Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka reaguar për ngjarjen tepër të rëndë në Shkodër, ku një grua dyshohet se është vetëflijuar me 3 fëmijët e saj, pas dyshimeve se bashkëshorti i saj ushtronte dhunë ndaj saj.
Koçiu shprehet se është thellësisht e tronditur nga ngjarja. Ajo thekson se ngjarja është një akt burracakësh, duke shtuar se dhuna është e papranueshme në çdo formë që ajo shfaqet.
Postimi i ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu:
Thellësisht e tronditur dhe e trishtuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Shkodër, ku sipas dyshimeve paraprake, dhuna e përsëritur fizike dhe psikologjike ka shtyrë një nënë në një akt makabër vetflijimi.
Dhuna, në të gjjtha format e saj është një fenomen i papranueshëm. Është një akt burracakësh! Është një mënyrë që cënon bërthamën e familjes dhe ata që kanë më pak forcë të mbrohen, nënat dhe fëmijët!
Në të njëjtën kohë, kjo tragjedi rikthen në qendër të vëmendjes debatin rreth rëndësisë së shëndetit mendor. Depresioni, në të gjitha format në të cilat manifestohet dhe pavarësisht arsyeve që e shkaktojnë atë, është një barrë e rëndë për çdo individ të prekur dhe për vetë shoqërinë tonë.