Policia e Pistoias arrestoi 16 persona në kuadër të një mega-operacioni antidrogë. Sipas mediave italiane, për 6 prej të arrestuarve ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg, për 4 u caktua arrest shtëpie me byzylyk elektronik dhe për 6 të tjerë u caktua detyrim paraqitje.
Të gjithë të dyshuarit, me kombësi italiane dhe shqiptare, akuzohen për trafik dhe posedim të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë. Ndaj tyre është urdhëruar sekuestrimi i parave apo mallrave me vlerë totale mbi 2 milionë euro.
Operacioni dhe kontrollet u shtrinë jo vetëm në zonën e Pistoias, por edhe në provincat e Pizës, Pratos dhe Perugias me mbështetjen e ekipeve lokale të lëvizshme.
Hetimet lidhur me grupin nisën në korrik 2023 dhe vijuan deri në janar 2024. Gjatë hetimeve janë kryer tre arrestime flagrante, plus dy kallëzime në gjendje të lirë për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe sekuestrimin e gjithsej 1218.7 gram kokainë, 6.6 gram hashash, armë dhe municione.