Nga Boldnews.al
Kushdo që kalon në Unazën e Madhe të Tiranës, e kupton më së miri se premtimi i përsëritur i ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për përfundimin e punimeve brenda vitit 2023, ishte thjesht një butafori.
Investimi me një vlerë totale prej rreth 400 milionë euro, ka nisur vite më parë. Në vitin 2019, nisi punimet aksi i fundit dhe më i rëndësishëm, ai që lidh ish-Sheshin “Shqiponja” me zonën e “Pallatit me Shigjeta”.
Ky projekt është një ndër të shumtët, për të cilët Balluku ka premtuar realizimin e tyre brenda afateve dhe që “kanë mbetur rrugëve”, megjithë qindra milionë euro të shpenzuara nga të ardhurat publike.
Unaza e Tiranës
Një aks prej 2 kilometrash në rrugë fushore dhe pa asnjë vështirësi, u parashikua që të përfundonte brenda një periudhe 3-vjeçare, më konkretisht në vitin 2022.
Në një intervistë të dhënë për “Opinion” në vitin 2020, Ministrja Balluku deklaroi me bindje të plotë se e gjithë Unaza e Madhe e Tiranës do të përfundonte në fund të vitit 2023.
Tashmë që ky afat është tejkaluar dhe ka nisur viti 2024, punimet në vijim në Unazën e Madhe nuk janë aspak premtuese. Balluku ende nuk ka dalë të pranojë se premtimi i saj për këtë vepër publike nuk u përmbush.
Balluku nuk ka dalë as të pranojë se një pjesë e përgjegjësisë për zvarritjen pa fund të këtij aksi rrugor në kryeqytetin shqiptar vjen si pasojë e pasivitetit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të kryer në kohë procesin e shpronësimit të pronave që preken nga ky investim shtetëror.
Megjithatë, viti 2024 sapo ka hyrë dhe ministrja Belinda Balluku ka të gjitha mundësitë që të shfaqet sërish në publik dhe të japë një afat të ri për përfundimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Fotovoltaikët
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë është personi përgjegjës që duhet të përmbushë ambicjen e kryeministrit Edi Rama për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi energjitike në rajon dhe më gjerë.
Rama, me profesion piktor, nuk kupton shumë nga impiantet e prodhimit të energjisë elektrike nga uji apo nga era. Këtë detyrë ia ka ngarkuar Ballukut, e cila, megjithëse si shefi i saj nuk ka njohuri të posaçme në këtë fushë, përsërit shpesh publikisht për “Shqipërinë superfuqi energjitike”.
Dhe, kjo fuqi do të realizohet nëpërmjet parqeve dhe impianteve fotovoltaike. Edhe ky është një premtim tejet i hiperbolizuar. Mjafton të shihen disa shifra të thjeshta.
Në raportin vjetor për vitin 2022, Enti Rregullator i Energjisë ka publikuar të dhënat lidhur me prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ndryshme.
Në atë vit, sasia e energjisë së prodhuar u llogarit në shifrën 7 milionë kilovat/orë. Nga kjo sasi, energjia e prodhuar nga fotovoltaikët ishte rreth 50 mijë kilovat orë ose më rreth se 0.007 përqind e totalit.
Praktikisht, një vlerë e papërfillshme për tregun vendas dhe vite dritë larg premtimit të Ballukut për “Shqipërinë fuqi energjitike”.
Porti i Durrësit
Ministrja Belinda Balluku u vendos në krye të ekipit që do të plotësonte dëshirën personale të kryeministrit Rama për shndërrimin e Portit Tregtar të Durrësit në një Marinë jahtesh dhe komplekse rezidenciale, me përfitues të dukshëm biznesmenin saudit, Mohamed el Alabar.
Projekti qeveritar synon shkatërrimin plotësisht të Portit më të madh në vend, pikën kryesore të importit në Shqipëri dhe zhvendosjen e tij në zonën e Porto Romanos.
Ndërkohë që “dhuratat” për Alabarin, përfshirë mbi 1 milionë metra katrorë tokë publike, leje e licensa, si edhe politikë taksash të reduktuara, janë ofruar me përparësi nga qeveria “Rama-Balluku”, ende nuk shifet asgjë në horizont për Portin e ri tregtar.
Alabari ka nisur të shesë “ajër” në “Durres Yacht Marina”, ndërkohë që Ministrja Balluku nuk ka thënë ende asgjë konkrete se çfarë do të ndodh e, mbi të gjitha, kur do të jetë funksional porti i ri tregtar.
By pass i Vlorës
Në Korrik 2022, Rama dhe Balluku përuruan “by pass-in” e Vlorës. Investimi me vlerë totale 56 milionë euro ishte një ndër më të rëndësishmit për turizimin në Shqipëri.
“Ndodhemi në By Pass-in e Vlorës, sot është data 7 korrik dhe ka përfunduar e gjithë pjesa e rrugës”, deklaroi ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku, gjatë ceremonisë inaguruese të By Pass-it të Vlorës korrikun e dy viteve më parë.
Një javë më vonë, në krah të Komisionerit të Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver VArhelyi, kryeministri së bashku me zyrtarë të tjerë u rikthyen në By Pass-in e Vlorës për një tjetër inagurim të segmentit panoramik.
Punimet kryesore të By Pass-it përfunduan zyrtarisht më 30 qershor të vitit 2022. Edhe pse u inagurua dy herë e vërteta është se rruga ishte e papërfunduar.
Vëzhgues të specializuar dhe qytetarë që e përdorin këtë rrugë, konstatuan se mungonin elementë të rëndësishëm të sigurisë rrugore, barriera anësore, tabelat sinjalizuese, skarpatet, e të tjerë.
Edhe në një dokument zyrtar nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor tregon se By Pass-i i Vlorës u hap për qarkullim pa u mbyllur 15% e punimeve. Dhe skarpatat janë vetëm një nga disa elementet thelbësor të projektit infrastrukturor.
AKBN pa rroga
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) duhet të ishte një nga institucionet publike më të pasura në vend. Agjencia nën varësinë e Belinda Ballukut është përgjegjëse për dhënien e lejeve minerare dhe mbledhjen e taksave dhe rentës përkatëse.
Por, situate financiare e këtij institucioni prej “floriri” është shumë larg asaj që duhet të ishte.
Pak ditë më parë, në media u publikuan dokumenta, të dhëna e dëshmi, që tregojnë se punonjësit e AKBN-së kanë të paktën 4 muaj pa marrë pagat mujore.
Situata e vështirë financiare e AKBN-së nuk është diçka e papritur për ministren Balluku. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të publikuar në vitin 2022, ka ngritur alarmin se mënyra se si është menaxhuar institucioni nga të besuarit e Ballukut do ta përfundojë me kolaps financiar.
Por, ministrja Balluku nuk reagoi, duke e lënë situatën në rënie të lirë, derisa mbërriti në pikën kulminante, ku punonjësit mbeten pa rroga.
Dhe, pavarësisht kësaj situate, nga ana e Ballukut nuk pati asnjë reagim publik.
LEXO EDHE:
Nga “Tigrat” tek Hekurudha dhe Skavica/ Dështimet qindra miliona euro të Ballukut
“Testi i Mrekullueshëm”/ Rama-Balluku mashtruan shqiptarët për naftën e Shpiragut