nënkupton mbështetje direkte nga buxheti nga qeveria për bizneset e prekura. Së treti në përgjigjet e bizneseve është këshillimi financiar.
Një tjetër masë është kredia me interes të ulët. Në vijim, e shprehur në disa forma duket se biznesi kërkon marrjen e masave konkrete për ndalimin e parasë informale në ekonomi.
Individët, Euro dërrmon të ardhurat nga pagat, 51% kanë më pak para në duar
Rënia e Euros përballë Lekut ka bërë që një pjesë të individëve të jenë lumtur e të tjerë aspak, për shkak të efekteve që kjo situatë ka sjellë në buxhetet e tyre personale.
Në sondazhin e “Monitor” dhanë përgjigje 356 individë, ku 67% e tyre thanë se ndikimi i zhvlerësimit të monedhës europiane ishte negativ për ta. Për 22%, ndikimi ishte pozitiv dhe për 11%, kjo situatë nuk ka sjellë asnjë ndryshim.
Tek ata që ka ndikuar pozitivisht, pjesa dominuese shprehen se kanë pasur ulje të këstit të kredisë, e cila ishte në Euro. Të paktën 37% thonë se kanë ulje të këstit mujor. Nga ana tjetër, 35% shprehen se kryejnë pushime më të lira.
Një grup prej 10% shprehen se kanë vënë re çmime më të lira, kurse 18% kanë dhënë përgjigje të ndryshme që nuk i takon asnjë prej grupeve të mësipërme.
Një Euro më e lirë duket se u ka dhënë mundësi individëve të cilët paguhen në Lek, që për pazaret jashtë vendit të kenë mundësi të blejnë më shumë të mira. Janë jo të paktë që këtë e sjellin si argument ashtu sikurse pohojnë se tashmë edhe shpenzime të tjera që i kishin në Euro si shkollimi i fëmijëve në shkolla private u kushton më pak.
Tek ata që ndikimi është negativ, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të të anketuarve, 51% raportojnë se kanë rënie të të ardhurave mujore të tyre, pasi paga që marrin është në euro.
“Pagën që marr e kam tani në vlerë më të ulët kur e konvertoj në lekë. Më parë me të njëjtën pagë kisha më shumë para për të përballuar jetesën”, – komenton një prej të anketuarve.
Një tjetër pohon se të ardhurat e tij në Euro nga një shtëpi e lënë me qira tashmë konvertohen në më pak lekë.
“Të ardhurat kryesore i kam nga një dyqan me qira në Tiranë dhe nga zhvlerësimi i Euros përfitoj të paktën 20% më pak në vlerë të konvertuar në lekë”, – nënvizon ai.
Një grup jo i vogël që vlerësojnë se kanë vënë re rritje të çmimeve. Të paktën 40% e të anketuarve cilësojnë këtë si ndikim negativ.
“Prisja që çmimet e produkteve të uleshin për shkak se importi ishte më ‘i lirë’. Ndodhi e kundërta”, – shprehet një prej të anketuarve.
Të njëjtën gjë thekson edhe një tjetër, i cili pohon se “nuk vëren ulje të çmimeve të mallrave të konsumit, pavarësisht uljes së Euros me rreth 10% gjatë vitit të fundit, ndërsa shumica e mallrave të konsumit importohen”.
Të pyetur nëse kanë vënë re ulje të çmimeve si efekt i zhvlerësimit të Euros 91%, e të anketuarve shprehen “jo” dhe vetëm 9% “po”.
Remitanca apo dërgesat e emigrantëve janë një tjetër segment që është prekur negativisht nga zhvlerësimi i euros. Në anketë, të paktën 5% atyre që u përgjigjën shprehen se marrin më pak para nga të afërmit e tyre që janë jashtë vendit.
Të tjera ndikime negative individët kanë cilësuar shkurtimin e vendeve të punës nga investitorët e huaj, zhvlerësimin e kursimeve në Euro.
Euro, ndikimi te çmimet; Investimet e individëve, 68% shohin ulje të ndjeshme
Vetëm 32 nga 356 të anketuar pohuan se kanë vënë re ulje të çmimeve si efekt i zhvlerësimit të Euros. Kjo përbën 9% të totalit. Por cilat janë në fakt produktet apo shërbimet, ku janë vënë re çmime më të leverdishme?
Në krye të renditjes qëndrojnë produktet elektronike dhe më pas ndiqet nga veshjet. Grupi i tretë ku është vënë re ulje e çmimeve është ai i ushqimeve, më pas karburantet. Dy grupet e fundit janë ato të qirasë që paguhet në Euro apo mallra të tjera importi.
Teksa ulja e çmimeve duket se është perceptuar nga një grup më i vogël, një grup që e gjen veten të dëshpëruar nga dobësimi i Euros është ai që asetet apo investimet i ka në këtë monedhë.
Të pyetur nëse disponojnë asete apo investime në Euro, 59% u përgjigjën me “po” dhe 41% me “jo”. Investimet në Euro për 68% të atyre që janë përgjigjur se disponojnë të tilla cilësohet se ka ulur ndjeshëm vlerën e tyre.
Për 21% pranohet se ka ulur pak vlerën, ndërsa për 11% nuk ka pasur ndonjë ndryshim. Të pyetur nëse për zhvlerësimin e vazhdueshëm të Euros dhe situatën e krijuar në ekonomi duhet të ketë ndërhyrje nga qeveria, 257 e të anketuarve janë përgjigjur me po. Grupi i dytë u takon atyre që nuk janë të sigurt nëse duhet të bëhet diçka e tillë dhe i treti ku janë 40 të anketuar që janë përgjigjur me “jo”.
Ngjashëm si me bizneset lidhur me masat që mund të merren për të përballuar efektet e zhvlerësimit të Euros edhe individët kanë dhënë mundësitë e tyre ku në krye qëndron stabilizimi i tregut valutor. Janë 235 të anketuar që mendojnë se kjo është një masë që duhet marrë.
Të tjerë gjykojnë se ndoshta duhet të ndërhyhet, duke nxitur eksportet dhe një grup tjetër i madh mendojnë se duhet të ketë një rritje të mbështetjes financiare për bizneset.
Në përgjigjet e dhëna një pjesë e mirë individëve sjellin gjithashtu në vëmendje masa të tilla të lidhura me formalizimin e tregut dhe luftës ndaj pastrimit të parave që cilësohet prej tyre si një nga faktorët kryesorë që euro është fundosur vazhdimisht përballë “superlekut”.