Nga Boldnews.al
Gjykata e Lartë sugjeron pushimin e çështjes së vulës së Partisë Demokratike, si një nga alternativat e vendimit gjatë rishqyrtimit të rastit në Apel. Një zgjidhje e tillë do të shtynte procesin gjyqësor për vite me radhë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështet qëndrimin që Gjykata e Apelit mund të pushojë gjykimin për regjistrimin e ndryshimeve statutore të Partisë Demokratike, derisa palët në konflikt, Rithemelimi i Sali Berishës dhe grupimi “Basha-Alibeaj” të zgjidhin me padi themeli se kush e drejton forcën politike.
“Në rast se Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se në themel të këtij gjykimi, qëndron përcaktimi se kush është juridikisht organi ligjor që përfaqëson tek të tretët subjektin juridik PDSH, kjo gjykatë (Apeli), duhet të kishte vendosur pushimin e gjykimit, duke orientuar palët që të zhvillojnë një gjykim themeli mes tyre (gjykim kontencioz), thotë Gjykata e Lartë në vendimin e datës 27 dhjetor 2023 dhe të zbardhur në fillim të kësaj jave (18 mars 2024).
Në vijim të këtij argumenti, Gjykata e Lartë shprehet gjithashtu: “Në rast se ndonjë subjekt i tretë pretendon se cënohet nga regjistrimi i këtyre akteve për ndryshimet statutore, ka detyrimin që të paraqesë padi themeli, në mënyrë që gjykata të vlerësojë themelin e mosmarrëveshjes dhe të përcaktojë në mënyrë përfundimtare se kush është subjekti që mbart të drejtën dhe kush ka tagrat e përfaqësimit ligjor të personit juridik ndaj të tretëve…”.
Në terma më të thjeshtë, ky orientim i Gjykatës së Lartë për Gjykatën e Apelit do të thotë që të pushohet çështja për regjistrimin e ndryshimeve statutore, dhe palët, pra Partia Demokratike e Rithemelimit dhe grupimi “Basha-Alibeaj” t’i drejtohen gjykatës së Tiranës me një padi themeli për t’u përcaktuar se cili do të jetë grupimi “fitues”. E më tej, grupimi “fitues” të regjistrojë ndryshimet e veta statutore.
Shqyrtimi i një padie të tillë në themel, do të thotë që secila palë humbëse në shkallën e parë, do t’i drejtohet Apelit, e më tej Gjykatës së Lartë e ndoshta edhe deri në Kushtetuese. Duke përfshirë edhe rikthimet e mundshme të çështjes së themelit mes këtyre gjykatave, një rutinë e tillë gjyqësore, në një sistem gjyqësor me ngarkesë shumë të madhe, fati i “vulës së PD-së” do të dojë vite, në mos edhe ndonjë dekadë.
Gjykata e Lartë pranoi padinë e Partisë Demokratike-Grupi i Rithemelimit, në të cilin kërkohej shfuqizimi i vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila, nga ana e saj, riktheu çështjen e vulës së PD-së në shkallën e parë.
Tashmë, çështja u rikthye në Apel dhe pritet të shqyrtohet nga një trupë me kryesuese Alma Ahmeti dhe anëtare Elona Toro dhe Iliba Bezat.
Zinxhiri gjyqësor
Në 27 Dhjetor 2023, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me kryesues Artur Kalaja dhe anëtar Ervin Pupe e Dariel Sina, vendosi të pranonte kërkesën e Rithemelimit për prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila në mars të vitit të kaluar vendosi të rikthente për gjykim në shkallën e parë çështjen e regjistrimit të statutit të Partisë Demokratike.
Në 18 Mars 2022, gjyqtari i Tiranës, Agron Zhukri, vendosi të pranonte kërkesën e Rithemelimit për regjistrimin e vendimeve të Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, në bazë të të cilave u shkarkuan Lulzim Basha dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike.
Pas këtij vendimi, pala e Lulzim Bashës regjistroi kërkesën për ankimin e çështjes në Gjykatën e Apelit. Gjyqtarja Blerina Muça, me një vendim të datës 22 Prill 2022, vendosi t’i njohë grupimit të Bashës të drejtën e ankimit, megjithëse nuk ishte palë në procesin për regjistrimin e statutit të Rithemelimit.
Të dyja palët iu drejtuan Gjykatës së Apelit. Partia Demokratike-Rithemelimi kundërshtoi vendimin e gjyqtares Muça që njihte si palë grupin “Basha-Alibeaj”. Ndërsa këta të fundit kundërshtonin vendimin e gjyqtarit Zhukri që njihte “Rithemelimin” si strukturë drejtuese të Partisë Demokratike.
Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2023, vendosi të rikthente çështjen për gjykim në shkallën e parë, duke pretenduar se gjyqtari Zhukri kishte marrë vendim në shkelje proceduriale.
Partia Demokratike-Rithemelimi ushtroi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit.
Gjykata e Lartë, në vendimin e marrë në 27 dhjetor 2023 dhe të zbardhur vetëm në fillim të kësaj jave (18 mars 2024), vendosi ta rikthejë çështjen për shqyrtim në Apel.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstatoi një seri shkeljesh në vendimin e trupës së Apelit.
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, aktualisht mbetet në fuqi verdikti i gjyqtarit Zhukri, që njohu Rithemelimin si drejtues të Partisë Demokratike. Por, vendimi i Zhukrit nuk është përfundimtar.
Për këtë pikë, ka dhënë një lloj sqarimi edhe Gjykata e Lartë, ku, mes rreshtave, kuptohet se Lulzim Basha njihet si kryetar i Partisë Demokratike, pavarësisht se ai kishte dhënë dorëheqjen në kohën e nisjes së kësaj beteje ligjore.
“…Në arritjen e konkluzionit se kush është organi kompetent që përfaqëson në këtë rast PDSH, Gjykata e Apelit nuk duhet ta kufizonte dhe ngushtonte shqyrtimin gjyqësor, duke vlerësuar faktin nëse dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha është kryer në formën shkresore dhe a ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike.
Për të pasur një gjykim të drejtë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe për të kuptuar drejtë natyrën e këtij gjykimi, Gjykata e Apelit duhet të merrte në shqyrtim dhe të analizonte nga pikëpamja e ligjit dhe e faktit se, çfarë vlere provueshmërie dhe juridike kanë: …aktet e prodhuara nga organet zgjedhore KQZ dhe KAS për aq sa ato mund të konsiderohen se ndikojnë në mosmarrëveshjen objekt shyqrtimi; si dhe vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor…”.
Gjykata e Lartë nuk e thotë shprehimisht, por, duke iu referuar vendimmarrjes së KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, këto të fundit kanë njohur Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike në aktet e tyre, të përgatitura për zgjedhjet e fundit të zhvilluara në vend, ato të 14 Majit 2023.
Ku e shkeli Apeli
Për të kuptuar se përse e riktheu Gjykata e Lartë çështjen për rigjykim, fillimisht duhet risjellë në vëmendje se çfarë vendosi Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit pranoi të shqyrtonte ankimin e grupit “Basha-Alibeaj”, duke argumentuar se vendimi i gjyqtares së shkallës së parë, Blerina Muça, për pranimin e tyre si ankimues ishte i pakundërshtueshëm dhe i formës së prerë.
Ndërsa thelbi i rikthimit të çështjes në shkallë të parë lidhej me meritat e gjyqtarit Zhukri.
Gjyqtari Zhukri, pasi mori kërkesën e grupit të Rithemelimit për regjistrimin e ndryshimeve statutore, i paraqiti dorëheqjen kryetarit të Gjykatës, me argumentin se kishte njohje me Sali Berishën.
Kryetari i Gjykatës së Tiranës nuk e pranoi dorëheqjen, pasi nuk plotësoheshin kushtet ligjore. Për Gjykatën e Apelit, fakti që Zhukri kishte njohje personale me Berishën shkelte parimin e paanësisë dhe objektivitetit në gjykim dhe për këtë arsye u vendos rikthimi për shqyrtim në shkallë të parë, por me një trup gjykuese tjetër.
Argumentat e përdorur nga Gjykata e Apelit u konsideruan si shkelje nga Gjykata e Lartë.
Sa i përket pranimit apriori të grupit “Basha-Alibeaj” si palë ankuese, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë argumenton se është i gabuar.
“Nga aktet e administruara në dosje, Kolegji konstaton se Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, i cili pretendon se mbart të drejtat për të përfaqësuar PDSH tek të tretët, nuk rezulton që të ketë bërë kërkesë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për tu futur në këtë proces gjyqësor në formën e personit të interesuar apo ndërhyrësit kryesor apo dytësor. Nuk rezulton gjithashtu i provuar fakti, që gjykata e shkallës së parë të ketë thirrur kryesisht në gjykim z.Lulzim Basha në cilësinë e Kryetarit të PDSH, si dhe ta ketë legjitimuar atë nga pikëpamja formale dhe procedurale si palë në gjykim, edhe pse ky i fundit, i ka drejtuar gjykatës kërkesë me shkrim për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes në shkallë të parë, si dhe pushimin e gjykimit të kërkesës për regjistrimin e vendimeve të marra në Këshillin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021”, thotë Gjykata e Lartë.
Në vijim të këtij argumenti, thuhet se: “Në momentin që gjyqtari i vetëm (Blerina Muça, shën.red) ka vendosur “pranimin e ankimit”, gjykata rishikuese e cila ka në kompetencë funksionale që të bëjë shqyrtimin e këtij mjeti ankimi, nuk është e lidhur detyrimisht me vullnetin e gjyqtarit të vetëm, por ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhe kryesisht plotësimin e kushteve dhe kritereve formale të mjetit të ankimit”.
Gjykata e Lartë thotë gjithashtu se Gjykata e Apelit ka gabuar, kur ka rishikuar vendimin e kryetarit të Gjykatës së Tiranës, i cili refuzoi dorëheqjen e paraqitur nga gjyqtari Agron Zhukri.
Kolegji Civil konstaton se Gjykata e Apelit e ka marrë kryesisht, pra me iniciativën e saj, çështjen e papajtueshmërisë së gjyqtarit Agron Zhukri, pasi ky pretendim nuk rezulton që të jetë pretenduar nga pala që ka ushtruar ankimin.
Grupi “Basha-Alibeaj” ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Zhukri në shkallën e parë. Kjo kërkesë u rrëzua dhe, siç rezulton nga dosja gjyqësore, nuk ka pasur ankim në Apel për këtë episode. Ndaj, Gjykata e Apelit, nuk mund ta merrte në shqyrtim meritën e gjyqtarit Zhukri, përsa kohë ajo nuk ishte investuar me ankim.
Për shkeljet në trajtimin e vendimit të gjyqtares Muça dhe të gjyqtarit Zhukri, si edhe për elementë të tjerë procedurialë që rrjedhin nga këto dy piketa, Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes në Gjykatën e Apelit.