Vetëm 11 qytete furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë! Rritja e çmimit dhe blerja e ujit të pijshëm janë kosto që paguhen nga konsumatorët.
Ndonëse uji vjen me orar dhe nuk konsumohet për të pirë nga shumë familje në qytetin e Vlorës, çmimi i faturës sërish do të pësojë rritje. Ndërsa pritet që data 1 shkurt të shoqërohet me faturim më të lart të çmimit të ujit i cili do të rëndojë në xhepat e qytetarëve, këto të fundit e kundërshtojnë këtë vendim.
Të pakënaqur me cilësinë e ujit dhe kohëzgjatjen e tij, një prej banoreve të këtij qyteti, 55-vjeçarja S.H ngre shqetësimi se kjo rritje nuk reflekton shërbimin e marrë.
Teksa tregon se pranë shtëpisë ajo së bashku me bashkëshorti kultivojnë produkte për konsum vetjak, furnizimi i ujit me orar të kufizuar e ka detyruar që të ndërtojnë një pus, ndonëse kosto ishte e lartë.
“Ardhja e ujit me orar na penalizon, sidomos ne që kemi bahçe. Unë dhe burri im kultivojmë për konsum familjar çdo gjë vetë duke filluar që nga patatet, domatet, qepët sallatat, çdo gjë. Mungesa e ujit, them mungesa e ujit sepse në Vlorë gjatë verës përveçse ka orare të kufizuara të ujit kemi dhe mungesë shpesh edhe me ditë të tëra. Uji që vjen me orar të kufizuar na ka detyruar të hapim një pus i cili na ka kushtuar rreth 800 mijë lek, po prap nuk është se nuk ka kosto se për të nxjerr ujin nga pusi përdorim pompë elektrike . Domethënë prap kostoja na vjen të fatura e energjisë elektrike edhe pse kemi pus”.
55-vjeçarja thotë se kjo problematik ka prekur edhe shumë banorë të tjerë, të cilët kanë gjetur të njëjtën zgjidhje, ndërtimin e një pusi.
Zgjidhje alternative banorët e Vlorës kanë gjetur edhe përsa i përket ujit të pijshëm. Ndonëse në faturën e UK uji që furnizon këto familje konsiderohet i pijshëm, shumë prej tyre detyrohen ta blejnë. Ata theksojnë se kjo është një kosto ekstra e cila praktikisht paguhet dy here.
“Uji vjen rreth 3 ose 4 orë në ditë dhe nuk e përdorim për ta pirë, nuk duam të rrezikojmë se nuk e dimë si janë tubacionet, klori këto gjëra. Mesatarisht blejmë 1000 lek ujë në muaj”, thotë S.H. teksa thekson se pavarësisht kësaj çdo muaj paguajnë përafërsisht rreth 10 mijë lekë të vjetra të tjera për faturën e ujit.
Përsa i përket përmirësimit të shërbimit, 55-vjeçarja tregon se familja e saj vijon të përballet me të njëjtat problematika çdo vit përsa i përket cilësisë së ujit dhe ujrave të zeza.
“Përpara një viti u vunë sahatët e rinj, vetëm kjo. Po prapë para një viti filluan të shtronin tubacionet për kanalizimet e ujrave të zeza po vetëm për disa familje u vendos jo për të gjitha. Ne këtu jemi të rrethuar nga kanalet e ujrave të zeza dhe çdo vit kur bie shi bllokohen po nuk kemi parë asnjë të kanalizimeve të vijë”, thotë 55-vjeçarja.
E njejta problematik paraqitet edhe në kryeqytet, ku shumë familje pavarësisht çmimit të faturimit të ujit i cili ndër vite ka pësuar rritje, cilësia dhe orari i furnizimit vijonë të shoqërohet me problematika.
Vjollca, një zonjë nga Tirana, banuese në “Komunën e Parisit” tregon se përpos çmimit të lartë të ujit duhet të blejë çdo muaj ujë të pijshëm dhe për gatim.
“Ne jemi 6 pjesëtarë, kam edhe fëmijë të vegjël në familje, nuk mund ta përdor ujin e çezmës për të pirë dhe as për gatim, ka shumë klor dhe duket shumë i papastër. Çdo muaj fatura e ujit më vjen 45-50 mijë lekë të vjetra. Nw faturwn e ujit tregohet se pwfshihen disa taksa si tarifë pastrimi, tarifë mbi ndërtesën, taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Shtoi kësaj dhe ujin që blejm që shkon rreth 60 mijë lekë të vjetra në muaj. Nuk e di a do vij ndonjëherë dita, që uji i çezmës të përdoret edhe për të pirë”, tregon Vjolla.
Në kryeqytet tarifat për furnizimin me ujë paraqiten më të larta, ku aktualisht konsumatori familjar paguan 65 lekë për metër kubë.
I pyetur nëse rritja e çmimit përgjatë viteve ka reflektuar përmirësim në cilësinë e ujit të pijshëm dhe kohëzgjatjes së furnizimit me ujë në Shqipëri, Eksperti i ekonomisë, njëkohësisht Dekan i Fakultetit te Biznesit dhe Drejtësisë pranë Tirana Business University, Prof.Dr. Elvin Meka thotë se “në raste të caktuara kjo është shoqëruar me rritjen e sasisë së furnizimit, por jo domosdoshmërisht dhe kudo me rritjen e cilësisë së ujit të pijshëm, përkundrazi, mjaft qytetarë shqiptare vijojnë ende të blejnë ujë për të pirë, në një kohë që uji duhej të shkonte në çdo familje me cilësinë ‘I PIJSHËM’.”
Çmimi i ujit, kohëzgjatja dhe cilësia
Me përfundimin e reformës në sektorin ujësjellës nisi edhe rishikimi i tarifave që abonentët paguajnë për ujin. I pari është ujësjellësi i Vlorës, ku konsumatorët familjarë nga 1 shkurti do të paguajnë 15 lekë më shumë për metër kub ujë.
Pas kërkesës së Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë për rritjen e tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura, Enti Rregullator miratoi këtë kërkesë.
Konkretisht konsumatorët familjar nga 45 lekë për metër kub, do të tarifohen me 60 lekë për metër kub. Ndërsa për biznesin çmimi i ujit pritet të rritet me rreth 20%.
Rritja synon të përmirësojë cilësinë e shërbimit të ndërmarrjes ujësjellës kanalizimeve dhe të synojë zgjatjen e fashës së orarit të furnizimit me ujë të pijshëm. Në pritje për të aplikuar rritje çmimi për abonentët janë edhe disa qytete të tjera, kërkesat e të cilave janë duke u shqyrtuar nga enti rregullator i ujit.
Eksperti i ekonomisw Elvin Meka thotë për Sinjalizo se një vendim i tillë ishte i pritshëm, kjo sipas tij për shkak të vijimit të keqadministrimit të sektorit të ujit, thuajse në të gjithë territorin, me pak përjashtime në disa qytete.
“Vendime të tilla janë tipike që zbulojnë jo vetëm praktikat e keqadministrimit ekonomik të këtyre ndërmarrjeve, por dhe nivelin e lartë të abuzivizimit dhe korrupsionit, të cilat në fund të ditës prodhojnë kosto që duhen përballuar, ose nga buxheti i këtyre ndërmarrjeve (dhe tërthorazi dhe nga buxheti i akorduar nga pushteti vendor dhe për të), ose nga qytetari. Rruga më e thjeshtë është si përherë t’i ngarkohen konsumatorit final, pra qytetarit, i cili detyrohet të mbajë në kurriz jo vetëm koston reale të ujit dhe shëbimit, por dhe keqadministrmitn, abuzivizmin dhe korrupsionin respektiv”, tregon eksperti i ekonomisë.
UK “fryhet” me punëtorë, barra u mbetet qytetarëve
Enti Rregulator i Ujit në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar të analizohen hollësisht numri i punonjësve dhe pozicionet në organigramë pranë shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve, përshkrimet e punës dhe ngarkesa reale për çdo pozicion pune, veçanërisht në rastet kur shoqëritë aplikojnë për nivel të ri tarifor, por sektori vazhdon të jetë i mbingarkuar me staf të pajustifikuar.
Në raportin e përformancës për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të vitit 2022, Enti Rregullator i Ujit ndalet pikërisht te efiçenca e stafit.
“Efikasiteti i stafit nënkupton që shoqëritë të mos kenë njerëz në organikën e tyre që nuk justifikojnë pozicionin e punës që presupozohet të kryejnë. Edhe pse për vitin 2021 sektori ka operuar me 101 punonjës më pak, përsëri sektori paraqitet i mbingarkuar me staf të pajustifikuar që në mjaft raste janë të punësuar pa arsimin dhe kualifikimet përkatëse dhe bazuar në kritere partiake”, thuhet në raport teksa theksohet se për vitin 2022 sektori e ka zhvilluar aktivitetin me një staf prej 7815 punonjësish.
Në këtë raport tregohet se kostot e punës zënë aktualisht 43% në kostot O&M të shoqërisë. Treguesi i efiçencës së stafit në nivelin 4.73 punonjës për 1000 lidhje UK tregon se ka mjaft hapësirë për reduktimin e tij nga punonjësit e tepërt në numër dhe pozicione të pajustifikuara, sipas ERRU.
I pyetur rreth kostove që vijnë prej punësimeve eksperti i ekonomisë Elvin Meka thekson se është thelbësore mbajtja nën kontroll e shpenzimeve të personelit duke larguar personat e papërshtatshme dhe të pakualifikuar.
“Këtu duhet kuptuar që këto janë ndërmarrje ekonomike dhe duhet të funksionojnë mbi parime dhe logjike të pastër të eficiencës ekonomike e financiare. Në afatgjatë një personel i tejfryrë dhe jashtë kapaciteteve teknike kushton si në aspektin financiar dhe atë profesional, pasi shërbimi i ofruar është i dobët dhe abuzivizmi e korrupsioni do të rriten”, tregon eksperti.
Kohëzgjatja e furnizimit me ujë
Kohëzgjatja e furnizimit me ujë mbetet një nga treguesit më të rëndësishëm në sektorin e ujit, ku dhe konsumatorët janë më të ndjeshëm. Në raportin e performancës së ERRU theksohet se objektivi i vendosur nga ERRU prej 18 orë/ditë ende është larg për tu arritur nga shumë shoqëri në vend. Ndërsa tregon se disa shoqëri mund të merren si raste suksesi për shkak te furnizimit me ujë pandërprerje.
“Shoqëritë ofrojnë furnizim me ujë që varion nga 2-24 orë/ditë. Shoqëritë që ofrojnë furnizim të pandërprerë me ujë janë 11 shoqëri si UK Korçë, UK Lezhë, UK Librazhd, UK Mirditë, UK Devoll, U Gramsh, UK Bulqizë, UK Përmet, UK Poliçan, UK Fushë Arrëz, UK Pustec. Shoqëritë me performancë të mirë ose që kanë arritur në nivele të pranueshme në oraret e FU tregon se ky tregues nuk varet vetëm nga investimet, por edhe nga mirëmenaxhimi i shoqërisë”, thuhet në raport.
Në raport evidentohet se disa prej shoqërive ujësjellësve arrijnë të furnizojnë me ujë konsumatorët me maksimumi 10 orë në ditë. Me furnizim më të pakët me ujë për vitin 2022 paraqitet Kurbini me vetëm 2 orë ujë në ditë, e ndjekur nga Kamza me 4 orë ujë në ditë, Roskoveci me 5 orë ujë në ditë, Dropulli dhe Selenica me 7 orë ujë furnizim në ditë.
I pyetur se cilat janë pasojat e mundshme ekonomike të krizave të ujit, eksperti i ekonomisë thotë se Shqipëria përjeton një paradoks që nuk haset në vende të tjera, kjo pasi sipas tij vëndi ynë ka mjaft burime ujore, por njëkohësisht nuk kemi 24 orë në ditë ujë dhe shpesh herë uji që vjen nuk është i pijshëm.
“Kjo tërësisht për faj të politikave të gabuara ndër vite, që e kanë përdorur abuzivisht sektorin për motive dhe interesa të ngushta politike dhe elektorale, përfitime të paligjshme dhe abuziviste. Nëse do ketë ndonjëherë “krizë” në sektorin e ujit në Shqipëri, ajo nuk do jetë e shkaktuar nga natyra, por nga njeriu, e konkretisht nga politikani shqiptar, që ndër vite abuzon dhe keqadministron sektorin, si në nivel qendror, lokal dhe në nivel mikro në rang ndërmarrje!”, tregon eksperti Elvin Meka.
Ai thekson se një sektor uji problematik do jetë me ndikim të madh jo vetëm në cilësinë e jetës së qytetarit, por dhe në ekonomi, e cila do vuante drejtpërdrejt pasojat jo vetëm në bujqësi por kudo.
/Qëndra për Gazetari Cilësore (ACQJ)