Nga Basir Çollaku
Hetimet e politikanëve tashmë janë bërë një normalitet, por selektiviteti, përdorja e emrave dhe diversionet, standardet ndryshe nga sa përcaktojnë ligjet në fuqi, Kushtetuta, Kodi Penal dhe ai i Procedurës, janë një telash i dukshëm brenda sistemit të drejtësisë. Prokuroria dhe gjykata duken shpesh në sinkronë, sikur ndihen të detyruar për të njëjtën sjellje juridike. Në një takim të quajtur informal me gazetarët në fund të vitit të sapombyllur, kreu i Prokurorisë së posaçme Altin Dumani dha disa përgjigje për jo pak pyetje me temperaturë të lartë ndjeshmërie për opinionin publik. Kur u pyet për çështjen “Rama-McGonigal” në kuadrin e një kallëzimi të bërë në SPAK nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në përgjigjen e tij zoti Altin Dumani, konfirmoi regjistrimin e procedimit, duke lënë të kuptohet se janë duke u kryer hetime. Dhe procedurialisht emri i parë në hetime në këtë kallëzim është Edi Rama.
Ngjarja e korruptimit të drejtorit të kundërzbulimit të FBI, të Nju Yorkut, Charles McGonigal, gjobëvëniet ndaj emrave të biznesit e politikës, porositë për të hetuar opozitën shqiptare, lobistin e ish kreut të saj, investimet për rastet non grata, favorizimet për biznese nga qeveria, kryeministri dhe ministrat, në Shqipëri, janë një numër i madh ngjarjesh. Ka dhe një vendim Arbitrazhi ku ne dënohemi të paguajmë 50 milionë euro nga këto favorizime dhe ndëshkime të biznesi shqiptaro-amerikan, në favor të rusëve e kinezëve. Në dosjen amerikane emri i kryeministrit Edi Rama përmendet së paku 14 herë, për takime dhe ndërveprime me shefin e qeverisë shqiptare. Kryesocialisti Rama nuk i ka shpëtuar pyetësorit të federalëve amerikanë dhe Charles ka pranuar akuzat për historinë ruse, kineze dhe shqiptare, duke u dënuar për njërën dosje, e duke pritur dënimin për tjetrën, në procesin e 26 shkurtit.
Kush janë emrat që po hetohen
Edi Rama, Agron Neza, Dorian Duçka, janë shtetasit shqiptarë në këtë procedim, duk kryer veprime konkrete, siç janë përmendur në dosjet e Uashingtonit dhe Nju Yorkut. Natyrisht nuk mbetet jashtë çështjes ministri Energjetikës asaj kohe Damian Gjiknuri, kur u hoq një licencë një kompanie dhe iu dha dikujt tjetër, me lidhjet e këtij grupimi, përfshirë në interesa edhe agjentin amerikan të FBI. Erion Veliaj është gjithashtu në këtë çështje, përveç asaj të Inceneratorëve 1 miliardë dollarëshe për të cilën zoti Dumani premtoi sqarim rrethanash përgjegjësie penale. Taulant Balla, ministër i brendshëm ka pranuar takimet me agjentin, drejtor kundërzbulues të shërbimeve itenligjente amerikane. Informacione referuar për Charles kanë dalë nga zyra e Edi Ramës dhe këshilltari i tij Dorian Duçka dhe burimi informues Agron Neza, ia kanë përcjellë Charles McGonigal, që ka vënë në lëvizje mekanizmin e hetimit me porosi në USA. Kemi një kryeministër në hetim edhe nga SPAK, ndonëse kjo prokurori është mjaft e rezervuar dhe anemike lidhur me veprimet e kryera. I vetmi nga emrat aktualë që kanë hyrë në zyrat e prokurorisë pas këtij procedimi është Dorian Duçka ndonëse përpjekjet mediatike e hodhën versionin e dëshmisë për ÇEZ-DIA në mungesë të një reagimi zyrtar nga prokurorët.
Sigurisht duhet të jetë dërguar letërporosi në SHBA, për të marrë materialet hetimore rreth episodeve ku janë të përfshirë shtetasit shqiptarë. Agjentët e hetimit mund të mësojnë e tregojnë publikut, pasi të lexojnë dosjen amerikane, në fakt kanë shumë e jo pak dijeni, dhe pasi të konsultojnë përgjimet e shumta brenda saj, se cila është pozita penale e kryeministrit në këtë përfshirje korruptive. Por Edi Rama është në zyrë. Ministrat dhe zyrtarët pjesë e dosje janë në detyra të rëndësishme. Ata kanë të gjithë mundësitë dhe mekanizmat të vënë dorë, ndryshojnë, asgjësojnë, prova e dëshmi, apo dëshmitarë. Prokuroria nuk kërkon asnjë masë sigurie. Asnjë përpjekje për të marrë në pyetje Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën, e shumë të tjerë në këtë histori të rëndë korrupsioni shtetëror. Ndoshta SPAK pret leje. Nëse e pret nga Rama largqoftë se ndodh gjë, nëse e pret nga Ambasada Amerikane, varet nga skedina. Por ajo duhet të marrë reference ligjin shqiptar, në këtë rast duhej të kishte vepruar intensivisht. Sepse është prokurori shqiptare jo diplomatike…