Kryedemokrati Sali Berisha të premte në mbrëmje ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Në mbledhje u diskutua si do të vijojë aksioni opozitar gjatë ditëve në vijim dhe për mënyrën se si do të reagojë PD pas akuzave të fundit të SPAK ndaj ish-kryeministrit të cilit GJKKO i ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për dosjen nën hetim të ish-kompleks Partizanit.
Referuar zhvillimeve të fundit, mbi dosjen “Partizani”, Berisha u shpreh se ky është momenti më kritik në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë, pasi po synohet shpërbërja e opozitës.
Gjatë fjalës hapëse, Berisha theksoi se Shqipëria pa opozitë do të përjetojë sërish diktaturën, pasi të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu.
“Ne mblidhemi sot në një nga momentet më kritike, ndofta në momentin më kritik në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë. Në momentet e fillimit të betejës tonë pa kthim dhe vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë, opozitës së vërtetë, pluralizmit politik si motor i ekzistencës dhe zhvillimit të një shoqërie të lirë.
Karls Marksi, idhulli i etërve mizorë të Edi Ramës, por edhe kripto idhulli i Edi Ramës ka thënë 160 vite më parë një shprehje; kuptimi i paqes është mungesa e opozitës. Për kryefilozofin e terrorizmit, paqja ishte diktatura, dhe në këtë kontekst, i bazuar në këtë parim ç’njerëzor Enver Hoxha shndërroi luftën çlirimtare në luftë civile. Pushkatoi në vitin 1946 opozitën parlamentare dhe pastaj me mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që guxuan të kundërshtojnë politikën e tij shtypëse. Shqiptarët pa opozitë përjetuan një diktaturë të trefishtë si asnjë vend tjetër, luftën e klasave, tiraninë e urisë dhe mjerimit, diktaturën e izolimit.
U ndala në këtë moment sepse më mirë se ne, askush nuk duhet ta dijë se çdo të thotë një komb pa opozitë. Një komb pa opozitë jeton në natën e tij më të zezë. Por po kështu, në ato vite të paqes të Karl Marksit, interesi kombëtar u shkelmua në mënyrën më të padenjë. Të gjitha këto u realizuan sepse të gjitha pushtetet ishin përqendruar në dorën e një njeriu”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha e krahasoi Edi Ramën me regjimin komunist të Enver Hoxhës, me qëllimin sipas tij, “djallëzor” për të zhdukur opozitën në Shqipëri.
Sali Berisha: “Sot ku jemi, cila është gjendja. Sot nuk kemi kampe përqendrimi, sot nuk kemi skuadra pushkatimi, hiperkolektivizëm. Pra padyshim që Shqipëria nuk është ajo që ishte e doktrinës dhe diktaturës komuniste. Megjithë këtë, sot Shqipëria është përsëri në një diktaturë, është një diktaturë të vërtetë dhe të pamohueshme sepse sot në Shqipëri një njeri i vetëm kontrollon të gjitha pushtetet. Sot Edi Rama kontrollon pushtetin ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, agjencitë e të quajtura të pavarura, kontrollon ekonominë me oligarkët e tij, kontrollon mediat.
Sot Edi Rama, opozitën njëlloj si Enver Hoxha e ka shpallur armike dhe armike për ta zhdukur, natyrisht jo me plumba armësh zjarri, por me plumba të tjerë asgjësues, në mënuyrë që ta vendosë nën kontrollin e tij të plotë.
Sot diktatura e Edi Ramës kontrollon votën në shkallën më të madhe që i duhet atij, me makinerinë gjigante të frikës së qytetarëve. Me fallangat komuniste të kuqe të patronazhistëve, me vrasësit serialë të bandave ai kontrollon dhe dikton vullnetin e shqiptarëve.
Me makinerinë, me industrinë gjigante të blerjes së votës, qindra e mijëra shqiptarë shesin të drejtën e votës ose votën. Të gjitha këto kanë një synim, zhdukjen e opozitës. Të gjitha këto Edi Rama, këto vota që i grabit, i konsideron plumba për opozitën. E njëjta gjë sot ndodh me pronën. Njerëzit nuk e kuptuan dhe PD nuk bëri detyrën e vet. Ligji i investimeve strategjike është ligji i konfiskimit të pronave në të gjitha zonat që ato mund të kenë një vlerë turistike, nga kepi i Stillos në Velipojë, nga Çajupi në Alpe. Ku të dojë diktatori i konfiskon dhe i përdor për mafian e tij”.
- Berisha: Nuk do isha non-grata sot, as dhëndri im në burg, nëse do firmosja “pazarin” me Ramen dhe Bashën
Berisha në fjalën e tij përpara Këshillit Kombëtar u shpreh se kjo histori e sulmit ndaj opozitës nis në vitin 2021 kur Lulzim Basha bëri pazar me Edi Ramën.
Sipas Berishës, atij i është bërë një ofertë të pranojë bashkëpunimin e PD-së me kryeministrin Rama, por ai nuk pranoi. Nëse do pranonte nuk do ishte shpallur non-grata dhe dhëndri i tij nuk do të ishte në burg.
Berisha shton se kjo është një luftë për të shpëtuar pluralizmin, pasi për të luftuam në vitet 90′.
Sali Berisha: “Edi Ramës i ka ngecur sharra në gozhdë. Nëqoftëse Enver Hoxha e rrëzoi me plumba opozitën, ky përsëri me gjithë përpjekjet më të mëdha që ka bërë nuk ja ka dalë të rrëzojë opozitën.
Në fakt kjo histori për të cilën ne jemi sot këtu fillon në prillin e vitit 2021, kur zgjedhjet ishin mbyllur në tavolinë pavarësisht nga lumenjtë e djersës që populli fisnik opozitar derdhi në ato zgjedhje për fitore e demokracisë.
Edi Rama qeverisjen pas 25 prillit e kishte mbyllur me Lulzim Pengun. Ky i fundit i kapur me dosjen që ja mban varur Edi Rama shiti zgjedhjet dhe në fund dërgoi njerëzit e tij për të marrë uratën e Sali Berishës, për bashkëqeverisje. Atë ditë nëse unë kisha pranuar atë marrëveshje sot nuk do të isha non grata, nuk do të kisha dhëndërrin padrejtësisht në burg. Por si mund ta pranoja unë këtë.
Ky pazar me Edi Ramën do të ishte thikë pas shpine në zemrën e shqiptarëve. Ky pazar me Edi Ramën do të ishte vdekja e opozitës, firmosja për të shkatërruar kombin. Pluralizmi është fëmija im, fëmija e të gjithë atyre që luftuan në ’90 për shembjen e diktaturës. Nuk mundet kurrë që unë të bëja një kompromis të tillë për të asgjësuar pluralizmin që sollëm në vitet ’90.
Pasi refuzova kategorikisht njerëzve të Bravës këtë propozim, Edi Rama shtiu plumbin e radhës ndaj opozitës. Ashtu si Enver Hoxha ndaj opozitës së ’45, në vitin 2021, Edi Rama tentoi të asgjësojë politikisht Sali Berishën, kësaj here me plumbin e lobingut. Kontaktoi McGonigalin me mekanizma manipulativ dhe korruptiv, Sali Berisha dizenjohet non grata.
Po ndalem këtu, pasi sot McGonigal është vetëdeklaruar fajtor për dosjen shqiptare, ai gjendet pas hekurave dhe përveç kësaj, në webin tim gjendet një raport i të ashtëquajtua prova që u përdorën për non gratin time, që mund ti shkarkoni dhe ti shikoni siç burojnë nga Edi Rama, Lulzim Brava dhe mediat e financuara nga Soros.”
- Rezoluta e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Është publikuar edhe rezoluta e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që pritet të miratohet pas diskutimeve dhe fjalës së kryedemokratit Sali Berisha.
Në këtë rezolutë, theksohet se “Shqipëria ndodhet nën regjimin autokratik të Edi Ramës, diktaturën e bandave, drogës dhe krimit, duke vendosur tashmë kontrollin e plotë mbi çdo qelizë të shtetit, mbi pushtetin legjislativ, gjyqësor, ekonominë dhe mediat e vendit“.
Referuar zhvillimeve të fundit, mbi dosjen “Partizani“, arrestimin e Malltezit dhe masën ndaj ish-kryeministrit Berisha, në rezolutën e Partisë Demokratike theksohet se “deputetëve të PD-së iu mohohen të drejtat parlamentare dhe kushtetuese, dhe se opozita trajtohet si armik i brendshëm i vendit”.
Më tej shkruhet se institucionet e reja të drejtësisë, po ndjekin një axhendë politike në shërbim të mazhorancës duke i shërbyer interesave të saj, dhe jo drejtësisë apo shtetit ligjor.
Rezoluta e plotë:
“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, mbledhur sot në datë 27 tetor 2023, pasi diskutoi me përgjegjësi mbi situatën politike, ekonomike në vend, konstaton se:
-Në Shqipëri regjimi autokratik i Edi Ramës, diktatura e bandave, drogës dhe krimit vendosin tashmë kontrollin e tij të plotë mbi çdo qelizë të shtetit, mbi pushtetin legjislativ, gjyqësor, ekonominë dhe mediat e vendit ;
-Regjimi mbahet në këmbë nga bashkëpunimi i ngushtë i tij me krimin e organizuar, nëpërmjet financimit të parave që vijnë nga trafiku i drograve dhe pastrimi i tyre, si dhe nga korrupsioni i lartë dhe i kudogjendur qeveritar. Edi Rama ka krijuar në Shqipëri makinerinë gjigande të frikësimit të zgjedhësve shqiptarë dhe industrinë e blerjes së votës, me të cilat ai shndërroi krimin në votë dhe votën në krim, duke bllokuar rotacionin dhe vendosur në Shqipëri de facto monizmin politik;
-Instalimi i këtij narko-regjimi shënon një rast të paprecedentë, rastin e parë dhe të vetëm në Evropë, ku një vend i cili aspiron të ardhmen evropiane sot qeveriset nga pushtetarë të lidhur ngushtë me krimin e organizuar, në të gjitha nivelet e qeverisjes qëndrore dhe vendore;
-Shtetit ligjor është zëvendësuar me kodin e narkoshtetit. Parimet themelore kushtetuese, pluralizmi politik, ndarja e pushteteve, të drejtat dhe liritë themelore të individit, e drejta e patjetërsueshme e pronësisë, ekzistenca e një media të lirë dhe të pavarur, janë tashmë nën kërcënimin real të përditshëm të zhbërjes së tyre dhe në vartësinë dhe kontrollin nga ky narko-regjim;
Pas kontrollit të votës së qytetarëve, ai de facto ka asgjësuar pluralizmin parlamentar në Shqipëri. Deputetët e Partisë Demokratike dhe opozita trajtohen si armik të brendshëm të vendit. Atyre iu mohohen të drejtat parlamentare dhe kushtetuese. Atyre, në shkelje flagrante të Kushtetutës, nuk iu lejohet përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të të gjithë shqiptarëve, ju mohohet e drejta kushtetuese e Opozitës për të kontrolluar me Komisione Hetimore Parlamentar, dhe po kështu inisiativa ligjore e tyre. De facto, në një akt të hapur armiqësor ai duke shkelur Kushtetutën ka zëvendësuar pluralizmin politik në parliament me monizmin e Partisë-Shtet.
-Institucionet e reja të drejtësisë, të ngritura për të qenë të pavarura, po ndjekin një axhendë politike agresive të mazhorancës duke i shërbyer interesave të saj, dhe aspak drejtësisë dhe shtetit ligjor. “Heronjtë e Antikorrupsionit” nuk guxojnë të godasin asnjë zyrtar të lartë socialist pa miratimin e kreut të qeverisë. Ndërsa Opozitës i rezervohen metodat staliniste të ngritjes së akuzave dhe fabrikimit të provave të rreme. Goditja nëpërmjet këtyre “akuzave” e liderit të Partisë Demokratike, janë një provë e pakundërshtueshme e kapjes totale të sistemit të drejtësisë nga ana e Edi Ramës dhe qëndrimit armiqësor të tij ndaj opozitës;
-Korrupsioni galopant në Shqipëri është I përhapur në të gjitha nivelet me në krye Edi Ramën dhe familjen e klanet qeveritare, oligarkët e tij po rrënon çdo ditë ekonominë e vendit dhe qënien e shqiptarëve. Organet e drejtësisë të ngritura për t`i luftuar ato dhe vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e korrupsionit në vendin më të korruptuar të Europës, kanë dështuar qëllimisht duke demostruar anshmërinë e tyre politike për të vënë drejtësinë në vend dhe mbrojtur interesin publik.
Më tej shkruhet se PD ndodhet prej vitesh në sulm politik të orkestruar nga kryeministri Rama, i cili ka si qëllim zhbërjen e opozitës dhe marrjen në dorë të të gjitha pushteteve.
Në rrethanat e sipërpërmendura:
-Partia Demokratike ndodhet prej vitesh nën një sulm politik stalinist të paprecedentë, të papajtueshëm me normat e shtetit ligjor dhe rendit demokratik në një republike parlamentare. Ky sulm është orkestruar drejtpërsëdrejti nga Edi Rama me qëllim zhbërjen e opozitës dhe vlerave të saj të qendrës së djathtë, goditjen e reformave të thella të ndërmarra që kanë transformuar Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, goditjen e trashëgimisë politike dhe të lidershipit të saj;
-Partia Demokratike konstaton se qeveria socialiste dhe kryeministri i vendit, me qëndrimet e tyre kundrejt Kosovës, ndërhyrjet e tyre brutale në punët e brendshme të Kosovës për llogari të Beogradit, po minojnë rëndë interesin kombëtar, interesin e Kosovës. Bashkëpunimi i Edi Ramës me Beogradin për ndarjen e Kosovës dëmton rëndë arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë dhe paqen në rajon.
Sulmi i orkestruar politik nga mazhoranca socialiste kulmoi përgjatë këtij viti, kur:
Opozitës, si pasojë e një sistemi gjyqësor të kapur politikisht nga mazhoranca, në shkelje flagrante të çdo norme juridike, si edhe kapjes politike të organeve administruese të procesit zgjedhor, iu mohua identiteti i saj politik dhe e drejta për të patur përfaqësuesit e saj në administrimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi;
Partia Demokratike dhe Opozita u shantazhuan në të gjitha mënyrat për ta detyruar atë të mos merrte pjesë në zgjedhjet vendore 2023, dhe pasi ky skenar dështoi, mazhoranca manipuloi thellësisht zgjedhjet vendore, në fushën zgjedhore më të pabarabartë ndonjëherë që nga vendosja e demokracisë në Shqipëri;
Raporti OSBE/OHDIR rrëzoi përfundimisht zgjedhjet vendore 2023, duke konfirmuar problematikat e rënda të ngritura nga Partia Demokratike përpara, gjatë dhe pas periudhës zgjedhore;
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i vetëdijshëm për këto zhvillime dramatike për vendin, shpreh me forcë përkushtimin e tij të palëkundur në mbrojtje të opozitarizmit dhe të demokracisë, lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe sundimit të ligjit, si parimet themelore të forcës sonë politike. Duke parë rreziqet që po i kanosen Shqipërisë, institucioneve, demokracisë dhe aspirates sonë për anëtarësim në Bashkimin Europian, shprehim vendosmërinë për të qendruar me cdo kusht dhe me cdo sacrifice në betejën tonë pa kthim, në mbrojtje të vlerave dhe parimeve demokratike Europiane!
Referuar fjalëve të lartpërmendura, rezoluta përmbyllet me thirrje drejtuar antarësisë dhe shqiptarëve për tu bërë bashkë me qëllim rivendosjen e pluralizmit politik, rendit demokratik, dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike deklaron se:
Mbrojtja e rendit demokratik, mbrojtja e pluralizmit politik parlamentar dhe vlerave të saj, ruajta e interesit kombëtar shqiptar, janë misione jetike të Partisë Demokratike për të cilën ajo është themeluar, ekziston dhe do të kontribuojë në vazhdimësi.
Partia Demokratike është krijuar mbi bazën e këtyre premisave dhe i konsideron të shenjta ato. Ajo do të bëjë gjithçka, do të marrë çdo vendim në një betejë të pandërprerë me protesta të fuqishme të kthejë Shqipërinë në rrugën e demokracinë, vlerave evropiane dhe ta shpëtojë atë nga regjimi i narkoshtetot që po shkatërron çdo ditë;
Partia Demokratike i bën thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, si dhe gjithë shqiptarëve t’a konsiderojnë këtë moment si një moment përcaktues në historinë e vendit, ku vendoset e ardhmja e demokracise në Shqipëri dhe e vlerave demokratike të saj;
Partia Demokratike i kërkon anëtarësisë, simpatizantëve dhe gjithë shqiptarëve të bashkohen në një front të vetëm të gatshëm për sakrifica në betejë pa kthim për t’u përballur me revanshin e fortë autokratik të qeverisë, si dhe për të mbrojtur vlerat dhe arritjet e shoqërisë shqipare në këto 32 vite pluralizëm;
Partia Demokratike shpreh besimin e saj të plotë se thirrjes së saj do t`i bashkohen të gjithë ata që besojnë në rëndësinë jetike të pluralizmit politik dhe opozitës së vërtetë si kusht vendimtar për të patur një të ardhme europiane.
Partia Demokratike nuk do të tërhiqet kurrë nga ky mision historik i saj. Ne jemi të gatshëm të japim çdo kontribut dhe pranojmë çdo sakrificë për rivendosjen e pluralizmit politik, rendit demokratik, shtetit ligjor në Shqipëri. Ne kemi nevojë për kontributin e të gjithë atyre, pa asnjë dallim partiak, që vlerësojnë me të drejtë se demokracia është në rrezik dhe opozitarizmi është vlerë e pazëvendësushme e shoqërive të lira demokratike.
Ndaj në këto çaste vendimtare, bashkimi në një front të vetëm garanton fitoren tonë, fitoren e demokracisë dhe të së ardhmes të sigurtë evropiane të Shqipërisë”, thuhet ne rezolutë.