Shpopullimi i vendit nuk e shqetëson aspak kryeministrin Edi Rama i cili ka vendosur të përzërë shqiptarët duke i detyruar që të emigrojnë në vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Pavarësisht se të dhënat e emigracionit janë alarmante e cila si rrjedhojë po sjell mbyllen e shkollave por edhe tkurjen e numrit të nxënësve, Rama vijon propagandën duke bërë premtime “boshe” që nuk i hyn në punë askujt.
Sot Rama deklaroi se në vitin 2025 shkollat do të jenë nën monitorim të rreptë të kamerave. Në vend që të projektojë politika nxitëse për të rinjtë që mos largohen nga vendi, Rama bën deklarata qesharake a thua se në Shqipëri gjithçka shkon “vaj” dhe mbeti monitorimi i shkollave me kamera.
“Është rritur siguria pa diskutim, por mbetet një problem natyrshëm, një problem në formën e një shqetësimi për prindërit sepse normal që çdo prind kur nis fëmijën në shkollë, qëndron me një farë meraku në tërësi, edhe kur ne ishim fëmijë dhe prindërit na çonin në shkollë dhe në një projekt që ne po e çojmë përpara dhe do të fillojmë ta jetësojmë vitin e ardhshëm, si një nga projektet madhore të Shqipërisë 2030 në aspektin e sigurisë, ku ne do të bëjmë një kapërcim epokal në monitorimin e sigurisë së rrugëve; në monitorimin e sigurisë së qyteteve; në monitorimin e sigurisë së hapësirave të mëdha publike, është përshirë edhe monitorimi i sigurisë në shkollë, por një monitorim që do të shkojë deri në qelizë, një monitorim që do t’i japë mundësi drejtuesve të shkollës, do t’i japë mundësi prindërve, do t’i japë mundësi edhe fëmijëve që të ndihen fare të qetë, por nga ana tjetër edhe që secili të bëjë detyrën e vet. Në sensin që nuk është thjesht një projekt sigurie për fenomenet kriminale apo për ndërhyrjet nga jashtë, por është një projekt sigurie kundër bullizimit, është një projekt sigurie kundër kopjeve dhe kundër braktisjes së orëve të mësimit, kundër kthimit të kurrizit të ndonjë mësuesi nga nxënësit e kështu me radhë”, tha Rama.
- Alarm në arsim, shkollat e nisin vitin me 125 mijë fëmijë më pak se 10 vite më parë
Numri i fëmijëve në shkolla do të reduktohet me shpejtësi.
Përveç rënies së lindjeve, numri i fëmijëve në parashkollor po pakësohet ndjeshëm nga fenomeni i emigracionit me familjet.
Në vitin shkollor 2024-2025, rreth 238 mijë fëmijë do ndjekin arsimin në sistemin publik 9-vjeçar sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.
Sipas INSTAT, në këtë nivel arsimi ,në vitin shkollor 2023-2024 ishin të regjistruar 258 mijë nxënës në arsimin 9-vjeçar. Nisur nga këto të dhëna, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare në këtë vit të ri shkollor është 7.8% më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak.
Ritmet e rënies së nxënësve në arsimin 9-vjeçar janë shumë më të larta se vitin e kaluar, kur tkurrja ishte 3.4%. Nga viti 2014 deri në vitin 2024, numri i fëmijëve në ciklin 9-vjeçar ka pësuar rënie me 34.5%, ose 125 mijë më pak.
Në vitet në vijim, tkurrja e nxënësve do të jetë më e lartë si rrjedhojë e rënies së fortë të lindjeve dhe normave ende të larta të emigracionit në moshat e reja.