Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në GJKKO kërkesën për kalim në gjykim themeli të procedimit penal në ngarkim të pesë personave. Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Cekaj, akuzohen për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në formën e veçantë të bashkëpunim atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ata ishin pjesë e një rrjeti që ka mashtruar qytetarë në vende të ndryshme të Evropës përmes call-center-ave me “investime në bursë” dhe platforma financiare mashtruese online, me një dëm që përllogaritet miliarda euro.
Pjesë e rrjetit është edhe Amant Josifit, ish-këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes në kohën kur drejtohej nga Olta Xhaçka dhe bashkëpunëtor i ngushtë biznesi me Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit Edi Rama.
Hetimet për të po ndiqen nga autoritetet spanjolle, ndërsa Prokuroria e Posaçme konfirmon se i janë sekuestruar subjekte tregtare të administruar nga ai e familjarë dhe llogari bankare me shumat monetare në total në vlerën prej 2 225 868.66 Euro dhe 2 844 936.37 lekë.
Hetimet me kërkesë të spanjollëve
SPAK njofton se procedimi në Shqipëri ka nisur në vitin 2021 me kërkesë të autoriteteve ligjzbatuese spanjolle.
Pas regjistrimit të procedimit penal, në koordinim me Eurojust, Shqipëria është bërë pjesë e skuadrës së përbashkët hetimore, të krijuar në datë 27 Prill 2021, në përbërje të së cilës janë autoritetet gjyqësore të Spanjës, Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Maqedoni e Veriut, etj.
Objekt i hetimit të përbashkët janë bërë një sërë kompanish të cilat kanë kryer aktivitetin e “call center”, duke kryer dhe mashtrimet online në platforma mashtruese të shtetasve europianë. Këto kompani lokalizoheshin në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj., të cilat drejtoheshin ose koordinoheshin nga “Milton Group”.
Autoritetet gjyqësore spanjolle, në kushtet e ekzistencës së marrëveshjes së ekstradimit me Shqipërinë, ushtruan ndjekjen penale në Spanjë për shtetasit shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasojat e të cilit kishin ardhur në Spanjë. Ndërsa për shqiptarët që kishin mashtruar shtetas gjermane dhe të vendeve të tjera europiane të cilat nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Gjermaninë, u vendos që ndjekja penale të kryehej nga SPAK.
Nga të dhënat hetimore të dërguara nga Autoritetet Gjyqësore Gjermane, kanë rezultuar lidhje të shtetasve shqiptarë me “Milton Group”. “Milton Group” ka organizuar veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik online, në mjaft shtete të Europës Perëndimore, duke përfshirë shtetet të cilët janë pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore.
Nga autoritetet gjermane është urdhëruar kontrolli i platformave mashtruese tregtare “Absolut Global Markets”, “AurumPro” dhe “Finaxis”. Megjithatë, sipas këtyre autoriteteve konsiderohet e sigurt se i njëjti grup kriminal është gjithashtu përgjegjës për shumë platforma të tjera tregtare, kryesisht identike, duke përfshirë platformat “SNP Broker”, “CapitalMarketsBanc”, “FXNobel”, “Cryptokartal”, “Centrobanc”, “GoldmanBank” dhe “TopTradePro”. Kjo duket qartë nga hetimet financiare të kryera ndaj kompanive, si dhe nga vlerësimet e gjurmëve të ndryshme teknike, përfshirë IP me adresa identike.
Bazuar në provat teknike, ka rezultuar se grupi kriminal ka operuar me dhjetëra platforma mashtruese gjatë viteve të fundit.
Miliarda euro mashtrim
Dëmet e shkaktuara në platformat “AurumPro”, “Fianxis” dhe “AGMarkets”, (me 67 kallëzime penale në zyrën qendrore kibernetike në Bavari), llogariten me një dëm të përgjithshëm prej 1.8 milionë Euro. Në platformën CentroBanc, ka 35 kallzime penale, me një dëm total prej 1.7 milionë Euro. Për platformën CapitalMarketsBanc, ka 40 ankesa, me një dëm të konstatuar prej 1.6 milionë Euro. Për platformën Cryptokartal ka 31 kallzime penale, me një dëm të përgjithshëm, prej 1 milionë Euro.
Përveç Rajonit të Bavarisë ku janë këta të dëmtuar, edhe shumë prokurori të tjera publike në Gjermani kanë ankesa për të dëmtuar të tjerë në këto platforma, të cilat janë në pritje, kështu që dëmi i përgjithshëm supozohet të jetë shumë më i lartë.
Disa nga të dëmtuarit nga Rajonet e tjera federale tashmë janë regjistruar në platformat e tjera “Centrobanc”, “CapitalMarketsBanc” dhe “Cryptokartal”.
Aksioni në Shqipëri
Në datat 08-09.11.2022, është finalizuar operacioni ndërkombëtar “FRIDA-REFOX”, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, me të gjitha vendet pjesëmarrëse, të koordinuar nga “EUROJUST” me seli në Hagë, Hollandë.
Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, në Shqipëri janë kontrolluar qendrat e thirrjeve apo ambiente në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, të cilat gjatë periudhës hetimore kanë patur dhe ndryshime vendodhjesh, emërtimesh, por dhe bashkime me njëra-tjetrën, për efekt të fshehjes nga organet ligjzbatuese.
Janë kryer 11 kontrolle qendrash thirrjeje dhe banesa, janë arrestuar/ndaluar 4 shtetas të dyshuar (2 nga SPAK dhe 2 në bazë të kërkimit ndërkombëtar), si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë (3 nga SPAK dhe 3 në bazë të kërkimit ndërkombëtar).
Janë sekuestruar rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe, prova të tjera dixhitale dhe dokumente të shumta, portofole kriptovalutash në vlerën afërisht 15.000 USD dhe cash 90.000 Euro, dokumente identifikimi të shtetasve lituanezë dhe gjeorgjianë, karta banke lituaneze etj.
Nga hetimet e përbashkëta me autoritetet gjyqësore gjermane, janë identifikuar personat që janë prapa platformave mashtruese ose punojnë për kompanitë që ofrojnë shërbime për platformat. Gjatë vlerësimit të një serveri të siguruar në proces dhe provat e tjera të administruara, identifikohen plotësisht personat të cilët pa dyshim lidheshin me kompanine e IT “PumaTS/SMCompany”, të pandehurit Irisa PUCA, Endri Bulku, Erlind Cekaj dhe Adrian Korriku. Gjithashtu ka rezultuar se personi i pandehur Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdrejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave. Kjo është provuar plotësisht nëpërmjet adresave IP nga ku janë bërë komunikimet, si dhe lëvizjet e llogarive bankare dhe ato të valutave në modhedha virtuale, në të cilat kanë kaluar paratë e viktimave.
Në përfundim të hetimit është evidentuar në mënyrë të qartë ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal, me përfshirje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, me qëllim mashtrimin financiar nëpërmjet ndërtimit të platformave të ndryshme dhe përdorimit të tyre, në dëm të personave me banim në Austri, Gjermani dhe vende të tjera evropiane.
Mashtrimi është kryer në dëm të disa personave dhe për këtë arsye vepra penale e mashtrimit kompjuterik është konsumuar për të gjithë të hetuarit, sipas rrethanës cilësuese.
Nga analiza e elementëve të veprave penale të mësipërme, thotë SPAK, rezulton se në rastin konkret, të pandehurit Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Cekaj, kanë konsumuar tërësisht të gjitha elementët e figurës së veprave penale “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të struktuar kriminal”.
Josifin e marrin në ngarkim spanjollët, hetimet vijojnë
Në vijim të veprimeve hetimore, sqaron SPAK, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore spanjolle janë gjendur dhe sekuestruar në posedim të shtetasit Amant Josifi subjekte tregtare të administruar nga ai, si dhe familjarëve të tij, llogari bankare me shumat monetare në total në vlerën prej 2 225 868.66 Euro dhe 2 844 936.37 lekë.
Për Josifin, prokuroria thotë se “jemi dakortësuar që ndjekjen penale ta ushtronin autoritetet spanjolle)”.
Nga hetimi rezulton se në këtë aktivitet të kundërligjshëm janë të përfshirë edhe persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj për të cilët vazhdojnë hetimet në kuadër të një procedimi penal të ndarë, për të njëjtat vepra penale.
Në Shtator 2023, nga media u raportua arrestimi i Amant Josofit në Dubai për llogari të autoriteteve spanjolle. Mediat e këtij vendi e më pas dhe avokati i Josofit tha se klienti i tij ishte lënë i lirë.
Opozita ka akuzuar se pas Amant Josofit qëndron Olsi Rama, vëllai i kreut të qeverisë Edi Rama. Sipas PD-së, ndërhyrja e tyre çuar në dekonspirimin e aksionit për arrestimit e Josofit në Shqëipëri.