Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të hënën qëndrimet e palëve në ankimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Saimir Hysa.
Kolegji po ashtu pranoi prova të reja nga Hysa dhe vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësorë ndërsa i ftoi palët të përgatisnin qëndrimet përfundimtare.
Gjatë seancës Komisioneri Florian Ballhysa vuri në dukje se i qëndronte ankimit, bazuar kryesisht në problemet e gjetura në kriterin e profesionalizmit, ndërsa kërkoi të rishqyrtoheshin edhe problemet në kriterin e pasurisë. Ballhysa parashtroi në KPA 6 çështje të hetuara nga Hysa si prokuror dhe vuri në dukje se ishin gjetur mangësi të hetimit, shkelje të afateve dhe probleme të ngjashme.
“Në rrethanat konkrete, subjekti i rivlerësimit ka mbaruar shqyrtimin e kallëzimit të analizuar, në momentin që ai, pa kryer veprime hetimore, është shprehur me vendimin për mosfillimin e procedimit, procedim i cili ndodhet në proces, vetëm për shkak se Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykata e Apelit kanë shfuqizuar vendimin e subjektit”, thuhet në arsyetimin e Ballhysës, për një nga çështjet.
Hysa këmbënguli se kishte kryer detyrën e tij si prokuror dhe se nuk kishte cënuar besimin e publikut. “Pretendimet e Komisionerit, lidhur me kriterin e aftësive profesionale, jo vetëm që nuk mund të përbëjnë kurrsesi cënim të besimit të publikut, pasi në asnjë rast, jo vetëm nuk janë shkelur të drejtat e palëve në procedime penale, por as nuk është pretenduar shprehimisht prej Komisionerit një gjë e tillë”, tha ai në parashtrimet e tij.
Hysa u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gusht të vitit që shkoi, por vendimmarrja e KPK u kundërshtua nga Operacioni Nxdërkombëtar i Monitorimit që rekomandoi apelim të saj. Pas rekomandimit të ONM, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi më 31 tetor 2023 vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ankimi u krye edhe bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që sugjeroi që një pjesë e gjetjeve në kriterin profesional dhe për pasurinë, të verifikohen nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA.
Ankimi mbi profesionalizmin
Komisioneri Publik Florian Ballhysa paraqiti 6 çështje të hetuara nga Hysa, në të cilat sipas tij kishte probleme që ishin vënë në dukje edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar. Cështjet kishin të bënin me një kallëzim për infektimin e një foshnje me virusin HIV në spital, hetimet për një prej segmenteve të dosjes së njohur si Çez-DIA dhe kallëzimet nga disa qytetarë për zvarritje hetimi dhe mos kryerje veprimesh hetimore.
Ballhysa duke iu referuar çështjes së parë mbi kallëzimin e dy prindërve ndaj disa institucioneve shëndetësore me pretendimin se për shkak të neglizhencës në spital foshnja e tyre ishte infektuar me HIV, vuri në dukje se prokruroi nuk kishte kryer asnjë veprim hetimorë. Vendimi i mosfillimit ishte ankuar në gjykatë dhe në të dy shkallët ishte urdhëruar prokuroria të vijonte hetimet.
Ballhysa thotë se kërkesa e gjykatës për veprime hetimore e procedurale dhe moskryerja e këtyre veprimeve nga Hysa “materializon mangësinë profesionale të subjektit të rivlerësimit”.
“Subjekti i rivlerësimit ka treguar mungesë të aftësive për të ndërmarrë hetimin dhe mbledhur provat e kërkuara me ligj, duke sjellë zvarritjen e hetimit të çështjes, pa ia nënshtruar një hetimi të gjithanshëm dhe interpretimi të drejtë të ligjit”, thotë Ballhysa. Komisioneri vë në dukje se edhe apelimi i subjektit ndaj vendimit të shkallës së parë që kishte urdhëruar hetime ishte në vetëvete një zvarritje e procesit.
Hysa nga ana e tij i kundërshtoi këto pretendime duke prapësuar se kallëzimi nuk kishte qenë i plotë dhe nuk përmbante të dhëna për të nisur hetimet. “Kallëzuesit nuk e kanë marrë mundimin të parashtrojnë asnjë fakt se çfarë kishte ndodhur realisht dhe për çfarë veprimesh të kundraligjshme bëhej fjalë, duke kërkuar që organi i prokurorisë të fillojë hetime për faktin: “kush e dëmtoi djalin tonë pa nisur akoma jetën”. Në kallëzim, përveç kësaj fraze nuk është shkruar asnjë fjalë tjetër, dhe për këtë shkak kam vendosur mosfillimin”, tha Hysa në argumentet e tij.
I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar se pse nuk kishte marrë në konsideratë analizat e gjakut që prindërit i kishin vënë në dispozicion dhe pse nuk kishte kryer hetime të tjera, Hysa këmbënguli se nuk i kuptonte ato.
Ballhysa po ashtu parashtroi argumente sa i përket moskryerjes së veprimeve hetimore dhe pushimit të një segmenti të dosjes së njohur si Çez-Dia. Siç doli në relatim Hysa e kishte pushuar çështjen për shkak të parashkrimit të dënimit të veprës penale, por sipas Komisonerit Publik kjo dosje kishte qëndruar për dy vjet pa veprime hetimore.
“Subjekti i rivlerësimit nuk dokumentoi kryerjen e veprimeve hetimore nga momenti që i është caktuar çështja penale. Në vendimin për ndarjen e çështjes penale në vitin 2017, prokurorët e mëparshëm i referohen specifikisht nevojës për të kryer veprime hetimore për falsifikim dokumentesh”, thuhet në argumentet e Ballhysës.
Hysa prapësoi se çështja gabimisht referohej si çështje Çez-DIA pasi nuk kishte lidhje me këtë të funidt. Ai tha se bëhej fjalë për marrëdhëniet e kompanisë DIA, të Kastriot Ismailajt me katër kompani shqiptare. Sipas tij kjo marrëdhënie kishte qënë e rregullt dhe se palët kishin paguar detyrimet tatimore.
“Jam i sigurtë se dosja prej 12 volumesh nuk është lexuar fare, brenda të cilave ndodhen aktet e shumë veprimeve hetimore. Në tërësinë e ankimit KP (Komisioneri Publik) dhe VN (Vëzhguesit Ndërkombëtar) i janë referuar vetëm një vendimi të Gjykatës të Shkallës të Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, tha ai në prapësime.
I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar për kohën kur kishte marrë në dorëzim këtë dosje, Hysa sërish kundërshtoi që ajo të kishte lidhje me çështjen Çez-DIA, por nuk tha përgjigje për kohën e saktë të marrjes në dorëzim.
Komisioneri Publik po ashtu referoi katër çështje të tjera në seancë bazuar kryesisht në denoncime apo kallëzime penale. Në një prej tyre Hysa akuzohej se nuk kishte njoftuar në kohë palën për vendimin e pushimit, duke sjellë për pasojë humbjen e të drejtës për ankim në gjykatë.
Hysa e kundërshtoi këtë pretendim dhe tha në seancë se ai kishte kryer njoftimin. Ai po ashtu kundërshtoi pjesët e tjera të ankimit.
Sa i përket pasurisë Ballhysa kërkoi rivlerësim nga KPA për tre pasuri, një apartament në Kavajë, një apartament në Tiranë dhe një makinë.
Ballhysa vuri në dukje se sa i përket apartamentit në Kavajë vëllai i subjektit dhe ky i fundit kishin paraqitur rrethanat në mënyrë të pasaktë. Hysa vetë këmbënguli në parashtrime se kishte qenë konsistent.
Komisioneri Publik tha në seancë se një hua prej 15 mijë euro nga vëllai për blerjen e një apartamenti në Tiranë ishte deklaruar disa muaj me vonesë nga Hysa dhe se transaksioni nuk provohej. “Lidhur me huan në shumën 15.000 euro nga vëllai, subjekti i rivlerësimit nuk ka paraqitur ndonjë akt që të verifikojë transaksionin e dhënies së kësaj huaje nga vëllai i tij”, thuhet në parashtrime.
Nga ana e tij Hysa këmbënguli se huaja ishte dokumentuar me kontratë noteriale vetëm tre muaj pasi ishte marrë dhe e cilësoi qëndrimin e Komisionerit Publik “pedant”. “KP duhet të vlerësojë faktin se unë në vitin 2011, kam përpiluar një kontratë para noterit, që vërteton kohën e saktë të marrjes të huasë dhe është dokument me fuqi të lartë provuese, por cuditërisht kjo konsiderohet e dyshimtë pasi është bërë “shumë muaj më vonë”, në fakt vetëm 3 muaj më vonë”, thotë ai në parashtrime.
Trupa e KPA me kryesuese Rezarta Schuetz, relatore Ina Rama dhe anëtar Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi, vendosi të ftojë palët për qëndrimet përfundimtare në 23 shtator./Reporter.al