Pasditen e së mërkurës është zhvilluar mbledhja e Kryesisë së PD-së.
Berisha theksoi se Kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Kryedemokrati u shpreh se në vitet e fundit PD ka përjetuar një proces të rrallë, të vështirë pasi u tentua të fshihej historia e saj, por ajo sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar.
Berisha: “Së pari ju përshëndes, ju, drejtuesve, N/kryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj mbledhje dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë. Përshëndes me këtë rast të gjithë demokratet dhe demokratët kudo që janë. Sot, Kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë. Por ajo sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht përpjekjet e hapat ishin që kjo forcë politike të denatyrohej, të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit. Të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të spostohej aksi i programit të saj. Ju keni bërë një betejë të fortë, por dhe të suksseshme. Jeni përballur me probleme të mëdha, të vështira dhe ato janë kapërcyer. Kemi hyrë tani në një vit elektoral”
- PD zbardh EMRAT e drejtuesve politikë në qarqe
Partia Demokratike ka zbardhur sot listën e drejtuesve politikë për qarqe, duke njoftuar një riorganizim të rëndësishëm në strukturën e saj për fushatën e ardhshme të zgjedhjeve 2025.
Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, janë caktuar në krye të fushatës në të gjithë Shqipërinë, duke pasur përgjegjësi për koordinimin dhe drejtimin e strategjisë elektorale të partisë në nivel kombëtar.
Lista e drejtuesve politikë për çdo qark:
Tiranë: Belind Këlliçi
Durrës: Oerd Bylykbashi
Lezhë: Agron Gjekmarkaj
Shkodër: Luçiano Boçi
Fier: Gazment Bardhi
Kukës: Flamur Hoxha
Dibër: Xhelal Mziu
Elbasan: E.S
Korçë: Ivi Kaso
Berat: Eno Bozdo
Vlorë: Bujar Leskaj
Gjirokastër: Tritan Shehu
- PD nuk i ndahet modelit “Republikan”, do t’i zgjedhë kandidatët për deputetë me “Primare”
Partia Demokratike do t’i zgjedhë kandidatët për deputetë, nëpërmjet procesit të njohur si “primare”, ku anëtarët e partisë do të votojnë të preferuarit e tyre dhe më pas do të përpilohet lista zyrtare.
Ky model u aplikua edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2023, por procedura shkaktoi pakënaqësi, madje edhe akuza për parregullsi zgjedhore dhe votime formale. Është e paqartë se si do të funksionojë votimi në këtë rast dhe se si do të përcaktohen kandidatët që do të votohen.
Gjatë mbledhjes së kryesisë pasditen e sotme, kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, duke folur me video konferencë, kërkoi angazhim të anëtarëve të kryesisë në informimin e qytetarëve, për të nisur protestat, që sipas tij duhet të detyrojnë kryeministrin Rama, të pranojë qeveri teknike.
Berisha tha se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën, por shtoi se opozita nuk do t’i bojkotojë ato dhe se vetmja zgjidhje e kësaj force politike është qeveria teknike.
- Noka paralajmëron protesta: Kjo vjeshtë do jetë e nxehtë!
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka mbajtur fjalën hapëse të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike.
Noka ka paralajmëruar se kjo vjeshtë do jetë e nxehtë, pasi opozita do të përballet me makinerinë e narkoshtetit që përdor krimin drogën, përdor administratën publike, patronazhistët paratë e pista të drogës dhe korrupsionit për blerje masive të votës për mbyllje të gojës dhe për tjetërsim të votës.
Noka: “Në tërësi vjeshta do të jetë e nxehtë, përballje pasi siç e dimë që përballë nesh qëndron jo thjesht një kundërshtar politik por përballë ne kemi makinerinë e narkoshtetit që përdor krimin drogën, përdor administratën publike, patronazhistët paratë e pista të drogës dhe korrupsionit për blerje masive të votës për mbyllje të gojës dhe për tjetërsim të votës. Rendi i ditës është diskutime rreth këtij aksioni opozitar të vjedhtës dhe pikë tjetër janë çështje të brendshme organizative dhe pikë tjetër janë çështje të brendshme organizative dhe pika e fundit të tjera”.
- Berisha: PD ‘pro’ votës së 1.5 mln shqiptarëve të diasporës!
Kreu i demokratëve, Sali Berisha i kërkoi anëtarëve të Kryesisë që të sqarojnë çdo anëtar dhe qytetar se ishte PD ajo që ia doli të votojë respektimin e së drejtës kushtetuese të mbi 1.5 mln shqiptarëve që ndodhen jashtë shtetit.
Për sa i përket zgjedhjes së deputetëve për zgjedhjet e ardhshme të 2025-sës, Berisha theksoi se do vijohet me primaret brenda partisë.
Berisha: “Dhe meqë jam këtu, unë ju lutem shumë të sqaroni çdo anëtare dhe anëtar tonin dhe çdo qytetar dhe qytetare, se ajo që votuat në parlament nuk ka asnjë lidhje me problematika e mëdha të zgjedhjeve, të cilat kanë rrënuar barazinë e zgjedhjeve, karakterin e tyre, kanë siguruar kontrollin e vullnetit të qytetarëve nga qeveria.
Me këtë rast, dua të them se ishte PD ajo që ia doli të votojë respektimin e së drejtës kushtetuese të mbi 1.5 mln shqiptarëve që ndodhen jashtë shtetit. Dhe unë besoj se, asnjë demokrat nuk duhet të imagjinojë se një parti e lirive dhe të drejtave të qytetarëve do mund t’i lejonte vetes t’i bëhej shkak që ajo e drejtë themelore kushetuese t’ju mohohej qytetarëve shqiptarë në kohën që ajo e kishte shpallur publikisht atë që nga viti 2012 e në vazhdim.
Së bashku me të, PS kushtëzoi edhe shqyrtimin e vendimit tjetër të gjykatës, dhe natyrisht nqs ne nuk pranonim shqyrtimin e atij vendimi, sot 1.6 mln shqiptarë do të ishin pa të drejtë vote. Ne nuk mund të merrnim atë përgjegjësi. Ai vendim u shqyrtua dhe, ai vendim hoqi disa pengesa artificiale të vendosura që rekomandoi gjykata. Ne jemi parti që për zgjedhjen e deputetëve e ka të fiksuar në statutin e saj me mekanizmin e Primareve.
Të dashur miq, jo vetëm që reforma zgjedhore nuk u pranua nga Edi Rama, por siç theksova më sipër, asnjë nga krimet monstruoze elektorale nuk ndëshkua nga drejtësia e tij. Ç’ka do të thotë se në zgjedhjet e vitit 2025, do të bëhet e vërtetë fjala e tij se, nuk keni parë gjë akoma. Se do të përdorë mekanizma të tjerë për të grabitur votën që ne akoma nuk kemi parë. Se i tillë është oreksi i tij për pushtet, e bën që të heqë dorë nga çdolloj parimi. Ju e patë në Himarë, nuk ngurroi të sjellë nga Dropulli votues në Himarë, dhe të shkarkojë drejtorin e pergjithshëm të Gjendjes Civile vetëm e vetëm se ai refuzonte një akt të tillë”
- Berisha: Detyrimi ynë para demokratëve, kthimi i votës së lirë
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së partisë, ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Ai paralajmëroi se pjesëmarrja në zgjedhje nën drejtimin e Edi Ramës do të ishte një mashtrim i madh, si për vetë Partinë Demokratike ashtu edhe për qytetarët shqiptarë. Berisha theksoi se PD nuk duhet të shkojë në zgjedhje “business as usual,” duke nënvizuar se alternativa e vetme për rikthimin e votës së lirë është formimi i një qeverie teknike dhe largimi i Edi Ramës nga pushteti.
Ai gjithashtu paralajmëroi për rrezikun që Shqipëria të ndjekë rrugën e Venezuelës, ku opozita është shtypur dhe e drejta për të zgjedhur është shkelur brutalisht. Sipas Berishës, misioni i demokratëve është të motivojnë dhe frymëzojnë një lëvizje të fuqishme për të arritur qëllimin e tyre të përbashkët – rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë në Shqipëri.
Berisha: “Të dashur miq, zonja dhe zotërinj! Sot, të mendojmë se po shkojmë në këto zgjedhje si ‘bussines as usual’ do të jetë një mashtrim i madh për veten tonë, një mashtrim i madh për qytetarët shqiptarë. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Me Edi ramën, nuk ka zgjedhje ‘business as usual’. PD ka si alternativë mospjesëmarrjen në zgjedhje, gjë e cila është e ndaluar me shumë të drejtë në statutin e saj. Ju garantoj të dashur demokrate e demokratë se Edi Rama do të festonte në qoftë se do t’i lejonim vetes një vendim të tillë.
E megjithatë, zonja e zotërinj, anëtarë të Kryesisë, detyrimi ynë absolut para demokratëve, para shqiptarëve, është kthimi i votës së lirë te shqiptarët. Dhe ky kthim i votës së lirë realizohet vetëm me një qeveri teknike, largimin e Edi Ramës dhe procedimin në krijimin e një qeverie teknike. Asgjë nuk mund të lemë pas zgjedhjeve dhe të provojmë atë që provuan opozita në Venezuelë. Dje, Rama i Venezuelës, Maduro, arrestoi me akuzën për aktivitet terrorist kryetarin e opozitës, i cili fitoi zgjedhjet me 70%.
Shembulli i Venezuelës duhet të jetë një mësim i madh për ne. Pra, nga secili prej jush, nga të gjithë ne, qytetarët presin rikthimin e votës së lirë. A jemi ne në gjendje të mbushim aktualisht këtë mision? Jo! Ne nuk jemi. Por, a është ky një mision i pamundshëm? Absolutisht, nuk është i pamundshëm. Ky mision kërkon nga ne të motivojmë, të angazhojmë, të frymëzojmë çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar në një lëvizje të fuqishme që nuk e ka njohur më parë Shqipëria gjer në realizimin e qëllimit tonë.
Ne jemi së bashku udhëheqja kryesore e opozitës. A mund të ecim ne si somnobyl për të marrë një mandat dhe për të firmosur mandatin e katërt të Edi Ramës? Kurrë! Atëherë, ku qëndrojnë mundësitë tona? Mundësitë dhe potenciali ynë qëndron tek demokratet dhe demokratët”