Nga Boldnews.al
Politikanet e larta qeveritare, përfshirë kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe Ministren e Shtetit, Elisa Spiropali, nxituan të gjenin fajtorin tek rrjetet sociale, pas rastit tragjik të vetëvrasjes me fostoksinë të Bedrie Lokut, nënës 40-vjeçare të 4 fëmijëve në Durrës.
Madje, siç ka analizuar edhe agjencia “Birn”, qeveritarët po shfrytëzojnë këtë rast fatkeq për të risjellë në tregun politik një projekt-ligj që tenton të censurojë median on-line.
Fillimisht, u raportua se Bedrie Loka ishte viktimë e bullizimit në rrjetin social Tik-Tok, i cili, në fakt nuk hyn në kategorinë e medias. Ky informacion u shërbeu Nikollës e Spiropalit e, pas tyre, edhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë, të vendosin gishtin tek rrjetes sociale për aktin tragjik të Bedrie Lokut.
Dokumentat hetimorë, të siguruara nga “Boldnews.al”, dëshmojnë se vetëvrasja nuk ka lidhje aspak me rrjetet sociale. Akti i Bedrie Lokut, i nisur në 2 janar dhe që përfundoi fatalisht në 3 janar të këtij viti, është një rast tipik i dhunës në familje, një fenomen, për të cilin zonjat qeveritare, por edhe institucionet kryesore shtetërore kanë bërë pak ose thuajse aspak për ta parandaluar.
Pas vdekjes së zonjës Loku, i vetmi që ka përmendur një video bullizuese si shkak për vetëvrasjen e Bedrie Lokut është bashkëshorti, Xhemal Loku, i arrestuar tashmë nën dyshimet e kryerjes së veprës penale të “shkaktimit të vetëvrasjes” dhe “armbëmbajtje pa leje”.
Ndërsa familjarët e të ndjerës, përfshirë fëmijët dhe vëllezërit e saj, të pyetur nga Prokuroria e Durrësit, janë shprehur në unison se Bedria ishte viktimë prej shumë kohësh e dhunës nga bashkëshorti i saj.
Asnjë prej tyre nuk ka përmendur bullizimin në rrjete sociale si shkak për aktin tragjik të 40-vjeçares. Ndaj, është e rëndësishme që zonja kryeparlamentare dhe ajo ministre, të lexojnë para se të keqpërdorin një ngjarje tragjike për t’ia kundërvënë medias on-line pa të drejtë.
Dëshmitë e vëllezërve të Bedries
Vëllai i të ndjerës, shtetasi Pandeli Bushi deklaron “që në muajin mars 2000 që kur është martuar motra ime ai e ka trajtuar shumë keq … e ka dhunuar disa herë fizikisht”, si dhe “besoj se dhe këtë veprime ka bërë vetëm prej dhunës së Xhemalit … nuk ka lidhje fare puna e Tik-Tokut”.
Vëllai i të ndjerës, shtetasi Mahmut Bushi deklaron “kam dyshime dhe kam bindje se motra ka pirë helm për shkak të marrëdhënies, presionit që kishte nga bashkëshorti i saj”, si dhe “e njoh mirë Xhemalin dhe ai ka qenë i dhunshëm dhe nuk e ka trajtuar mirë motrën time sidomos këto dy vite”, duke theksuar “këtë fakt që ai nuk e trajtonte mirë ma ka thënë motra ime disa here dhe i kam thënë Xhemalit shumë herë që mos ta keqtrajtonte motrën time”.
Vëllai i të ndjerës, shtetasi Xhim Bushi deklaron “ajo e ka bërë këtë veprim vetëm prej dhunës së bashkëshortit të saj Xhemal Loku, duke theksuar “atoi kanë patur marrëdhëniet shumë keq …”.
Vëllai i të ndjerës, shtetasi Dhimitër Bushi deklaron “motra ime i ka pasur shumë keq marrëdhëniet … me burrin e saj”, duke theksuar “madje … edhe ditën e ngjarjes Xhemali e ka dhunuar motrën time”.
Dëshmitë e fëmijëve
Djali i dy bashkëshortëve, D. Loka, deklaron para prokurorëve se “mami dhe babi gjithmonë kanë patur debate me njëri tjetrin e nuk i kanë patur mirë marrëdhëniet … gjithmonë debatonin, madje dhe një ditë para se të vdiste mami, një ditë para se të pinte helm, ka bërë një debat të fortë me mamin … se nuk e lejonte mamin të shkonte të shtëpia e gjyshes dhe filloi duke e sharë dhe ofenduar mamin tim. Debati atë natë ka zgjatur nga ora 19 pak a shumë, deri në orën 23.00”, “babi … kur ka qenë në Greqi, gati një vit përpara, e ka marrë në celular mamin tim dhe i ka thënë që unë ty do të bëj të vrasësh veten, mbaje mend”, duke theksuar “shkaku i këtij veprimi ka qenë se mami ka qenë shumë herë e kërcënuar dhe e ofenduar nga babi im … mami ka patur konflikte të herë pas hershme me babain tim”.
Vajza e çiftit, R. Loka, deklaron se “prej një viti ato nuk i kanë patur mirë marrëdhëniet me njëri tjetrin, kanë patur debate që prej muajit shkurt 2023 … sepse gjyshja ime … ka kaluar një trombozë dhe babi im nuk e linte mamin të shkonte për vizitë te gjyshja”, “mami im ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht dhe shumë herë shpreheshe se do t’i jepte fund jetës se thoshte jam e lodhur”, duke theksuar “komunikimi i fundit që unë e kam bërë me mamin … ka qenë ora rreth 22.30 dhe … dhe ajomë tha që prapë debat … i thashë po leje pra atë muhabet dhe qepe, mirë mo mami më tha, mirë se e qep unë” si dhe “diku nga muaji shtator 2023 mami … i kagjetur babit … disa letra në gjuhën franceze të cilat ja ka dërguar një …femër … ajo ishte një franceze dhe ka komunikuar me vëllain tim *****in dhei ka thënë që ka patur një lidhje me Xhemalin … kjo ka qënë një arsye që e ka vrarë shumë psikologjikisht mamin tim”.
Një nga djemë e mitur të çiftit, K. Loka, deklaron se “babi im e ka dhunuar gjithmonë nënën time”, “më datë 27 dhjetor 2023, kur ka ardhur babi … krijoi konflikt me mamin se kishte dëgjuar llafe të njerëzve të tjerë për mamin. I ka thanë mamit lloj lloj fjalësh, i ka thënë do të vras … e ka ofenduar me fjalë të rënda … e ka goditur mamin me grushte dhe me shkelma”, “më datë 1 janar, pas vitit të ri … babi është zënë përsëri me mamin sepse i thoshte se nuk do shkosh te … daja im … dhe te gjyshja ime … ka qenë ora rreth 22.00 deri rreth orës 23.00 ku babi duke bërtitur e ulëritur i thosh që ske për të shku”, “babi im e shante e ofendonte me fjalët nga më të ndyrat … i thosh që ke dashnor, i thosh që ty të ka kap vëllai jot dhe se t’i shkon nëpër hotele me atë (dajën)”.
Djali tjetër i mitur i Xhemalit dhe të ndjerës Bedrie, A. Loka, deklaron se “ato gjithmonë ziheshin me njëri tjetrin”, si dhe“unë kam bërë me celularin tim ca video dhe ja kam çuar motrës sime ku i thosha ja ça po bën mami me babin, i thosha hajde se po zihen”, duke theksuar “unë kam një telefon “Samsung” … dhe me këtë celular unë kam bërë video dhe ja kam çuar motrës kur babi u zinte me mamin”, si dhe “telefoni im ështënë polici … e ka marrë babi … dhe ka thënë që është i veti”.
Pra, siç shihet qartësisht nga dokumentat hetimorë, askush nga familjarët e afërt të Bedrie Lokut nuk e përmend bullizimin në rrjetin Tik Tok si shkak për aktin e vetëvrasjes së saj.
Ndërsa Xhemal Loku, personi i dyshuar nga prokuroria si shkaktari i vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, ka deklaruar në prokurori se “që prej një viti ajo nuk ndihej mirë për shkak të një adrese Tik-Toku që i kishin hapur”. Sipas tij,“këtë veprim (vetëvrasjen) Bedria e ka bërë sipas mendimit tim, vetëm për shkak të adresës që i kanë hapur në Tik-Tok”.