Nga Boldnews.al
Disa deputetë të Parlamentit të Shqipërisë duhet të jenë përballë Altin Dumanit dhe prokurorëve të tjerë të posaçëm në zyrat e SPAK-ut. Por, një pjesë e mirë e tyre u ulën dhe dëgjonin me vëmendje raportimin e kreut të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion në mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe atij të Sigurisë Kombëtare.
Madje, disa syresh, edhe i bënë pyetje, i shprehën konsiderata dhe dhanë konsiderata servilosëse.
“Boldnews.al” bëri një përmbledhje të deputetëve që u vendosën në mbledhjen parlamentare para kreut të SPAK-ut, por që, në rastin më të mirë, duhet të kishin zgjedhur të mos ishin të pranishëm në atë takim.
1. Fatmir Xhafaj, i vetëquajturi “Babai i Reformës në Drejtësi”, ishte një ndër deputetët socialist që mbajti komentin më të madhe dhe numrin më të madh të pyetje për Altin Dumanin dhe kolegët e tij prokurorë, Adnan Xholi e Klodian Braho.
Xhafaj është subjekt i ligjit “Antimafia”, për shkak se është vëllai i Geron Xhafaj, një eksponent i krimit të organizuar në Vlorë, i dënuar në Itali për përfshirje në grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike në Itali.
Operacioni “Forca e Ligjit” (OFL), i inicuar në fillim të vitit 2020, parashikonte hetim pasuror për të gjithë subjektet e krimit të organizuar dhe familjarëve të tyre të afërt. Disa vite më parë, u përmend shkarazi në media se struktura e OFL-së i dërgoi Geron Xhafaj dhe familjarëve të tij (përfshirë edhe vëllain Fatmir Xhafaj), formularin për vetëdeklarimin e pasurisë, i cili më pas do i nënshtrohej hetimeve nga SPAK-u.
Nuk ka asnjë detaj nëse SPAK-u ka kryer hetim pasuror ndaj vëllezërve Fatmir e Agron (Geron) Xhafaj, edhe pse kanë kaluar 4 vjet. Tashmë, deputeti Fatmir Xhafaj qëndron para kreut të SPAK-ut dhe bën filozofime mbi forcimin e luftës kundër kriminalitetit.
2. Olta Xhaçka, deputetja e Partisë Socialiste, ish-ministre e Mbrojtje dhe e Jashtme, është subjekt dy herë në hetimet e SPAK-ut. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, janë pjesë e hetimit për tjetërsimin e një sipërfaqe toke në Dhërmi, ku më pas kryeministri Edi Rama i shpalli “investim strategjik”.
Për këtë çështje mbahet në burg ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, ndërkohë që trualli i “investimit strategjik” është vendosur nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme.
Olta Xhaçka është gjithashtu pjesë e një hetimi të zhvilluar nga SPAK-u për procedurat e zhvilluara nga Ministria e Mbrojtjes, kur drejtohej nga Xhaçka, lidhur me tjetërsimin e portit të Limionit në Sarandë, i cili u dha për “investim strategjik”.
3. Eduard Ndreca, deputeti socialist i Lezhës që përmendet në dosjen “Metamorfoza 3”, ishte gjithashtu i vëmendshëm në raportimin më të fundit të Altin Dumanit në Parlament.
Të dhënat e dosjes hetimore tregojnë një pasazh, në të cilat Arian Tuku, dhëndri i ish-deputetit Arben Ndoka, diskuton në Tetor të vitit 2020 me një bashkëpunëtorin e tij, për sigurimin e një ngarkese prej rreth 300 kg lëndë narkotike, kanabis.
Tuku thotë se për këtë ngarkesë ka folur me “Edin”, të cilin SPAK-u e identifikon si kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë në atë kohë (viti 2020).
Për arsye të pavarura prej tyre, takimi me Arian Tukut dhe “Edit” nuk kryhet. Por, Tuku e siguron këtë ngarkesë nga Armando Ndreca, vëllai i “Edit”.
Të gjithë të dhënat tregojnë se “Edi” është deputeti aktual i Partisë Socialiste, Eduard Ndreca. Gjatë operacionit “Metamorfoza 3”, SPAK-u lëshoi urdhër arresti për Armando Ndrecën, por mesa duket nuk pati letër mjaftueshëm për të vënë pas hekurave edhe deputetin Ndreca. Dhe, ky i fundit është i lirë të shkoj në Parlament, për më tepër të qëndrojë para kreut të SPAK-ut.
4. Damian Gjiknuri, deputet socialist, ish-Ministër i Energjitikës, është një prej emrave kyç në atë që konsiderohet si “afera e inceneratorëve”. Ai është në top-listën e personave të kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike, pas përfundimit të punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e impianteve të djegies së mbeturinave.
Deri më tani, Gjiknuri është lënë jashtë listës së personave të hetuar dhe ai u shfaq në mbledhjen parlamentare, duke i kërkuar “llogari” kreut të SPAK-ut, gjatë seancës raportuese të zhvilluar këtë të Mërkurë (22 maj 2024).
5. Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë, është prej muajsh nën hetim nga SPAK-u, nën dyshimet e pastrimit të parave. Sipas raportimeve mediatike, Kryemadhi është pjesë e hetimeve për pasurinë e saj, si edhe për një lobim të kryer për zhvillim takimesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me bashkëshortin e saj, ish-Presidentin Ilir Meta.
Kryemadhi ishte gjithashtu pjesë e mbledhjes së përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Sigurisë, ku raportuan drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme.
6. Xhemal Qefalia, deputet i Partisë Socialiste, i kallëzuar në SPAK së bashku me familjarë të tij të afërt për përfitime të dyshimta nga fondet e Bashkisë së Tiranës.
Ai ishte deputeti që, për shkak të pozicionit të tavolinës, qëndronte më afër kreut të Prokurorisë së Posaçme, kur ky i fundit raportonte shifrat e aktivitetit institucional për vitin 2023.
Pas një “inflacioni” të tillë deputetësh, subjekte të SPAK-ut, ndoshta do të ishte më mirë që Altin Dumani të kërkonte që të mos raportonte në atë sallë, derisa këta individë të mos ishin pjesë e seancës dëgjimore.
Por, as deputetët, subjekte të SPAK-ut, nuk dolën nga salla, dhe as Dumani nuk refuzoi të raportonte para tyre. Dhe kështu, çdo gjë shkoi mirë e bukur, sikur të mos ketë ndodhur asgjë.