Luftimi “i kafshëve njerëzore”. Shndërrimi i Gazës “në një kasaphane”. “Zhdukja e Rripit të Gazës nga faqja e dheut”.
Retorika e tillë nxitëse është komponent kyç i rastit të Afrikës së Jugut, e cila në Gjykatën Botërore të Kombeve të Bashkuara po e akuzon Izraelin për gjenocid, akuzë që Izraeli e mohon. Afrika e Jugut thotë se gjuha – e përdorur gjatë deklaratave të udhëheqësve izraelitë, ushtarëve dhe personaliteteve të tjera lidhur me palestinezët në Gazë që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit – është dëshmi e qëllimit të Izraelit për të kryer gjenocid.
Seanca në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) lidhur me akuzat e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë, Hagë 11 janar 2024.
Udhëheqësit izraelitë kanë minimizuar deklaratat, dhe disa në Izrael thonë se deklarata të tilla janë rezultat i traumës nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe aktivistët thonë se ato pashmangshëm janë nënprodukt i sundimit prej dekadash dhe të pafundmë të Izraelit ndaj palestinezëve dhe se këto deklarata janë intensifikuar gjatë luftës. Ata thonë se gjuha e tillë nuk është ndëshkuar, duke nxitur dhunë dhe dehumanizim të palestinezëve.
“Fjalët të çojnë në vepra”, thotë Michael Sfard, një avokat i njohur izraelit. “Fjalët që normalizojnë apo legjitimojnë krime serioze kundër civilëve krijojnë bazë sociale, politike dhe morale që njerëzit e tjerë të veprojnë po njësoj”.
Rasti i gjenocidit kundër Izraelit u hap javën e kaluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë. Afrika e Jugut po tenton që të dëshmojë se Izraeli është duke kryer gjenocid në Gazë dhe se Izraeli ka qëllim specifik për të kryer gjenocid. Ky shtet po përdor deklaratat e ashpra si pjesë e dëshmive në rastin që ka ngritur.
Deklaratat
Me nisjen e ofensivës tokësore në fund të tetorit të vitit të kaluar, kryeministri Benjamin Netanyahu, citoi Biblën gjatë një adresimi televiziv:
“Duhet ta kujtoni se çfarë u ka bërë juve Amaleku”.
Amalekët ishin përndjekësit e izraelitëve biblikë, dhe një urdhër biblik thotë se ata duhet të shkatërrohen. Afrika e Jugut argumenton se deklarata të tilla tregojnë qëllimin e Izraelit për të kryer gjenocid kundër palestinezëve. Netanyahu e ka mohuar këtë akuzë dhe gjatë kësaj jave deklaroi se ai iu referua Amalekut për të përshkruar Hamasin dhe sulmin e tij.
Dy ditë pas sulmit të Hamasit, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se Izraeli po “lufton kafshët njerëzore”, teksa njoftoi për rrethimin e plotë të Gazës.
Nënkryetari i Kuvendit izraelit – Knesset – Nissim Vaturi, që vjen nga partia në pushtet Likund, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se izraelitët kishin një qëllim të përbashkët: “Zhdukjen e Rripit të Gazës nga faqja e dheut”.
Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichay Eliyahu, nga partia e ekstremit të djathtë Fuqia hebreje, sugjeroi që Izraeli duhet të gjuajë një bombë bërthamore në Gazë dhe tha se në këtë territor “nuk ka civilë të papërfshirë”.
Ushtarët izraelitë janë shfaqur në video duke bërë deklarata të ngjashme, teksa kanë vallëzuar e kënduar në ditët e para të ofensivës tokësore të Izraelit në Gazë.
Më 7 tetor, një gazetar shkroi në X se Gaza duhet të bëhet “një kasaphane” nëse afër 250 personat, që u morën peng nga Hamasi, nuk do të lirohen.
Zyrtarët ushtarakë dhe dy këngëtarë të popit në Izrael po ashtu, sipas Afrikës së Jugut, kanë bërë komente nxitëse.
“Gjuha e dehumanizimit sistematik këtu është evidente”, tha gjatë seancës në GJND, avokati Tembeka Ngcukaitobi, që përfaqëson Afrikën e Jugut në këtë rast. “Prandaj, deklaratat gjenocidale nuk po bëhen nga njerëz të parëndësishëm. Ato janë të përfshira në politikën shtetërore”.
Afrika e Jugut po kërkon që gjykata të ndërmarrë një sërë vendimesh ligjërisht të obligueshme ku do të thuhej se Izraeli “po shkel detyrimet e tij sipas Konventës për Gjenocid” – një vendim që mund të marrë vite kohë – dhe po kërkon masë të përkohshme për ndërprerjen që do të detyronte Izraelin të ndërpresë armiqësitë. Vendimi lidhur me kërkesën për një masë të tillë pritet të merret në javët në vijim.
Përgjigjja e Izraelit
Duke mbrojtur Izraelin para gjykatës, avokati Malcolm Shaw, tha se deklaratat kryesisht janë bërë nga zyrtarët që kanë pak rol në përcaktimin e politikës izraelite, duke i cilësuar si “deklarata të rastësishme” që ishin mashtruese dhe në disa raste janë hedhur poshtë nga Netanyahu.
Këshilltari ligjor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Tal Becker në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë para seancës dëgjimore të çështjes për akuzat ndaj Izraelit për gjenocid në Gazë, të ngritur nga Afrika e Jugut. 12 janar 2024,
Por, Roy Schondorf, ish-zëvendësprokuror i Përgjithshëm, tha në një intervistë se këto deklarata megjithatë bartin rrezik, edhe nëse janë jashtë kontekstit: “Do të ishte më mirë sikur disa nga këto deklarata të mos ishin dhënë”.
Izraeli argumenton se sistemi i tij i drejtësisë do të ndërmarrë masa kundër gjuhës së papranueshme. Por, kritikët thanë se deklaratat kundër palestinezëve kanë kaluar pa u ndëshkuar dhe pa u dokumentuar. Avokati Sfard më herët gjatë këtij muaji parashtroi një kërkesë para prokurores së Përgjithshëm të Izraelit në emër të një grupi të figurave të njohura izraelite, duke kërkuar që të dijë se pse kjo retorikë nuk është frenuar.
Përmes një deklarate dy ditë para se të niste rasti para GJND-së, prokurorja e Përgjithshëm, Gali Baharav-Miara, deklaroi se thirrja për të lënduar qëllimisht civilët mund të përbëjë vepër penale dhe se autoritetet izraelite po hetonin disa raste të tilla, por nuk elaboroi më shumë. Këto komente duket se kanë pasur për synim të hedhin poshtë akuzat e Afrikës së Jugut.
Serhii Lahovskyi, 26 vjeç, përqafon Ludmyla Verginska, 51 vjeçe, teksa ata vajtojnë për mikun e tyre, Ihor Lytvynenko, i cili raportohet se është vrarë në Buça. Vrasjet e raportuara të civilëve në këtë qytet, presidenti ukrainas ka kërkuar që të njihen si gjenocid.
Në përgjithësi, Izraeli i mohon fuqishëm akuzat në Gjykatën Botërore. Izraeli thotë se po lufton një luftë për vetëmbrojtje nga Hamasi, pasi grupi radikal vrau 1.200 persona, shumica civilë.
Zyrtarët izraelitë thanë se shteti i përmbahet të drejtës ndërkombëtare dhe bën sa të mundet që të mbrojë civilët, duke fajësuar Hamasin për numrin e lartë të viktimave, pasi argumentojnë se ky grup radikal operon në zonat civile. Mbi 24.000 persona janë vrarë në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.
Izraeli, po ashtu, thotë se Hamasi ka shfaqur veprime gjenocidale me sulmin e tij dhe qëllimet gjenocidale me gjuhën e dhunshme kundër izraelitëve, përfshirë premtimet se do të përsërisë sulmin e 7 tetorit dhe zotimin se do të shkatërrojë Izraelin.
Popullarizimi i retorikës
Lufta po zhvillohet në kohën kur Izraeli po udhëhiqet nga Qeveria e linjës më të ashpër ndonjëherë. Ekzekutivi dominohet nga ministrat e ekstremit të djathtë, që kanë një histori të deklaratave kundërthënëse edhe shumë kohë para 7 tetorit.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, një herë kishte bërë thirrje për “fshirjen” e një qyteti palestinez në Bregun Perëndimor. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kishte folur për supermacinë e lirisë së lëvizjes për kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor mbi të drejtën e njëjtë për palestinezët.
Dhe, që nga 7 tetori, fjalime të tilla janë popullarizuar edhe më shumë.
Izraelitët, sikurse palestinezët, për dekada të tëra janë të përfshirë në konflikt vdekjeprurës dhe nga ndjenja se ai është i pazgjidhshëm.
“Trauma intensive kolektive mundësoi pa pengesë shprehjen e lirë të ndjenjave të këqija të hakmarrjes që në mesin e popullatës ishin më pak të këndshme të shpreheshin sesa sot”, shkroi zëvendëskryeredaktorja, Noa Landau në të përditshmen Haaretz. Ajo tha se deklaratat pasqyronin “zeitgeist-in social”.
Përderisa duket se është bërë pak për të luftuar retorikën e dhunshme kundër palestinezëve, qytetarët palestinezë të Izraelit që kanë shfaqur empati për popullin në Gazë po përballen me shtypje, sipas Adalah, një grup ligjor për të drejtat e njeriut. Policia thotë se gjuha përbën nxitje, promovon dhunë ose tregon mbështetje për grupet terroriste.
Adalah thotë se të paktën 270 qytetarë palestinezë të Izraelit kanë pasur një lloj ndërveprimi me organet ligjzbatuese – arrestime, hetime apo paralajmërime – dhe të paktën 86 padi janë ngritur për gjuhën. Disa izraelitë që kanë shprehur simpati për palestinezët po ashtu janë përballur me arrestime apo dënime nga punëdhënësit e tyre.
Aeyal Gross, profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tel Avivit, thotë se ka rëndësi se si Izraeli përgjigjet ndaj retorikës nxitëse në rastin me Afrikën e Jugut, sepse Izraelit, si nënshkrues i Konventës së Gjenocidit, i ndalohet jo vetëm që të kryejë gjenocid, por edhe të nxisë gjenocid.
Gross thotë se ndoshta është shumë vonë që Izraeli të ndërmarrë hapa për të treguar se nuk pranon fjalime të tilla. Ndëshkimi i deklaratave të tilla do të mund t’i dërgonte mesazh gjykatës, por edhe shoqërisë izraelite, se shteti nuk toleron retorikën nxitëse.
“Është e rëndësishme sepse do të thoshte ‘ky nuk është qëllimi ynë’”, tha ai. “Por, po ashtu është e rëndësishme sepse do të nënkuptonte se ata do t’iu dërgonin një mesazh ushtarëve në terren që të mos veprojnë kështu”./AP, REL