Mazhoranca ka votuar kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, për konfliktin e interesit pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik.
Votimi në Kuvend ka qenë 39 vota pro, asnjë abstenim dhe 72 vota të mazhorancës kundër. Kështu, pasi e zvarriti dhe e mbajti për më shumë se një viti në sirtarin e kryeparlamentares Lindita Nikolla, tashmë mazhoranca ka dalë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetues për të mbrojtur mandatin e deputetes Xhaçka.
Kjo e fundit do e gëzojë mandatin në Kuvend, deri në fund të legjislaturës, me përjashtim të ndonjë rasti nëse SPAK kërkon arrestimin e saj, edhe pse ka qenë në konflikt interesi kur e sjhpalli bashkëshortin e saj, investitor strategjik.
Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.
Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.
Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan në qershor të vitit 2022 heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës për përfitime antiligjore nëpërmjet statusit të investitorit strategjik dhënë bashkëshortit të saj. Kjo kërkesë erdhi pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.
Më vonë, Gjykata kushtetuese i kërkoi Kuvendit të dërgonte në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës, por në qershor të 2023-it, anëtarët socialistë në Këshillin e Legjislacionit kërkuan që të rikthejnë në pikën zero diskutimin për këtë çështje duke propozuar rimarrjen në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.
Prej më shumë se një viti, kjo çështje rrinte në sirtarët e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, duke moszbatuar vendimin e Kushtetueses. Tashmë, edhe më keq, publikisht, jo vetëm Nikolla, por e gjithë mazhoranca në bllok, me urdhër të Ramës u kthyen në mburojë të mandatit të Olta Xhaçkës dhe nuk zbatojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës.
Për çështjen në fjalë, SPAK ka sekuestruar të gjithë sipërfaqen e tokës që i ishte falur ish-deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.
Gjithashtu, në burg për këtë çështje ndodhet dhe ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të shoqërisë private të zotëruar nga Artan Gaçi.
Po ashtu, edhe vetë Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij deputete Olta Xhaçka kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me këtë çështje që vijon të jetë në hetim.
Pas përfundimit të seancës së sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh për mediat, se e sotmja është ditë e zezë për Shqipërinë dhe Parlamentin, lidhur me vendimin që mori mazhoranca për Xhaçkën.
Sipas Bardhit, Rama, i dërgoi një mesazh mafioz SPAK-ut që të mos e prekë Olta Xhaçkën në lidhje me çështjen në fjalë.
“Pa diskutim unë nuk pres nga Edi Rama, e kam ditur mirë raportin që ka me dretsiën dhe zbatimin e parimeve të shtetit ligjor. Heshtja do të thotë të mbështesin grisjen e një vendimi të GJK. Kodi me mesazhi mafioz që Rama i përcolli Prokurorisë së Posaçme është që nuk mund ta prekë Olta Xhackën. Nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka asnjë dallim mes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe GJKKO. Prandaj në ditën e vdekjes së diktatorit, vdiqën kushtetutshmërinë në vend dhe reformën ne drejtësi. Ditë e zezë për Shqipërinë dhe Parlamentin. Duhet të marrim një vendim nëse duhet t’i drejtohemi GJK. Ne duhet të marrim një vendim nëse duhet t’i drejtohemi më Gjykatës Kushtetuese. Nga sot nuk e kuptoj se për çfarë do të paguhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Nëse vendimet e tyre nuk zbatohen, e marrin pagën kot.
Rahmet pastë reforma në drejtësi. Çdo vendim gjykate përfshirë atë supreme e kushtetuese që cënon interesin personal të Ramës apo bashkëpunëtori të tij nuk ka asnjë vlerë griset në sytë e çdo qytetari të republikës së Shqipërisë Gjykata Kushtetuese u asgjësua me votë të PS në Kuvend. Nëse Xhaçka nuk zbaton në vendimin e gjykatës kushtetuese, Rama nuk e zbaton, pse duhet shqiptarët të zbatojnë një vendim të gjykatave të zakonshme. Sot ka rënë çdo garanci kushtetuese për çdo qytetar” – tha Bardhi.
Ndërkohë, Olta Xhaçka sot në Kuvend, duke e ditur mburojën që do t’i bënin kolegët e saj, filloi të sulmonte dhe ofendote duke i quajti gazetarët “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”, ndërsa kolegët opozitarë si “lecka”.