Më 26 janar 2022, qeveria miratoi VKM nr. 59, sipas së cilës Parkut Kombëtar Detar, Sazan -Karaburun, ju shtuan dhe 9 hektarë, duke e çuar sipërfaqen e mbrojtur ujore në 12,437 hektarë. Por dy vite më pas, i vetmi Park Kombëtar Detar në vend është vënë nën shenjestrën e bizneseve dhe resorteve. Mbrojtja e shtuar ligjore, nuk po e mbron ishullin më të madh shqiptar, që është përdorur deri më tani si bazë ushtarake, nga projektet e zhvillimit të vrullshëm.
“I vetmi Park Kombëtar Detar, ai i Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare”, – thuhet në faqen zyrtare të Agjenscisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Në mediat e huaja është bërë publik një projekt, i cili propozon ndërtime vilash turistike.
Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, për shkak të vlerave të jashtëzakonshme natyrore që mbart, u shpall zonë e mbrojtur për herë të parë më 2010.
Ky park është shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare, ku një pjesë e tyre janë dhe lloje të rrezikuara.
Të premten, Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump, deklaroi në median “Bloomberg” planet për investimet në Ballkan, ku mes tyre ishin një resorte turistike në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit në Shqipëri.
Kjo deklaratë vjen fill pas ndryshimeve të qeverisë shqiptare në ligjin për zonat e mbrojtura, që u prit me shumë kundërshtime nga mjedisorët.
Për ekspertin e mjedisit, Abdulla Diku, publikimi i projekteve në Sazan dhe Zvërnec, fill pas ndryshimeve ligjore “të nxjerr në një përfundim të thjeshtë e krejt logjik se gjithçka ka qenë e planifikuar më parë”.
“Projektet e Jaerd Kushner ka vite që përgatiten dhe e vetmja mënyrë për t’i vënë në zbatim ka qenë amendimi i ligjit në fjalë”, – thotë eksperti Abudall Diku.
Ai shprehet i shqetësuar për pasojat që do të ketë ndërtimi dhe aktiviteti njerëzor në ujërat e mbrojtura ku jetojnë specilet e rralla.
“Të gjitha gjallesat dhe vlerat natyrore të parkut, janë aty për shkak të natyralitetit. Pra për shkak të mungesës së aktivteteve intensive njerëzore”, – sqaron Diku, duke shtuar se nëse aty ndërtohen strukturat turistike, ishulli do humbasë të gjithë natyralitetitn e tij jo vetem si peizazh, por edhe në aspektin e cilësisë.
Sipas tij qeveria e ka shumëzuar me 0 të vetmin park detar që u shpall para 2 vitesh.
“E shumëzoi me zero sapo lobingu i Grenellit dha efektin e vet mbi këtë pjesë të territorit shqiptar, destinacioni i të cilit nga natyror, do përkthehet në një ishull me turizëm intesiv”, përmbyll Diku.
Sipas tij ligji për “Zonat e mbrojtura” deri para kësaj ndërhyrjeje ishte “ndoshta ligji më i mirë që kishim për mbrojtjen e natyrës”.
Ai shpjegon se ligji përmbante frymën e Unionit ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës (IUCN) si dhe adresonte problematikat dhe situatat lokale në Shqipëri.
Në një dalje për mediat, pas reagimeve që shkaktoi lajmi për investime në ishullin e Sazanit, kryeministri Edi Rama i cilësoi kundërshtimet e projektit si “delire”.
“Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se e ushtarëve të Enver Hoxhës”, – u shpreh kryeministri Edi Rama.
Pjesa tokësore e ishullit të Sazanit nuk është park kombëtar, por ekspertët sqarojnë se investime të tilla kanë ndikim të madh dhe në ekosistemin përreth.
“Vetëm sasia e ujërave të zeza që do dalin nga kompleksi, lëvizjet e shumta që do bëhen (skafe, varka, jahte, anije etj etj) çon në logjikën e humbjes së të gjitha vlerave natyrore atje”, – shpjegon eksperti Abdulla Diku.
Pra 36 speciet e rralla që jetojnë në ujrat e mbrojtura të Parkut Kombëtar Detar, preken nga ky investim. Në territorin e Parkut Kombëtar detar janë evidentuar: 2 tipe habitatesh natyror, 4 lloje, floristike të rëndësishme dhe 3 lloje, i përkasin Konventës së Bernës.
Gjithashtu, janë evidentuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 2 lloje janë “seriozisht të rrezikuara”.
“Zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura”, – tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama.
Por një tjetër ndryshim ligjor i bërë vetëm pak ditë më parë, ngre pikëpyetje mbi këtë deklaratë të kryeministrit.
Pas ndryshimeve ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ku Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) merr në dorë vendimarrjen brenda zonave të mbrojtura, pak ditë më parë qeveria ka bërë një tjetër ndryshim. Këshilli Kombëtar i Territorit kthehet në Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) duke marrë kështu kopetenca vendimmarrëse edhe për zonat detare.
Ndër detyrat e KKTU-së është edhe “përcaktimin dhe ndryshimin e regjimit të zonave të mbrojtura të shpallura në rastet e pashmangshme dhe kufijve të tyre”.
KKTU shndërrohet kështu në përcaktuesen e projekteve apo mënyrës së zhvillimit të Zonave të Mbrojtura dhe hapësirave detare.
Ishulli i Sazanit, që ka gëzuar mbrojtje ushtarake dhe u hap për vizitorët në vitin 2015, është e paqartë nëse bën pjesë ende në pronat e ushtrisë apo jo. Në presidencë ndodhet një liostë me 100 prona që presin të marrin firmën e kreut të shtetit për të dalë nga plani i përhapjes, por ende nuk ka një dekret presidencial të bërë publik.
/Citizens Channel