Gjykata e Posaçme ka caktuar këtë të hënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 50-vjeçarin Astrit Avdyli, i njohur ndryshe si “Niçja”, teksa konisderohet si kreu i bandës së Shijakut. Gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, kreu i bandës së Shijakut nuk ka dhënë asnjë deklarim.
Astrit Avdyli u arrestua mëngjesin e të shtunës nga forcat Operacionale dhe RENEA brenda vilës së tij në Shijak, teksa ishte i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi” të ekzekutuar në muajin Maj, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste ndaj 7 grupe kriminale në Shqipëri.
Astrit Avdyli alias Balliu alias Sulejmani akuzohet nga SPAK për veprat penale të:
- “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje “, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”
- “Ndihma per kalim të paligjshëm të kufijve “, e kryer ne bashkepunim
- “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, Ervis Martinaj në aleancë me grupin e drejtuar nga ish deputeti i PS-se Arben Ndoka dhe bashkëpunëtor me grupin kriminal të Avdylajt në Durrës rekrutonin vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit.
Hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve ‘Sky’ që këta persona përdornin me njëri-tjetrin. Sipas hetimeve banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë.
Gjithashtu, sipas hetimeve të SPAK, Avdyli ka futur ilegalisht nga Mali i Zi nipin e tij Aldo Avdylin, duke u ndihmuar edhe nga biznesmeni Miri Bruli që të vinte për të kryer vrasjen e Bamit me Arben Mërkurin, dhe do të kishte alibinë që ndodhej jashtë vëndit.
Rezulton sipas SPAK, se jo vetëm Emiljano Shullazi dhe Behar Bajri dispononin pajisje të koduara në qeli, por edhe Astrit Avdyli. Për të është ngritur akuza e futjes së sendeve të ndaluara në paraburgim kur ndodhej në qeli për dosjen 339.
“Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e SkyECC të zhvilluara mes shtetasve Arben Ndoka, Samuel Ndoka, Arian Tuku, Ervis Martinaj, Jozi Kraja, Astrit Avdyli, Arben Merkuri, Aldo Avdyli, Gentian Bejtja, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi, Elvis Ndreca, Gjin Ndoj, Nairn Stafuka dhe persona të tjerë ende të pa identifikuar, del në pah organizimi i këtyre shtetasve me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami.
Shtetasi Astrit Avdyli ka pasur rolin e siguruesit të personave që do të kryenin vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami. Astriti ka angazhuar shtetasit Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli me qëllim realizimin e vrasjes për llogari të shtetasit Arben Ndoka.” – thuhet në dosjen e SPAK.
E shkuara kriminale e Astrit Avdylit
Astrit Avdylaj, me nofkën Niçja, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza për drogë, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj.
Rrugëtimi i tij kriminal nis që në vitet ’90, ku dyshohej se u përfshi në trafikun e drogës. Me kalimin e viteve, ai u bë edhe më i fuqishëm, me lidhje të forta.
Në vitin 1997 Astrit Avdyli u dënua me 13 vite burg për vrasje, pasi mori hak për vrasjen e djalit të xhaxhait të tij, Dritan Avdyli, i ekzekutuar në vitin 1996.
Dritan Avdyli i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë. Ai u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.
Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.
Për këtë krim ai u lirua nga qelia pas 13 vitesh burgim më 2 mars të viti 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Ky vendim u mor pasi Dritan Avdyli kishte siguruar një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”.
Vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta.
Ai u arrestua në vitin 2018, si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet në Has. Gjatë hetimit rezultoi se Astrit Avdylaj dhe grupi i tij merreshin me trafikimin e sasive të madhe të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera evropiane. Në këtë aksion të policisë u arrestuan të paktën 22 persona të tjerë.
Përgjimet në lidhje me dosjen hetimore “339” treguan gjithashtu se Avdylaj ishte i përfshirë edhe në fushatën e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit. Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave, por edhe për influencë në përzgjedhjen e kandidateve për deputetë të PS në këtë qark në zgjedhjet e 2017.
Në korrik të vitit 2021 ai u lirua nga burgu për shkak të tejkalimit të afateve së bashku dhe me Jasin Kala, Fatos Llavdiu.
Ndërkohë, n tetor të vitit 2022 Astrit Avdylaj u mor në pyetje pas raportimeve në media se anëtarë të fisit Avdylaj janë përmendur si kontakti i fundit me të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.
Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre kompania ‘Orges Albania 2016’ dhe hoteli luksoz ‘Germany’ në Durrës.