Në vitin 2014, Kuvendi miratoi ligjin “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar” që i detyron të gjitha strukturat publike dhe jopublike, të garantojnë aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara. Por 10 vite më pas, vetë institucioni që e hartoi dhe miratoi këtë ligj, e ka zbatuar vetëm pjesërisht.
Gazetare: Entela Barjamaj
Për të mbërritur në sallat e kryesisë së Kuvendit, ku janë të vendosura Komisionet Parlamentare, duhet të përshkosh një varg të gjatë shkallësh. Godina katër katëshe, e ndërtuar në vitin 1953, ka tre hyrje dhe vetëm një rampë të lëvizshme nga hyrja protokollare. Ajo vendoset sa herë një person me aftësi të kufizuara (PAK) në lëvizje ka nevojë të futet në këto ambiente.
Ndrekë Ismailaj, përfaqësues i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, i cili ka qenë i pranishëm në një nga komisionet për çështjet sociale dhe shëndetësinë, thotë se ka përdorur hyrjen që është në dispozicion të delegacioneve.
“Të hysh nga dera kryesore është e pamundur për ne që lëvizim me karrocë. Nga dera që hynë delegacionet sajojnë një si rampë tek shkallët dhe më pas na marrin me ashensor”, – thotë Ndrekë Ismailaj.
Suela Lala drejtuese e fondacionit “Së Bashku” thotë se detyrimi ligjor për akses të barabartë nuk mund të përmbushet me një rampë.
“Edhe në këtë rast duhet të kesh telefonin e dikujt që ndodhet brenda godinës dhe ta lajmërosh që do të vij në x orë dhe ai të të sjellë rampën. Pra unë nuk mund të lëviz lirshëm, pasi sërish jam e varur nga të tjerët”, – thotë Suela për Citizens.al.
“Vendosja e një ashensori nuk është akes”, – thotë Sinan Tafaj, ish drejtues i shoqatës së të verbërve që ka marrë pjesë në komisionet parlamentare.
Ashensori i delegacioneve plotëson vetëm pjesërisht aksesin për një nëngrup të komunitetit të PAK, pasi personat që nuk shikojnë dhe ata me vështirësi në dëgjim nuk përdorin ashensorin, pasi futen nga shkallët kryesore.
Dy hyrjet e tjera, por edhe të gjitha mjediset e brendshme të institucionit nuk ofrojnë përshtatshmërinë e domosdoshme për personat me vështirësi në lëvizje, shikim apo dëgjim.
“Ne futemi nga hyrja e zakonshme dhe aty mungon çdo sinjalistika ndihmuese. Unë duhet të njoftohem nëpërmjet audios në çdo kat se ku ndodhem apo se tek cila sallë po drejtohem”, – thotë Jonid Ferhati, nga shoqata e personave që nuk shikojnë, i cili ka qenë i pranishëm në komisionet parlamentare.
Nga vëzhgimi në asnjë prej hyrjeve të institucionit nuk gjenden vijëzime për “shkopin e bardhë” që përdorin personat që nuk shohin dhe ashtu mungojnë edhe sinjalet zanore. Personat me aftësi të kufizuara e kanë të pamundur të ndjekin jo vetëm fizikisht diskutimet në Komisionet Parlamentare, ku vendoset për buxhetet dhe politikat drejtuar këtij komuniteti.
Diskutimet transmetohen “live” në Facebook, por janë të pa përkthyera në gjuhën e shenjave dhe dokumentat nuk vihen në dispozicion në alfabetin Braille.
“Hyrja e PAK në Kryesinë e Kuvendit bëhet nga hyrja protokollare, ku aktualisht është një rampë fikse dhe në momentin e lëvizjes vendoset një rampë e dytë. Më pas levizja në të gjithë institucionin bëhet me marrjen e ashensorit në koridorin hyrës”, – thotë në një përgjigje me shkrim Kuvendi.
Por Suela Lala thotë se kjo nuk do të thotë as përshtatshmëri dhe as ofron lëvizje pa barriera për PAK.
“Një institucion publik duhet të jetë i aksesueshëm 360 gradë, sepse ti mund të kesh takim edhe në një zyrë të zakonshme. Nuk është mjaftueshëm vetëm kaq”, – thotë Suela, ndërsa shton se salla e parlamentit është e paakseuseshme.
“Për të qenë në përputhje me standardet kuvendi duhet të ketë edhe një vend parkimi kur je një person me aftësi të kufizuar. Ky është standard i parashikuar në ligj dhe është standard ndërkombëtar. Njëkohësisht brenda godinës duhet të kesh edhe një tualet të aksesueshëm si gjithë të tjerët”, – shton më tej ajo.
Në përgjigjen e dhënë për Citizens.al, Kuvendi pranon se në gjuhën e shenjave përkthehen vetëm seancat plenare që transmetohen në kanalin RTSH Kuvend. Më të përjashtuar janë personat e verbër, që në gjuhën Braille mund të lexojnë vetëm Kushtetutën.
Suela thotë se kufizimet ndodhin edhe brenda komisioneve. Sipas saj “shoqatat e personave që nuk dëgjojnë nuk kanë interpretim në gjuhë e shenjave”.
“Nëse diskutohen çështje që kanë të bëjnë me aftësinë e kufizuar duhet të sjellin patjetër interpretim në gjuhën e shenjave. Nuk ka mekanizma, nuk ka buxhete që ruhen për këtë punë, nuk ka as interpretë”– sqaron Lala.
- Hartimi i Buxhetit, PAK lihen jashtë
Hartimi, diskutimi dhe miratimi i buxhetit me grupet e interesit kthehet çdo fundviti në një “mollë sherri”. Në kryesinë e Kuvendit, kur diskutohet buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, duhet të thirren si grupe interesi edhe përfaqësuesit e 140 mijë personave me aftësitë të kufizuar. Për vitin 2024 buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë është rreth 78 mld lekë, nga të cilat 29 mld lekë kanë shkuar për përkujdesje sociale, ku bën pjesë edhe buxheti për PAK. Megjithatë PAK janë pyetur rrallë herë për nevojat dhe adresimin e tyre në buxhet.
Analizimi i procesverbaleve të mbajtura nga Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë për periudhën 2015- 2023, tregon se në dy vitet e fundit nuk ka patur asnjë përfaqësues nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuar.
I fundit pjesëmarrës ishte Ndrekë Ismailaj, i cili në 2021 i drejtoi këto fjalë deputetëve të Komisioniet për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë: “Ndihem jashtëzakonisht si një qenie jo e dëshiruar për ju, pasi është hera e pestë që vij në këto komisione dhe në përgjithësi asnjëherë kërkesat tona nuk janë marrë parasysh”.
Që nga ajo deklaratë, ndonëse është në regjistrat e grupeve të interesit të Kuvendit, Ismailaj nuk u thirr më në diskutimet që bëhen për hartimin e buxhetit.
“Ju kam bërë kërkesë disa prej deputetëve që të na thërrasin, pasi ne jemi grupe interesi dhe ne diskutojmë probleme që janë jetike për ne, pavarësisht se ata nuk na marrin në konsideratë”, – shprehet Ndreka.
Në vitin 2014 u miratua për herë të parë “Manuali i pjesëmarrjes së publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit”, një instrument që synon të rrisë rolin e publikut dhe që u ndryshua në viti 2022. Sipas këtij manuali palët e interesuara nga publiku janë individë, ekspertë të pavarur, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të grupeve të interesit , lobistë si dhe grupime të tjera të interesuara, të cilët janë të prekur nga një ligj apo politikë e caktuar.
Referuar manualit të pjesëmarrjes së publikut, palët e interesuara mund të shprehin interesin me shkrim pranë kuvendit për të marrë pjesë në një seancë dëgjimore.
“Në momentin e publikimit të projektaktit online koordinatori për grupet e interesit, në bashkëpunim me sekretarinë e komisionit përgjegjës, automatikisht njofton të gjitha palët e interesuara të regjistruara në regjistrin online të OSHC-ve dhe në regjistrin e lobistëve që janë në faqen zyrtare të Kuvendit në internet”, – saktësohet në këtë manual.
“Deri tani nuk jemi thirrur asnjëherë, – thotë Suela Lala. – U bënë pothuajse një muaj që kemi dërguar një kërkesë zyrtare tek koordinatori i OSHC-ve për të marrë pjesë si lobistë, por ende nuk kemi përgjigje”.
Por edhe në rastet kur janë thirrur propozimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë.
“Propozimet tona nuk merren në konsideratë. Madje vitin e fundit nuk na kanë sjellë as draft propozimet. Por ne duke ditur se kur bëhen diskutimet u kemi nisur vetë disa propozime”, – thotë Gjergj Smakaj, administrator i Shoqatës së të Verbërve.
Ai rrëfen se asnjëherë thirrjet nga Kuvendi apo projektbuxheti nuk ka qenë sipas parashikimeve ligjore.
“Në aspektin fizik nuk e ofron infrastrukturën, nuk na e kanë sjellë asnjëherë në Braille,”- tregon Smakaj.
“Na dërgojnë vetëm një kopje të standardizuar në email, por jo të përshtatur sipas nevojave tona. Në shumë raste edhe atë na e dërgojnë vetëm një ditë parë se të zhvillohet seanca dëgjimore, sa për të thënë që na e kanë dërguar”, – thotë Jonid Ferhati.
Edhe ish drejtuesi i shoqatës së të verbërve, avokat Sinan Tafaj, thotë se asnjëherë nuk u është dërguar materiali i përshtatur për personat që nuk shikojnë. Sipas tij ligji e parashikon aksesueshmërinë për të gjitha këto kategori, por ende nuk ka gjetur zbatim.
Nga vëzhgimi i realizuar me procesverbalet rezulton se të paktën në 9 vitet e marra në shqyrtim asnjëherë nuk janë thirrur persona që përfaqësojnë aftësinë e kufizuar në dëgjim apo të folur.
- Institucionet nuk zbatojnë ligjin
”Probleme me askesueshmërinë kemi në të gjitha institucionet,” – pranon edhe Ndrekë Ismailaj.
Ligji “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, i miratuar në 2014 ka si qëllim të garantojë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në të gjitha sferat e shoqërisë, në kushte të barabarta me të tjerët.
Pavarësisht ligjit, Suela Lala, drejtuese e fondacionit “Së Bashku” thotë se gjërat kanë nisur të ndryshojnë nëpër shkolla apo qendra shëndetësore, por shumë institucione të tjera janë ende larg përshtatshmërisë.
“Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës, e Turizmit as që na konsideron fare, për të kuptuar nevojë që kanë personat me aftësi të kufizuar për të marrë pjesë në këto lloj objektesh dhe si rrjedhojë janë tërësisht të paaksesueshme,” rrëfen për Citizens.al Suela Lala./ Citizens