Gjatë hetimeve të SPAK për inceneratorët dhe lidhjen e biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri me ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, u zbulua dhe se kompani nën kontrollin e Mërtirit dhe Zotos kanë marrë tenderë miliona euro nga bashkitë e drejtuara nga socialistët në tenderë të drejtorive të Ujësjellësve, tenderë këto që janë gjetur në shkelje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Dy ditë pas shkuarjes në SPAK, ish-kryetari i Bashkisë së Fierit dhe aktualisht deputet i PS, Baftjar Zeqo ka zbuluar se para prokurorëve ka dëshmuar pikërisht në lidhje me tenderat e dhëna nga Ujësjellësi i Fierit, pasi atë ditë “kyçi” gojën pas daljes nga godina e Prokurorisë së Posaçme.
Gjithsesi, Baftjar Zeqo heq përgjegjësinë nga pushteti vendor duke ia çuar qeverisë së kohës. Në një prononcim për mediat, ai shprehet se tenderi për Ujësjellësin e Fierit është dhënë nga bord i ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave në kohën e Sali Berishës.
“Kam deklaruar se çfarë kam ditur unë në lidhje me tenderin për Ujësjellësin e Fierit, pra është një çështje e hapur para disa muajsh. Por, po rikthesoj dhe një herë që Ujësjellësi i Fierit nuk ka qenë në varësit të kryetarit, por ka qenë një vendim i Këshillit të Ministrave në kohën e Berishës, ndërtoi një bord dhe bordi zgjidhte drejtorin. Ishte jashtë çdo lloj influence të kryetarit të bashkisë, juridike, por dhe morale. Në atë kohë i zgjidhte vetë drejtori, i merrte vetë vendimet.” – ka thënë deputeti socialist.
Nga një prej telefonave të Arben Ahmetajt, SPAK zbuloi se ish nr. 2 i Qeverisë, në një komunikim me Baftjar Zeqon në vitin 2012 i kërkonte këtij të fundit të takoheshin me Mirel Mërtirin. Por, sipas deputetit socialit, pavarësisht këtyre mesazheve, lidhja e tij me Mërtirin bëhet gabimisht nga mediat.
“Gabimisht është bërë lidhje pastaj, me qenë se mua Ahmetaj pastaj më kishte dërguar një mesazh dhe bashkë me mesazhin ishte përmendur Mërtiri dhe meqënëse Mërtiri paska marrë tenderin 5 milionë euro që ishin për sahatët matës të Ujësjellësit, lidhet pastaj dhe me kryetarin. Por, absolutisht nuk ka asnjë lidhje.” – shprehet Baftjar Zeqo.
Çfarë përmbante komunikimi Ahmetaj-Mërtiri?
“Mes Ahmetajt dhe Mërtirit ka pasur komunikim të afërt për sa kohë ata i drejtohen njeri tjetrit me nofka dhe ata flasin me detaje për gjithçka ndodh mes tyre. Në një moment Mërtiri e pyet Ahmetajn dhe i thotë që “gjithë PS dhe udhëheqja e PS ka zbarkuar në Korçë”. Ahmetaj i përgjigjet “Unë isha i ftuar por ndodhem jashtë Shqipërisë në udhëtime”. Në kuadër të këtij akt ekspertimi rezulton se Ahmetaj komunikon me ish kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo të cilit i kërkon të komunikojnë dhe të ulen bashkë me Mërtirin në kafe dhe më pas vijojnë komunikimet mes Zotos, Mërtirit dhe ish kryetarit të bashkisë”, thuhet në dosjen kundër Ahmetajt.
Pas zbulimit të këtij komunikimi, Baftjar Zeqo, i pyetur nga mediat, ka deklaruar se nuk e mban mend. “Mua s’më kujtohet takimi dhe tema. Nuk mbaj mend do thosha. Unë se mbaj mend, ky takim mund të jetë në 1 mijë takime.” – është shprehur deputeti i PS-së nga oborri i Kuvendit në atë kohë.
Lidhja Zoto-Mërtiri me tenderin e ujësjellësit të Fierit
Një prej tenderave, për vendosjen e matësave të ujit me sistem elektronik në Fier, kap vlerën 391.228.156 lekë të reja ose mbi 3.5 milionë euro dhe është fituar nga shoqëria “Teo Alb”. Tenderi është dhënë në kohën kur në krye të drejtorisë së Ujësjellësit të Fierit ka qenë Salarion Totaj, bashkëshorti i ministres Elisa Spiropali.
SPAK ka zbuluar se Mirel Mërtiri ka qenë i punësuar në kompaninë “Teo Alb”. Po ashtu, edhe Stela Gugallja ka rezultuar si e punësuar pranë shoqërinë “Teo Alb” që ka marrë 3.5 mln euro nga Ujësjellësi i Fierit. Ndërkohë, shoqëria “Teo Alb” dhe “ITS” e Klodian Zotos janë aksionerë në një tjetër kompani, të quajtur “Metronet”. Pra, të dhënat e siguruara nga SPAK-u krijojnë dyshime të forta se “Teo Alb” që ka marrë miliona nga Ujësjellësi i drejtuar nga Salarjon Totaj, përfaqëson interesa të grupit “Zoto-Mërtiri-Gugallja”.
Veç gjetjeve nga SPAK, kjo aferë denoncohet edhe nga ish-punonjës të asaj drejtorie, të cilët në atë kohë kanë refuzuar zbatimin e këtij tenderi korruptiv. Fatmir Duraj, shef sektori i kohës në Ujësjellësin e Fierit, tregon për Syri TV se si kompania që nuk kishte asnjë eksperiencë dhe as staf për kryerjen e punimeve fitoi tenderin për ndërrimin e matësave e pikërisht këtu nisën edhe problemet për të.
Duraj tregon se meqë kompania “Teo Alb” që fitoi tenderin nuk kishte as eksperiencën, por as punonjës për të kryer punime, iu kërkua që punimet të kryheshin nga sektori i mirëmbajtjes që ai drejtonte.
Por fill pas këtij refuzimi, Duraj tregon se nisën problemet për të e në skenë del Klodian Zoto që e kontakton dhe i kërkon që të zbatojë urdhrin që ka marrë. Por siç tregon Duraj, pas refuzimit edhe të kërkesës së Klodian Zotos, situatën e mori në dorë Salarion Totaj, bashkëshorti i ministres Elisa Spiropali, i cili pasi e urdhëron që të mos kundërshtojë, e heq edhe nga puna, pikërisht për këtë refuzim.
Këto episode janë faktuar edhe nga Prokuroria e Posaçme. Nga zbërthimi i telefonit të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, ka qenë fillimisht Arben Ahmetaj që ka kërkuar takim me kryebashkiakun e kohës, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Baftjar Zeqajn, e pas këtij episodi kompania “Teo Alb” i ka shitur Ujësjellësit të Fierit shërbime në vlerë 3.5 milionë euro.
E si në rastin e inceneratorëve, kompania “Teo Alb” dhe kompanitë në pronësi të Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugallias kishin krijuar një zinxhir kompanish të tjera ku së bashku ishin aksionerë.