Një lëvizje aktivistësh dëshiron të shkulë dyqanet e gjithëpërhapura të basteve dhe sallat e automateve të bixhozit. Rregullore të lehta, korporata austriake dhe një cirk ligjor i ka zënë atyre rrugën.
Nisi si një nga shumë netët e pijes në Shkup. Katër burra u takuan një darkë për të pira dhe për të luajtur. Ata vajtën te një kazino ku dy prej tyre nisën një sherr. “Ata nisën të bërtasin dhe të shtyjnë njëri-tjetrin,” i tha policisë një dëshmitar. Pastaj, njëri prej tyre nxorri një pistoletë dhe e la tjetrin të vdekur në vend. Një portal lajmesh i zonës e raportoi krimin me një lajm të shkurtër, të copy-paste nga njoftimi i policisë. Vrasja iu atribuua një mosmarrëveshjeje për një borxh të pashlyer.
Shkupi nuk është i famshëm për sherre me armë; incidentet me vdekje vijojnë të gjejnë hapësirë te lajmet. Por ky lloj dhune ka tendencën të jetë rrjedhojë e botës së krimit të organizuar. Protagonistët tipikë në këto lajme – ata që vrasin dhe ata që vriten – kanë lidhje me botën e krimit. Nga ana tjetër, viktima e sherrit në kazino nuk kishte një të shkuar të njohur si gangster. Policia e përshkroi atë thjeshtë si një dyzet e gjashtë vjeçar banor i kryeqytetit maqedonas. Vrasja e tij shikohet si pjesë e një vale krimi përreth industrisë së bixhozit, e cila është aktualisht në lulëzim dhe që pretendon të jetë tërësisht brenda ligjit.
“Roja e kazinosë shmang goditjen me thikë nga një sulmues në Kumanovë.” “Një burrë u ther me thikë në një sherr në Radovish.” “Policia arreston shpërndarësin e kokainës jashtë kazinosë së Tetovës.” “Sulm bandash kundër një burri në kazino në fshatin Mogila.” “Grabitësit sulmojnë kazinonë e Strugës.” Këto janë disa tituj lajmesh të përzgjedhura nga një periudhë njëmujore e vitit të kaluar dhe që dëshmojnë larmishmërinë e madhe të krimeve të regjistruara përreth industrisë së kazinove. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë tha se nuk disponon të dhëna të sakta mbi krimet e lidhura me kazinotë. Por një kërkim i shpejtë i titujve të lajmeve përgjatë dy viteve të fundit sugjeron se policia i është përgjigjur gjashtë deri në dhjetë incidenteve të tilla të lidhura me kazinotë çdo muaj.
Termi “kazino” përdoret me dorëgjerësi këtu për të përfshirë edhe qindra njësi modeste dhe disi vulgare bixhozi, të cilat janë bërë tipar kryesor i panoramës urbane në këtë pjesë të evropës. Një milionë kilometra larg resorteve të Rivierës Franceze dhe Alpeve Zvicerane, kazinoja tipike në këtë vend ooperon nëpër mjedise të vogla komerciale krahas një dyqani ushrimor lagjeje apo restoranti. Reklamat e saj projektojnë imazhin e një bote luksi të llojit James Bond: Stendat në rrugë shfaqin makineri rulete, makina sportive dhe gra tërheqëse të veshura me fustane mbrëmjeje. Realiteti brenda tyre gjithsesi është dukshëm aspak ekzotik. Radhë me burra të lagjes të fiksuar para ekraneve të ndezur të automateve të bixhozit.
Sektori i bixhozit po shijon fitore të njëpasnjëshme në Maqedoninë e Veriut. Nga qytezat e vogla me pak njësi shërbimi si Makedonski Brod te blloqet e varfëruara të banimit në periferinë e Shkupit, llambushkat verbuese të industrisë para dyqaneve të basteve apo të automateve slot, po transformojnë panoramën e qyteteve. Edhe tregu online po zgjerohet, duke akomoduar operatorë të rinj të licencuar për aktivitet përmes aplikacioneve në telefonat e lëvizshëm apo automatet e teknologjisë së lartë. Sektori sot është pothuasje njëherë e gjysmë më i madh se sa dhjetë vjet më parë, e megjithatë, forcat që udhëhoqën këtë transformim kanë qenë gjerësisht pa vëmendje.
Lojtarët e mëdhenj në këtë lulëzim të bixhozit e kanë bazën në një klub vendesh në të cilin Shkupi shpreson që një ditë të anëtarësohet: Bashkimi Evropian. Në terren, ata përballen me një kuadër rregullator që është veçanërisht i lirshëm në krahasim me atë që kanë në vendin e origjinës. Korporatat më të mëdha aktive në sektorin maqedonas të kazinove, kompanitë austriake Novomatic dhe Casinos Austria, thonë se ata po ndihmojnë për të zhvilluar sektorin e bixhozit të këtij vendi. Ata kanë sulmuar planet e qeverisë për të rishikuar ligjet e bixhozit, duke i quajtur ato të padrejta, jofunksionale dhe demagogjike. Të dyja palët kanë thirrur në argument rregullat e BE-së. Korporatat austriake thonë se janë duke e përafruar tregun maqedonas me standardet brenda BE-së. Ndërkohë, qeveria thotë se ligjet e propozuara prej saj do të shtyjnë vendin përgjatë një shtegu të vështirë drejt anëtarësimit.
Përveç korporatave austriake, dhjetëra lojtarë më të vegjël nga vendet fqinje dhe ato të rajonit kanë licenca bixhozi në Maqedoninë e Veriut. Rregullat në këtë vend kanë tendencën të zbatohen në mënyrë joefikase ose mungojnë tërësisht. Elementë brenda industrisë së kazinove dyshohet se mundësojnë pastrimin e parave dhe evazionin fiskal të grupeve të krimit të organizuar. Ndërkohë, ndikimi i bixhozit mbi shtetin – në vetvete një aksioner maxhor në industri – është i fshehur për shkak se lobingu në vend është praktikisht i parregulluar. Masat e zakonshme për të mbrojtur “bixhozçinjtë problematikë” nga dëmtimi fizik dhe ekonomik janë dukshëm jo të pranishme. Dhuna, trazirat dhe kanosjet janë produkt anësor i gjithëpërhapur.
“Unë kam dalë nëpër qytet për njëzet vjet, përgjatë të gjithë jetës sime si i rritur, por kurrë më parë nuk ka qenë kaq e frikshme,” thotë Mirko, një kryekamerier në një restorant klasi në Shkup, i cili foli në kushtet e anonimatit për shkak se kishte frikë për sigurinë e tij. Një bixhozçi kompulsiv, Mirko përshkruan një botë të errët mikrokredish zhvatëse, banditësh dhe farmacish në cepat e industrisë së kazinove. “Po ta them nga eksperienca, është pothuajse e pamundur të dalësh nga kjo vrimë,” tha ai duke iu referuar rrethit vicioz të shpresës dhe borxheve. Një bixhozçi i dëshpëruar ka opsione të bollshme për të gjetur para shpejt. Dyqanet që ofrojnë kredi çasti janë pozicionuar në mënyrë komode pranë kazinove. Fondet mund të sigurohej edhe pa lënë fare mjediset e një kazinoje – duke aplikuar për kredi nga aplikacionet në telefonat celularë ose duke shkëmbyer pak fjalë me rojet e sigurisë, të cilët duket se janë shpesh agjentë të fajdexhinjve. Punëtorët në industri treguan për roje sigurie që rekrutohen nën shtrëngim dhe kanosje nga banditët e zonave – një model klasik pagesash gjobash për akses në treg.
Shpesh, rënia nën varësinë e bixhozit shoqërohet nga abuzimi me substancat. Kazinotë ofrojnë pije alkoolike falas për bixhozçinjtë ndërsa në rrugë ka kokainë për ata që kanë prirjen për të – kjo lloj droge nuk ka qenë kurrë më e lirë dhe më lehtësisht e disponueshme se sa sot. Dhe pas një nate të kaluar para ekranëve të automateve, bixhozçiu i raskapitur mund të flejë mbi telashet e veta falë sedativëve me recetë nga farmacia e zonës. “Ka një trinitet të sëmurë këtu,” thotë Mirko. “Pije, drogë dhe bixhoz – njëri ves të hedh te tjetri.” Dhe ka shumë burra si ai, thotë ai, për të cilët, kazinoja triumfon mbi opsionet e tjera të jetës së natës. “Mund të shkosh në një klub nate dhe të shpenzosh paratë që ke, ose mund të shkosh në kazino, por këtu bind veten se ke mundësi edhe të fitosh.” Qeveria e Maqedonisë nuk iu përgjigj drejtpërsëdrejti pyetjeve tona në lidhje me varësinë nga bizhozi. Ekspertët e shëndetit publik besojnë se shteti nuk mbledh asnjë të dhënë mbi problemin dhe nuk ka një strategji kombëtare për të luftuar varësinë nga bixhozi.
Rritja e shpejtë e industrisë së bixhozit ka shkaktuar edhe një rebelim popullor për shkak se dëmet e shkaktuara prej saj janë bërë gjerësisht të dukshme. Përgjatë dekadës së fundit, një lëvizje aktivistësh është shfaqur, duke kërkuar pakësimin e ndikimit të industrisë në politikëbërje. Lëvizja ka shtyrë për masa që në praktikë do të ndalojnë sallat e bixhozit në zonat e banuara krahas dyqaneve të basteve sportive. Kërkesat e tyre kanë arritur të depërtojnë deri te një projektligj: amendimet janë propozuar në kuadrin rregullator të bixhozit, Ligji Mbi Lojërat e Fatit. Por pas shumë vitesh të ngecura në një pikë të vdekur procedure ligjvënëse, ka pak shpresa që këto amentamente do të zbatohen ndonjëherë.
Bumi i bixhozit në Maqedoni është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e politikave të ndjekura nga estabilishmenti politik. Shteti është, mes të tjerave, një lojtar madhor në industri, duke pasur paketa kontrolluese në sipërmarrje me korporatat private. Qeveritë e koalicioneve që kanë mikpritur korporatat këtu përgjatë dekadës së fundit, duke shpërndarë liçenca dhe duke firmosur marrëveshje partneriteti, gjithmonë kanë qenë përbërë nga dy nga tre partitë më të mëdha në vend. Në maj të këtij viti, këto parti do t’i kërkojnë maqedonasve votën në zgjedhje.
Partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e rrëzuar nga pushteti më 2017 nga i ashtuquajturi “revolucioni shumëngjyrësh”, pritet gjerësisht të kthehet në pushtet. Në opozitë, partia ka kundërshtuar vazhdimisht amendimet në ligjin e bixhozit të prezantuara nga qeveria e koalicionit, e përbërë nga Social Demokratët, SDSM, dhe partneri i tyre i vogël, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, një parti shqiptarsh. Por edhe nëse ligjet e reja miratohen, nga parlamenti aktual apo ai i ardhshëm, ka pak gjasa që do të kenë efektin e dëshiruar. Amendimet e propozuara mbartin parashikime të pakëta në lidhje me trajtimin e bixhozit problematik dhe elementi i tyre qendror dhe më i debatueshëm – përjashtimi i qindra kazinove nga zonat e banuara, – duket se nuk është mbështetur nga qeveria.
Maqedonia e Veriut njihet si vend që ka vështirësi në zbatimin e rregulloreve gjithkund – jo vetëm në sektorin e bixhozit. “Problemi fillon në fazën kur ligjet shkruhen,” thotë Vladimir Georgiev, ish-anëtar i Komisionit Anti-Korrupsion, një organ i pavarur mbikëqyrës i themeluar nga shteti. “Partitë dhe grupet e ndryshme të punës që shkruajnë ligje dhe amendamente shpesh e shikojnë çështjen nga një perspektivë thjeshtë teorike.” Shpesh, tha ai, “nuk ka analizë tërësore se si ligjet do të funksionojnë në praktikë – ose nëse ato do të mund të funksionojnë…. Ne kemi rastet kur vendi që ka miratuar ligjet nuk ka burimet, njerëzore apo financiare, për t’i zbatuar ato.”
Në prag të zgjedhjeve të këtij viti, apatia është e lartë, veçanërisht mes të rinjve, me një ndjesi të gjithëpërhapur se mekanizmat e demokracisë janë thyer. Dështimi për të kontrolluar kompeksin industrial të kazinove nuk është çështja më e ngutshme për një elektorat të ngopur nga keqmenaxhimi, korrupsioni kronik dhe disfunksionaliteti administrativ. Kjo vë gjithashtu në dukje edhe hendekun e gjerë mes qeverisjes dhe të qeverisurve. Ndryshe nga burrat që luajnë në automatet e bixhozit, votuesit e vendit mundet të presin në mënyrë të arsyeshme një rezultat konkret kur të hedhin votën. Dhe pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, industria e bixhozit do të vijojë serinë e vet të fitoreve.
Në vitin 2016, bumi i bixhozit mbërriti te Reçica e Vogël, një zonë në perëndim të Shkupit. Xhemal Abdiu, një punonjës social, zbuloi se një kazino dykatëshe do të operonte nga një ndërtesë të re, pak larg shtëpisë së tij. Abdiu, në atë kohë dhe tani, ishte i punësuar në një skemë që synon të rehabilitojë keqbërësit e rinj. Puna e tij e dërgonte çdo ditë pak më larg për në Tetovë, një qytet me 84 mijë banorë që është zgjeruar deri te periferitë e tilla si Reçica e Vogël. Ndodhur në fillesat e maleve të Sharrit, përgjatë kufirit veri-perëndimor me Kosovën, Tetova është baza historike e minorancës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Qyteti është gjithashtu bazë e njëzet kazinove – numri më i madh në vend pas Shkupit. Reklama fafuritëse dhe me drita shumëngjyrëshe reklamojnë jackpot dhe premtojnë mbretërinë milionere në çast. Përgjatë të gjithë rrugës kryesore, të ngjeshur me makina të parkuara, një dyqan në çdo pesë të tillë duket sikur reklamon një markë kazinoje. “Tetova ka kazino me tepri,” tha Abdiu, kur ne u takuam në një kafene të zonës. “Një i ri vazhdimisht joshet nga shenjat e kazinove dhe lehtësisht mund të bjerë në kurthin e bixhozit.”
Abdiu është në të pesëdhjetat, me një sjellje njeriu të qetë. Duke çarë për te tavolina e kafenesë, ai shkëmben përshëndetje dhe fjalë të ngrohta me pjesën tjetër të klientelës. Në ditën e tij të punës, ai ndihmon të rinjtë që të rrijnë drejtë dhe të rinisin jetën pasi të kenë dalë nga burgu. Pasi ka parë se si jeta mund të dalë nga shinat për shkak të bixhozit, ai u alarmua nga prespektiva e një kazinoje të re, në lagjen e tij. Ai u bashkua me banorë të tjerë në një fushatë kundër saj. “Ishin vite sfiduese për ne – ne të gjithë kishim punë,” tha ai, duke u rikujtuar për ditët e hershme të aktivizmit. “Por ne vijuam sepse e patëm kauzën për zemër.”
Fushata mobilizoi pjesën më të madhe të bashkësisë. Një peticion grumbulloi 800 firma në ditën e parë – duke treguar se gati një në tre banorë të Reçicës së Vogël e mbështeste. Ndërsa personat me ndikim të bashkësisë dolën në mbrojtje të kauzës, lëvizja sfidoi kazinonë e planifikuar nëpër gjykatat vendëse dhe organet e pushtetit vendor. Ajo organizoi protesta dhe instalacione arti, për të theksuar anën e shëmtuar të bixhozit.
Abdiu dhe kolegët e tij zbuluan shpejt pas kësaj se kishin prekur një temë shqetësuese për të gjithë, zgjerimin e industrisë së bixhozit. Në vitin 2018, ata e ngritën fushatën në nivel kombëtar. Lëvizja Anti-Bixhoz krijoi një faqe në Facebook, publikoi njoftime për shtyp dhe organizoi konferenca për shtyp. Kërkesat tërhoqën vëmendjen e politikanëve në Shkup. Qeveria e mbështeti Lëvizjen dhe premtoi të pakësonte ndikimin e sektorit të bixhozit përmes amendimit të Ligjit Mbi Lojërat e Fatit.
Origjina e lëvizjes mundet të ketë ndihmuar në ngritjen e saj. Tetova është një qendër tradicionale për aktivitet politik mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe komuna konsiderohet si një çmim i rëndësishëm elektoral mes partive që pretendojnë përfaqësimin e kësaj minorance. Partia më e fuqishme mes këtyre, njohur nga akronimi i saj BDI, u krijua nga një lëvizje guerilase shqiptare që e çoi Maqedoninë e Veriut në prag të luftës civile në vitin 2001. Nën një zgjidhje politike të ndërmjetësuar nga BE-ja që qetësoi krizën, BDI doli si përfituesja kryesore. Në zgjedhjet që pasuan, ajo u konsiderua si kingmaker, partia përcaktuese e shumicës qeverisëse mes dy partive kryesore të shumicës maqedonase, VMRO-DPMNE dhe SDSM. Përgjatë dy dekadave të fundit, BDI ka qenë në qeverisje në vijimësi, duke shërbyer si aleat i vogël për qeveritë e koalicionit që janë udhëhequr nga një nga dy partitë e mëdha maqedonase.
BDI në atë kohë kontrollonte edhe bashkinë e Tetovës, e cila përfshin edhe Reçicën e Vogël. Gjithsesi, ajo ishte nën presion nga partitë rivale shqiptare, ku që të gjitha kishin mbështetur synimet e Lëvizjes Kundër Bixhozit. Ndërsa zgjedhjet parlamentare po afroheshin në vitin 2020, BDI përsëriti mbështetjen e saj për lëvizjen. Ish-guerilasi i kthyer në kryetar partie, Ali Ahmeti, deklaroi se do të bashkohet me Xhemal Abdiun “në ballë” dhe nxiti ata që përtifonin nga bixhozi “të qëndronin larg” shkollave dhe zonave të populluara. Ahmeti po i referohej kërkesës kyçe të lëvizjes për të ndaluar operimin e kazinove në lagjet ku ka shkolla dhe kopshte. Por duke parë përqendrimin e lartë të shkollave dhe kazinove në qyteza dhe qyteti, në praktikë kjo ndalesë do të sjellë mbylljen e qindra dyqaneve ose zhvendosjen e tyre jashtë qyteteve.
Koalicioni SDSM dhe BDI u rizgjodh në zgjedhjet parlamentare të korrikut 2020. Abdiu dhe ndjekësit e tij aktivistë kishin arsye të mjaftueshme për të shpresuar se disa, ndonëse jo të gjitha, prej kërkesave të tyre, eventualisht do të bëheshin ligj. Fushata e tyre në Reçicën e Vogël kishte realizuar një fitore vendimtare, duke sjellë anulimin e planeve për kazinonë e re. Ndërsa në nivel kombëtar, Lëvizja Anti-Bixhoz sigurooi mbështetje të përfaqësuesve shqiptarë në qeveri. Për më shumë, dallga dukej se po kthehej kundër industrisë së bixhozit në vendet fqinje, ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Respektivisht në vitet 2018 dhe 2019, Shqipëria dhe Kosova patën miratuar ligje të cilat në praktikë e ndalojnë industrinë e kazinove.
“Çdo gjë dukej sikur po ecte në drejtimin e duhur,” tha Abdiu. “Ne me të vërtetë menduam se qeveria dhe partitë e tjera ishin gati të bashkëpunonin.” Ai tha se udhëheqësit në këtë kohë ishin gati të flisnin mbi një zonë më të gjerë, tre kilometra përreth shkollave, në të cilën kazinotë duhej të ndaloheshin. “Kishte shpresë se ligji i ri do të miratohej.”
Industria botërore e bixhozit vlerësohet në 747 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2022, sipas një raporti nga Global Industry Analysts, një kompani amerikane kërkimi. Nëse industria do të ishte një vend, ky vend do të ishte mes Polonisë dhe Zvicrës sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto. Industritë janë më të zhvilluara në vendet më të pasura të botës. Vende të tilla si SHBA, Australi, Japoni, Kanada dhe Mbretëri e Bashkuar shfaqen që të gjitha pranë majës së tabelave për tregjet e bixhozit. Korporatat aktive në këto tregje kanë udhëhequr një revolucion dixhital që ka ushqyer rritjen e industrisë. Parashikohet që ajo të arrijë në mbi një trilionë dollarë në vitin 2030. Pas bixhozit online dhe aplikacioneve celulare, kufiri i ri pritet se do të jetë analiza e udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale dhe realiteti virtual; eksperienca e Vegasit do të përcillet përmes pajisjeve të realitetit virtual.
Brenda këtij tregu global, Maqedonia e Veriut është një peshk i vogël. Krahas Bosnjës dhe Kosovës, ky është një nga vendet më të varfra pasuese të ish-Jugosllavisë dhe është i prirur të preket nga sëmundjet e njohura. Papunësi e lartë, të rinj të dëshpëruar për të emigruar, shërbime publike të rrënuara, korrupsion masiv dhe një ëndërr për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e cila po shpërbëhet gradualisht.
Ndryshe nga territore të tjera të vogla që kanë përqafuar industrinë e bixhozit në shkallë masive, Maqedonia e Veriut nuk e ka bërë për arsyen e thjeshtë të tërheqjes së turistëve. Ajo ka disa kazino të lloji të resorteve që joshin vizitorë nga Greqia dhe Bullgaria, por nuk është Malta apo Monako. As tregu i brendshëm nuk është veçanërisht i madh. Popullsia është më pak se dy milionë banorë, e krahasueshme me një qytet evropian të nivelit të mesëm, si Viena, por me fuqi shpenzuese monetare shumë më të paktë. Nga mbi njëmijë sallat e bixhozit në vend, shumica janë dyqane të vogla bastesh sportive dhe salla automatesh.
E megjithatë, industria e bixhozit ka gjetur kushtet e përshtatshme për t’u zhvilluar në Maqedoninë e Veriut. Pjesa e industrisë në PBB-në e vendit është rritur me 40% në më pak se një dekadë, sipas statistikave zyrtare. Në vitin 2021, viti i fundit për të cilin janë të dhënat zyrtare, industria e bixhozit kontribuoi në 4.58 për qind të PBB-së.[1] Sektori i artit dhe dëfrimit, i cili besohet se është më në përfitim të shoqërisë, kontribuoi në vetëm 0.85 për qind atë vit, ndërsa sporti dhe aktivitetet e kohës së lirë ishin përgjegjëse për 0.39 për qind.
Edhe më befasuese ka qenë rritja e kontributit të industrisë së bixhozit në arkën e shtetit. Paratë derdhen në arkat e shtetit nga taksat e mbledhura nga qindra dyqanet e basteve dhe pikat e automateve si dhe nga dhënia e licencave për operatorët shumëkombësh. Më 2022, qeveria fitoi pothuajse 88 milionë euro nga industria, sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Financave. Më 2018, kjo shifër ishte 61 milionë euro. Kontributi i sektorit të boxhozit në shtetin maqedonas është rritur me 45 për qind brenda pesë vitesh.
Për më shumë, këto shifra nuk përfshijnë fitimet nga sipërmarrjet në bashkëpronësi të shtetit në sektorin e bixhozit. Shteti ka operuar tradicionalisht lotarinë kombëtare përmes një kompanie publike. Përgjatë dekadës së fundit, operatori kombëtar i lotarisë kombëtare ka marrë paketë kontrolluese në sipërmarrjet me kompani menaxhuese të huaja për tregtimin e terminaleve të videolotarisë, të njohura nga akronimi në anglisht VLT – faza më e re në revolucionin teknologjik të automatit të bixhozit.
Një qeveri mund të ketë arsye të shëndosha për të hyrë në biznesin e bixhozit, sipas Stefan Storr, një profesor i ligjit publik dhe ligjit tregtar publik në Universitetin e Gracit dhe ekspert mbi rregullimin e bixhozit në Austri. Në spektrin e përqasjes kundrejt bixhozit, – ndalimi total është njëra anë dhe liberalizimi total është ana tjetër – një monopol shtetëror i bixhozit përfaqëson një rrugë të mesme. Në teori, ajo i lejon shtetit të vjelë të ardhura drejtpërsëdrejti nga industria – “pak a shumë si taksimi” – ndërsa minimizon dëmin për bixhozçinjtë, përmes kontrollit shtetëror të tregut të bixhozit, thotë profesor Storr. “Ka një zgjidhje. Ti gjithmonë mund të mendosh për balancën mes fitimit të parave në njëtën anë dhe mbrojtjes së bixhozçinjve në anën tjetër.”
Ekspertët mendojnë se Maqedonia e Veriut e ka kuptuar balancën gabim. Ata kanë kritikuar varësinë në rritje të shtetit nga bixhozi, duke argumentuar se përfitimet janë me tepri shumë më të pakta se sa humbjet. “Industria nuk ofron vlerë të shtuar për vendin, nuk prodhon asgjë,” thotë Xhevdet Hajredini, një politikan veteran që ka shërbyer si Ministër Financash nga viti 1992 deri më 1994, qeveria e parë e pas-pavarësisë në vend.
Ne i kërkuam qeverisë të komentojë nëse ka caktuar ndonjë burim për të trajtuar pasojat negative në shoqëri të bixhozit. Ajo nuk iu përgjigj pyetjes. Gjithsesi, ajo tha se amendimet e propozuara në ligj do të mbrojnë lojtarët në tokë dhe online, duke qenë në përputhje me rekomandimet më të fundit të BE-së. Zona e propozuar e ndalimit përreth shkollave, tha qeveria, do të mbrojë minorenët nga “veset e papërshtatshme për moshën e tyre”.
Faqja e operatorit të lotarisë kombëtare në internet rendit dy numra telefoni si linja këshillimi për të varurit nga bixhozi. Telefonata të përsëritura te një nga këto numra morën përgjigje nga punonjësit e çuditur të një spitali psikiatrik në lagjen Bardovci të Shkupit. Asnjë nga punonjësit që u përgjigj nuk ishte në dijeni se institucioni i tyre kishte për detyrë të merrej me problemin e të varurve nga bixhozi. Disa nga përgjigjet ishin fyese dhe injoruese. “Nëse të ka mbetur ndonjë lek në xhep,” u përgjigj njëri, “shko e luaje sot dhe hajde te ne sërish nesër.” Të tjerë sugjeruan të komunikoje me një klinikë për të alkoolizuarit.
Në një spital psikiatrik tjetër të Shkupit, numri i telefonit të së cilit ishte vendosur si linjë këshillimi, zyrtarët konfirmuan se ata po trajtonin persona me varësi nga bixhozi. Gjithsesi, thanë, operatori i lotarisë kombëtare nuk po i mbështeste në punën e tyre pavarësisht se në fillim kishte shprehur interes dhe kishte vendosur numrin e tyre të telefonit në faqen e vet të internetit. “Ata thanë se do të ndihmonin me njëfarëlloj iniciative për të varurit nga bixhozi, por kjo nuk ndodhi kurrë,” tha Stojan Bajraktarov, drejtori i Klinikës Psikiatrike Universitare. “Unë e kam harruar sakaq se kjo ka ndodhur sepse nuk u bë kurrë. Tani që ti po e përmend [numrin e telefonit], ka gjasa që ai është vendosur aty në mënyrë abuzive prej tyre.”
Slavica Arsova, një mjeke e lartë në Klinikën Psikiatrike Universitare, tha se takimet fillestare me operatorin e lotarisë kombëtare ishin përqendruar në krijimin e një sistemi referimi për lojtarët me varësi bixhozi si dhe në kryerjen e trajnimeve për punëtorët e sektorit të bixhozit – por asgjë konkrete nuk doli nga këto diskutime. Arsova tha se nuk besonte se kishte ndonjë strategji në nivel kombëtar apo investim të lidhur me trajtimin e varësisë nga bixhozi. Së fundmi, klinika e saj kishte hasur një rritje në numrin e grave që raportonin probleme me bixhozin, ndoshta për shkak se kazinotë po i shënjestrojnë gratë me kupona. “Varësia zhvillohet sepse kazinotë kanë kaq shumë mënyra për të të joshur,” tha ajo.
Besohet gjithashtu se sektori është i prekur nga pastrimi i parave për shkak se autoritetet fiskale dhe policore nuk kanë mjetet për ta zbatuar ligjin. Një raport i Komisionit Evropian nga viti 2023 tha “më shumë duhet të bëhet” për të ndihmuar agjencitë ligjzbatuese që të luftojnë pastrimin e parave dhe krimin financiar. [2]
Pa mbikëqyrjen e përshtatshme, kazinotë gjithkund mund të bëhen magnet për grupet e krimit të organizuar, duke shërbyer si një sistem bankar informal që fsheh dhe lëviz fonde të paligjshme nën maskën e “fitimeve” dhe “humbjeve”. Në vitin 2023, një raport nga Moneyval, një organ monitorues i mbikëqyrur nga Këshilli i Evropës, paralajmëroi se kazinotë në Maqedoni ishin të rrezikuara nga pushtimi nga bota e krimit: ka shumë pak gjë që të mund të ndalojë kriminelët apo partnerët e tyre që të kenë nën pronësi apo të operojnë një kazino. Raporti bëri të ditur gjithashtu se autoritetet e të ardhurave kanë qenë të ngadalta në zbatimin e sistemeve të reja për monitorimin e flukseve të parasë në tregun e bixhozit dhe të pronave të patundshme.
Detyra e mbikëqyrjes së industrisë i përket Ministrisë së Financave. Ministria mbledh gjithashtu të ardhurat nga industria, në formën e taksave të kazinosë dhe tarifave të licencave. Ky lloj organizimi bie ndesh me përpjekjet e qeverive gjetkë për të mbrojtur rregullimin e bixhozit nga ndikimi politik apo korporativ. Në Mbretërinë e Bashkuar, shtëpi të legjislacionit ndër më liberalët mbi bixhozin në botë, rregullatori është një organ shtetëror, llogaridhënës ndaj publikut, jashtë sistemit të ministrive. “Në thelb përbën një konflik interesi nëse ministria që bën ligjet është gjithashtu rregullatore,” tha Vladimir Georgiev, ish anëtar i Komisionit Anti-Korrupsion. “Edhe nëse nuk ka organ rregullator të pavarur, duhet të ketë inspektime të mira të pavarura.”
Qeveria maqedonase tha se autoritetet ishin duke luftuar pastrimin e parave nën kuadrin ligjor ekzistues. Në një përgjigje me email, zyra qendrore e shtypit e qeverisë tha se aplikantët për licenca kazinoje vetoheshin dhe kërkohej që të dëshmonin origjinën e fondeve të tyre. Emaili tha se amendimet e propozuara ngë Ligjin për Lojërat e Fatit do të caktojnë kontrolle shtesë.
Automatet origjinale slot u përdorën nga kazinotë si diversion për bixhozçinjtë, duke i ofruar një altenativë më të thjeshtë dhe më të aksesueshme se sa lojërat me letra apo ruleta. Lojtarët paguanin për të vënë në lëvizje tre apo katër seri ekranesh, të cilat tipikisht paraqesin ilustrime me fruta dhe për këtë arsye njihen si “makinat e frtave”, (njohur në shqip edhe si zhub-zhub dhe e-kuqe-e-zezë). Nëse të tre shiritat e ekraneve paraqesin të njëjtin ilustrim, atëherë figurat ndalonin së rrotulluari dhe lojtari realizonte një fitore. Ndërsa automatet e vjetra ofronin vetëm një lloj loje, ndërfaqja në ekran në pasardhësin e saj të epokës dixhitale mund të ofrojë një larmishmëri, bazuar në çdo gjë, nga pokeri te garat me kuaj te spektaklet popullore televizive dhe te format virtuale të rrotullimit tradicional të ekraneve me fruta. Shumë nga këto mjete gjenerojnë probabilitetin e fitores në vend. Gjithesi, pajisja VLT, huazon elementë nga bota e lidhur në rrjet e bixhozit online. Njohur gjithashtu si “video slots”, këto terminale lidhen me një sistem në të cilin probabiliteti i fitores përcaktohet nga një kompjuter qendror.
Shteti maqedonas hyri në tregun VLT në vitin 2014 si aksioner maxhoritar në një sipërmarrje të re, Lotaria Kombëtare Video e Maqedonisë. Partneri i saj është Casinos Austria, një korporatë me bazë në Vienë, pjesërisht nën pronësinë e shtetit austriak, me një prani ndërkombëtare. Sipërmarrja e përbashkët shijon një monopol prej gati një dekade, duke zgjeruar tregun për VLT-të me qindra terminale të reja të vendosura në të gjithë vendin. Të ardhurat e saj u rritën me 160% mes viteve 2018 dhe 2022. [3]
Sipërmarrja nisi nën qeverinë e mëparshme të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI. Qeveria justifikoi lëvizjen drejt tregut VLT si përgjigje ndaj popullaritetit në rritje të faqeve të basteve online me bazë jashtë vendit. Nisja e bashkësipërmarrjes koincidoi me masat që synuan ndalimin e maqedonasve nga vendosja e basteve në faqet e internetit me bazë jashtë vendit.
Qeveria tha se sipërmarrja e saj do të siguronte që miliona euro në të ardhura nga bixhozi të mbeteshin brenda vendit. Një investigim nga Nova TV në vitin 2016 zbuloi se pronësia e sipërmarrjes nuk ishte tërësisht transparente. Krahas Casinos Austria dhe shtetit maqedonas, më shumë se 30 për qind e aksioneve mbaheshin nga një entitet offshore regjistruar në Lugano të Zvicrës.[4]
Ne i kërkuam Casinos Austria të komentojë mbi përfshirjen e saj në këtë sipërmarrje. Kompania tha se ajo vazhdimisht i kontrollonte partnerët e vet ndërkombëtarë në biznes për t’u siguruar për “pajtueshmëri të plotë” me “udhërrëfyesit e brendshëm mbi ndershmërinë dhe transparencën.” Emaili nga drejtori i komunikimeve korporative Patrick Minar, tha se Casinos Austria ka qenë në ballë të ofrimit të lojërave të fatit “në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme”, dhe pajtueshmëria rregullatore e operacioneve të saj në Maqedoni është akredituar nga një organ evropian i kësaj industrie, bazuar në audit të pavarur. Kompania tha se ajo zbatonte “procedura strikte” për të parandaluar pastrimin e parave. Dega e saj në Maqedoni, sipas firmës, ka krijuar standardet e veta për lojë të përgjegjshme dhe mbrojtje të lojtarëve për shkak se rregullat ekzistuese “nuk ishin në nivelin e standardeve të pranishme në shumicën e vendeve evropiane.”
jesa e fundit e qeverisjes së VMRO-DPMNE, e cila ka qenë në pushtet nga viti 2006 deri më 2017, u shoqërua me akuza për korrupsion dhe rrëshqitje drejt autoritarizmit dhe la pas një trashëgimi vizuale të fasadave klasike false mbi hapësirat publike të kryeqytetit. Kjo parti u rrëzua nga pushteti si rrjedhojë e skandalit të përgjimeve që solli demonstrata masive, të cilat me optimizëm u përshkruan si “revolucion shumëngjyrësh” për shkak të taktikës së protestuesve për të hedhur bojë kundër ndërtesave publike dhe monumenteve.
Qeveria pasardhëse, një koalicion i udhëhequr nga SDMS dhe BDI si partner i vogël, u përpoqën të mbështeten te arritjet e qeverisë paraardhëse në fushën e bixhozit. Gjatë mandatit të dytë në zyrë, qeveria shpalli se do të krijojë katër sipërmarrje të përbashkëta me kompani private për të zgjeruar bixhozin online. Qeveria tha gjithashtu se do të krijojë një sipërmarrje të re VLT, duke i dhënë fund monopolit të Lotarisë Kombëtare Video të Maqedonisë. Kompania e re, e emëruar VLT, synoi zgjerim të mëtejshëm të infrastrukturës së bixhozit të vendit, me shtimin e qindra terminalëve të rinj.
Njësoj si më parë, kompania e re ishte një bashkësipërmarrje, ku shteti mban shumicën e aksioneve përmes operatorit të lotarisë kombëtare. Partneri ishte sërish një kompani austriake: Gjigandi i bixhozit Novomatic, udhëhequr nga themeluesi i vet miliarder dhe me seli qendrore në Gumpoldskirchen, një qytezë në perëndim të Vienës, të famshme për vreshtari. Novomatic prodhon teknologjinë e bixhozit, të tilla si automatet slot të fjalës së fundit dhe operon salla bixhozi në dhjetëra vende. Ajo është lidhur mirë në rrjet në Vienë dhe në Austri. Një ish-drejtor i Novomatic, Johannes Hahn, u ngrit përmes Partisë Popullore të krahut të djathtë, në nivelet më të larta të BE-së, duke u bërë komisioner i zgjerimit të BE-së, pozicion nga ku mbikëqyri politikën e Brukselit kundrejt vendeve kandidate për anëtarësim. Kompania punëson më shumë se 20 mijë njerëz në të gjithë botën, dhe renditet së fundmi si marka e dytë më e çmuar austriake – menjëherë poshtë and ëas Red Bull, pijes energjike dhe pak më sipër rrjetit të supermarketeve Spar .
Brenda Austrisë, kompania është vënë në vëmendje si pasojë e “Skandalit Ibiza” apo “Çështjes Ibiza”, një çështje e lidhur me favore-për-raportim-pozitiv që rrëzoi qeverinë e Sebastian Kurz më 2019. Gjatë një bisede të regjistruar në mënyrë sekrete në zemër të skandalit, zëvendës-kancelari i Kurz dëgjohet duke thënë: “Novomatik i paguan që të gjithë.” Zëvendëskancelari ishte në atë kohë shënjestër e një operacioni politik me mjete speciale dhe më vonë i tërhoqi fjalët e veta, duke thënë se kishte qenë i dehur. Novomatic, mes palëve të tjera të përmendura në regjistrim, mohoi përgjegjësinë. Në deklaratën e saj, kompania tha se kishte hedhur poshtë prerazi çdo sugjerim se ajo i paguante politikanët apo i siguronte licencat përmes ndonjë metode tjetër përveç asaj të ligjshme dhe transparente. Vitin e kaluar ajo u rendit si performuesja më e mirë në sektor sa i përket kredencialeve në ESG – akronimi në anglisht i “qeverisja mjedisore dhe sociale”, në një audit të PriceWaterhouseCoopers .
Kontrata e qeverisë maqedonase me Novomatic u firmos nga drejtori i lotarisë kombëtare Përparim Bajrami, një ish-këshilltar i Artan Grubit, zëvendës-president i BDI dhe pasardhës potencial i udhëheqësit jetëgjatë Ali Ahmeti. Lidhjet politike të Bajramit dhe mungesa e dukshme e eksperiencave të mëparshme – ai ishte 26 vjeç kur u bë drejtor – shkaktuan çudi në shtypin vendor. Ai nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment për këtë artikull.
Emërimi i tij pasoi ndryshimet në kabinetin qeverisës, në të cilat BDI mori kontrollin e Ministrisë së Financave, degës së shtetit që jep licenca, rregullon dhe mbledh të ardhura nga industria e bixhozit. Nën ministrin e ri të financave, Fatmir Besimi, industria e bixhozit ka vijuar të zgjerohet në tokë dhe online, me dhënien e kohëve të fundit të licencave të reja digjitale si dhe shtimin e vazhdueshëm të kazinove të reja. Besimi nuk iu përgjigj kërkesane për koment.
Udhëheqësia e BDI-së këmbëngul se vijon të mbështesë premtimin e dhënë Lëvizjes Anti-Bixhoz. “Unë dua kazinotë dhe dyqanet e basteve të zhvendosen nga qendrat e qyteteve sepse një në dy dyqane është ose kazino ose dyqan bastesh,” tha zëvendës-presidenti Artan Grubi për median 360 gradë, në një intervistë të dhënë në shkurt. “Unë do ta mbështesja edhe një ndalim të plotë, do ta votoja diçka të tillë si parti.” Grubi akuzoi opozitën VMRO-DPMNE se ka bllokuar miratimin në parlament të amendimeve të ligjit.
Xhemal Abdiu ka pikëpyetje mbi çështjen nëse klasa politike është apo jo sinqerisht e angazhuar në luftën kundër industrisë. “Në të vërtetë askush prej ture nuk luftoi për amendimet [në ligjin e bixhozit]”, tha ai. Siç e shihte ai, qeveria e kishte braktisur kauzën e tij duke bashkuar forcat me operatorët e bixhozit ndërsa siguronte atë se po bënte gjithçka për ta kontrolluar sektorin. “Ti thua se po lufton për të miratuar amendime përgjatë të gjithë këtyre viteve dhe ndërkohë zëvendëson një formë të bixhozit me një tjetër.” Lëvizja, theksoi ai, kundërshton gjithashtu zhvillimin e bixhozit online.
Ndërsa qeveria thellon partneritetin e vet me industrinë e bixhozit, konturet e kësaj marrëdhënieje mbeten të mjegullta. Kjo është për shkak se rregullimet në lidhje me lobimin janë – si shumë rregullore të tjera në Maqedoninë e Veriut – përgjithësisht të pazbatuara. Gati tre vjet më parë, Komisioni Anti-Korrupsion, një organ mbikëqyrës i pavarur, nisi hartimin e një regjistri të lobuesve, me synimin për ta bërë ndikimin e tyre më transparent. Gjithsesi, deri më sot, “asnjë lobist dhe asnjë organizatë lobimi” nuk ka ardhur të regjistohet, tha ish-anëtari i komisionit Vladimir Georgiev. Problemi, tha ai, qëndron te organet shtetërore që janë shënjestër e lobimit: ata kanë dështuar të ushtrojnë kontrollet dhe kufizimet thelbësore. “Kjo e bën të pamundur për publikun që të dallojë kush po ndikon autoritetet ekzekutive dhe ligjvënëse dhe për çfarë qëllimesh.”
Shtytja për të amenduar rregullat mbi bixhozin gjithsesi i ka dhënë publikut një panoramë kalimtare mbi tiparet e brendshme të industrisë së kazinove, mbështetësve të kësaj industrie në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e saj me shtetin maqedonas. Amendimet e propozuara shkaktuan përgjigje të ashpër nga industria. Reagimi u udhëhoq nga Novomatic, sakaq lojtari i tretë më i madh në sektor para se të firmoste kontratën VLT. Në një njoftim për shtyp nga maji 2021, kompania paralajmëroi se amendimet do të shkaktojnë kaos, do të kërcënojnë mijëra vende pune dhe do të nxisin zhvillimin e bixhozit ilegal. Njoftimi për shtyp nga zyra maqedonase e Novomatik, shënjoi si “populizëm të pastër” dhe të jopraktik propozimin për një ndalesë të bixhozit në një distancë gjysmë kilometri përreth shkollave.
Kompania tha gjithashtu që shteti duhej të eksploronte forma alternative rregullimi të cilat mund ta lejojnë atë të ruajë “të ardhurat aktuale buxhetore”. Në miratimin e amendamenteve, paralajmëroi kompania, qeveria do të humbasë miliona euro të ardhura si dhe në kompensime që duhej të jepte për operatorët e bixhozit. Novomatic ofroi të ndihmojë qeverinë për të ripunuar propozimet e ndryshuara në ligj. “Ne jemi sakaq gati të ndihmojmë në mënyrë aktive me ekspertët tanë ligjore për hartimin e amendimeve të reja ligjore, në mënyrë transparente dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve,” tha ajo.
Ne pyetëm qeverinë nëse e ka pranuar ofertën e Novomatic. Qeveria nuk u përgjigj. Ne pyetëm gjithashtu Novomatic nëse qeveria e ka pranuar ofertën e saj. Kompania nuk iu përgjigj pyetjes drejtpërsëdrejti. Një përgjigje me email nga drejtoresha e komunikimeve të kompanisë, Alexandra Lindlbauer, tha se kompania ka operuar në juridiksione të ndryshme “në përputhje me respektimin më të rreptë dhe më të lartë dhe me standardet më të larta të mbrojtjes së lojtarit”, gjë për të cilën ne jemi “monitoruar vazhdimisht nga autoritete të pavarura dhe… konfirmuar nga certifikata të shumta”. Qeveritë zakonisht pritet të konsultohen me një gamë të gjerë aktorësh – përfshirë interesat e korporatave – kur hartojnë rregullore dhe nuk ka prova që kompanitë e bixhozit që operojnë në Maqedoninë e Veriut të kenë ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi ligjvënësit.
Ankesat kundër amendimeve ligjore erdhën edhe nga ambasadori austriak. Verën e kaluar, i dërguari i Vienës në Shkup në atë kohë, Georg Woutsas, shkroi letra të ashpra për qeverinë dhe parlamentin e Maqedonisë duke paralajmëruar se ligjet e propozuara do të dëmtonin reputacionin e vendit në mbrojtjen e investitorëve të huaj dhe të respektimit të parimeve të tregut të lirë.
I dërguari përsëriti paralajmërimet e industrisë së bixhozit se qeveria do të duhej të paguante dëmshpërblime të mëdha nëse i miratonte amendimet. Për më shumë, shkroi Woutsas, Maqedonia e Veriut rrezikon të vendoset në listën e zezë si vend i pasigurt për të bërë biznes për shkak se ligjet e reja do të tregojnë dështimin e saj për të mbrotjur investitorët dhe për të respektuar parimet e tregut të lirë. Ambasadori mbrojti kompanitë Novomatic dhe Casinos Austria, duke cituar ndërveprimin me ta. Të dyja kompanitë, shkroi ai, e kishin siguruar atë se ata përdorin “standardet më të larta të mbrojtjes së lojtarit”, mnë përputhje me udhërrëfyesit në Austri dhe në Bashkimin Evropian.
Letra e Woutsas, dërguar pranë përfundimit të mandatit të tij si ambasador, rrodhi në shtypin maqedonas, duke shhtyrë partinë e majtë në opozitë që ta akuzonin atë për ndërhyrje në çështje sovrane. I dërguari gjithsesi kishte një histori të kritikimit të masave që ai i konsideronte si të dëmshme për interesat austriake të biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe se ndërhyrje të tilla mundeshin, agrumentohej, të shikoheshin si pjesë e funksioneve të tij si i dërguari i Vienës në Shkup.
Ne kontaktuam Woutsas për komente por ai tha se nuk kishet asgjë për të thënë për këtë çështje. Ministria e jashtme e Austrisë që nga ajo kohë e ka distancuar veten nga komentet e ambasadorit. Në një përgjigje me email, një zëdhënës në Ministrinë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare tha se ish-ambasadori është “kritikuar” për komentet e tij “të papërshtatshme.”
Rregullat e propozuara janë sulmuar gjithashtu nga brenda estabilishmentit politik maqedonas. VMRO-DPMNE, e cila duket se është në avantazh në garën elektorale, ka kritikuar vazhdimisht projektligjet, duke pretenduar se ato përbëjnë një mbulesë për politikanët e qeverisë që të përparojnë interesat e tyre personale në sektorin e bixhozit, një ndryshim që mohohet nga qeveria aktuale.
Qeveria ka këmbëngulur se projekt-propozimet do të afrojnë rregullat vendëse mbi bixhozin me standardet dominuese të Bashkimit Evropian. Vitin e kaluar, ajo vendosi logon e Be-së në amendimet para se t’i dorëzonte ato në parlament për t’u debatuar – një sugjerim se deputetët duhet ta miratojnë me procedurë të përshpejtuar. Logoja e BE-së rezervohet për projektligjet që konsiderohen me rëndësi vendimtare për përpjekjen afatgjatë të Maqedonisë për t’u anëtarësuar në blok, gjë që konsiderohet një prioritet kombëtar. Përdorimi i logos në këtë rast i lejon gjithashtu qeverisë të anashkalojë një komision të udhëhequr nga VMRO-DPMNE i cili ka qenë duke parandaluar amendimet nga të debatuarit në parlament. Lëvizja e qeverisë u kritikua nga Woutsas – mes të tjerëve – si një abuzim me logon e BE-së.
Amendimet u miratuan me shumicë votash në parlament në shkurt. Ato u dërguan te presidenti për t’u dekretuar, një procedurë zakonisht formale. Gjithsesi, presidenti refuzoi dhe e ktheu ligjin për rishqyrtim në parlament, duke argumentuar se ndryshimet nuk ishin debatuar siç duhet. Presidenti vuri gjithashtu në dyshim përdorimin e logos së BE-së nga qeveria për të prezantuar ligjin para parlamentit, duke përsëritur kritikat e një viti më parë të Woutsas dhe të tjerëve. Ndërsa kanë mbetur pak javë deri sa parlamenti të shpërndahet, shpresat po shuhen për miratimin përfundimtar të amendamenteve në ligj.
Ne pyetëm qeverinë nëse e ka llogaritur impaktin e pjesëve më kontroverse të ligjit të planifikuar – largimin e njësive të bixhozit nga operimi në një distancë prej 500 metrash larg shkollave dhe kopshteve. Në një përgjigje me shkrim, një zëdhënës i Ministrisë së Financave tha se ligji i propozuar parashikonte zhvendosjen e tyre por jo reduktimin e numrit të përgjithshëm të njësive. Si rrjedhojë, tha zëdhënësi, “nuk ka analizë” në lidhje me “numrin e mjediseve që do të preken”.
Vladimir Georgiev, ish-anëtar i Komisionit Anti-Korrupsion tha se ligjet që janë miratuar “me procedurë të shkurtuar” kanë prirjen të bartin “ambiguitete”. Në këtë rast, tha ai, detaji i rregullit të distancës 500 metra, mes të tjerave, do të duhej të ishte sqaruar mirë në mënyrë që të mos lejonte “hapësira për manovrime apo të shkaktonte probleme me zbatimin.”
Qeveria jo vetëm që është e paqartë mbi impaktin e legjislacionit të propozuar. Ajo duket gjithashtu e paqartë mbi pasojën e ligjit që sakaq ka miratuar. Në një përgjigje me email për pyetjet tona, Ministria e Financave tha se vendi ka aktualisht 1,300 automate VLT Kjo shifër duket se është nënvlerësim në masë domethënëse në krahasim me shifrat e ofruara nga Casinos Austria, një nga dy operatorët në partneritet me qeverinë në bashkësipërmarrjen në fushën e VLT-së. Në përgjigjen me shkrim, kompania tha se operon 4,800 VLT në Maqedoninë e Veriut.
Xhemal Abdiu pranon se amendimet e propozuara vështirë se do të trajtojnë impaktin social të bixhozit. Ai e sheh ligjin gjithsesi vetëm si një hap i parë, një mënyrë për të thënë se “lojtarët e mëdhenj në industri nuk janë të pamposhtshëm.” Ndërsa zgjedhjet e ardhshme afrohen, Abdiu, është edhe një herë duke marrë kërkesa për takime nga politikanët që vizitojnë bashkësinë e tij në Reçicë të Vogël, duke u përpjekur ta sigurojnë se kërkesat e lëvizjes së tij nuk janë harruar. “Ata vazhdimisht bëjnë premtime që nuk mund t’i mbajnë,” tha ai. “Kur vjen puna te axhendat politike, ne nuk e dimë më se kush po luan me kë. Ne jemi thjeshtë një numër për ta.”