Banorët e fshatit Guri i Bardhë në njësisë administrative Xibër të Klosit u mblodhën dje për të marrë pjesë në një dëgjesë publike të njoftuar nga kompania ‘Gealb Energy”.
Kompania planifikon të ndërtojë dy hidrocentrale të vegjël me përrenjtë e zallit të Gujës dhe të Dishit.
Mirëpo, edhe pse njoftimi publik ishte kryer në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përveç banorëve, asnjë përfaqësues nga kompania apo nga institucionet përkatëse nuk u paraqit në dëgjesë.
“Për këtë duhet të ishin njoftuar kryepleqtë e fshatit, duhet të ishte njoftuar njësia bashkiake, duhet të kishte marrë pjesë koncensionari, bashkë me ekspertët që kanë bërë studimin për ndërhyrjet në mjedis. Sikur e shihni këtu s’ka asgjë. Jemi 100% kundër. I bëjmë thirrje koncensionarit, le të tërhiqen, mos të vijnë këtu të na shqetësojnë më. Mendimin tonë e kanë shumë të pastër. Me peticion, me firma me të gjitha. Ju lutem na lini rehat në punën tonë, ne kemi qejf ta bëjmë këtë vend turistik, jo industrial”,- u shpreh Astrit Laçi, banor i fshatit.
Resul Baleta, kryetar i fshatit u shpreh se nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar nga bashkia se do të ketë dëgjesë publike. Ndërsa theksoi se do të kundërshtojnë gjithmonë ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë.
“Ne jemi mbledhur për t’u kundërpërgjigjur, nuk na hyjnë në punë HEC-et. Shumë njerëz thonë ti lemë të bëhen HEC-et se na rregullohen rrugët. Ne nuk po i duam fare ato. Më mirë po rrimë në këtë mizerje qe jemi se sa të bëjmë ndërhyrje në eko mjedis dhe nipërit tonë, mbesat tona të na mallkojnë brez pas brezi”,-deklaroi Resul Baleta.
Kompania “Gealb Energy” i ka nisur planet për të ndërtuar HEC-e në këtë zonë që prej vitit 2020, pas marrjes së lejes nga Ministria e Infrastrukturës. Mirëpo, nuk arriti të marrë dot leje mjedisore pasi ishte në shkelje të procedurave.
“Ministria e Mjedisit ka dhënë opinion negativ, pra nuk ka dhënë leje, pasi janë konstatuar shkelje edhe në procedurë të zhvillimit të dëgjesave, por edhe me pasojat që mund të ketë në mjedis. Çfarëdo që ti bëni kësaj zone këtu, kjo është një zonë pothuajse e virgjër. Çdo ndërhyrje aty do të jetë një disekuilibrim i mjedisit. Është terren mjaft i pjerrët, mjaft i vështirë dhe jo vetëm fadromat, por aty do të jetë nevojë për eksploziv, për hapjen e rrugëve të aksesit në hidrocentral, nuk është e thënë aty ku vendoset turbina”,- deklaroi Olsi Nika nga organizata mjedisore “Eco Albania”.
Sipas tij, nga historiku se si janë ndërtuar hidrocentralet e tjera në Shqipëri, nuk është çudi që dëgjesa publike e planifikuar me banorët e Gurit të Bardhë të jetë duke u zhvilluar gjëkund tjetër.
“Të jeni të bindur që kjo dëgjesë publike është duke u zhvilluar diku gjetkë, ndoshta edhe në Tiranë. Edhe me banorë që nuk janë fare banorë. Edhe me persona që mund të mos jenë fare në këtë jetë. Edhe pastaj firmosen letrat ashtu siç firmosen. Kjo na detyron pastaj që të ndjekim rrugën e gjatë, siç ne si Eco Albania e kemi bërë dri në hallkat e procesit të ankimimit gjyqësor”,- u shpreh Olsi Nika.
Fshati Guri i Bardhë është klasifikuar edhe si një nga 100 fshatrat turistikë dhe sipas banorëve dëmet në mjedis do të jenë të pariparueshme nëse HEC-et ndërtohen.
“Gjëja kryesore është erozioni që do të shkaktojë shkatërrim të pronave, të tokave dhe komplet shkatërrimi i natyrës. Unë besoj se gjithë ky gjelbërim i Gurit të Bardhë s’do të jetë më sepse do të mbulohet nga mjegulla. Po ta shikosh nga mënyra e strukturës së luginës i bie që të gjithë erërat e aHEC-i të parë të kthehen në këtë drejtim ku janë edhe vendbanimet e Gurit të Bardhë, që do të krijonte një kalbje komplet të vendit”,- u shpreh Isa Lila banor dhe njëkohësisht inxhinier gjeolog.
Për Lavdrim Xirën, mohimi i lejes mjedisore ka edhe një tjetër arsye.
“Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit kur bënë refuzimin e lejes mjedisore, në përshkrim thuhet se HEC-i 1 e merr ujin 15 metra brenda zonës së mbrojtur, peizazh i mbrojtur Bizë-Martanesh. I gjithë uji që është në zonën e mbrojtur në krahun tjetër devijohet. Pas devijimit normalisht do hapen me eskavatorë gjithçka. Kjo është çmenduria më e madhe që unë shoh në një strukturë të tillë”,- tha Lavdrim Xira, banor dhe aktivist mjedisor.
Më shumë se katër vite më parë, kur banorët kundërshtuan prej fillimit ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë ata iu drejtuan me një peticion institucioneve përkatëse, ndërsa mblodhën më shumë se 300 firma kundërshtuese nga banorët e fshatit Guri i Bardhë dhe Petralbë.
“Ne do të ngujohemi, do të izolohemi sepse ne në fshat nuk kemi industri, jetojmë me bujqësi dhe blegtori. Që do të thotë se banorët e Gurit të Bardhë shkojnë me bagëtitë e imta lart dhe duhet ta marrin kovën e ujit dhe kalin me vete. Sepse atje nuk ka ku të pijë ujë më bagëtia. Kjo do të thotë që ne të certifikojmë veten refugjat në vendin tonë. Dhe të jesh refugjat në vendin tënd kur ky premton 100 fshatra turistikë dhe aktualisht kemi 100 qirinj me drita fikur”,- u shpreh Haxhi Llupa, një tjetër banor i fshatit.
Ata mbeten të vendosur për ta kundërshtuar këtë projekt, ndërsa kërkojnë investime infrastrukturore sikurse asfaltimi i rrugës me qëllim që ti shërbejë turizmit.
/Erisa Kryeziu/ Citizens