• Kontakt
Friday, June 6, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Liberalizimi i vizave i jep fund “turizmit patriotik”, kosovarët zgjedhin vendet e BE-së para Shqipërisë

12:21 : 16/06/2024
në AKTUALITET, EKONOMI, KRYESORE, RAJONI

Në vitin 2023, çdo javë, një autobus i agjencisë turistikë të Kosovës “Sharr Travel”, udhëtonte drejt Greqisë. Sot nga e njëjta agjenci udhëtojnë minimalisht gjashtë të tillë çdo javë. Liria për shqiptarët e Kosovës ka rritur interesin për të vizituar vendet e zonës Shengen që deri dje ishin “të ndaluara”, pasi kërkonin procedura standarde për të siguruar një vizë.

Sot, sipas mundësive, një pjesë po zgjedh udhëtimet me autobus drejt vendeve si Greqia apo Kroacia, një pjesë tjetër po udhëtojnë përmes aeroportit “Adem Jashari” të Prishtinës, sidomos në destinacione ku është e vendosur diaspora e Kosovës.

Por një grup tjetër është ai që Shqipërinë po e përdor si tranzit, duke udhëtuar përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, në destinacione popullore si Italia, Spanja, falë çmimeve të ulëta.

Të gjitha këto po formësojnë një tendencë të re të turistit shqiptar të Kosovës që ndoshta këtë vit, por edhe në vitet në vazhdim, do të japë një panoramë të re të turizmit patriotik në Shqipëri ku ka qenë shtylla kryesore e sektorit në tërësi.

Kjo nuk do të thotë se do të mungojë tërësisht turizmi patriotik, por të paktën në vitet e para të kësaj lirie për të udhëtuar kudo në Europë, kurioziteti për të njohur vende të reja, do të largojë një pjesë të tyre kryesisht shtresën e mesme dhe të lartë që kanë mundësi ekonomike.

Lexo edhe:

Danimarka konfirmon dërgimin e të burgosurve në Kosovë më 2027

Dështon për të 26-n herë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Pritshmëritë janë që pushimet e verës, një pjesë të mirë e familjeve të Kosovës t’i kalojnë në Shqipëri, edhe për shkak të çmimeve që ofron vendi ynë, por turizmi i fundjavave, mjaft i rëndësishëm për qëndrueshmërinë gjithëvjetore të sektorit, pritet të ndryshojë dukshëm.

Agjencitë turistike të Kosovës: Heqja e vizave ka rritur udhëtimet jashtë

Agjencitë turistike të Kosovës pohojnë se kurioziteti për të udhëtuar në vende të Europës, ku tani s’ka më nevojë për viza, ka rritur numrin e udhëtimeve që kryhen çdo javë. Ata që dikur shihnin si formë të largimit nga rutina udhëtimin drejt Shqipërisë, tani po zgjedhin destinacione të tjera.

“Udhëtimet e qytetarëve të Kosovës nga 1 janari e këndej janë më shumë se dyfish në raport me një vit më parë. Në operojmë me dhjetëra autobusë që tashmë po udhëtojnë çdo ditë” pohon Ruzhdi Kurtishaj, pronar i agjencisë turistike “Sharr Travel”.

Ai nënvizon se destinacionet aktuale ku po shkojnë qytetarët e Kosovës janë Greqia, Kroacia, Hungaria, Bullgaria dhe Austria.

“Po e marr shembull Greqinë, pasi është vendi më i vizituar. Vitin e kaluar, në këtë shtet kemi udhëtuar një herë në javë me një autobus, ndërsa aktualisht, udhëtojmë tri herë në javë me gjashtë autobusë.

Thuajse edhe për shtetet e tjera është e njëjta tendencë”, shprehet ai.

Pavarësisht këtij fluksi në rritje për të shkuar drejt vendeve të Europës, z. Kurtishaj shprehet se Shqipëria do të vijojë të mbetet një vend që do të vizitohet nga shqiptarët e Kosovës gjatë verës për shkak të çmimeve të arsyeshme dhe përballueshme.

“Shqipëria është i vetmi destinacion turistik ku ka mundësi çdo qytetar i Kosovës pa marrë parasysh buxhetin familjar, moshës apo statusin gjinor të kalojë një pushim vjetor” shprehet ai.

Heqja e vizave ka shtuar interesin për të udhëtuar në çdo formë transporti, por për Greqinë ku vizitohet kryesisht Selaniku, gjatë fundjavave autobusi mbetet zgjedhja e qytetarëve.

Kapaciteti i një autobusi është nga 50 deri në 80 udhëtarë, ndërsa bileta e kthimit për çdo rrugë, pra nga Prishtina deri në Selanik, apo anasjelltas është 20 euro.

Janë mijëra euro që shpenzohen çdo javë për bileta në agjencitë turistike për të udhëtuar, teksa kjo i ka dhënë nxitje edhe konsolidimit të hallkave të turizmit siç janë agjencitë apo operatorët turistikë.

Në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, janë 757 biznese, përfshirë agjenci udhëtimi, operatorë turistikë e të tjera që merren me turizëm.

Kush po i merr turistët e Kosovës, Greqia qëndron në krye

Në vitin 2018, me 100 euro, një shtetas nga Kosova mund të merrte rreth 130 lekë. Sot, 100 euro këmbehen me rreth 100 lekë, ose rreth 24% më pak, ndërkohë që edhe çmimet e shprehura në lekë janë më të shtrenjta.

Zhvlerësimi i Euros kundrejt Lekut dekurajoi disi turistët e Kosovës që vitin e shkuar për të vizituar Shqipërinë.

Heqja e vizave ishte një arsye për shumë që të shkonin drejt vendeve të reja ku vlera e parasë së tyre nuk humbet.

Udhëtimet e mijëra qytetarëve të Kosovës në këto destinacione të reja janë përfitim për ekonomitë ku po shpenzohen dhe sado që përbëjnë një fraksion të vogël të peshës totale sërish janë një kontribut pozitiv. Por cilët janë në fakt vendet që po përfitojnë më shumë nga ky moment i ri i Kosovës.

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) bëri të ditur se nga janari e këtej, qytetarët e Kosovës e kanë “pushtuar” Greqinë, madje sipas tyre qytetarët po shpenzojnë miliona euro për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë.

“Greqia po bëhet vendi më i preferuar i shtetasve të Kosovës për të vizituar gjatë javës, sidomos pas janarit të këtij viti, që mesatarisht në javët e kaluara kanë ikur mbi 2500 vizitorë për fundjavë, për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë, mesatarisht po shpenzojnë mbi 1 milion euro për konsume, sigurime të makinave dhe blerje” kanë deklaruar nga AKB.

Sipas kësaj të fundit, këto vizita po i bëjnë të mundura edhe ofertat e lira të kompanive turistike.

“Rritja e fluksit të udhëtarëve po bëhet e mundur edhe nga organizimet e ndryshme me autobus të disa kompanive dhe agjencive turistike me oferta të lira nga Kosova për të shkuar në Selanik për vetëm 8 euro”, pohojnë ata.

Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se pas liberalizimit të vizave po përfitojnë disa shtete që tradicionalisht ishin të vizituara nga qytetarët deri rreth viteve ‘91.

“Nga liberalizimi i vizave për Kosovën më së shumti po përfitojnë shtete që tradicionalisht ishin të vizituara nga kosovarët deri rreth viteve ’91 kur shtetet e BE-së aplikojnë viza për ish-Jugosllavinë” pohojnë nga kjo Aleancë.

Fundi i turizmit patriotik, Shqipëria një vend si të gjithë, pushuesit do eksplorojnë

Turizmi patriotik është një term i lakuar shpesh për peshën që ka në vendin tonë. Por duket sikur kjo formulë e turizmit patriotik funksionon vetëm për njërin kah, pra pritshmëria që shqiptarët e Kosovës të vijnë drejt Shqipërisë, ndërkohë nuk ndodh e njëjta pritshmëri për shqiptarët e Shqipërisë drejt Kosovës.

Oferta e dy vendeve sigurisht është e ndryshme dhe në favor ka qenë gjithmonë bregdeti, por reciprociteti edhe në një nivel më modest ka munguar.

Liberalizimi i vizave e bën më të barabartë tregun tonë turistik përballë Kosovës, e cila ka më shumë alternativa dhe do të zgjedhë të shkojë aty ku e sheh të arsyeshme.

Kjo nuk do të thotë që do të braktisë Shqipërinë, por në këtë fazë, turisti i Kosovës nuk do të bëjë një “zgjedhje” të detyruar patriotike, por një zgjedhje të ndikuar nga çmimi, shërbimi dhe oferta e përgjithshme turistike.

“Mendoj se turizmit patriotik i ka ardhur fundi. Pushuesit e Kosovës nuk do t’i largohen Shqipërisë, por gjithnjë e më shumë do të eksplorojnë alternativat e tjera si Greqia dhe vendet e BE me ture ditore apo fundjava.

Shqipërisë do t’i largohet gjithnjë e më shumë turisti i shtresës së mesme dhe të pasur në Kosovë për arsyet që përmendëm më lart.

Çdo e keqe ka dhe të mirat e saj. Tashmë është fakt rritja e numrit të lëvizjeve të udhëtarëve të huaj, kryesisht nga BE në katërmujorin e parë 2024, që paguajnë më shumë. Sidomos, lëvizjet individuale, janë të dukshme.

Kjo do të përmirësojë bilancin e të ardhurave për Shqipërinë në sektorin e turizmit dhe udhëtimit”, – shprehet Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.

Në Shqipëri, sipas tij, do të vijojnë të pushojnë ata që e shohin të arsyeshme për çmimet dhe nën rritjen e dukshme të numrit të huajve në vendin tonë, familja që kërkon pushime ekonomike do të zhvendoset në zonat ku gjen këto çmime.

“Hotelet në zonën e Durrësit, Golemit dhe Vlorës përmirësuan standardet dhe rritën gradualisht çmimet e paketave turistike dy vitet e fundit deri në masën 35%.

Kjo rritje çmimesh rezultoi për dy arsye objektive: rritja e pagave për personelin e shërbimeve dhe rënia e ndjeshme e Euros me rreth 27%.

Reflektimi ishte i dukshëm, pushuesit kosovarë lëvizën drejt zonave më ekonomike dhe u zëvendësuan nga pushues polakë, spanjollë, francezë dhe italianë”, – nënvizon z. Topuzi.

UTK, Hoti: Numri i turistëve të Kosovës në Shqipëri do të pësojë tkurrje

Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, thotë se liberalizimi i vizitave sapo ka nisur të japë ndikimin e parë dhe sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë filluar të udhëtojnë e planifikojnë udhëtime nëpër shtete të ndryshme të botës.

Z. Hoti thotë se heqja e vizitave ka pasur ndikim negativ te Shqipëria, pasi ka rënë dhe do të vijojë të bjerë numri i turistëve.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj ka ndikuar te zvogëlimi i numrit të vizitorëve drejt Shqipërisë. Kjo pasi qytetarët tashmë e kanë mundësinë e lëvizjes së lirë dhe eksplorimit të vendeve dhe shteteve të tjera, që deri më tani nuk kanë mundur t’i vizitojnë”.

Sipas Hotit, një numër i madh i qytetarëve janë duke shkuar në Greqi, Bullgari e Kroaci.

“Një numër shumë i madh i kosovarëve janë duke lëvizur drejt Greqisë, Bullgarisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera europiane, për të kaluar fundjavat. Ata po ashtu janë edhe duke planifikuar që pushimet e verës t’i kalojnë në këto shtete.

Kjo bëhet për të provuar diçka të re, që deri tani nuk kanë pasur mundësi, për shkak të vizave”.

Hotelet: Janar-prill 2024, më mirë se vjet, por qasja e tregut të Kosovës ka ndryshuar

Strukturat hoteliere që kanë kapacitete të larta në zonën e Golemit dhe Shëngjinit po operojnë prej vitesh me kontrata të parapaguara. Kjo do të thotë se në mes të sezonit veror aktual nënshkruhen kontratat për sezonin ose dy sezone të ardhshme dhe bëhet një parapagesë.

Tregu kryesor i kësaj forme është ai polak dhe çek. Tregu nordik, që prej disa vitesh ishte në këtë formë dhe u kthye në një formë më pak angazhuese pra paguaj sa sjell, duket se është rikthyer.

“Ka qenë padyshim periudhë më e gjallëruar sesa vitet e tjera. Golemi para sezonit ka pasur lëvizje kryesisht nga turistët individualë, por edhe të organizuar, ndërsa gjatë verës dominojnë kontratat me garanci të paktën për hotelet e mëdha.

Në strukturë kemi pasur grupe të organizuara të nordikëve që kanë nisur të vijnë nga 13 prilli dhe vazhdojnë me rezervime deri në 30 maj. Janë grupe të mëdha që qëndrojnë kryesisht një javë.

Përgjithësisht janë klientë të cilët e kanë vizituar Shqipërinë në tetor pra nga 5 tetori deri në fund të muajit, por këtë herë, për herë të parë kanë ardhur dhe në pranverë”, shprehet Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve

“Royal G”. Ai pohon se rritja e numrit të të huajve ka kompensuar mungesën e turistit të Kosovës, që në numër në muajt e parë të vitit ka qenë më i ulët sesa në raport me një vit më parë.

“Kosova mund të themi se ka pasur një rënie 80% në raport me atë që jemi mësuar të shohim vit pas viti. Kjo rënie mendoj se është ndikuar nga heqja e vizave, pasi u vu re menjëherë pas kësaj date.

Kjo rënie është ndier sidomos nga hotelet e Durrësit sepse të gjithë qëndronin hapur, duke amortizuar kostot me atë pak qarkullim që kishin. E vetmja periudhë kur u vu re një prani më e lartë e shqiptarëve të Kosovës ishte për Bajram, pra pas Ramazanit”, – do të nënvizonte z. Norja në një intervistë më të hershme për “Monitor”.

Në vend nuk kanë munguar turet e organizuara nga Europa, vendet aziatike madje edhe nga tregu amerikan, që ka një prani më të shtuar madje edhe në zonën e Shëngjinit.

Bledar Shima, Menaxher, “Maritim Rafaelo Resort” thotë se gjatë kësaj periudhe ka pasur një numër të konsiderueshëm të turistëve gjermanë, por edhe amerikanë, ashtu siç nuk ka munguar tregu i Kosovës, madje me rritje në raport me një vit më parë.

“Është disi e çuditshme pasi nuk kanë qenë një grup turistësh (amerikanët) që e hasje. Këta të fundit vijnë për plazhin, për ushqimin. Te struktura vlerësojnë shumë edhe shërbimet e integruara, siç janë pishina e brendshme apo edhe aspekte të tjera.

Ka pasur italianë që vijnë individualisht gjithashtu si dhe diaspora e Kosovës që është gjithashtu shumë e pranishme edhe gjatë sezonit të verës te ne. Ndërkohë Kosova ka pasur vizitorë që vijnë përmes agjencive. Krahasuar me një vit më parë, mendoj se ka qenë edhe më mirë periudha e 4 muajve të këtij viti.

Kjo ka ardhur edhe falë bashkëpunimit dhe ofrimit të paketave me mëngjes dhe darkë pra ‘half board’ që parapëlqehen në masë.. Drekën e kanë të lirë pasi lëvizin gjatë ditës”, theksoi ai./ Monitor.al

Etiketa: KosovaMonitorpatriotikturizmiviza

Lajme të lidhura

BOTA

Danimarka konfirmon dërgimin e të burgosurve në Kosovë më 2027

13:04 : 04/06/2025
BOTA

Dështon për të 26-n herë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

11:36 : 04/06/2025
RAJONI

Mbi 21 mijë foshnja kanë ardhur në jetë në një vit në Kosovë, më shumë meshkuj

08:28 : 04/06/2025
AKTUALITET

Turizmi rrit çmimet, shqiptarët do të paguajnë edhe më shumë për ushqimet

20:05 : 03/06/2025
AKTUALITET

REL: Si po e shfrytëzon Kina tërheqjen e Perëndimit për të zgjeruar praninë në rajon?

19:38 : 03/06/2025
BOTA

Pse Vatikani nuk e njeh shtetin e Kosovës?

09:38 : 01/06/2025
Para

Hysaj beson ende tek kualifikimi: Asgjë nuk është e pamundur

TË GJITHA

Kultivoi parcelë me 223 fidanë kanabis, vihet në pranga 24-vjeçari në Fier

09:50 : 06/06/2025

Vlorë – I moshuari harron sobën ndezur, përfshihet nga flakët banesa

09:42 : 06/06/2025

Pas perdes së fushatës/ Gratë kandidate u sulmuan me gjuhë seksiste dhe denigruese

09:27 : 06/06/2025

Moska godet Kievin, raketat bien mbi Ukrainë, katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

09:25 : 06/06/2025

Tre shqiptarë grabisin një farmaci por përplasen me automjetin e një polici gjatë arratisjes, 4 të vdekur

09:17 : 06/06/2025

Biznesi po merr më pak kredi për investime, por huaja për prona vazhdon rritjen

08:54 : 06/06/2025

Gjermanët nuk i besojnë SHBA-së dhe Izraelit

08:53 : 06/06/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com