Nga Boldnews.al
Ethet e humbjes së postit duket se e kanë zënë kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, me ardhjen e Ministrit të ri të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Rrumbullaku nuk mund të tolerojë asnjë cënim në imazhin e Policisë dhe përdori një konferencë mediatike në kulmin e kësaj vape për t’iu hakërryer, pikërisht medias.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u shfaq publikisht këtë të mërkurë (14 Gusht 2024) për të dhënë detaje mbi ngjarjen tragjike të vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec.
Por, ajo çfarë deklaroi para kamerave të televizioneve ishte më shumë një kërcënim për gazetarët dhe profesionistët e medias, të cilët ngritën pikëpyetje mbi veprimet policore në krimin e ndodhur në Pogradec.
Ai deklaroi se: “Ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec ku humbi jetën një 42-vjeçar. Jam i detyruar të informoj publikun se aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Pogradecit është i pabazë. Është skandaloz pasi nuk ka asnjë provë. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk është tentuar të fshihet apo të minimizohet ngjarje e rëndë. Është vlerësuar maksimalisht nga komisariati i Pogradecit”.
Më tej, ai vijoi se “Baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht. Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformimi”, duke u shprehur se strukturat në varësi të tij do të kryejnë verifikime në portale e media dhe do të përgatisin kallëzime penale ndaj atyre (gazetarëve) që, sipas Rrumbullakut, kanë dezinformuar.
Nuk është hera e parë që kryepolicët e këtij vendi përdorin fjalor intimidues ndaj raportimeve mediatike dhe punës së gazetarëve në terren. Por, kur kërcënimet vijnë nga një profesionist me dekada përvojë si Rrumbullaku, kjo është një fatkeqësi për Shtetin, i cili duket se e ka humbur tashmë një aset të Policisë.
Muhamet Rrumbullaku dha versionin e tij të ngjarjes së Pogradecit dhe urdhëroi median që të pranojë vetëm atë “të vërtetë”.
Por, e vërteta e Rrumbullakut, sado diktuese, nuk përputhet aq shumë me atë që familjarët dhe shumë banorë të Pogradecit, por edhe gazetarë të terrenit, verifikuan personalisht etapat e ngjarjes.
Mesditën e 10 Gushtit, në qendër të Pogradecit, Egli Proga u pa i shtrirë në rrugë kryesore. Informacioni i parë policor ishte “se ishte rrëzuar, pasi dyshohej se kishte konsumuar alkol”.
Më tej, kur Proga mbërriti në spital dhe humbi jetën nga dhuna e ushtruar prej personit të dyshuar, Denis Meçe, policia u rikthye sërish në vendin e ngjarjes dhe piketoi zonën ku ishte shtrirë më herët i ndjeri.
Këtë episod e panë dhjetra dëshmitarë dhe nuk ka nevojë publiku të dëgjojë “të vërtetën” e Rrumbullakut se “policia ka vepruar në mënyrë të shpejtë dhe profesionale”.
Ky variant u është thënë edhe familjarëve të të ndjerit, motrës dhe babait të Egli Progës, të cilët më pas ua kanë transmetuar edhe medias.
Policia arrestoi Meçen, por kur kanë kaluar 4 ditë, kryepolici Rrumbullaku, ende nuk mund të thotë një motiv, por u mjaftua vetëm me “ngjarje për një konflikt të çastit”.
Përse ishte ky konflikt? Qytetarë të Pogradecit, nën zë, kanë deklaruar për median, se autori i vrasjes dhe të tjerë persona, njihen si “grup gjobvënës” ndaj biznesveve. Kryepolici Rrumbullaku e mohoi me forcë këtë pistë, duke iu hakërryer “medias apo personave të tjerë” që kanë shpërndarë këtë version.
Ok, ky është qëndrimi i Rrumbullakut. Por, sa mund t’u shkojë për shtat atyre gazetarëve, të cilët kanë biseduar këto ditë me qytetarë të ndryshëm në Pogradec, të cilëve, sapo i përmendje emrin e autorit të dyshuar, tkurreshin, fshiheshin dhe nuk u dilte më zëri i gojës.
Edhe ky është “dezinformim”? Po qytetarët janë aty. Nëse ata kanë frikë të flasin për Policinë, por ndihen pakëz më të lirshëm me gazetarët, natyrisht deri aty se mendojnë se nuk u cënohet siguria e tyre, ky nuk është problemi i medias. Dhe, në të kundërt, nëse Policia i njeh për “gjobvënës” dhe këtë e fsheh, atëherë në Pogradec nuk duhet folur për rend dhe siguri.
Vijojmë më tej. Mbrëmjen e ngjarjes, vetë zyra e Rrumbullakut njoftoi se kishte urdhëruar Drejtorinë e Standarteve në Policinë e Shtetit për të verifikuar rolin e drejtuesve të Komisariatit të Pogradecit. Ky inspektim nisi vetëm bazuar mbi “dezinformimin mediatik”?
Nëse është vërtetë kështu, Rrumbullaku duhet të lirojë karrigen para se t’i vijë firma nga Ministri i Brendshëm dhe t’ia dorëzojë gazetarëve, të cilët, “me dezinformimin e tyre” detyruan shefin më të madh të Policisë që të nisë një hetim administrativ ndaj vartësve të tij në Pogradec.
Por e vërteta, siç e di edhe Muhamet Rrumbullaku, është ajo që gjendet në terren, ajo të cilën prej 4 ditësh e thonë me zë të lartë familjarët e 42-vjeçarit të ndjerë dhe nën zë qindra qytetarë pogradecarë.
Nëse Rrumbullaku nuk arrin të vendosë në brazdë strukturat policore, dhe, mesa duket nuk ka mundësi t’ia arrijë, atëherë të lërë mënjanë kërcënimet ndaj gazetarëve dhe, të lërë mënjanë edhe karrigen.
Si një ekspert me shumë përvojë, Muhamet Rrumbullaku duhet ta nuhasë se kur po i vjen fundi në karrierë. Ai duhet ta kuptojë se edhe “mbështetja” që i dha kryeministri Edi Rama për ngjarjen e Pogradecit, është si ai vaji i kandilit që ka lag vetëm fundin e poçes.