Vrasja në 2021 e Çajup Selimit në Tepelenë është kryer vetëm për çështje nderi, pasi sipas dëshmisë së bashkëpuntorit të SPAK, Artan alias Marjus Tafani, tregtari kishte ngacmuar seksualisht mamanë e njërit prej anëtarëve të grupit të tyre, Erisiano Abedini që thirej me nofkën “Cano”.
Në dijeni të këtyre ngacmimeve ishte vënë dhe Erisiano, i cili i kishte kërkuar Laert Haxhiut, ta ndihmonte për ta vrarë tregtarin në Tepelenë.
Në atë kohë, Marjus Tafani kishte vetëm pak kohë që kishte hyrë mes rradhëve të grupit të Laert Haxhiut, i cili i ka dhënë dy herë, një herë 1 mijë euro dhe një herë 200 euro, për para xhepi. Madje njohja e tij me Laert Haxhiun është bërë përmes Lulzim Arapit, të cilin ai e ka njohur brenda në burg.
Dhe më tej njohja mes Erisiano Abedinit alias “Cano” është bërë përmes Laertit, ku sipas Tafanit kanë qëndruar për herë të parë së bashku në një restorant në zonën e malit të “Dajtit”, ku prezent ishte dhe Ligor Romaçka alias “Golja”, Klajdi Taullau dhe Lulzim Arapi.
Pikërisht në këtë darkë, Laert Haxhiu i ka kërkuar Marjus Tafanit i ka thënë: ”…a do të punosh me mua…”. Tafani ka pranuar të punojë dhe aty Laerti i ka dhënë 1 mijë euro, t’i kishte si para xhepi.
Si fillim grupi vendosi të testojë Artan Tafanin duke e vënë në provë për një punë të vogël, vendosjen e tritolit tek shtëpia e Erion Çukut, pasi ky i fundit kishte konflikt me Laert Haxhiun për shkak të një borxhi financiar prej 3 apo 4 mijë euro që Erioni ja kishte Laertit.
Sasia e tritolit prej rreth 100 gramë është vendosur në muajin qershor 2021 nga Artan alias Marjus Tafani, tek dera e një apartamenti që ndodhej në katin e parë.
“…tritolin e kisha unë dhe e kisha marrë në Delvinë para disa kohësh, me qëllim për ta shitur por më kishte mbetur në shtëpi dhe prandaj e kam përdorur për këtë ngjarje.
Pasi bëra këtë ngjarje, Laerti më dha disa para, që t’i kisha si para xhepi diku te 200 Euro…”-ka treguar Tafani. Pas këtij krimi, Tafani është larguar në një bazë të grupit në qytetin e Elbasanit.
Por teksa ka mbaruar këtë punë, nuk kanë kaluar shumë ditë nga kjo ngjarje dhe Laert Haxhiu, vendos t’i lerë në dorë një tjetër punë akoma më të rëndësishme Artan Tafanit, duke i sugjeruar të vrasë një tregtar në Tepelenë, i quajtur Çajup Selimi.
“…kam shkuar në Elbasan me makinë dhe aty ka ardhur e ma ka marrë Laerti me “Golen” dhe nga aty kemi shkuar në një lokal në një fshat të Korçës. Ishte edhe Bledar Berberi, Mariglen Topuzi dhe 2 vajza.
Pasi qëndruam disa orë aty. Unë Laerti dhe “Golja” kemi shkuar në Dardhë të Korçës në një hotel, i cili ishte ndërtim guri.
Kur kemi qenë në lokal dhe në hotel, Laerti më ka thënë: “…është një punë tjetër për tu bërë, por kjo është punë më e madhe…”.
Më tha që duhej vrarë një person i cili ishte nga Tepelena dhe do bëhej për llogari të një personi tjetër kundrejt pagesës. Të nesërmen e kësaj dite kam shkuar në Lushnjë.
Dy ditë më pas, Lulëzim Spahija alias Arapi më thotë: ”…bëhu gati merr rroba me vete se jemi për punë…”-ka treguar Tafani.
“Golja”, Laerti, Artan Tafani dhe Lulzim Arapi kanë shkuar së bashku në një hotel në Sarandë.
Aty ka ardhur edhe Erisiano Abedini me nofkën “Cano”.
“…dua të them që emrat e këtyre personave, i kam marrë vesh ditë pas dite kur takoheshim dhe bisedonim.
E lamë që të nesërmen e asaj dite do shkonim për të parë banesën e personit që do vritej.
Laerti më tha që për këtë vrasje do paguhesha 50.000 Euro dhe do bëhej për llogari të “Canos”.
Motivi ishte sepse personi, i cili quhej Çajup Selimi, kishte ngacmuar mamanë e “Canos”.
Kam shkuar të nesërmen me Laertin dhe “Canon” dhe ata të dy më kanë treguar dyqanin e Çajupit dhe Çajupin si fizik, i cili ishte aty në dyqan.
Dyqani ishte afër bustit të “Ali Pashës”. Më pas me “Golen” kam parë shtëpinë ku jetonte Çajupi, e cila ndodhej në katin e fundit të një pallati 5 katësh parafabrikat në mes të lagjeve. Banesën e dinte “Golja” sepse ia kishte treguar “Cano” më parë.
Laerti me “Canon” më kanë çuar edhe një ditë tjetër mua dhe “Golen” afër banesës së Çajupit dhe e kemi vëzhguar, ku pasi më lanë mua dhe Golen, “Cano” dhe Laerti ikën për Tiranë…”-tregon Tafani.
Ndërkohë ditën e ngjarjes në 1 qershor 2021, ata së bashku janë takuar në Sarandë dhe në pasditen e kësaj ngjarje janë nisur drejt Tepelenës.
Kur ishin në makinë të gjithë bashkë “Golja”, i ka dhënë Tafanit një një armë pistoletë nga ato me fishekë të vegjël 7.65 mm që kishte dhe silenciator dhe ja ka vënë në brez.
“…“Golja” ishte shumë i entuziazmuar, kurse unë isha në shumë stres sepse e kisha për herë të parë dhe kisha frikë.
Arma kishte vetëm 3 fishekë. Nga informacioni që na dha “Cano”, dija që Çajupi kur kthehej për shtëpi nga dyqani, ndonjëherë kthehej me një komshiun e tij me një Benz 240 ngjyrë kafe më duket dhe ndonjëherë kthehej në këmbë.
“Golja” qëndroi te dyqani për ta ruajtur kur Çajupi do e mbyllte në mbrëmje, kurse unë qendrova tek lagja, afër pallatit. Unë dhe “Golja” komunikonim me aplikacionin “Signal” ku unë kisha një numër të huaj.
Kam qendruar rreth 3-4 orë vërdallë pallatit, bëja xhiro ose hyja në ndonjë pallat dhe ulesha, pasi prisja “Golen” të më njoftonte kur ta mbyllte dyqanin, Çajupi.
Ndërkohë që prisja, “Golja” më telefonon në “Signal” dhe më thotë që dyqani ishte mbyllur dhe “Golja” nuk kishte arritur ta shikonte kur “Çajupi”, e kishte mbyllur.
Pra i kishte shpëtuar. Për këtë arsye shkova për tu afruar tek pallati.
Në atë moment, kur isha tek pallati i Çajupit dëgjova një zhurmë makine dhe një derë që u mbyll. Mendova se do kishte ardhur Çajupi dhe aty pashë Benzin 240 dhe Çajupin që po vinte drejt meje…”.
Atë natë Tafani, kishte veshur një kapele kapele të zezë, maskë Covidi, tuta të zeza, një bluzë material fësh-fësh të zezë më mëngë të gjata me vija të bardha te krahu dhe atlete të zeza.
Makina kishte ndaluar tek hyrja e 4 e pallatit dhe Çajupi po vinte për tek hyrja e parë ku kishte edhe banesën.
“…kur më pa Çajupi, mu duk sikur dyshoi pasi e mori kthesën si më gjatë. Unë në atë moment ula maskën e covidit dhe e përshëndeta duke i buzëqeshur.
Në dorë kisha telefonin dhe po bëja sikur po flisja. Kur Çajupi, hyri në pallat unë iu vura mbrapa. Kur ai po ngjiste shkallët e para të katit të dytë ose të tretë, unë kam nxjerrë armën nga brezi dhe e qëllova nga pas, afër pjesës që i korrespodonte zemrës.
Ai sikur u kthye pak nga unë, lëvizi dhe më pas aty kam qëlluar edhe 2 fishekët e tjerë që kisha një nga të cilët e ka kapur po në trup ndërsa një plumb ka kapur tek muri afër një dere banese e cila ndodhej në drejtimin e qitjes.
Nga aty kam ikur me vrap. Kam shkuar rrugës së lumit drejt “Vjosës”, ku kishte disa pellgje uji.
Armën e kam hedhur në lumë. Fola disa herë me “Golen” në “Signal” dhe e kishim lënë që do takoheshim tek lumi sepse aty do vinte xhaxhai i “Canos”, pasi kështu ishte biseduar më parë me Laertin dhe “Canon”.
Por më pas “Goles” nuk i binte më telefoni. Kam pritur goxha kohë tek lumi dhe nuk ka ardhur njëri…”-ka treguar Tafani.
Teksa ndodhej në pritje të “Goles”, tek vendi ku qëndronte buzë lumit Vjosa, Artan Tafani, ka mbëritur xhaxhai i “Canos”, që quhej Bujar. Banesa e tij ishte rreth 10-15 minuta nga vendi ku ndodhej Tafani.
“…kam hyrë aty dhe kam pritur derisa të vijë “Golja”. Bujari, jetonte me gruan dhe kishte 2 fëmijë, 1 djalë edhe një vajzë.
Kam shkuar edhe herë tjetër në këtë banesë, ka erdhur “Golja”, i cili ishte shumë i lodhur. “Golja” kur erdhi, foli në telefon me Laertin dhe ai i bërtiti shumë “Goles”, për faktin se ai nuk e bëri mirë punën e tij që të ruante.
Më pas unë së bashku me “Golen” jemi nisur në këmbë sipas drejtimit që ka treguar xhaxhai “Canos”, ku ne kemi ecur anës së malit, kur kalon Vjosën përballë me Tepelenën, dolëm matanë Memaliaj dhe në rrugë i kemi bërë me morë një makine të rastit që kaloi aty dhe ajo na mori, e na çoi tek një urë që ka dy lokale afër.
Kemi ecur mbi 1 orë në këmbë derisa gjetëm këtë makinën dhe mbaj mend që rrugës kemi parë një gurore. Te një nga këto lokalet kemi pirë një kafe dhe më pas me furgon kemi shkuar deri në Lushnjë.
Nga aty unë shkova në Tiranë kurse “Golja” është nisur drejt e në Korçë…”-ka treguar para prokurorëve Artan Tafani.
Më tej ai ka rëfyer se në Tiranë ka shkuar tek hotel “Delux”, dhe pasi ka fjetur rreth dy orë më pas kanë shkuar së bashku me Laertin dhe Lulzim Arapin në drejtim të Korçës, pasi do vrisnin Fridman Xhaferaj i thirur me nofkën “Kushëriri”.
“…pas 10 ditësh nga vrasja e Çajup Selimit, Lulzim Arapi më ka dhënë tek hotel “Deluxe” shumën prej 20 mijë euro.
Dy muaj më pas kam shkuar në Fier, tek daja i Laertit që ka një linjë autobuzësh “Likometaj”, kam marrë 3 mijë euro të tjera që mi ka dhënë vetë daja i tij.
Më pas kam marrë në Tiranë nga Luli edhe 1 mijë euro të tjera për këtë ngjarje.
Në total për këtë punë jam paguar 24 mijë euro edhe pse pazarin e bëmë për 25 mijë Euro.
Në dijeninë time “Goles” iu premtua që do merrte lekë për këtë ngjarje, por nuk mori…” – ka mbyllur dëshminë e tij Tafani për vrasjen e tregtarit Çajup Selimi.
/Ora News