Talat Xhaferi bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai do të drejtojë për 100 ditët e ardhshme qeverinë teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale me 8 Maj. Xhaferi u votua me 65 vota pro dhe vetëm 3 kundër. Opozita maqedonase siç e kishte paralajmëruar nuk e votoi.
Menjëherë pasi morën votëbesimin, Xhaferi dhe ministrat e tij u betuan në Kuvend.
Në fjalën e tij drejtuar deputetëve para votimit, Xhaferi pasi dorëzoi listën e kabinetit të tij qeveritar dhe deklaroi se qeveria e tij teknike do të ketë në fokus prioritetet strategjike dhe shtetërore.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën deri në zgjedhjen e qeverisë së ardhshme politike do të fokusohet në prioritetet strategjike dhe shtetërore të veta konkrete. Në lidhje me prioritetin e lartë të qeverisë që është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të lira, ‘fair’ (të drejta) dhe demokratike, qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore e në bashkëpunim me Kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe misionin e OSBE/ODIHR, BE dhe SHBA do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve duke synuar mundësimin e standardeve më të larta europiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë, konsensualitet dhe pranim konsensual të vullnetit elektoral të qytetarëve”, u shpreh Xhaferi para deputetëve të pranishëm.
Ndërkaq, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij tha se, bëri thirrje për unifikim për interesat strategjike të shtetit dhe orientimin proevropian.
“Për 22 vite unë dhe partia ime jemi përpjekur që me partnerët si me VMRO-në ashtu edhe me LSDM-n, ka pasur momente që partneri VMRO ka pasur një kerkesë të rëndësishme i kam thënë ne jemi partnerë, pa trokitur te dyert e mia, mos trokit në dyer tjera, ashtu siç ju kam thenë edhe LSDM-së un jam partner dhe i shoh kërkesat e të gjithëve. Unë jam ai që e kam votuar edhe Jovan Mitrevskin, nga LSDM”, tha Ahmeti.
Kujtojmë se Talat Xhaferi pason Dimitar Kocaçevskin në këtë detyrë dhe sipas ligjit do të ketë një mandat prej 100 ditësh.
Fokus i qeverisjes do të jetë organizimi dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor më 8 Maj ku krahas zgjedhjeve parlamentare do të zhvillohen edhe ato presidenciale.
Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.
Kujtojmë se një kryeministër shqiptar u premtua nga kryetari i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020. Këto zgjedhje u fituan nga LSDM-ja që drejtohej asokohe nga Zoran Zaev, që për rrjedhojë u bë kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Ai arriti një marrëveshje për formimin e qeverisë në vitin 2020 me Ali Ahmetin ku u pajtua që në 100 ditët e fundit të mandatit qeveria teknike të drejtohej nga një emër i propozuar nga BDI-ja.