Është zbardhur dëshmia e 69-vjeçarit Thoma Mastora, i cili akuzohet si autor i vrasjes së çiftit të të moshuarve Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe në fshatin Bodrishtë të Dropullit, të cilët u gjetën të pajetë në banesën e tyre të goditur me sende të forta.
Thoma Mastora ka mohuar para grupit hetimor se është ai autori i vrasjes së dy bashkëfshatarëve të tij, pavarësisht provave të gjetura brenda banesës së çiftit.
“Nuk jam unë personi që kam kryer krimin, kërkojeni diku gjetkë”, ka deklaruar 69-vjeçari. Përpos kësaj fjalie, ai nuk ka pranuar që t’i përgjigjet asnjë pyetje tjetër.
Thoma Mastora pritet që të dalë nesër para Gjykatës së Gjirokastrës, për t’u vlerësuar masa e sigurisë nga Prokuroria Rajonale, që me shumë mundësi do të japë për të qëndrim në burg pa afat.
Ndërkohë bashkëshortja e tij, në një prononcim për mediat, ka kërkuar që të vendoset drejtësia dhe në rast se ai ka vrarë çiftin e bashkëshortëve Ilia, të dënohet me vdekje. 73-vjeçarja Eftiqia Mastora tha se nuk ka asnjë dijeni mbi shkaqet që mund te kenë çuar bashkëshortin e saj drejt dhunimit për vdekje të çiftit të bashkëfshatarëve.
“Nuk kam çfarë iu them tjetër, kërkoj ndjesë! Nuk kam çfarë të bëj më, më thoni edhe juve çfarë të bëj? Mua ai më mbaroi tani, nuk më del inati, me sëmundjet e mia, shqetësimet e mia. Nuk ka më asnjë punë me mua”- tha e moshuara.
Ajo zbuloi më tej se autori kishte marrë edhe kredi dhe u shpreh se kishte frikë se mos mbetej pa shtëpi.
“Kishte marrë edhe kredi, kam frikë se do më lërë pa shtëpi. Më tha policie ç’punë ke me bankën. Unë nuk di gjë u thashë, kishte marrë kredi. Nuk e di çfarë të bëj, u çmenda fare. Kush e ndihmoi që e mori atë kredi? Unë ta takoj atë? Për çfarë, çfarë t’I them që more në qafë dy pleq? Çfarë t’i them e shkreta unë? Ai mori kredi, 1 milionë e gjysmë i kam dhënë unë për makinë se u çmend donte makinë. I kam marrë te motra ime dhe ia kam dhënë. Dua të interesoheni ku ka marrë kredi dhe kush e ndihmoi dhe ku i ka çuar?”- u shpreh 73 vjeçarja.
Kujtojmë se kanë qenë ekzaminimet daktiloskopike dhe biologjike ato që kanë zbuluar veprimet e autorit Thoma Mastora në vrasjen e të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia.
Autori ditën e ngjarjes kishte qenë në shtëpinë e të moshuarve, ku shkonte çdo ditë. Një gotë rakie që 69-vjeçari kishte konsumuar në shtëpinë e të moshuarve, ka çuar edhe në identifikimin e tij.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit, por edhe mosmarrëveshjeve që autori ka pasur me 84-vjeçarin prej disa kohësh.
Ditën që ka ndodhur ngjarja autori ka shkuar në shtëpinë e viktimave, në diskutim e sipër kanë nisur të debatojnë dhe konflikti ka degraduar në dhunë, ku 69-vjeçari i ka goditur të dy për vdekje.
Kujtojmë që çifti i të moshuarve Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe u gjetën të vdekur mëngjesin e datës 2 Maj në oborrin e shtëpisë së tyre, në fshatin Bodrishtë të Dropullit.